Arsimimi: Përdore për të lavdëruar Jehovain
«Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë.»—GJONI 7:18.
1. Kur dhe si e pati zanafillën procesi i arsimimit?
ARSIMIMI ka filluar shumë shumë kohë më parë. Zanafilla e procesit të arsimimit filoi menjëherë pasi Perëndia Jehova, Arsimtari dhe Mësuesi i Madh, krijoi Birin e tij të parëlindur. (Isaia 30:20; Kolosianëve 1:15) Ja, ku kemi Dikë që mund të mësonte nga vetë Arsimtari i Madh! Gjatë mijëvjeçarëve të panumërt që kaloi në shoqëri të ngushtë me Atin, ai Bir, që u bë i njohur si Jezu Krishti, mori një arsimim të paçmuar në lidhje me cilësitë, veprat dhe qëllimet e Perëndisë Jehova. Më vonë, si një njeri mbi tokë, Jezui mundi të thoshte: «Nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.»—Gjoni 8:28.
2-4. (a) Sipas Gjonit, kreu 7, cilat ishin rrethanat e pjesëmarrjes së Jezuit në festivalin e Tabernakujve, në vitin 32 të e.s.? (b) Përse u habitën hebrenjtë nga aftësia e Jezuit për të mësuar?
2 Si e përdori Jezui arsimimin që mori? Për tre vjet e gjysmë, gjatë shërbimit të tij tokësor, pa u lodhur ai ndau me të tjerët atë që kishte mësuar. Sidoqoftë, këtë e bëri me një qëllim kryesor në mendje. Cili ishte ai? Le të shqyrtojmë fjalët e Jezuit në kreun 7 të Gjonit, ku ai shpjegon origjinën dhe qëllimin e mësimit të tij.
3 Le të shohim së pari rrethanat. Ishte vjeshta e vitit 32 të e.s., pothuajse tre vjet pas pagëzimit të Jezuit. Hebrenjtë ishin mbledhur në Jerusalem për festivalin e Tabernakujve. Për Jezuin ishte folur shumë gjithandej, gjatë ditëve të para të festivalit. Gjatë gjysmës së festivalit, Jezui mbërriti në tempull dhe filloi të mësonte. (Gjoni 7:2, 10-14) Si gjithmonë, ai provoi se ishte një mësues i madh.—Mateu 13:54; Luka 4:22.
4 Vargu 15 i kreut 7 të Gjonit thotë: «Dhe Judenjtë mrekulloheshin duke thënë: ‘Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?’» A e kupton përse ishin të çuditur? Jezui nuk kishte ndjekur asnjë nga shkollat e rabinëve, prandaj ishte i paarsimuar, ose kështu mendonin ata! E megjithatë, Jezui mundi të gjente e të lexonte pjesë nga Shkrimet e Shenjta me lehtësi. (Luka 4:16-21) Dhe ja, ky zdrukthtar galileas u mësonte atyre Ligjin e Moisiut! (Gjoni 7:19-23) Si kishte mundësi?
5, 6. (a) Si e shpjegoi Jezui burimin e mësimit të tij? (b) Në ç’mënyrë e përdori Jezui arsimimin e tij?
5 Siç lexojmë në vargjet 16 dhe 17, Jezui shpjegoi: «Doktrina ime nuk është e imja, por e atij që më ka dërguar. Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë po flas nga vetja ime.» Ata donin të dinin se kush e kishte arsimuar Jezuin dhe ai ua tha qartësisht se arsimimi i tij ishte nga Perëndia!—Gjoni 12:49; 14:10.
6 Si e përdori Jezui arsimimin e tij? Siç tregon Gjoni 7:18, Jezui tha: «Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë dhe në të nuk ka padrejtësi.» Sa e përshtatshme ishte që Jezui e përdori arsimimin e tij për t’i sjellë lavdi Jehovait, «Atij që është i përsosur në njohuri»!—Jobi 37:16, BR.
7, 8. (a) Si duhet përdorur arsimimi? (b) Cilat janë katër objektivat bazë të një arsimimi të ekuilibruar?
7 Prandaj, nxjerrim një mësim të vlefshëm nga Jezui: Arsimimi nuk duhet përdorur për të lavdëruar veten, por për t’i sjellë lavdi Jehovait. Nuk ka mënyrë më të mirë për të përdorur arsimimin. Por si mund ta përdorim arsimimin për t’i sjellë lavdi Jehovait?
