A do të shpëtosh kur Perëndia të veprojë?
«Po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.»—MATEU 24:22.
1, 2. (a) Përse është e natyrshme të interesohemi për të ardhmen tonë? (b) Në cilat pyetje jetësore mund të jetë përfshirë interesi i natyrshëm?
SA INTERES ke ti për veten tënde? Sot, kujdesi i shumë njerëzve për veten shkon në ekstrem, duke u bërë egocentrikë. Megjithatë, Bibla nuk e dënon interesin e duhur për gjërat që na ndikojnë. (Efesianëve 5:33) Kjo përfshin edhe interesimin për të ardhmen tonë. Prandaj, do të ishte normale dëshira jote për të ditur se ç’ruan e ardhmja për ty. A të intereson?
2 Mund të jemi të sigurt se apostujt e Jezuit e kishin një interes të tillë për të ardhmen e tyre. (Mateu 19:27) Mbase, ishte kjo arsyeja që katër prej tyre ndodheshin me Jezuin në Malin e Ullinjve. Ata pyetën: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja, kur të gjitha këtyre gjërave do të duhet t’u vijë përfundimi?» (Marku 13:4, BR) Jezui nuk e shpërfilli interesin e natyrshëm për të ardhmen, interesin e tyre dhe tonin. Kohë pas kohe, ai nënvizoi se si do të ndikoheshin ithtarët e tij prej ngjarjeve të ardhshme dhe se cili do të ishte rezultati përfundimtar.
3. Përse e lidhim përgjigjen e Jezuit me kohën tonë?
3 Përgjigjja e Jezuit shtron një profeci me një përmbushje të madhe në kohën tonë. Këtë mund ta shohim nga luftërat botërore dhe nga konflikte të tjera në shekullin tonë, nga tërmetet që kanë shuar kush e di se sa jetë, nga mungesa e ushqimit që sjell sëmundje e vdekje dhe nga plagët: që nga gripi spanjoll i përhapur në vitin 1918, deri në epideminë e sotme të SIDA-s. Megjithatë, një pjesë e madhe e përgjigjes së Jezuit pati, gjithashtu, një përmbushje që të çonte dhe që përfshiu shkatërrimin e Jerusalemit nga romakët, në vitin 70 të e.s. Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.»—Marku 13:9.
Ç’paratha Jezui dhe çfarë ndodhi?
4. Cilat janë disa paralajmërime të përfshira në përgjigjen e Jezuit?
4 Jezui nuk u mjaftua, duke parathënë vetëm se si do t’i trajtonin të tjerët dishepujt e tij. Ai i përgatiti edhe se si duhej të vepronin ata vetë. Për shembull: «Kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Judë, le të ikin maleve.» (Marku 13:14) Tregimi paralel në Lukën 21:20 thotë: «Kur do të shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë.» Si doli e saktë kjo gjë në përmbushjen e parë?
5. Ç’ndodhi mes judenjve në vitin 66 të e.s.?
5 Një enciklopedi e vitit 1982 na thotë: «Judenjtë ishin gjithnjë e më shumë të padurueshën nën kontrollin e romakëve dhe administratorët gjithnjë e më shumë bëheshin të dhunshëm, mizorë dhe të pandershëm. Rebelimi plasi hapur në vitin 66 të e.s. . . . Lufta filloi kur zelotët kapën Masadën e më pas, nën udhëheqjen e Menahemit, marshuan drejt Jerusalemit. Në të njëjtën kohë, judenjtë që ndodheshin në qytetin qeveritar të Cezaresë u masakruan dhe lajmet e kësaj egërsie u përhapën anembanë vendit. Monedhat e reja nënshkruheshin Viti 1 deri Viti 5 i revoltës.»—The International Standard Bible Encyclopedia.
