Gratë e krishtere meritojnë nderim dhe respekt
«Ju, burra, vazhdoni të banoni . . . me to sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nder, si një vazoje më të dobët, asaj femërore.»—1. PJETRIT 3:7, BR.
1, 2. (a) Çfarë shqetësimi përmbante biseda që Jezui bëri pranë pusit me gruan samaritane dhe përse? (Shiko edhe shënimin.) (b) Çfarë tregoi Jezui, duke i predikuar gruas samaritane?
PRANË pusit të vjetër në afërsi të qytetit të Sikarit, një mesditë aty nga fundi i vitit 30 e.s., Jezui shfaqi mendimin e tij mbi mënyrën se si duheshin trajtuar gratë. Ai kishte kaluar gjithë paraditen duke ecur nëpër vendin kodrinor të Samarisë dhe arriti pranë pusit i lodhur, i uritur dhe i etur. Ndërsa po ulej pranë pusit, një grua samaritane u afrua për të marrë ujë. «Më jep të pi»,—i tha Jezui. Gruaja duhet t’ia ketë ngulur sytë me habi. Ajo pyeti: «Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?» Më vonë, kur dishepujt e tij u kthyen me ushqimet që kishin blerë, u çuditën kur panë se Jezui «po fliste me një grua».—Gjoni 4:4-9, 27.
2 Çfarë kishte prapa pyetjes së asaj gruaje dhe shqetësimit të dishepujve? Ajo ishte një samaritane dhe hebrenjtë nuk kishin të bënin me samaritanët. (Gjoni 8:48) Por, me sa duket kishte, gjithashtu, edhe një arsye tjetër për t’u shqetësuar. Në atë kohë, tradita e rabinëve nuk i lejonte burrat të flisnin në publik me gratë.a Megjithatë, Jezui i predikoi hapur kësaj gruaje të sinqertë, duke i zbuluar madje asaj se ai ishte Mesia. (Gjoni 4:25, 26) Jezui tregoi në këtë mënyrë se nuk kufizohej nga traditat që s’gjendeshin në Shkrimet, duke përfshirë edhe ato që përçmonin gratë. (Marku 7:9-13) Përkundrazi, me ato që bëri dhe me ato që mësoi, Jezui tregoi se gratë duheshin trajtuar me nderim dhe respekt.
Si i trajtonte Jezui gratë
3, 4. (a) Si iu përgjigj Jezui gruas që preku veshjen e tij? (b) Në ç’mënyrë la Jezui një shembull të mirë për burrat e krishterë, veçanërisht për mbikëqyrësit?
3 Dhembshuria e butë që kishte Jezui për njerëzit, u pasqyrua në mënyrën se si u soll ai me gratë. Në një rast, një grua që kishte vuajtur për 12 vjet nga një fluks gjaku, e kërkoi Jezuin në mes të turmës. Gjendja e saj e bënte atë të papastër nga ana ceremoniale, prandaj ajo nuk duhej të ndodhej atje. (Levitiku 15:25-27) Por ajo ishte kaq e dëshpëruar, saqë u afrua ngadalë prapa Jezuit. Pasi preku veshjen e tij, u shërua menjëherë! Edhe pse po shkonte në shtëpinë e Jairit, vajza e të cilit ishte sëmurë rëndë, Jezui u ndal. Duke e ndier se fuqia kishte dalë prej tij, ai filloi të shikonte përreth për njeriun që e kishte prekur. Së fundi, gruaja u afrua e ra para tij duke u dridhur. A do ta qortonte Jezui ngaqë ishte mes turmës apo pasi kishte prekur pa leje veshjen e tij? Përkundrazi, ajo pa se ai ishte shumë i ngrohtë dhe i mirë. «Bijë,—tha ai,—besimi yt të shëroi.» Kjo është e vetmja herë që Jezui i drejtohet një gruaje si «bijë». Sa ngushëlluese duhet të ketë qenë për zemrën e asaj gruaje kjo fjalë!—Mateu 9:18-22; Marku 5:21-34.
