Të diplomuarit e Galaadit, «Misionarë të vërtetë»!
«ÇFARË është një misionar?» Kjo pyetje u bë nga një kryeartikull gazete rreth katër dekada më parë. Shkrimtari arsyetonte se misionarët e vërtetë ishin mjetet për kryerjen e reformës ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, të dielën më 5 mars 1995, në Sallën e Asamblesë së Dëshmitarëve të Jehovait, në qytetin Xhersi, u dha një përgjigje krejt e ndryshme. Me ç’rast? Me rastin e diplomimit të klasës së 98-të të Shkollës Biblike të Galaadit (Watchtower), një shkollë që ka dërguar misionarë në mbarë botën.
Pas këngës së hapjes dhe lutjes, Albert D. Schroeder i Trupit Udhëheqës u uroi me ngrohtësi mirëseardhjen të 6.430 të pranishmëve. Në komentet e tij të hyrjes, vëllai Schroeder bëri të qartë se përse të diplomuarit e Galaadit ndryshojnë nga ata që e quajnë veten misionarë. Ai tha: «Bibla është libri kryesor për Galaadin.» Të diplomuarit e Galaadit nuk stërviten për punë shoqërore, por për të qenë mësues të Fjalës së Perëndisë. Në këtë mënyrë, ata janë si askush tjetër të kualifikuar për t’u kujdesur për nevojat frymore të njerëzve në fusha të huaja.
Oratorët pasues prekën disa fusha të tjera, në të cilat të diplomuarit e Galaadit tregojnë se janë misionarë «të vërtetë». Çarls Malëhan u foli atyre mbi temën «Vazhdoni të sillni fryte të shkëlqyera si misionarë». Duke u bazuar në fjalët e apostullit Pavël në Kolosianëve 1:9, 10, vëllai Malëhan i kujtoi të diplomuarit se pesë muajt e kaluar në Galaad i kanë ndihmuar të rriten në «njohurinë e saktë të Perëndisë». Kjo gjë duhet t’i ndihmojë ata të sjellin fryte në dy mënyra: duke treguar frytet e frymës së Perëndisë dhe duke i ndarë të vërtetat biblike me të tjerët.
Më pas, ndoqi Daniel Sydlik i Trupit Udhëheqës me temën serioze, «Mos bëni pazar me jetën tuaj». Ai përmendi pyetjen e Jezuit: «Çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?» (Mateu 16:26) Vëllai Sydlik vërejti: «Njerëzit i kanë shitur shpirtrat e tyre për një mënyrë jetese më të lehtë, më të rehatshme.» Megjithatë, ata që kanë besim të gjallë nuk mund të kompromentohen përballë sprovave dhe vështirësive. Fjalët e Jezuit tregojnë se një person mund të jetë i gatshëm për të «dhënë», pra, për të sakrifikuar, në mënyrë që të fitojë shpirtin apo jetën e tij. Misionarët e rinj u këshilluan të jepnin në shërbim të Jehovait gjithë shpirtin e tyre, më të mirën e tyre!
Më pas, Uilliam Van de Uol i repartit të Komitetit të Shërbimit foli mbi temën: «Apostulli Pavël: një shembull i denjë për t’u imituar.» Vëllai Van de Uol shpjegoi: «Pavli drejtoi veprën misionare në shekullin e parë.» Kështu, në mënyrë të përshtatshme u theksuan katër fusha në të cilat apostulli Pavël la një shembull të mirë për misionarët e sotëm: (1) kujdesi i sinqertë dhe dashuria e Pavlit për njerëzit, (2) efektshmëria e tij në shërbim, (3) mos vënia në dukje e vetes nga modestia, (4) besimi i padiskutueshëm në Jehovain.
«Lini që Jehovai t’ju hetojë në caktimin tuaj të ri» ishte tema që trajtoi Lyman A. Swingle i Trupit Udhëheqës. Duke përdorur tekstin e ditës, Psalmin 139:16, vëllai Swingle pranoi se si misionarë të rinj ata do të ndeshnin probleme në caktimet e tyre dhe se Jehovai i di zgjidhjet. «Afrojuni atij,—këshilloi ai,—flisni me të kur keni probleme. Përpiquni të kuptoni kush është vullneti i tij.»
John E. Barr i Trupit Udhëheqës foli më pas mbi temën: «Besimi juaj rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.» (2. Selanikasve 1:3) Në Lukën 17:1, lexojmë se Jezui tha: «Është e pashmangshme që të mos vijnë shkaqe për pengesë.» (BR) Disa janë penguar nga personaliteti i bashkëmisionarëve. Vëllai Barr i inkurajoi misionarët të kishin besimin e duhur për të falur. Vërtet, ishte në këtë kontekst që dishepujt e Jezuit kërkuan: «Na e shto besimin.» (Luka 17:2-5) Besimi i misionarëve mund të sprovohet gjithashtu edhe nga rregullimet e ndryshme organizative. «A kemi besimin e duhur për t’i pranuar,—pyeti vëllai Barr,—apo do të bëhen si pengesa sa malet?»
Më pas, u dhanë disa këshilla nga dy instruktorët e Galaadit. Xhek Redford i nxiti të diplomuarit të mbanin një qëndrim pozitiv. Ai tregoi për një misionare që e la caktimin e saj, ngaqë disa bashkëmisionarë talleshin me të. Megjithatë, Shkrimet na paralajmërojnë që të mos ofendohemi kot. (Eklisiastiu 7:9) «Mbani një qëndrim të drejtë,—paralajmëroi ai.—Falni gabimet dhe papërsosmëritë e atyre që janë përreth jush!»