6. Cilën përgjigje nga ana e romakëve solli revolta e judenjve?
6 Legjioni i dymbëdhjetë romak, nën komandën e Cest Galit, marshoi nga Siria, shkretoi Galilenë dhe Judenë e më pas sulmoi kryeqytetin, duke pushtuar madje pjesën e sipërme të «Jerusalemit, qytetit të shenjtë». (Nehemia 11:1; Mateu 4:5; 5:35; 27:53) Duke përmbledhur ngjarjet, volumi The Roman Siege of Jerusalem thotë: «Për pesë ditë romakët u përpoqën të kapërcenin murin, duke u prapsur herë pas here. Së fundi, të stërmunduar nga rrebeshi i predhave, mbrojtësit u dorëzuan. Duke formuar një testudo, një metodë mbrojtjeje, duke mbledhur mburojat mbi kokat e tyre për t’u mbrojtur, ushtarët romakë rrëzuan murin dhe u përpoqën t’u vinin zjarrin portave. Një panik i tmerrshëm pushtoi mbrojtësit.» Të krishterët brenda qytetit mundën të kujtonin fjalët e Jezuit dhe shquan se një gjë e neveritshme po qëndronte në vendin e shenjtë.a Por në një qytet të rrethuar, si do të mund të iknin këta të krishterë, siç kishte këshilluar Jezui?
7. Çfarë bënë romakët, kur fitorja dukej aq pranë në vitin 66 të e.s.?
7 Historiani Jozef Flaviu kujton: «Cesti [Gali], duke mos qenë i vetëdijshëm për dëshpërimin e të rrethuarve dhe për ndjenjat e popullit, papritur i thirri njerëzit e tij, braktisi shpresën për fitore, edhe pse s’kishte pësuar asnjë disfatë dhe duke vepruar kundër çdo arsyeje, u tërhoq nga qyteti.» (The Jewish War, II, 540 [xix, 7]) Përse u tërhoq Gali? Cilado qoftë arsyeja, tërheqja e tij u lejoi të krishterëve t’i bindeshin urdhrit të Jezuit dhe të iknin ndër male e të shpëtonin.
8. Cila ishte faza e dytë e përpjekjeve romake kundër Jerusalemit dhe çfarë kishin pritur të mbijetuarit?
8 Bindja ishte jetëshpëtuese. Pa kaluar shumë kohë, romakët u kthyen për të shtypur revoltën. Fushata nën drejtimin e gjenaral Titit arriti kulmin gjatë rrethimit të Jerusalemit nga prilli deri në gusht të vitit 70 të e.s. Të ngrin gjaku po të lexosh përshkrimet e Jozefit, në lidhje me vuajtjet e judenjve. Përveç atyre që u vranë, duke luftuar me romakët, judenjtë e tjerë u masakruan nga bandat rivale dhe zija e bukës solli kanibalizmin. Në kohën e fitores së romakëve, 1.100.000 judenj kishin humbur jetën.b Nga të 97.000 të mbijetuarit, disa u ekzekutuan menjëherë; kurse të tjerët u kthyen në skllevër. Jozefi thotë: «Ata që ishin mbi të shtatëmbëdhjetat u vunë në hekura dhe u dërguan në punë të detyrueshme në Egjipt, ndërsa shumë të tjerë Titi ua dorëzoi provincave që të vdisnin nëpër teatro, nga shpata apo nga bishat e egra.» Madje, ndërkohë që ndodhte kjo hedhje e shortit, 11.000 të burgosur vdiqën.
9. Përse të krishterët nuk përfunduan si judenjtë, por cilat pyetje qëndrojnë?
9 Të krishterët mund të ishin mirënjohës që kishin treguar bindje ndaj paralajmërit të Zotërisë dhe kishin ikur nga qyteti përpara kthimit të ushtrisë romake. Në këtë mënyrë, ata shpëtuan nga një pjesë e asaj, të cilën Jezui e përcaktoi si ‘një mundim aq i madh, sa nuk kishte ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri atëherë dhe as nuk do të kishte kurrë’ mbi Jerusalemin. (Mateu 24:21) Jezui shtoi: «Po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.» (Mateu 24:22) Ç’domethënie kishte kjo në atë kohë dhe ç’do të thotë tani?