4 Jezui shkonte përtej fjalëve strikte të Ligjit. Ai merrte frymën e tyre dhe kuptonte nevojën për mëshirë e dhembshuri. (Krahaso Mateun 23:23.) Jezui vuri re gjendjen e dëshpëruar të gruas së sëmurë dhe mori parasysh se ajo u nxit nga besimi. Në këtë mënyrë, ai la një shembull të mirë për burrat e krishterë, veçanërisht për mbikëqyrësit. Nëse një motër e krishterë po ballafaqohet me probleme personale apo me ndonjë situatë veçanërisht të vështirë e shqetësuese, pleqtë duhet të përpiqen të mos mjaftohen me fjalët apo veprimet e çastit, por të marrin parasysh rrethanat dhe motivet. Një mendjehollësi e tillë mund të tregojë se në vend të këshillave dhe korrigjimit, është i nevojshëm durimi, kuptueshmëria dhe dhembshuria.—Proverbat 10:19; 16:23; 19:11.
5. (a) Në ç’mënyrë gratë ishin të kufizuara nga traditat e rabinëve? (Shiko shënimin.) (b) Kush ishin të parët që e panë dhe që dhanë dëshmi për Jezuin e ringjallur?
5 Të kufizuara nga traditat rabinike, gratë e kohës kur Jezui ishte në tokë, nuk mund të shërbenin si dëshmitare në çështje gjyqësore.b Le të shqyrtojmë se çfarë ndodhi pak pasi Jezui u ringjall nga të vdekurit, mëngjesin e 16 nisanit të vitit 33 e.s. Kush ishin të parët që panë Jezuin e ringjallur e që u dhanë dëshmi dishepujve të tjerë se Zotëria ishte ngritur? Ishin gratë, të cilat kishin qëndruar pranë vendit të shtyllës së mundimeve, derisa ai dha frymë.—Mateu 27:55, 56, 61.
6, 7. (a) Çfarë i tha Jezui grave që erdhën te varri? (b) Si reaguan fillimisht dishepujt meshkuj të Jezuit ndaj dëshmisë së grave dhe ç’mund të mësojmë nga kjo?
6 Herët në mëngjes, ditën e parë të javës, Marija Magdalena dhe gra të tjera shkuan te varri me aroma për të lyer trupin e Jezuit. Duke gjetur varrin të zbrazur, Marija vrapoi për t’i treguar Pjetrit dhe Gjonit. Gratë e tjera qëndruan. Menjëherë u shfaq një engjëll e u tha se Jezui ishte ngritur. «Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij»,—i udhëzoi engjëlli. Ndërsa këto po vraponin për të dhënë lajmin, vetë Jezui iu shfaq atyre. «Shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi»,—u tha ai. (Mateu 28:1-10; Marku 16:1, 2; Gjoni 20:1, 2) Duke mos ditur gjë për vizitën e engjëllit dhe e hidhëruar nga pikëllimi, Marija Magdalena u kthye te varri i zbrazur. Jezui iu shfaq asaj aty e më në fund, kur ajo e njohu, ai tha: «Shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.»—Gjoni 20:11-18; krahaso Mateun 28:9, 10.
7 Jezui mund t’i ishte shfaqur së pari Pjetrit, Gjonit apo dikujt tjetër nga dishepujt meshkuj. Përkundrazi, ai zgjodhi për këtë favor ato gra, duke i bërë dëshmitaret e para okulare të ringjalljes së tij e duke i urdhëruar të dëshmonin për të pranë dishepujve të tij meshkuj. Si reaguan burrat fillimisht? Tregimi pohon: «Por këto fjalë atyre iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.» (Luka 24:11) A e kishin të vështirë të pranonin dëshminë ngaqë vinte prej grave? Sikur të ishte kështu, ata morën prova të bollshme se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit. (Luka 24:13-46; 1. Korintasve 15:3-8) Sot, burrat e krishterë veprojnë me mençuri kur i mbajnë parasysh vëzhgimet e motrave të tyre frymore.—Krahaso Zanafillën 21:12.
8. Çfarë zbuloi Jezui me mënyrën se si u soll me gratë?
8 Është me të vërtetë inkurajuese të vëresh mënyrën se si u soll Jezui me gratë. Gjithmonë i dhembshur dhe plotësisht i ekuilibruar në sjelljen me gratë, ai as i lartësoi, as i nënvlerësoi ato. (Gjoni 2:3-5) Ai nuk i pranoi traditat e rabinëve, të cilat u hiqnin dinjitetin grave dhe bënin të pavlefshme Fjalën e Perëndisë. (Krahaso Mateun 15:3-9.) Duke i trajtuar gratë me nderim dhe respekt, Jezui tregoi së pari se si mendon Perëndia Jehova se duhen trajtuar ato. (Gjoni 5:19) Gjithashtu, Jezui la një shembull të shkëlqyer, të cilin burrat e krishterë duhet ta imitojnë.—1. Pjetrit 2:21.
