Premtimi i një bote pa korrupsion
KORRUPSIONI ka depërtuar në çdo nivel të shoqërisë. Kudo qoftë, në qeveri, në shkencë, në sporte, në fe apo në biznes, duket se korrupsioni është jashtë kontrollit.
Nga njëri vend në tjetrin, lajme zhgënjyese me skandale korrupsioni mbushin mjetet e informacionit. Shumë veta që janë betuar se do t’u shërbejnë interesave të popullit, janë zbuluar se u shërbejnë interesave të tyre personale, duke pranuar ryshfete. I ashtuquajturi krim me «jakë të bardhë» po galopon. Një numër gjithnjë e më i madh njerëzish nga shtresa të larta shoqërore apo ekonomike janë fajtorë për dhunime serioze etike apo kriminale në lidhje me punën e tyre të rregullt.
Po rritet shqetësimi në lidhje me atë që një gazetë evropiane e përshkruan si «‘korrupsioni i madh’: praktika me anë të së cilës zyrtarë të lartë, ministra dhe shumë shpesh edhe kryetarë shtetesh, kërkojnë rryshfete përpara se të aprovojnë blerje dhe zhvillime më të mëdha». Në një vend, «dy vjet me kërkime policore dhe pothuajse me arrestime të përditshme, ende nuk i kanë topitur të korruptuarit e pandreqshëm», pohon gazeta britanike The Economist.
Për shkak të këtij korrupsioni të përhapur kudo, shumë veta sot mendojnë se nuk mund të besojnë tek askush. Ata bashkohen me ndjenjat e shkrimtarit biblik, Davidit, kur tha: «Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.»—Psalmi 14:3.
Si po e përballon realitetin e korrupsionit të përhapur? Shumë veta, sot, në mënyrë të thjeshtë nuk e përfillin. Por, edhe sikur të mos e përfillësh, korrupsioni ende do të të dëmtojë. Si?
Korrupsioni ndikon mbi ty
Si korrupsioni në nivel të lartë, ashtu edhe ai në shkallë të vogël rrisin koston e jetesës, zvogëlojnë cilësinë e prodhimeve dhe rezultojnë në më pak punë dhe në rroga më të ulta. Për shembull, është parë se krime të tilla si përvetësimi i parave dhe mashtrimet, kushtojnë të paktën dhjetë herë më shumë se kostoja e përbashkët e grabitjeve, plaçkitjeve dhe vjedhjeve. The New Encyclopædia Britannica (1992) pohonte se «kostoja e krimit të korporatave në Shtetet e Bashkuara ishte 200.000.000.000 dollarë në vit, tri herë sa kostoja e krimit të organizuar». Ky burim shpjegon se edhe pse pasojat mund të mos zbulohen menjëherë, «këto krime kanë një ndikim të pamasë mbi sigurinë e punëtorëve, konsumatorëve dhe ambientit».
Frytet e hidhura të korrupsionit na sjellin ndër mend fjalët e mbretit Solomon: «Kështu u ktheva dhe mendova për gjithë shtypjet që ndodhin nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve, të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë; nga ana e shtypësve të tyre ishte forca, por as ata nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë.»—Eklisiastiu (Predikuesi) 4:1.
Por, a duhet të nënshtrohemi përpara korrupsionit? A është ai i pashmangshëm? A është një botë pa korrupsion një ëndërr e pamundur? Lumturisht, jo! Bibla na mëson se padrejtësia dhe paligjshmëritë së shpejti do të eliminohen.
Çfarë na thotë Bibla?
Bibla na thotë se korrupsioni filloi kur një engjëll i fuqishëm u rebelua kundër Perëndisë dhe nxiti çiftin e parë njerëzor që të bashkohej me të. (Zanafilla 3:1-6) Asgjë e mirë nuk doli prej rrugës së tyre mëkatare. Përkundrazi, që nga dita kur Adami dhe Eva mëkatuan kundër Perëndisë Jehova, ata filluan të vuanin pasojat e këqija të korrupsionit. Trupat e tyre filluan ngadalë procesin e prishjes, duke shkuar drejt vdekjes së pashmangshme. (Zanafilla 3:16-19) Që prej asaj kohe, historia ka plot shembuj rryshfetesh, gënjeshtrash e mashtrimesh. Megjithatë, shumë fajtorë kanë shkuar bashkë me të.