10. Si e kemi shpjeguar më parë Mateun 24:22?
10 Në të kaluarën është shpjeguar se ‘mishi që duhej shpëtuar’ u referohej judenjve, të cilët mbijetuan mjerimin që ra mbi Jerusalemin në vitin 70 të e.s. Të krishterët kishin ikur, kështu që Perëndia mund të lejonte që romakët të sillnin një shkatërrim të shpejtë. Me fjalë të tjera, për shkak se «të zgjedhurit» ishin jashtë rrezikut, ditët e mjerimit mund të shkurtoheshin, duke lejuar ndonjë «mish» jude që të shpëtonte. Mendohej se judenjtë e mbijetuar ishin një hije e atyre që do të mbijetonin mjerimin e madh, i cili do të vijë në kohën tonë.—Zbulesa 7:14.
11. Përse duket se shpjegimi i Mateut 24:22 duhet rishqyrtuar?
11 Por, a është ky shpjegim në përputhje me atë që ndodhi në vitin 70 të e.s.? Jezui tha se «mishi» njerëzor do të «shpëtonte» nga mjerimi. A do ta përdorje fjalën «shpëtuan» për ata 97.000 të mbijetuar, ndërkohë që mijëra prej tyre vdiqën së shpejti nga zija e bukës apo u masakruan në ndonjë teatër? Ja, çfarë thotë Jozefi për një teatër në Cezare: «Numri i atyre që vdiqën gjatë luftimeve me bishat e egra apo kundër njëri-tjetrit apo që u dogjën të gjallë, kaloi mbi 2.500.» Edhe pse nuk vdiqën gjatë rrethimit, sigurisht që s’mund të themi se ata «shpëtuan». Gjithashtu, a do t’i konsideronte Jezui ata njësoj me të mbijetuarit e lumtur gjatë «mjerimit të madh» që po vjen?
Mish i shpëtuar: në ç’mënyrë?
12. Cilët ishin «të zgjedhurit» e shekullit të parë, për të cilët Perëndia kishte interes?
12 Që nga viti 70 i e.s., Perëndia nuk i konsideroi më judenjtë natyrorë si popullin e tij të zgjedhur. Jezui tregoi se Perëndia e kishte hedhur atë komb dhe do të lejonte që kryeqyteti i tij, tempulli dhe sistemi i tij i adhurimit, të merrnin fund. (Mateu 23:37–24:2) Perëndia zgjodhi një komb të ri, Izraelin frymor. (Veprat 15:14; Romakëve 2:28, 29; Galatasve 6:16) Ai përbëhej nga burra e gra të zgjedhur nga çdo komb dhe të mirosur me frymën e shenjtë. (Mateu 22:14; Gjoni 15:19; Veprat 10:1, 2, 34, 35, 44, 45) Disa vjet përpara sulmit të Cest Galit, Pjetri u shkroi «të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit, me anë të shenjtërimit të Frymës». Këta të mirosur të tillë ishin një «fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë». (1. Pjetrit 1:1, 2; 2:9) Perëndia do t’i merrte këta të zgjedhur në qiell, për të mbretëruar me Jezuin.—Kolosianëve 1:1, 2; 3:12; Titit 1:1; Zbulesa 17:14.
13. Ç’kuptim mund të kenë pasur fjalët e Jezuit në Mateun 24:22?
13 Identifikimi i të zgjedhurve është i dobishëm, sepse Jezui paratha se ditët e mjerimit do të shkurtoheshin «për shkak të të zgjedhurve». Fjala greke e përkthyer «për shkak të», mund të nënkuptojë, gjithashtu, edhe «për hir të» ose «për . . . hir». (Marku 2:27; Gjoni 12:30; 1. Korintasve 8:11; 9:10, 23; 11:9; 2. Timoteut 2:10; Zbulesa 2:3) Prandaj, Jezui mund të ketë edhe: ‘Po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.»c (Mateu 24:22) A ndodhi diçka për dobi apo ‘për hir të’ të krishterëve të zgjedhur, të cilët gjendeshin në grackë në Jerusalem?
