Të shpëtuar nga një «brez i mbrapshtë»
«O brez mosbesues dhe i çoroditur, deri kur do të jem me ju dhe deri kur do t’ju duroj?»—LUKA 9:41.
1. (a) Çfarë paralajmërojnë kohët tona të vështira? (b) Çfarë thonë Shkrimet për të mbijetuarit?
JETOJMË në kohë të vështira. Tërmete, përmbytje, zi buke, sëmundje, paligjshmëri, bombardime, luftëra të tmerrshme: këto e shumë mjerime të tjera akoma e kanë përpirë njerëzimin gjatë shekullit tonë të 20-të. Megjithatë, mjerimi më i madh nga të gjithë kërcënohet në të ardhmen e afërt. Ç’është ai? Është ‘një mundim aq i madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot dhe as nuk do të ketë më kurrë’. (Mateu 24:21) Gjithsesi, shumë nga ne mund të shpresojnë për një të ardhme të gëzuar! Përse? Sepse vetë Fjala e Perëndisë përshkruan «një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve . . . ‘Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh . . . Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje . . . dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre’».—Zbulesa 7:1, 9, 14-17.
2. Çfarë përmbushje profetike fillestare patën vargjet e para të Mateut 24, të Markut 13 dhe të Lukës 21?
2 Tregimet e frymëzuara në Mateun 24:3-22, në Markun 13:3-20 dhe në Lukën 21:7-24, ndërfusin përshkrimin profetik që Jezui i bëri «përfundimit të këtij sistemi gjërash».a Kjo profeci pati një përmbushje fillestare mbi sistemin e korruptuar judaik të gjërave në shekullin e parë të erës sonë, duke arritur kulmin në një «mjerim të madh» të paparë deri atëherë mbi hebrenjtë. E gjithë struktura fetare dhe politike e sistemit hebre, e përqendruar në tempullin e Jeruzalemit, u shkatërrua për të mos u ngritur kurrë më.
3. Përse është urgjente të dëgjojmë profecinë e Jezuit sot?
3 Le të shqyrtojmë tani rrethanat që vërtiten rreth përmbushjes së parë të profecisë së Jezuit. Kjo do të na ndihmojë më shumë për të kuptuar përmbushjen paralele sot. Kjo do të na tregojë se sa urgjente është të ndërmarrim veprime pozitive tani, në mënyrë që të mbijetojmë më të madhin e mjerimeve që kërcënon gjithë njerëzimin.—Romakëve 10:9-13; 15:4; 1. Korintasve 10:11; 15:58.
Kur do të vijë «fundi»?
4, 5. (a) Përse kishte interes profecia e Danielit 9:24-27 për hebrenjtë me frikë Perëndie në shekullin e parë? (b) Si u përmbush kjo profeci?
4 Rreth vitit 539 p.e.s., profetit të Perëndisë, Danielit, iu dha një vizion i ngjarjeve që do të ndodhnin gjatë «javës» së fundit të një periudhe prej «shtatëdhjetë javësh». (Danieli 9:24-27) Këto javë filluan në vitin 455 p.e.s., kur mbreti Artakserks i Persisë urdhëroi rindërtimin e qytetit të Jeruzalemit. «Java» e fundit zuri fill me shfaqjen e Mesisë, Jezu Krishtit, me pagëzimin dhe mirosjen e tij në vitin 29 të e.s.b Hebrenjtë me frikë Perëndie në shekullin e parë ishin plotësisht të vetëdijshëm për këtë aspekt kohor të profecisë së Danielit. Për shembull, në lidhje me turmat që u grumbulluan për të dëgjuar predikimin e Gjon Pagëzorit në vitin 29 të e.s., Luka 3:15 pohon: «Populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.»
5 «Java» e 70-të duhej të ishte një shtatëvjeçar me favor të veçantë që u drejtohej hebrenjve. Duke filluar me vitin 29 të e.s., ajo përfshiu pagëzimin dhe shërbimin e Jezuit, vdekjen e tij flijuese «në gjysmën e javës» në vitin 33 të e.s. dhe një tjetër ‘gjysmë jave’ deri në vitin 36 të e.s. Gjatë kësaj «jave», mundësia për t’u bërë dishepuj të mirosur të Jezuit iu dha në mënyrë ekskluzive hebrenjve me frikë Perëndie dhe prozelitëve hebrenj. Më pas, në vitin 70 të e.s., një datë e panjohur më parë, legjionet romake nën komandën e Titit shfarosën sistemin apostat hebre.—Danieli 9:26, 27.