8 Të arsimosh do të thotë «të stërvitësh me anë të arsimit formal dhe të praktikës së mbikëqyrur, veçanërisht në një zanat, mjeshtëri apo profesion». Le të shqyrtojmë tani katër objektiva bazë të një arsimimi të baraspeshuar dhe se si secili prej tyre mund të përdoret për të lavdëruar Jehovain. Një arsimim i baraspeshuar duhet të na ndihmojë (1) për të lexuar mirë, (2) për të shkruar qartë, (3) për t’u zhvilluar mendërisht dhe moralisht dhe (4) për të fituar stërvitjen e nevojshme praktike për jetën e përditshme.
Të mësojmë të lexojmë mirë
9. Përse është e rëndësishme të jesh një lexues i mirë?
9 E para në listë është të mësojmë të lexojmë mirë. Përse është e rëndësishme të bëhesh një lexues i mirë? Një enciklopedi (The World Book Encyclopedia) shpjegon: «Leximi . . . është thelbësor për të mësuar dhe një nga zotësitë më të rëndësishme në jetën e përditshme. . . . Lexuesit e aftë kontribuojnë për të krijuar një shoqëri të zhvilluar, produktive. Njëkohësisht, ata vetë gëzojnë një jetë më të plotë e më të kënaqshme.»
10. Si na ndihmon leximi i Fjalës së Perëndisë, për të gëzuar një jetë më të plotë e të kënaqshme?
10 Nëse leximi në përgjithësi mund të na ndihmojë për të gëzuar «jetë më të plotë e më të kënaqshme», sa më shumë është e vërtetë kjo për leximin e Fjalës së Perëndisë! Ky lloj leximi i bën mendjet dhe zemrat tona të hapura për mendimet dhe qëllimet e Jehovait dhe kuptimi i qartë i tyre i jep domethënie jetës sonë. Përveç kësaj, «fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese»,—thotë Hebrenjve 4:12. Ndërsa lexojmë Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë mbi të, afrohemi më shumë me Autorin e saj dhe nxitemi për të bërë ndryshime në jetën tonë, që t’i pëlqejmë më shumë atij. (Galatasve 5:22, 23; Efesianëve 4:22-24) Jemi, gjithashtu, të nxitur për të ndarë me të tjerët të vërtetat e çmuara që lexojmë. E gjithë kjo i sjell lavdi Mësuesit të Madh, Perëndisë Jehova. Sigurisht, nuk ekziston mënyrë më e mirë që të përdorim aftësinë tonë për të lexuar!
11. Ç’duhet të përfshijë një program i ekuilibruar i studimit personal?
11 Të rinj apo të moshuar qofshim, ne duhet të mësojmë të lexojmë mirë, sepse leximi luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë të krishterë. Përveç leximit të rregullt të Fjalës së Perëndisë, një program i ekuilibruar i studimit personal duhet të përfshijë shqyrtimin e tekstit biblik nga Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë, leximin e Kullës së Rojës dhe Zgjohuni! dhe përgatitjen për mbledhjet e krishtere. Ç’mund të themi për shërbimin tonë të krishterë? Është e qartë, predikimi publik, bërja e rivizitave te personat e interesuar dhe drejtimi i studimeve biblike në shtëpi, të gjitha kërkojnë aftësi të mira leximi.
Të mësojmë të shkruajmë qartë
12. (a) Përse është e rëndësishme të mësojmë të shkruajmë qartë? (b) Cilat ishin shkrimet më të mëdha që janë shkruar ndonjëherë?
12 Objektivi i dytë i një arsimimi të ekuilibruar është të mësojmë të shkruajmë qartë. Shkrimi jo vetëm transmeton fjalët dhe idetë tona, por dhe i ruan ato. Shumë e shumë shekuj më parë, 40 burra hebrenj shkruan nëpër papiruse apo pergamenë fjalët që formuan Shkrimet e frymëzuara. (2. Timoteut 3:16) Sigurisht, këto ishin shkrimet më të rëndësishme që janë shkruar ndonjëherë! S’ka dyshim që Jehovai drejtoi kopjimin dhe rikopjimin e këtyre fjalëve të shenjta përgjatë shekujve, prandaj ato kanë ardhur te ne në formë të besueshme. A nuk jemi mirënjohës që Jehovai ia besoi fjalët e tij shkrimit, në vend se t’ia besonte transmetimit gojë më gojë?—Krahaso Të Dalët 34:27, 28.