14. Si shpëtoi «mishi», kur ushtria romake u tërhoq papritur nga Jerusalemi, në vitin 66 të e.s.?
14 Kujto se në vitin 66 të e.s., romakët iu turrën vendit, pushtuan Jerusalemin e sipërm dhe nisën të shembnin muret. Jozefi komenton: «Sikur të kishte ngulmuar me rrethimin edhe vetëm për pak kohë, ai do ta kishte pushtuar Qytetin përnjëherë.» Pyet veten: «Përse e braktisi fushatën ushtria e fuqishme romake dhe ‘duke vepruar kundër çdo arsyeje’ u tërhoq»? Rupert Fërno, specialist në interpretimin e historisë ushtarake, komenton: «Asnjë historian s’ka pasur sukses në dhënien e ndonjë arsyeje të përshtatshme për vendimin e çuditshëm dhe shkatërrimtar të Galit.» Por sido që të ishte, pasoja ishte që mjerimi u shkurtua. Romakët u tërhoqën, ndërkohë që judenjtë iu turrën nga prapa, ndërsa ata iknin. Ç’të themi për «të zgjedhurit», të krishterët e mirosur që kishin qenë në grackë? Braktisja e rrethimit do të thoshte që ata kishin shpëtuar nga çdo masakër, që kërcënohej gjatë mjerimit. Prandaj, ata të krishterë që përfituan nga shkurtimi i mjerimit, në vitin 66 të e.s., ishin «mishi» që shpëtoi, të cilin e përmend Mateu 24:22.
Çfarë ruan e ardhmja jote?
15. Përse do të thoshe se kreu 24 i Mateut duhet të ketë interes të veçantë në ditët tona?
15 Dikush mund të pyesë: «Përse duhet të jem veçanërisht i interesuar për këtë kuptueshmëri të qartësuar të fjalëve të Jezuit?» E pra, ka arsye të mëdha për të arritur në përfundimin se profecia e Jezuit do të kishte një përmbushje më të madhe, përtej asaj që ndodhi dhe që përfshiu vitin 70 të e.s.d (Krahaso Mateun 24:7; Lukën 21:10, 11; Zbulesën 6:2-8.) Për disa dhjetëvjeçarë, Dëshmitarët e Jehovait kanë predikuar se përmbushja më e madhe që do të ndodhë në kohën tonë, provon se mund të presim përpara një «mjerim të madh» në një shkallë më të madhe. Si do të përmbushen gjatë tij fjalët profetike të Mateut 24:22?
16. Çfarë fakti inkurajues siguron Zbulesa, në lidhje me mjerimin e madh që po afrohet?
16 Rreth dy dekada pas mjerimit mbi Jerusalemin, apostulli Gjon shkroi librin e Zbulesës. Ai vërtetoi se përpara shtrihet mjerimi i madh. Por, të interesuar për atë që na përket ne personalisht, mund të gjejmë lehtësim, duke ditur se në mënyrë profetike Zbulesa na siguron që mishi njerëzor do të mbijetojë këtë mjerim të madh që po vjen. Gjoni paratha «një shumicë të madhe . . . prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Cilët janë ata? Një zë nga qielli përgjigjet: «Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi [mjerimi, BR] i madh.» (Zbulesa 7:9, 14) Po, ata do të mbijetojnë! Zbulesa na jep, gjithashtu, mendjehollësi se si do të zhvillohen gjërat në mjerimin e madh që po vjen dhe si do të përmbushet Mateu 24:22.
17. Çfarë do të përfshijë faza e hapjes së mjerimit të madh?
