Të jetojmë sipas ligjit të Krishtit
«Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.»—GALATASVE 6:2.
1. Përse mund të thuhet se ligji i Krishtit është sot një ndikim i fuqishëm për mirë?
NË RUANDA, Dëshmitarët e Jehovait nga fiset hutu dhe tutsi rrezikuan jetën e tyre, për të mbrojtur njëri-tjetrin nga masakra etnike që përfshiu kohët e fundit atë vend. Dëshmitarët e Jehovait në Kobe, Japoni, të cilët humbën pjesëtarët e familjes në tërmetin shkatërrimtar, u dërmuan nga humbja e tyre. Megjithatë, ata vepruan me gatishmëri për të shpëtuar viktima të tjera. Po, shembujt inkurajues anembanë botës tregojnë se ligji i Krishtit është i efektshëm sot. Ai përbën një ndikim të fuqishëm për mirë.
2. Në ç’mënyrë i ashtuquajturi krishterim s’ka arritur të kuptojë domethënien e ligjit të Krishtit dhe ç’mund të bëjmë ne për ta plotësuar atë?
2 Në të njëjtën kohë, po përmbushet edhe një profeci biblike në lidhje me këto «ditë të fundit» kritike. Shumë veta kanë «një formë të devotshmërisë së shenjtë», por ‘dalin të rremë ndaj fuqisë së saj’. (2. Timoteut 3:1, 5, BR) Veçanërisht në të ashtuquajturin krishterim, feja është shpesh një çështje formaliteti dhe jo zemre. A ndodh kështu, ngaqë është tepër e vështirë të jetosh sipas ligjit të Krishtit? Jo. Jezui nuk do të na jepte një ligj që s’mund të ndiqej. I ashtuquajturi krishterim thjesht s’ka arritur të kuptojë ku rreh ai ligj. Ai s’ka arritur t’u vërë veshin këtyre fjalëve të frymëzuara: «Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.» (Galatasve 6:2) Ne e ‘përmbushim ligjin e Krishtit’, duke mbajtur barrët e njëri-tjetrit, jo duke imituar farisenjtë dhe duke shtuar në mënyrë të pajustifikueshme pesha mbi vëllezërit tanë.
3. (a) Cilat janë disa urdhra të përfshira në ligjin e Krishtit? (b) Përse do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin, se kongregacioni i krishterë s’duhet të ketë asnjë rregull tjetër, përveç urdhërimeve të drejtpërdrejta të Krishtit?
3 Ligji i Krishtit përfshin të gjitha urdhërimet e Krishtit Jezu: predikimin dhe mësimin, mbajtjen e një syri të pastër e të thjeshtë, përpjekjet për të mbajtur paqen me fqinjët apo heqjen e papastërtisë nga kongregacioni. (Mateu 5:27-30; 18:15-17; 28:19, 20; Zbulesa 2:14-16) Vërtet, të krishterët janë të detyruar të mbajnë të gjitha urdhërimet e Biblës, të cilat u janë drejtuar ithtarëve të Krishtit. Por ka edhe më shumë. Organizata e Jehovait, si edhe çdo kongregacion individualisht, duhet të vendosë rregulla dhe procedura të nevojshme, për të ruajtur rregullin e mirë. (1. Korintasve 14:33, 40) E pra, të krishterët as që do të mund të mblidheshin së bashku, sikur të mos kishin rregulla mbi kohën, vendin dhe se si duhen mbajtur këto mbledhje! (Hebrenjve 10:24, 25) Bashkëpunimi me direktivat e arsyeshme të vendosura nga ata, të cilëve u është dhënë autoritet në organizatë, është gjithashtu pjesë e përmbushjes së ligjit të Krishtit.—Hebrenjve 13:17.
4. Cila është forca shtytëse prapa adhurimit të pastër?
4 Megjithatë, të krishterët e vërtetë nuk lejojnë që adhurimi i tyre të shndërrohet në një strukturë pa domethënie me ligje. Ata nuk i shërbejnë Jehovait vetëm se ndonjë individ apo organizatë u thotë të bëjnë kështu. Përkundrazi, forca shtytëse prapa adhurimit të tyre është dashuria. Pavli shkroi: «Dashuria e Krishtit na shtrëngon.» (2. Korintasve 5:14) Jezui i urdhëroi ithtarët e tij të donin njëri-tjetrin. (Gjoni 15:12, 13) Dashuria vetëflijuese është baza e ligjit të Krishtit dhe ajo i shtrëngon apo i nxit të krishterët e vërtetë gjithandej, si në familje ashtu edhe në kongregacion. Le të shohim në ç’mënyrë.
Në familje
5. (a) Si mund ta përmbushin prindërit ligjin e Krishtit në shtëpi? (b) Për çfarë kanë nevojë fëmijët nga prindërit e tyre dhe cilat pengesa duhet të kapërcejnë disa prindër, për të plotësuar këtë nevojë?