13. Nga duket se izraelitët dinin të shkruanin?
13 Në kohët e lashta, vetëm disa klasa të privilegjuara ishin të arsimuara, si për shembull, skribët në Mesopotami dhe Egjipt. Në dallim të plotë me kombet, të gjithë në Izrael ishin të inkurajuar për të qenë të arsimuar. Urdhri në Ligjin e përtërirë 6:8, 9, që izraelitët të shkruanin mbi pragjet e dyerve të tyre, edhe pse figurativ, nënkupton se ata dinin të shkruanin. Në moshë shumë të re, fëmijëve u mësohej të shkruanin. Kalendari i Gezerit, një nga shembujt më të vjetër të hebraishtes së lashtë të shkruar, mendohet nga disa dijetarë se ka qenë një ushtrim kujtese për djemtë e shkollave.
14, 15. Cilat janë disa mënyra pozitive dhe të shëndetshme për të përdorur aftësinë e të shkruarit?
14 Por, si mund ta përdorim në mënyrë të dobishme e pozitive aftësinë për të shkruar? Sigurisht, duke mbajtur shënime nëpër mbledhjet e krishtere, asamble e kongrese. Një letër, edhe pse e shkruar «shkurt», mund të ofrojë inkurajim për një të sëmurë, apo mund të shprehë mirënjohjen për vëllezërit ose motrat frymore, që janë treguar të sjellshëm e mikpritës me ne. (1. Pjetrit 5:12) Nëse dikujt në kongregacion i ka vdekur një njeri i dashur, një letër e shkurtër mund të «flasë në mënyrë ngushëlluese». (1. Selanikasve 5:14) Një motër e krishterë që humbi nënën e saj nga kanceri, shpjegoi: «Një shoqe më shkroi një letër të bukur. Më ndihmoi me të vërtetë, pasi mund ta lexoja herë pas here.»
15 Një mënyrë e shkëlqyer për të përdorur aftësinë e të shkruarit në lavdi të Jehovait, është shkrimi i letrave për të dëshmuar mbi Mbretërinë. Disa herë mund të jetë e nevojshme të mbash lidhje me të interesuar të rinj që jetojnë në zona të izoluara. Sëmundjet mund të ta bëjnë të vështirë të shkosh shtëpi më shtëpi. Atëherë, një letër mund të thotë me shkrim atë që do t’i thoshe normalisht një personi.
16, 17. (a) Cila përvojë tregon vlerën e shkrimit të një letre për të dhënë dëshmi mbi Mbretërinë? (b) A mund të tregosh ndonjë përvojë të ngjashme?
16 Shqyrtoni një shembull. Shumë vjet më parë, një Dëshmitare shkroi një letër, duke i dhënë dëshmi mbi Mbretërinë një vejushe, vdekja e burrit të së cilës ishte lajmëruar në gazetën lokale. Nuk mori përgjigje. Më vonë, në nëntor 1994, pas 21 vjetësh, Dëshmitarja mori një letër nga vajza e gruas. Vajza shkruante:
17 «Në prill të vitit 1973, ti i shkrove mamasë sime për ta ngushëlluar për vdekjen e atit tim. Në atë kohë isha 9 vjeçe. Mamaja studioi Biblën, por megjithatë ajo ende nuk është një shërbëtore e Jehovait. Sidoqoftë, studimi i saj bëri që unë të njihesha me të vërtetën. Në vitin 1988, fillova të studioja Biblën, 15 vjet pasi morëm letrën tënde. Më 9 mars 1990 u pagëzova. Të jam shumë mirënjohëse për letrën tënde të shumë viteve më parë dhe ndihem e lumtur të të them se farat që ti mbolle, u rritën me ndihmën e Jehovait. Mamaja ma dha mua letrën që ta mbaja e unë do të kisha dëshirë të dija se kush je. Shpresoj që kjo letër të mbërrijë te ti.» Në letrën e saj, vajza vuri edhe adresën dhe numrin e saj të telefonit. E në fakt, letra mbërriti te Dëshmitarja që kishte shkruar shumë vite më parë. Imagjino habinë e asaj vajze, kur mori një thirrje telefonike nga Dëshmitarja, e cila ende shkruante letra për të ndarë me të tjerët shpresën e Mbretërisë!
Të zhvillohemi mendërisht, moralisht dhe frymësisht
18. Si kujdeseshin prindërit në kohët biblike, për arsimimin mendor dhe moral të fëmijëve të tyre?
18 Objektivi i tretë i një arsimimi të ekuilibruar është të na ndihmojë për t’u zhvilluar mendërisht e moralisht. Në kohët biblike, arsimimi mendor dhe moral i fëmijëve konsiderohej një nga detyrat kryesore të prindërve. Fëmijëve nuk u mësohej vetëm si të lexonin e të shkruanin, por më e rëndësishmja, arsimoheshin në Ligjin e Perëndisë, i cili përfshinte të gjitha aktivitetet e tyre të jetës. Pra, arsimimi përfshinte mësimin e detyrimeve të tyre fetare, parimet që qeverisin martesën, lidhjet familjare, moralin seksual, si edhe detyrimet e tyre kundrejt njerëzve të tjerë. Një arsimim i tillë i ndihmonte ata që të zhvilloheshin jo vetëm mendërisht e moralisht, por edhe frymësisht.—Ligji i përtërirë 6:4-9, 20, 21; 11:18-21.