6. (a) Deri në ç’pikë ishte shkatërrues «mjerimi» që filloi në vitin 66 të e.s.? (b) Kush mbijetoi, pasi kishte kryer cilin veprim urgjent?
6 Në këtë mënyrë, priftëria hebreje, e cila e kishte njollosur tempullin e Jeruzalemit dhe në fshehtësi kishte thurur plane për të vrarë vetë Birin e Perëndisë, u shkatërrua. Gjithashtu, u shkatërruan edhe regjistrimet kombëtare dhe fisnore. Prej asaj kohe, asnjë hebre nuk mund të pohonte në mënyrë të ligjshme se vinte nga derë priftërore apo mbretërore. Lumturisht, hebrenjtë e mirosur frymorë ishin ndarë si një priftëri mbretërore ‘që të shpallnin mrekullitë’ e Perëndisë Jehova. (1. Pjetrit 2:9) Kur fillimisht ushtria romake rrethoi Jeruzalemin e madje shkatërroi edhe zonën e tempullit në vitin 66 të e.s., të krishterët njohën në atë forcë ushtarake «neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë». Duke iu bindur urdhrit profetik të Jezuit, të krishterët në Jeruzalem dhe në Jude ikën nëpër rajonet malore për t’u mbrojtur.—Mateu 24:15, 16; Luka 21:20, 21.
7, 8. Çfarë «shenje» vërejtën të krishterët, por çfarë nuk dinin ata?
7 Ata të krishterë besnikë hebrenj vërejtën përmbushjen e profecisë së Danielit dhe ishin dëshmitarë okularë të luftërave tragjike, të zisë së bukës, të murtajave, të tërmeteve dhe të paligjshmërisë që Jezui i kishte parathënë si «shenja . . . e përfundimit të këtij sistemi gjërash». (Mateu 24:3, BR) Por, a u kishte thënë Jezui se kur do ta kryente në të vërtetë Jehovai gjykimin mbi atë sistem të korruptuar? Jo. Ajo që profetizoi ai në lidhje me kulmin e pranisë së tij të ardhme mbretërore, sigurisht që zbatohej edhe për «mjerimin e madh» të shekullit të parë: «E kur do të jetë ajo ditë dhe ajo orë, askush s’di gjë, as engjëjt e qiellit, as Biri, përveç vetëm Atit!»—Mateu 24:36, DSF.
8 Nga profecia e Danielit, hebrenjtë mund të kishin llogaritur kohën e shfaqjes së Jezuit si Mesia. (Danieli 9:25) Megjithatë, ata s’kishin marrë asnjë datë për «mjerimin e madh», i cili shkatërroi përfundimisht sistemin apostat hebraik të gjërave. Vetëm pas shkatërrimit të Jeruzalemit dhe të tempullit të tij, ata e kuptuan se ishte në vitin 70 të e.s. Gjithsesi, ata i kishin pasur në mendje fjalët profetike të Jezuit: «Ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.» (Mateu 24:34) Është e dukshme se këtu aplikimi i fjalës «brez» ndryshon me atë të Eklisiastiut 1:4, ku flitet për breza të njëpasnjëshëm që vijnë e ikin gjatë një periudhe kohore.
«Ky brez»: cili është?
9. Si e përcaktojnë fjalorët fjalën greke ge·ne·aʹ?
9 Kur dëgjuan profecinë e Jezuit mbi «përfundimin e sistemit të gjërave, ndërsa rrinin ulur me të në Malin e Ullinjve, si e kuptuan katër apostujt shprehjen «ky brez»? Në ungjijtë, fjala «brez» është përkthyer nga fjala greke ge·ne·aʹ, të cilën fjalorë të sotëm e përcaktojnë me këto terma: «Fjalë për fjalë ata që rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët.» (Greek-English Lexicon of the New Testament, nga Walter Bauer) «Ajo që ka lindur, një familje; . . . anëtarët e njëpasnjëshëm të një gjenealogjie . . . apo të një race njerëzish . . . apo të një shumice të tërë njerëzish që jetojnë në të njëjtën kohë, Mat. 24:34; Mar. 13:30; Luka 1:48; 21:32; Filip. 2:15 e sidomos ata të racës hebreje që jetojnë në të njëjtën periudhë.» (Expository Dictionary of New Testament Words nga W. E. Vine) «Ajo që ka lindur, njerëz nga e njëjta origjinë, një familje; . . . shumica e tërë njerëzve që jetojnë në të njëjtën kohë: Mt 24:34; Mr 13:30; Lu 1:48 . . . e përdorur veçanërisht për racën hebreje që jeton në të njëjtën periudhë.»—Greek-English Lexicon of the New Testament, nga J. H. Thayer.