Mësimet e Jezuit në lidhje me gratë
9, 10. Si i përbuzi Jezui traditat rabinike në lidhje me gratë dhe çfarë tha pasi farisenjtë kishin ngritur një pyetje mbi divorcin?
9 Jezui i refuzoi traditat e rabinëve dhe u dha dinjitet grave jo vetëm me veprimet e tij, por edhe me mësime. Le të shqyrtojmë, për shembull, se çfarë mësoi ai mbi divorcin dhe tradhtinë bashkëshortore.
10 Në lidhje me divorcin, Jezuit i bënë këtë pyetje: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?» Sipas tregimit të Markut, Jezui tha: «Ai që lë gruan e vet [përveç rastit të kurvërisë] dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të. Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.» (Marku 10:10-12; Mateu 19:3, 9) Këto fjalë të thjeshta tregojnë respekt dhe dinjitet për gratë. Përse?
11. Çfarë tregojnë fjalët e Jezuit «përveç rastit të kurvërisë», mbi lidhjen martesore?
11 Së pari, me fjalët «përveç rastit të kurvërisë» (që i gjejmë në tregimin e ungjillit të Mateut), Jezui tregoi se lidhja martesore nuk duhet parë me lehtësi ose e tillë që mund të prishet kollaj. Mësimi mbizotërues i rabinëve lejonte divorcin edhe për gjëra të tilla të vogla, si në rast se një grua derdhte një pjatë me ushqim apo nëse fliste me një burrë të panjohur. Madje, divorci lejohej edhe nëse një burrë kishte gjetur një grua tjetër që i pëlqente më shumë! Një studiues i Biblës vëren: «Duke folur në këtë mënyrë, Jezui po . . . jepte një pikë në favor të grave, duke u përpjekur ta vinte martesën në vendin që duhej të kishte.» Në fakt, martesa duhej të ishte një lidhje e qëndrueshme, në të cilën gruaja të ndihej e sigurt.—Marku 10:6-9.
12. Me fjalët «shkel kurorën me të», çfarë koncepti ndërfuti Jezui?
12 Së dyti, me shprehjen «shkel kurorën me të», Jezui ndërfuti një pikëpamje që nuk njihej në gjykatat e rabinëve: konceptin se një burrë kryente tradhti bashkëshortore kundër gruas së tij. Një komentues i Biblës shpjegon: «Sipas judaizmit të rabinëve, një grua jobesnike mund të kryente tradhti bashkëshortore kundër burrit të saj; dhe një burrë, duke pasur marrëdhënie seksuale me gruan e një burri tjetër, mund të kryente tradhti bashkëshortore kundër atij. Por një burrë nuk mund të kryente kurrë tradhti bashkëshortore kundër gruas së tij, pavarësisht nga çfarë bënte. Duke e vënë burrin nën të njëjtin detyrim moral me gruan, Jezui ngriti gjendjen dhe dinjitetin e grave.»—The Expositor’s Bible Commentary.
13. Në lidhje me divorcin, si tregoi Jezui se në sistemin e krishterë do të kishte një normë, si për burrat dhe për gratë?
13 Së treti, me frazën «nëse gruaja lë burrin e vet», Jezui njohu të drejtën e gruas për të divorcuar një burrë jobesnik, praktikë që me sa duket njihej, por nuk ishte e zakonshme nën ligjin hebre të atyre ditëve.c Thuhej se «burri mund të divorcohej me ose pa dëshirën e gruas, por gruaja mund të divorcohej vetëm nëse burri dëshironte». Megjithatë, sipas Jezuit nën sistemin e krishterë duhej të zbatohej e njëjta normë si për burrat dhe për gratë.
14. Çfarë pasqyroi Jezui me mësimet e tij?
14 Mësimet e Jezuit zbulojnë qartë një kujdes të thellë për mirëqenien e grave. Prandaj, nuk është e vështirë për t’u kuptuar se përse disa gra kishin një dashuri të tillë për Jezuin, saqë u kujdesën për nevojat e tij me të ardhurat e tyre. (Luka 8:1-3) «Doktrina ime nuk është imja,—tha Jezui,—por e atij që më ka dërguar.» (Gjoni 7:16) Me ato që mësoi, Jezui pasqyroi vetë konsideratën e dashur që Jehovai kishte për gratë.
«Duke u dhënë atyre nder»
15. Çfarë shkroi apostulli Pjetër mbi mënyrën se si burrat duhet të trajtojnë gratë e tyre?