Më pas, U. V. Glass, regjistrues i Galaadit, bëri pyetjen: «A jeni përgatitur të përballoni ‘kohë dhe ngjarje të paparashikuara’? (Eklisiastiu 9:11) «Mënyra jonë e jetesës i nënshtrohet gjithmonë ndryshimeve,—vërejti vëlla Glass,—dhe disa mund të jenë gati traumatike.» Disa misionarë janë ndeshur papritur me shëndetin e dobët, sëmundjet dhe problemet familjare, të cilat i kanë detyruar disa të lënë caktimin e tyre. «S’ka rëndësi se çfarë mund të jetë ngjarja e paparashikuar,—tha vëllai Glass,—ne e dimë se Jehovai është në dijeni të saj dhe kujdeset. Nëse mbështetemi në të, e dimë se do të dalim fitimtarë!»
Fjalimi me titull «Të vënë mënjanë për shërbimin misionar», kurorëzoi serinë e fjalimeve të mëngjesit. Theodore Jaracz i Trupit Udhëheqës shqyrtoi pyetjen e përmendur në fillim, pra: «Çfarë është një misionar?» Në përgjigje, ai trajtoi kapitujt 13 dhe 14 të Veprave që flasin mbi veprën misonare të Pavlit dhe Barnabës. Qartë, ajo vepër nuk përqendrohej në kurimin e sëmundjeve shoqërore, por në ‘shpalljen e lajmit të mirë’. (Veprat 13:32) Vëllai Jaracz pyeti: «A nuk jeni të mendimit se Pavli dhe Barnaba treguan se si duhet të jetë një misionar i vërtetë?» Robert Trasi, një misionar veteran nga Meksika u thirr më pas për të treguar disa nga përvojat e tij emocionuese si ungjillëzues.
Programi i mëngjesit arriti kulmin kur vëlla Schroeder u ndau diplomat 48 të diplomuarve. Të pranishmit u emocionuan tek dëgjonin emrat e 21 vendeve ku ishin caktuar misionarët: Barbados, Benin, Bolivi, Ekuador, Estonia, Guineja-Bisau, Guineja Ekuatoriale, Honduras, Ishujt Liuard, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Lati, Mauricius, Mozambik, Nikaragua, Paraguaj, Peru, Republika e Afrikës Qendrore, Senegal, Tajvan dhe Venezuelë.
Pas pushimit të drekës, të pranishmit zunë vend dhe gëzuan një studim të gjallë të Kullës së Rojës, që e drejtoi Robert P. Xhonson i repartit të Shërbimit. Anëtarët e klasës së 98-të iu përgjigjën pyetjeve. Kjo u ndoq nga një seri e këndshme intervistash të drejtuara nga anëtarët e personelit të Galaadit. Të pranishmit u inkurajuan shumë nga përvojat e të diplomuarve në fushë dhe nga ndjenjat e tyre për caktimet në territore të huaja.
Për gjashtë vjet e gjysmë, shkolla e Galaadit është mbajtur në ndërtesat e Uallkillit të Shoqatës Watchtower, në Nju Jork. Megjithatë, në prill 1995, shkolla u transferua në Qendrën Edukative në Paterson, Nju Jork. Si ndihej familja Bethel në Uallkill lidhur me këtë ndryshim? Në këtë diplomim u intervistuan disa nga Uallkilli. Shprehjet e tyre prekëse e bënë të dukshme se studentët e Galaadit kishin lënë një mbresë të pashlyeshme në ta. Është e qartë se këta burra e gra të vullnetshëm janë misionarë të vërtetë, të përulur, vetëflijues, që shqetësohen thellësisht për të ndihmuar të tjerët.
Ndërsa diplomimit i afrohej fundi, të gjithë të pranishmit ishin të sigurt se Shkolla e Galaadit do të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë për më shumë se 50 vjet: të nxjerrë misionarë të vërtetë!
[Kutia në faqen 18]
Statistikat e klasës:
Numri i vendeve të paraqitura: 8
Numri i vendeve ku u caktuan: 21
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 32,72
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 15,48
Mesatarja e viteve në shërbim të plotë kohor: 10,91
[Kutia në faqen 18]
Klasa e 98-të e të diplomuarve të Shkollës Biblike të Galaadit (Watchtower)
Në listën vijuese, rreshtat janë numëruar nga para prapa dhe për çdo rresht emrat janë shënuar nga e majta në të djathtë.
(1) A. Eszlinger; T. Mann; G. Rivera; M. Baruero; M. Vaz; K. Durga; H. Silweryx; D. Alvarado. (2) B. Toth; S. Segarra; R. Hart; I. Rooryck; P. Escobar; J. Ejstrup; L. Sligh; E. Rivera. (3) D. Archard; S. Snaith; P. Marciel; D. Koljonen; S. Waddell; L. Blackburn; M. Escobar; K. Archard. (4) M. Hart; S. Toth; J. Koljonen; H. Bergman; D. Mann; J. Blackburn; D. Park; F. Vaz. (5) S. Segarra; L. Sligh; L. Leslie; B. Bergman; W. Baruero; J. Alvarado; D. Leslie; D. Park. (6) K. Silweryx; R. Eszlinger; J. Waddell; K. Snaith; A. Durga; F. Rooryck; C. Ejstrup; D. Marciel.