10. (a) Çfarë përcaktimi identik japin dy autoritete, duke cituar Mateun 24:34? (b) Si e mbështetin këtë përcaktim një fjalor teologjik dhe disa përkthime biblike?
10 Pra, si Vain ashtu edhe Theiër, citojnë Mateun 24:34 për ta përcaktuar shprehjen «ky brez» (he ge·ne·aʹ hauʹte) si «shumica e tërë njerëzve që jetojnë në të njëjtën kohë». Një fjalor teologjik i 1964-ës e mbështet këtë përcaktim, duke pohuar: «Përdorimi i fjalës ‘brez’ nga Jezui, shpreh qëllimin e tij më të gjerë: ai u drejtohet të gjithë njerëzve dhe është i ndërgjegjshëm për solidaritetin e tyre në mëkat.» (Theological Dictionary of the New Testament) Vërtet, «solidariteti në mëkat» ishte i dukshëm në kombin hebre kur Jezui ishte në tokë, ashtu siç është edhe një shenjë dalluese e sistemit të sotëm botëror.c
11. (a) Cili autoritet duhet të na udhëheqë së pari për të përcaktuar aplikimin e shprehjes he ge·ne·aʹ hauʹte? (b) Si e përdor ky autoritet këtë term?
11 Natyrisht, duke studiuar këtë çështje të krishterët i drejtojnë së pari mendimet e tyre nga mënyra se si e përdorën shkrimtarët e frymëzuar të ungjijve shprehjen greke he ge·ne·aʹ hauʹte apo «ky brez», duke raportuar fjalët e Jezuit. Shprehja ishte përdorur vazhdimisht në mënyrë negative. Jezui i quajti krerët fetarë hebrenj «gjarpërinj, pjellë nepërkash» dhe vazhdoi të thoshte se gjykimi i Gehenës do të ekzekutohej mbi «këtë brez». (Mateu 23:33, 36) Megjithatë, a kufizohej ky gjykim vetëm me klerin hipokrit? Aspak. Në një sërë rastesh, dishepujt e Jezuit e dëgjuan atë të fliste për «këtë brez», duke e zbatuar termin në mënyrë uniforme në një kuptim shumë më të gjerë. Cili ishte ai?
«Ky brez i mbrapshtë»
12. Ndërsa dishepujt e tij po dëgjonin, si i lidhi Jezui «turmat» me shprehjen «ky brez»?
12 Në vitin 31 të e.s., gjatë shërbimit të madh që ndërmori Jezui në Galile dhe pak kohë pas Pashkëve, dishepujt e tij e dëgjuan t’u thoshte «turmave»: «Me kë ta krahasoj këtë brez? Ai u ngjan fëmijëve që rrinë në sheshe dhe u drejtohen shokëve të tyre, duke thënë: ‘Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk kërcyet; nisëm vajin dhe ju nuk u brengosët.’ Pra, erdhi Gjoni që as hante, as pinte dhe ata thonë: ‘Ai ka një demon.’ Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi dhe ata thonë: ‘Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve.’» Ato «turma» pa parime nuk kënaqeshin me asgjë!—Mateu 11:7, 16-19.
13. Në prani të dishepujve të tij, cilët identifikoi dhe dënoi Jezui si «ky brez i mbrapshtë»?
13 Më vonë, në vitin 31 të e.s., ndërsa Jezui dhe dishepujt e tij gjendeshin në udhëtimin e tyre të dytë të predikimit në Galile, «disa skribë dhe farisenj» i kërkuan Jezuit një shenjë. Ai u tha atyre dhe «turmave» që ishin të pranishme: «Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona. Në fakt, ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës. . . . Kështu do t’i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë.» (Mateu 12:38-46) Në mënyrë të dukshme, «ky brez i mbrapshtë» përfshinte krerët fetarë dhe turmat, të cilat asnjëherë nuk e kuptuan shenjën që u plotësua me vdekjen dhe me ringjalljen e Jezuit.d