17 Faza e hapjes së këtij mjerimi të madh do të jetë një sulm mbi një prostitutë simbolike, e quajtur «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 14:8; 17:1, 2) Ajo përfaqëson perandorinë botërore të fesë së rreme, me fajtorin më të madh të ashtuquajturin krishterim. Sipas fjalëve të Zbulesës 17:16-18, Perëndia do të vendosë në zemrat e elementëve politikanë që të sulmojnë këtë lavire simbolike.e Mendo se si mund të duket ky sulm për «të zgjedhurit» e mirosur të Perëndisë dhe për shokët e tyre, «shumicën e madhe». Ndërsa ky sulm shkatërrimtar mbi fenë do të shkojë përpara, mund të duket sikur do të fshijë të gjitha organizatat fetare, duke përfshirë edhe popullin e Jehovait.
18. Përse mund të duket se asnjë «mish» s’do të shpëtojë gjatë fazës së hapjes së mjerimit të madh?
18 Në këtë kohë, fjalët e Jezuit që i gjejmë në Mateun 24:22, do të përmbushen në një shkallë të gjerë. Ashtu si të zgjedhurit në Jerusalem u dukën në rrezik, edhe shërbëtorët e Jehovait mund të duken sikur po rrezikojnë të eliminohen gjatë sulmit mbi fenë, sikur ai sulm do të përpijë çdo «mish» të popullit të Perëndisë. Megjithatë, le të mbajmë në mendje se çfarë ndodhi në vitin 66 të e.s. Mjerimi që shkaktuan romakët u shkurtua, duke u lejuar të zgjedhurve të mirosur të Perëndisë mundësi të mëdha për të ikur e për të shpëtuar. Prandaj, ne mund të jemi të sigurt se sulmi shkatërrimtar mbi fenë nuk do të lejohet të shfarosë kongregacionin global të adhuruesve të vërtetë. Ai do të ecë me shpejtësi, si «në një ditë të vetme». Megjithatë, në njëfarë mënyre, ai do të shkurtohet, nuk do të lejohet të përfundojë objektivin e tij, kështu që populli i Perëndisë mund të «shpëtohet».—Zbulesa 18:8.
19. (a) Ç’do të bëhet e dukshme pas fazës së parë të mjerimit të madh? (b) Drejt ç’gjëje do të çojë kjo?
19 Pas kësaj, disa elementë të tjerë të organizatës tokësore të Satana Djallit do të vazhdojnë për disa kohë, duke vajtuar humbjen e marrëdhënieve që kishin me dashnoren e tyre të vjetër fetare. (Zbulesa 18:9-19) Dikur, ata do të vënë re se kanë mbetur shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë, të cilët «banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure» dhe që duken një pre e lehtë. Por, çfarë surprize i pret! Duke iu përgjigjur një agresioni të vërtetë apo kërcënues kundër shërbëtorëve të tij, Perëndia do të ngrihet për të gjykuar armiqtë e tij, në pjesën e fundit të mjerimit të madh.—Ezekieli 38:10-12, 14, 18-23.
20. Përse faza e dytë e mjerimit të madh nuk do ta vërë në rrezik popullin e Perëndisë?
20 Kjo fazë e dytë e mjerimit të madh do të shkojë paralel me atë që ndodhi me Jerusalemin dhe me banorët e tij në sulmin e dytë nga romakët, në vitin 70 të e.s. Ai do të dalë ‘një mundim [mjerim, BR] aq i madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më [atëherë] dhe as do të ketë më kurrë’. (Mateu 24:21) Megjithatë, mund të rrimë të sigurt se të zgjedhurit e Perëndisë dhe shokët e tyre nuk do të gjenden në zonë të rrezikshme, ku mund të vriten. Jo, ata nuk do të kenë ikur në ndonjë vend gjeografik. Të krishterët e shekullit të parë mundën të iknin nga ai qytet drejt rajonit malor, si për shembull, në Pela, duke kaluar Jordanin. Megjithatë, në të ardhmen Dëshmitarët e besueshëm të Jehovait do të gjenden kudo nëpër glob, prandaj siguria dhe mbrojtja nuk do të mbështeten në ndonjë vend gjeografik.