15 Apostulli Pjetër e vërejti me sytë e tij mënyrën se si u soll Jezui me gratë. Rreth 30 vjet më vonë, Pjetri u dha grave këshilla të dashura e më pas shkroi: «Ju, burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me to sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nder, si një vazoje më të dobët, asaj femërore, pasi ju jeni edhe bashkëtrashëgimtarë me to të favorit të pamerituar të jetës, në mënyrë që lutjet tuaja të mos pengohen.» (1. Pjetrit 3:7, BR) Ç’donte të thoshte Pjetri me fjalët «duke u dhënë atyre nder»?
16. (a) Cila është domethënia e emrit greqisht të përkthyer «nder»? (b) Si e nderoi Jehovai Jezuin gjatë shpërfytyrimit dhe ç’mësojmë nga kjo?
16 Sipas një leksikografi, emri grek i përkthyer «nder» (ti·meʹ) do të thotë «çmim, vlerë, nderim, respekt». Forma të kësaj fjale greqisht janë përkthyer edhe «dhurata» dhe «i çmueshëm». (Veprat 28:10; 1. Pjetrit 2:7) Mund të kuptojmë më mirë se ç’do të thotë të nderosh dikë, nëse shqyrtojmë përdorimin që i bën Pjetri një forme të së njëjtës fjalë, në 2. Pjetrit 1:17. Aty, ai tha duke iu referuar shpërfytyrimit të Jezuit: «Ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.’» Në shpërfytyrimin e Jezuit, Jehovai e nderoi Birin e tij, duke shprehur miratimin e tij për Jezuin dhe Perëndia e bëri në mënyrë që të dëgjonin edhe të tjerët. (Mateu 17:1-5) Pra, burri që e nderon gruan e tij, nuk e poshtëron apo përbuz atë. Përkundrazi, me fjalët dhe veprat e tij, privatisht apo në publik, ai tregon se e çmon atë.—Proverbat 31:28-30.
17. (a) Përse gratë e krishtere kanë të drejtë të nderohen? (b) Përse një burrë nuk duhet të mendojë se në sytë e Perëndisë ka më shumë vlerë se një grua?
17 Ky nder, thotë Pjetri, duhet t’u ‘jepet’ grave nga burrat e krishterë. Duhet t’u jepet jo sikur po u bëhet ndonjë favor, por si diçka që gratë e meritojnë me të drejtë. Përse gratë kanë të drejtë për një nderim të tillë? Sepse «ju jeni edhe bashkëtrashëgimtarë me to të favorit të pamerituar të jetës»,—shpjegon Pjetri. Në shekullin e parë të e.s., burrat dhe gratë që morën letrën e Pjetrit ishin të gjithë të thirrur për të qenë bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. (Romakëve 8:16, 17; Galatasve 3:28) Nuk kishin të njëjtat përgjegjësi në kongregacion, por së fundi do të sundonin së bashku me Krishtin në qiell. (Zbulesa 20:6) Edhe sot, kur shumica e popullit të Perëndisë ka një shpresë tokësore, do të ishte gabim serioz për cilindo të krishterë mashkull që të mendonte se për shkak të privilegjeve që mund të ketë në kongregacion, ka më shumë vlerë në sytë e Perëndisë sesa gratë. (Krahaso Lukën 17:10.) Burra dhe gra janë në të njëjtin plan nga pikëpamja frymore përpara Perëndisë, sepse vdekja flijuese e Jezuit u hapi të njëjtën mundësi si burrave, ashtu dhe grave: mundësinë e çlirimit nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes, me perspektivën e jetës së përhershme.—Romakëve 6:23.
18. Cilën arsye shtytëse jep Pjetri, për të cilën një burrë duhet të nderojë gruan e tij?
18 Pjetri jep edhe një tjetër arsye shtytëse se përse burrat duhet të nderojnë gratë e tyre, «në mënyrë që lutjet tuaja të mos pengohen». Shprehja «të pengohen» vjen nga një folje greqisht (en·koʹpto), e cila fjalë për fjalë do të thotë «të presësh në». Sipas një fjalori, ajo «është përdorur për të treguar pengimin e njerëzve, duke prishur rrugën, ose duke vendosur një pengesë përgjatë shtegut». (Expository Dictionary of New Testament Words, i Vine) Prandaj, burri që nuk i jep nder gruas së tij, mund të zbulojë se midis lutjeve të tij dhe veshit të Perëndisë ekziston një postbllok. Burri mund të ndiejë se nuk e meriton t’i afrohet Perëndisë, ose Jehovai mund të mos jetë i gatshëm për ta dëgjuar. Është e qartë se Jehovai kujdeset shumë për mënyrën, në të cilën burrat i trajtojnë gratë.—Krahaso Vajtimet 3:44.