14. Siç e dëgjuan edhe dishepujt e tij, si i dënoi Jezui saducenjtë dhe farisenjtë?
14 Pas Pashkëve të vitit 32 të e.s., ndërsa Jezui dhe dishepujt e tij vajtën në rajonin galileas të Magadanit, saducenjtë dhe farisenjtë përsëri i kërkuan Jezuit një shenjë. Ai u përsëriti: «Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona. Dhe i la ata e shkoi.» (Mateu 16:1-4) Në fakt, ata hipokritë fetarë ishin më fajtorë, duke qenë krerë midis «turmave» jobesnike, të cilat Jezui i dënoi si «brez i mbrapshtë».
15. Çfarë përplasje patën Jezui dhe dishepujt e tij me ‘këtë brez’, para dhe menjëherë pas shpërfytyrimit?
15 Aty nga fundi i shërbimit të tij në Galile, Jezui thirri pranë vetes turmën dhe dishepujt e u tha: «Kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut.» (Marku 8:34, 38) Prandaj është e dukshme se masat e hebrenjve të papenduar në atë kohë përbënin «këtë brez kurorëshkelës dhe mëkatar». Disa ditë më vonë, pas shpërfytyrimit të Jezuit, ai dhe dishepujt e tij «arritën afër turmës» dhe një burrë kërkoi që ai t’i shëronte të birin. Jezui komentoi: «O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t’ju duroj?»—Mateu 17:14-17; Luka 9:37-41.
16. (a) Cilin dënim u përsëriti Jezui «turmave» në Jude? (b) Në ç’mënyrë «ky brez» kreu më të ligun e të gjitha krimeve?
16 Ka të ngjarë të ketë qenë në Jude, pas Festivalit të Kasolleve në vitin 32 të e.s., që «turmat po shtyheshin përreth» Jezuit, kur ai u përsëriti atyre dënimin, duke thënë: «Ky brez është i lig; ai kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.» (Luka 11:29) Së fundi, kur krerët fetarë e paditën Jezuin, Pilati u tregua i gatshëm për ta liruar. Tregimi thotë: «Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që të kërkonte Barabën dhe Jezui të vritej. . . . Pilati u tha atyre: ‘Ç’të bëj, pra, me Jezuin, që quhet Krisht?’ Të gjithë i thanë: ‘Të kryqëzohet!’ Por guvernatori tha: ‘Po ç’të keqe ka bërë?’ Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ‘Të kryqëzohet!’» Ai «brez i mbrapshtë» po kërkonte gjakun e Jezuit!—Mateu 27:20-25.
17. Si iu përgjigjën disa nga «ky brez i çoroditur» predikimit të Pjetrit në Rrëshajët?
17 Një «brez mosbesues dhe i çoroditur», i nxitur nga krerët fetarë, luajti në këtë mënyrë një pjesë kryesore në vdekjen e Zotërisë Jezu Krisht. Pesëdhjetë ditë më vonë, në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., dishepujt morën frymën e shenjtë dhe nisën të flisnin në gjuhë të ndryshme. Kur u dëgjua ushtima, «turma u mblodh» dhe apostulli Pjetër iu drejtua atyre me fjalët «judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem», duke thënë: ‘Atë, pra, [Jezuin] . . . me duart e të padrejtëve, e gozhduat dhe e vratë.’ Si reaguan disa prej atyre që e dëgjuan? «U pikëlluan në zemër.» Atëherë, Pjetri u bëri thirrje të pendoheshin. «Me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: ‘Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!’» Si përgjigje, rreth tre mijë veta «e pranuan fjalën e tij me gëzim dhe u pagëzuan».—Veprat 2:6, 14, 23, 37, 40, 41.
«Ky brez» identifikohet
18. Kujt i referohet përdorimi i vazhdueshëm nga ana e Jezuit i termit «ky brez»?
18 Cili është, pra, «brezi» të cilit Jezui i referohet kaq shpesh në prani të dishepujve të tij? Çfarë kuptuan ata me fjalët e tij se «ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto»? Sigurisht, Jezui nuk po ndryshonte përdorimin e termit «ky brez», të cilin vazhdimisht e aplikoi për masat me «prijës të verbërish», që së bashku përbënin kombin jude. (Mateu 15:14) «Ky brez» provoi të gjitha vuajtjet e parathëna nga Jezui e më pas mori fund gjatë «mjerimit të madh» të paparë ndonjëherë mbi Jeruzalem.—Mateu 24:21, 34.