21. Kush do të luftojë në betejën përfundimtare dhe me çfarë rezultati?
21 Shkatërrimi nuk do të vijë nga ushtritë e Romës apo nga ndonjë fuqi tjetër njerëzore. Përkundrazi, libri i Zbulesës përshkruan se forcat që do të kryejnë gjykimin do të jenë prej qiellit. Po, ajo pjesë e fundit e mjerimit të madh nuk do të kryhet nga ndonjë ushtri njerëzore, por nga «Fjala e Perëndisë», Mbreti Jezu Krisht, i ndihmuar nga «ushtritë që janë në qiell», duke përfshirë edhe të krishterët e mirosur të ringjallur. «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve» do të kryejë një ekzekutim shumë më të madh, se ai që bënë romakët në vitin 70 të e.s. Ai do të eliminojë të gjithë kundërshtarët njerëzorë të Perëndisë, mbretër, komandantë ushtarakë, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj. Edhe organizatat njerëzore të botës së Satanait do të shkojnë në fundin e tyre.—Zbulesa 2:26, 27; 17:14; 19:11-21; 1. Gjonit 5:19.
22. Në çfarë kuptimi të mëtejshëm do të shpëtojë «mishi»?
22 Mos harro se «mishi», mbetja e mirosur dhe «shumica e madhe», tashmë do të kenë shpëtuar gjatë kohës kur Babilonia e Madhe është rrëzuar me të shpejtë dhe plotësisht në fazën e parë të mjerimit. Ngjashëm, në pjesën e fundit të mjerimit, «mishi» që do të ketë marrë anën e Jehovait do të shpëtohet. Sa e ndryshme do të jetë kjo nga fundi i judenjve rebelë në vitin 70 të e.s.!
23. Për çfarë mund të shohë përpara «mishi» që do të shpëtojë?
23 Duke menduar për mundësitë e tua dhe për ato të njerëzve të tu të dashur, vërej se ç’është premtuar në Zbulesën 7:16, 17: «Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape, sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.» Sigurisht, kjo do të thotë të jesh vërtet «i shpëtuar» në një kuptim të mrekullueshëm e të përhershëm.
[Shënimet]
b Jozefi thotë: «Kur Titi u fut brenda, u habit nga forca e qytetit . . . Ai tha me zë të lartë: ‘Perëndia ka qenë përkrah nesh; Perëndia i ka rrëzuar judenjtë prej këtyre fortesave; sepse, ç’mund të bëjë dora e njeriut apo mjetet kundër këtyre kullave?’.»
c Në mënyrë interesante, teksti i Shem-Tobit përdor në Mateun 24:22 fjalën hebraike ʽa·vurʹ, e cila do të thotë «për hir të, për shkak të, në mënyrë që».—Shiko artikullin paraprak, faqe 13.
d Shiko Kullën e Rojës, 15 maj 1994, faqe 11 dhe 12, si edhe tabelën në faqet 14 dhe 15, ku gjendet në kolona paralele përgjigjja profetike e Jezuit në Mateun kreu 24, Markun kreu 13 dhe Lukën kreu 21.
e Shiko Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!, faqe 235-238, botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Cilat ishin dy fazat e sulmit të ushtrisë romake mbi Jerusalemin?
◻ Përse s’ka të ngjarë që 97.000 judenjtë e mbijetuar në vitin 70 të e.s., të përbëjnë «mishin» e përmendur në Mateun 24:22?
◻ Si u shkurtuan ditët e mjerimit të Jerusalemit dhe si shpëtoi atëherë «mishi»?
◻ Në mjerimin e madh që po afrohet, si do të shkurtohen ditët dhe si do të shpëtojë «mishi»?
[Figura në faqe 16]
Monedhë judaike e gdhendur pas revoltës. Shkrimi në hebraisht do të thotë «Viti dy», d.m.th., 67 i e.s., viti i dytë i autonomisë së tyre
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figura në faqe 17]
Monedhë romake e gdhendur në vitin 71 të e.s. Majtas është një romak i armatosur; djathtas, një grua judaike në zi. Fjalët «IVDAEA CAPTA» do të thonë «Pushtimi i Judesë»
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.