19. Ku mund ta gjejmë arsimimin e shkëlqyer që na tregon vlerat më të mira sipas të cilave duhet të jetojmë e që na ndihmon të zhvillohemi frymësisht?
19 Po sot? Një arsimim i mirë botëror është i rëndësishëm. Ai na ndihmon të zhvillohemi mendërisht. Por, ku mund të drejtohemi për një arsimim që do të na tregonte vlerat më të mira morale sipas të cilave duhet të jetojmë dhe të na ndihmonte kështu për t’u zhvilluar frymësisht? Brenda kongregacionit të krishterë, ne kemi hyrë në një program arsimimi teokratik që nuk mund të gjendet askund tjetër mbi tokë. Nëpërmjet studimit tonë personal të Biblës e të botimeve të bazuara në Bibël, si dhe me anë të arsimimit që na sigurohet në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese, ne mund të marrim falas këtë arsimim të paçmuar që shkon gjithnjë përpara: arsimimin hyjnor. Çfarë na mëson ai?
20. Ç’na mëson arsimimi hyjnor dhe ç’rezultate vijnë?
20 Kur filluam të studionim Biblën, mësuam mësimet themelore të Shkrimeve, ‘doktrinat fillestare’. (Hebrenjve 6:1) Ndërsa vazhdojmë, marrim «ushqim të fortë», që janë të vërtetat më të thella. (Hebrenjve 5:14) Megjithatë, më shumë se kaq, mësojmë parimet hyjnore që na tregojnë se si të jetojmë ashtu siç dëshiron Perëndia. Për shembull, mësojmë të shmangim shprehi dhe praktika që ‘ndotin mishin’ dhe të kemi respekt për autoritetin dhe për personin e pronën e të tjerëve. (2. Korintasve 7:1; Titit 3:1, 2; Hebrenjve 13:4) Përveç kësaj, fillojmë të vlerësojmë rëndësinë për të qenë të ndershëm e të zellshëm në punën tonë dhe vlerën e jetesës sipas urdhrave të Biblës mbi mardhëniet seksuale. (1. Korintasve 6:9, 10; Efesianëve 4:28) Duke përparuar në zbatimin e këtyre parimeve në jetën tonë, rritemi frymësisht dhe marrëdhënia jonë me Perëndinë thellohet. Për më tepër, sjellja jonë e devotshme na bën qytetarë të mirë, pavarësisht nga vendi ku jetojmë. Kjo mund të nxisë të tjerët që të lavdërojnë Burimin e arsimimit hyjnor, Perëndinë Jehova.—1. Pjetrit 2:12.
Stërvitje praktike për jetën e përditshme
21. Ç’stërvitje praktike merrnin fëmijët në kohët biblike?
21 Qëllimi i katërt i një arsimimi të ekuilibruar është t’i sigurojë një personi stërvitjen e nevojshme praktike për jetën e përditshme. Arsimimi që jepnin prindërit në kohët biblike përfshinte stërvitjen praktike. Vajzave u mësonin punët e shtëpisë. Kreu i fundit i Proverbave tregon se këto ishin të shumta e të ndryshme. Kështu, vajzat aftësoheshin për tjerrjen, endjen, gatimin, psonisjen dhe mirëmbajtjen e përgjithshme të shtëpisë, si dhe për trajtimin e shitblerjes së ndërtesave dhe tokave. Djemve u mësohej zakonisht zanati i baballarëve, në bujqësi apo edhe ndonjë zeje apo zanat. Jezui mësoi nga Jozefi, babai që e adoptoi, zanatin e zdrukthëtarit; prandaj, ai nuk u quajt vetëm «biri i marangozit», por edhe «zdrukthëtar».—Mateu 13:55; Marku 6:3.
22, 23. (a) Për çfarë duhet t’i përgatisë fëmijët arsimimi? (b) Cila duhet të jetë arsyeja jonë në zgjedhjen e një arsimimi të mëtejshëm, ku ai mund të duket i nevojshëm?