19. Si mund të shërbejnë burrat dhe gratë së bashku në kongregacion, me respekt reciprok?
19 Detyrimi për të treguar respekt nuk ngelet vetëm mbi burrat. Ndërsa një burrë duhet të nderojë të shoqen, duke e trajtuar me dashuri dhe dinjitet, gruaja duhet ta nderojë të shoqin, duke qenë e nënshtruar dhe duke treguar respekt të thellë. (1. Pjetrit 3:1-6) Për më tepër, Pavli i nxiti të krishterët ‘të nderonin njëri-tjetrin’. (Romakëve 12:10) Kjo është një thirrje për burrat e gratë në kongregacion, që të shërbejnë së bashku me respekt reciprok. Kur mbizotëron një frymë e tillë, gratë e krishtere nuk do të flasin në një mënyrë që minon autoritetin e atyre që drejtojnë. Përkundrazi, ato do t’i mbështesin pleqtë dhe do të bashkëpunojnë me ta. (1. Korintasve 14:34, 35; Hebrenjve 13:17) Nga ana e tyre, mbikëqyrësit e krishterë do t’i trajtojnë «plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi». (1. Timoteut 5:1, 2) Me mençuri, pleqtë do të kenë një konsideratë dashamirëse për zërin e motrave të tyre të krishtere. Prandaj, kur një motër tregon respekt për autoritetin teokratik dhe me respekt bën një pyetje apo shfaq diçka që kërkon vëmendje, pleqtë me gëzim do të tregojnë konsideratë për pyetjen apo problemin e saj.
20. Sipas Shkrimeve, si duhen trajtuar gratë?
20 Qysh kur mëkati hyri në Eden, në shumë kultura gratë janë lënë në një pozitë pa nderim. Por, nuk është ky trajtimi që Jehovai kishte fillimisht në mendje për to. Pavarësisht se cilat janë pikëpamjet që mbizotërojnë në lidhje me gratë në ndonjë kulturë, si Shkrimet Hebreje, ashtu edhe ato Greke të Krishtere tregojnë qartësisht se gratë e devotshme duhen trajtuar me nderim dhe respekt. Është një e drejtë që ua ka dhënë Perëndia.
[Shënimet]
a Një enciklopedi (The International Standard Bible Encyclopedia) shpjegon: «Gratë nuk hanin me miqtë meshkuj dhe burrave nuk u lejohej të flisnin me gratë. . . . Biseda me një grua në një vend publik ishte veçanërisht skandaloze.» Mishnah hebreje, një përmbledhje me mësime të rabinëve, këshillonte: «Mos flit shumë me gratë. . . . Ai që flet shumë me gratë sjell të keqen mbi veten dhe lë pas dore studimin e Ligjit e së fundi do të trashëgojë Gehenën.»—Aboth 1:5.
b Një libër pohon: «Në disa raste, gruaja vihej në të njëjtin nivel me një skllav. Për shembull, ajo nuk mund të dëshmonte përpara një trupi gjykues, përveç rastit kur dëshmote vdekjen e të shoqit.» (Palestine in the Time of Christ) Duke iu referuar Levitikut 5:1, Mishnah shpjegon: «[Ligji mbi] ‘dëshminë me betim’ vlente për burrat, por jo për gratë.»—Shebuoth 4:I.
c Historiani hebre i shekullit të parë, Jozefi, raporton se motra e mbretit Herod, Saloma, i dërgoi të shoqit «një dokument, me anë të të cilit prishte martesën e tyre, gjë e cila nuk ishte në përputhje me ligjin hebre. Pasi (vetëm) burrit i lejojmë të veprojë kështu.»—Jewish Antiquities, XV, 259 [vii, 10].
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilët shembuj tregojnë se Jezui i trajtoi gratë me nderim dhe respekt?
◻ Në ç’mënyrë mësimet e Jezuit tregojnë respekt për dinjitetin e grave?
◻ Përse një burrë duhet t’i japë nder gruas së tij të krishterë?
◻ Çfarë detyrimi për të treguar nder kanë të gjithë të krishterët?
[Figura në faqen 17]
Për gëzimin e tyre të madh, gratë e devotshme ishin të parat që panë Jezuin e ringjallur, i cili u tha t’u jepnin dëshmi vëllezërve të tij