19. Kur dhe si u shkatërruan «qielli dhe toka» e sistemit hebre?
19 Në shekullin e parë, Jehovai gjykoi popullin hebre. Të penduarit që ushtruan besim në masën e mëshirshme të Jehovait nëpërmjet Krishtit, u shpëtuan nga ai «mjerim i madh». Sipas fjalëve të Jezuit, të gjitha gjërat e profetizuara ndodhën e pas kësaj «qielli dhe toka» e sistemit hebre të gjërave, i gjithë kombi me krerët e tij fetarë dhe shoqërinë e ligë të njerëzve, u zhdukën. Jehovai e kishte ekzekutuar gjykimin!—Mateu 24:35; krahaso 2. Pjetrit 3:7.
20. Cili paralajmërim në kohën e duhur u jepet me urgjencë të gjithë të krishterëve?
20 Ata hebrenj që u kishin kushtuar kujdes fjalëve profetike të Jezuit e kuptuan se shpëtimi i tyre nuk varej nga përpjekjet për të llogaritur kohëzgjatjen e një «brezi» apo nga disa data «kohësh e stinësh», por nga qëndrimi i ndarë kundrejt brezit të atëhershëm të lig dhe nga kryerja me zell e vullnetit të Perëndisë. Edhe pse fjalët e fundit të profecisë së Jezuit gjejnë një përmbushje më të madhe në ditët tona, edhe të krishterët hebrenj të shekullit të parë duhej t’i vinin veshin paralajmërimit: «Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.»—Luka 21:32-36; Veprat 1:6-8.
21. Cilin zhvillim të papritur mund të presim në të ardhmen e afërt?
21 Sot, «dita e Zotit është e afërt . . . dhe po vjen me shpejtësi të madhe». (Sofonia 1:14-18; Isaia 13:9, 13) Papritur, në «ditën dhe orën» e caktuar nga vetë Jehovai, furia e tij do të jetë e pafrenueshme mbi elementët fetarë, politikë dhe tregtarë të botës, bashkë me njerëzit e pabindur që përbëjnë këtë «brez të mbrapshtë dhe kurorëshkelës» të tanishëm. (Mateu 12:39; 24:36; Zbulesa 7:1-3, 9, 14) Si mund të shpëtosh edhe ti nga «mjerimi i madh»? Do të përgjigjet artikulli ynë vijues, i cili do të flasë për shpresën e madhe të së ardhmes.
[Shënimet]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të kësaj profecie, të lutemi të shikosh tabelën në faqet 14, 15, në Kullën e Rojës të 15 majit 1994.
b Për informata të mëtejshme mbi «javët» e viteve, shiko faqet 130-132 të librit The Bible—God’s Word or Man’s?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
c Disa Bibla e përkthejnë shprehjen he ge·ne·aʹ hauʹte në Mateun 24:34 si vijon: «këta njerëz» (The Holy Bible in the Language of Today [1976], nga W. F. Beck); «ky komb» (The New Testament—An Expanded Translation [1961], nga K. S. Wuest); «ky popull» (Jewish New Testament [1979], nga D. H. Stern).
d Ato «turma» jobesnike nuk duhen vënë në një kandar me ʽam-ha·ʼaʹrets apo «njerëzit e vendit», me të cilët krerët mendjemëdhenj fetarë nuk pranonin të shoqëroheshin, por për të cilët Jezui «kishte dhembshuri».—Mateu 9:36; Gjoni 7:49.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë mësojmë nga përmbushja e Danielit 9:24-27?
◻ Si e përcaktojnë fjalorët e sotëm përdorimin biblik të shprehjes «ky brez»?
◻ Si e përdori Jezui vazhdimisht termin «brez»?
◻ Si u përmbush në shekullin e parë Mateu 24:34, 35?
[Figura në faqen 46]
Jezui e krahasoi «këtë brez» me turmate fëmijëve tekanjozë dhe kokëfortë
[Figura në faqen 49]
Vetëm Jehovai e dinte që më parë orën në të cilën do të ekzekutohej gjykimi mbi sistemin e lig judaik