Në mënyrë të pazakontë, kriminelë të zakonshëm, nëpunës të korruptuar dhe politikanë, rrallë përfundojnë nëpër burgje apo kthejnë fitimet e tyre të nxjerra në mënyrë të padrejtë. Për shkak të natyrës së fshehtë të rryshfeteve e të fitimeve, shpesh është e vështirë të zbulohet korrupsioni në nivel të lartë. Por kjo s’do të thotë se një botë pa korrupsion është një ëndërr e pamundur.
Çlirimi nga korrupsioni do të vijë nga Krijuesi i njeriut, Perëndia Jehova. Ndërhyrja hyjnore është zgjidhja e vetme. Përse? Sepse armiku i padukshëm i njerëzimit, Satana Djalli, vazhdon të mashtrojë njerëzimin. Si lexojmë në 1. Gjonit 5:19, «gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (BR) Ç’gjë tjetër mund të shpjegojë rritjen e korrupsionit, pjesa më e madhe e të cilit mbetet pa ndëshkim?
Asnjë grumbullim i përpjekjeve njerëzore nuk mund të mposhtë Satanain dhe demonët e tij. Vetëm ndërhyrja hyjnore mund t’i garantojë njerëzimit të bindur «lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë». (Romakëve 8:21) Jehovai premton se së shpejti Satanai do të kufizohet, aq sa të mos mund ta mashtrojë më njerëzimin. (Zbulesa 20:3) Ndërkohë, nëse dëshirojmë të jetojmë në botën e re të Perëndisë të lirë nga korrupsioni, ne duhet të shmangim mënyrat e korruptuara të botës.
Njerëzit mund të ndryshojnë
Në ditët e Jezu Krishtit, kishte nga ata që abuzonin me pushtetin e tyre dhe shtypnin njerëzit e tjerë. Për shembull, tagrambledhësit ishin të njohur për metodat e tyre të korruptuara. Dhe këtë e bënin pavarësisht nga urdhri i qartë i Perëndisë: «Mos prano asnjë dhuratë, sepse dhurata verbon atë që sheh dhe prapëson fjalët e njerëzve të drejtë.» (Të Dalët 23:8) Zakeu, një kryetagrambledhës, pranoi se kishte nxjerrë fitime me anë të akuzave të rreme. Por, në vend se të nxiste një reformë të gjerë shoqërore, Jezui i luti individët që të pendoheshin e të braktisnin rrugët e tyre të korruptuara. Si rezultat, tagrambledhës të korruptuar me famë, si Mateu dhe Zakeu, e braktisën mënyrën e tyre të mëparshme të jetesës.—Mateu 4:17; 9:9-13; Luka 19:1-10.
Edhe ata që sot janë të përfshirë në praktika të pandershme, në mënyrë të ngjashme mund të braktisin korrupsionin, duke veshur «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi të vërtetë e në besnikëri». (Efesianëve 4:24, BR) Ndoshta mund të mos jetë e lehtë të paguash taksat me ndershmëri apo të lësh ndonjë program pune të diskutueshëm. Megjithatë, dobitë që dalin ia vlejnë për çdo përpjekje.
Pa qenë të kushtëzuar më nga kjo botë e korruptuar, ata që merakosen për mirëqenien e të tjerëve gëzojnë paqe të brendshme. Ata nuk kanë frikë se mos kapen në veprime të gabuara. Përkundrazi, gëzojnë një ndërgjegje të pastër. Ata imitojnë shembullin biblik të profetit, Daniel. Tregimi i Biblës thotë se oficerët e lartë kërkonin vazhdimisht të gjenin ndonjë shkak kundër Danielit. «Por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.»—Danieli 6:4.
Premtimi i Jehovait
Jehovai premton se «edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen dhe i zgjat ditët e tij, megjithatë, unë e di që do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë para tij. Por nuk ka të mirë për të pabesin dhe nuk ka për t’i zgjatur ditët e tij si hija sepse nuk ka frikë përpara Perëndisë.»—Eklisiastiu 8:12, 13.
Sa lehtësim do të jetë atëherë kur korrupsioni nuk do të shkaktojë më palumturi! Çfarë bekimi është të jetojmë përgjithmonë në një botë pa korrupsion! Kjo nuk është e pamundur. Bibla flet për «shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave». (Titit 1:2) Nëse e urren korrupsionin dhe e do drejtësinë, atëherë ke mundësi të shohësh përmbushjen e premtimit të Perëndisë për një botë pa korrupsion.
[Figura në faqen 4]
Korrupsioni është i përhapur në qarqet qeveritare dhe në biznes
[Figura në faqen 5]
Korrupsioni shpesh ndikon marrëdhëniet me zyrtarët publikë