22 Edhe sot, një arsimim i ekuilibruar mirë përfshin përgatitjen për t’u kujdesur ndonjë ditë për nevojat e familjes. Fjalët e apostullit Pavël që i gjejmë në 1. Timoteut 5:8, tregojnë se sigurimi i familjes është një detyrim i shenjtë. Ai shkroi: «Në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» Arsimimi, pra, duhet të pëtgatisë fëmijët për përgjegjësitë që do të marrin në jetë, si dhe t’i aftësojë ata që të bëhen pjesëtarë punëtorë të bashkësisë.
23 Sa arsimim botëror duhet të ndjekim? Kjo mund të ndryshojë nga vendi në vend. Por, nëse tregu i punës kërkon një stërvitje përveç asaj minimale që kërkon ligji, u takon prindërve të drejtojnë fëmijët e tyre në marrjen e një vendimi në lidhje me një arsimim apo stërvitje shtesë, duke vlerësuar dobitë potenciale dhe humbjet që mund të sjellin studime të tilla shtesë. Nga ç’motiv, pra, duhet të nxitet dikush, kur të zgjedhë ndonjë arsimim të mëtejshëm që mund të duket i nevojshëm? Sigurisht, jo për t’u pasuruar, për të lëvduar e lavdëruar veten. (Proverbat 15:25; 1. Timoteut 6:17) Mos harroni mësimin që nxorëm nga shembulli i Jezuit: Arsimimi duhet përdorur për t’i sjellë lavdi Jehovait. Nëse zgjedhim të marrim një arsimim të mëtejshëm, duhet të nxitemi nga dëshira që të mbështetim veten financiarisht në mënyrën e duhur, kështu që të mund t’i shërbejmë Jehovait në mënyrë sa më të plotë të jetë e mundur në shërbimin e krishterë.—Kolosianëve 3:23, 24.
24. Cilin mësim që na dha Jezui nuk duhet ta harrojmë kurrë?
24 Prandaj, le të jemi të zellshëm në përpjekjet që bëjmë për të fituar një arsimim të ekuilibruar botëror! Le të përfitojmë plotësisht prej programit të vazhdueshëm të arsimimit hyjnor që sigurohet brenda organizatës së Jehovait! E të mos harrojmë kurrë mësimin e vlefshëm që na la Jezu Krishti, njeriu më i arsimuar që ka jetuar ndonjëherë mbi tokë: Arsimimi nuk duhet përdorur për të lavdëruar veten, por për t’i sjellë lavdi Mësuesit më të madh për gjithçka, Perëndisë Jehova!
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si e përdori Jezui arsimimin e tij?
◻ Përse është e rëndësishme të mësojmë të lexojmë mirë?
◻ Si mund ta përdorim aftësinë e të shkruarit, për t’i sjellë lavdi Jehovait?
◻ Si na ndihmon arsimimi hyjnor, për t’u zhvilluar moralisht dhe frymësisht?
◻ Ç’stërvitje praktike duhet të përfshijë një arsimim i ekuilibruar?
[Kutia në faqen 13]
Ndihmë praktike për mësuesit
Gjatë kongreseve krahinore «Lavdërues të gëzuar», 1995/96, Shoqata Watch Tower nxori një broshurë të re, të titulluar Dëshmitarët e Jehovait dhe arsimimi. Kjo broshurë me 32 faqe dhe me ngjyra është botuar veçanërisht për mësuesit. Prandaj, ajo është përkthyer në 58 gjuhë.
Përse një broshurë për mësuesit? Për t’i ndihmuar ata që të kuptojnë më mirë bindjet e nxënësve që janë fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait. Ç’përmban broshura? Me një ton të qartë dhe pozitiv, ajo shpjegon pikëpamjet tona në çështje të tilla si arsimimi shtesë, ditëlindjet, Krishtlindjet dhe përshëndetja e flamurit. Gjithashtu, broshura i siguron edhe njëherë mësuesit se ne dëshirojmë që fëmijët tanë të nxjerrin dobinë më të madhe nga shkolla dhe se dëshirojmë me sinqeritet të bashkëpunojmë me mësuesit, duke u interesuar aktivisht për arsimimin e fëmijëve tanë.
Si mund të përdoret broshura Arsimimi? Pasi është përgatitur për mësuesit, le t’ua japim mësuesve, drejtorëve të shkollave dhe nëpunësve të tjerë shkollorë. Le t’i ndihmojë kjo broshurë e re këta arsimtarë, që të kuptojnë pikëpamjet dhe bindjet tona dhe përse disa herë ne kërkojmë të drejtën për të qenë të ndryshëm. Prindërit janë të inkurajuar ta përdorin këtë broshurë, si një bazë për biseda personale me mësuesit e fëmijëve të tyre.
[Figura në faqen 10]
Në Izraelin e lashtë arsimimi vlerësohej shumë