5 Apostulli Pavël shkroi: «Burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën [kongregacionin, BR] dhe e ka dhënë veten e vet për të.» (Efesianëve 5:25) Kur një burrë imiton Krishtin dhe e trajton gruan e tij me dashuri dhe me kuptueshmëri, ai përmbush një aspekt jetësor të ligjit të Krishtit. Për më tepër, Jezui tregoi hapur dashuri të përzemërt për fëmijët e vegjël, duke i mbajtur në krahë, duke vënë duart mbi ta dhe duke i bekuar. (Marku 10:16) Prindërit që përmbushin ligjin e Krishtit, gjithashtu, tregojnë dashuri të përzemërt për fëmijët e tyre. Vërtet, ka prindër për të cilët imitimi i shembullit të Krishtit në këtë aspekt përbën një sfidë. Disa janë prej natyre të atillë, që nuk i shfaqin hapur ndjenjat që kanë. Prindër, mos lejoni që mendime të tilla t’ju pengojnë në shfaqjen e dashurisë që ndjeni për fëmijët tuaj! Nga ana juaj, nuk mjafton të dini se i doni fëmijët. Edhe ata duhet ta dinë. Prandaj, ata s’kanë për ta ditur, derisa ju të gjeni mënyra për të shfaqur dashurinë tuaj.—Krahaso Markun 1:11.
6. (a) A kanë nevojë fëmijët për rregullat e prindërve dhe përse përgjigjesh kështu? (b) Cilën arsye që shtrihet nën rregullat e shtëpisë duhet të kuptojnë fëmijët? (c) Cilat rreziqe shmangen, kur në shtëpi mbizotëron ligji i Krishtit?
6 Në të njëjtën kohë, fëmijët kanë nevojë për kufij, që do të thotë se prindërit e tyre duhet të vendosin rregulla dhe disa herë t’i përforcojnë rregulla të tilla me disiplinën. (Hebrenjve 12:7, 9, 11) Pavarësisht nga kjo, fëmijët duhen ndihmuar progresivisht për të kuptuar arsyen që shtrihet nën këto rregulla: prindërit i duan ata. Ata duhet të mësojnë se dashuria është për ta arsyeja më e mirë për t’iu bindur prindërve. (Efesianëve 6:1; Kolosianëve 3:20; 1. Gjonit 5:3) Synimi i një prindi me aftësi shquese është që t’i mësojë të rinjtë, për të përdorur «fuqinë e arsyes», kështu që më në fund ata të marrin vetë vendime të shëndosha. (Romakëve 12:1; krahaso 1. Korintasve 13:11.) Në anën tjetër, rregullat s’duhet të jenë të tepërta, ndërsa disiplina s’duhet të jetë tepër e ashpër. Pavli tha: «Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21; Efesianëve 6:4) Kur në shtëpi mbizotëron ligji i Krishtit, s’ka përse të jepet një disiplinë me inat të pakontrolluar dhe s’ka vend për sarkazmën e dëmshme. Në një shtëpi të tillë, fëmijët ndihen të sigurt dhe të ndërtuar, jo të ngarkuar e të poshtëruar.—Krahaso Psalmin 36:7.
7. Në cilat mënyra, shtëpitë Bethel mund të përbëjnë një shembull në lidhje me vendosjen e rregullave në shtëpi?
7 Disa që kanë vizituar shtëpitë Bethel përreth botës, thonë se ato janë shembuj të mirë ekuilibri në çështjet e rregullave për një familje. Edhe pse përbëhen nga të rritur, këto institucione funksionojnë shumë ngjashëm familjeve.a Veprimet në Bethel janë të ndërlikuara dhe kërkojnë një numër të konsiderueshëm rregullash, sigurisht më shumë nga sa do të kërkonte një familje e zakonshme. Gjithsesi, pleqtë që marrin drejtimin në familjet Bethel, në zyra dhe në punët e fabrikave, përpiqen të zbatojnë ligjin e Krishtit. Ata e konsiderojnë si caktimin e tyre jo vetëm organizimin e punës, por edhe nxitjen e përparimit frymor dhe të «gëzimit të Jehovait» mes bashkëpunëtorëve të tyre. (Nehemia 8:10, BR) Prandaj, ata përpiqen t’i bëjnë punët në një mënyrë pozitive e inkurajuese dhe mundohen të jenë të arsyeshëm. (Efesianëve 4:31, 32) Nuk habitemi që familjet Bethel janë të njohura për frymën e tyre të gëzuar!
Në kongregacion
8. (a) Cili duhet të jetë gjithmonë synimi ynë në kongregacion? (b) Nën cilat rrethana disa kanë kërkuar apo janë përpjekur të bëjnë rregulla?
8 Edhe në kongregacion ne kemi si synim të ndërtojmë njëri-tjetrin në frymën e dashurisë. (1. Selanikasve 5:11) Kështu, të gjithë të krishterët duhet të bëjnë kujdes që të mos u shtojnë barrë të tjerëve, duke marrë përgjegjësinë për të imponuar idetë e tyre personale në çështjet e zgjedhjeve personale. Kohë pas kohe, disa i shkruajnë Shoqatës Watch Tower, duke kërkuar të vendosë rregulla në çështje të tilla, si çfarë pikëpamje duhet të kenë mbi disa filma apo libra specifikë, madje edhe lodra. Por, Shoqata nuk është e autorizuar të kërkojë me imtësi në gjëra të tilla dhe të nxjerrë gjykime për to. Në shumicën e rasteve, ato janë çështje për të cilat çdo individ apo kryefamiljar duhet të vendosë, i bazuar në dashurinë e tij për parimet biblike. Të tjerët kanë prirjen të kthejnë sugjerimet dhe udhëzimet e Shoqatës në rregulla. Për shembull, në numrin e 15 marsit 1996 të Kullës së Rojës, gjendej një artikull i shkëlqyer që inkurajonte pleqtë të bënin vizita të rregullta baritore në pjesëtarët e kongregacionit. A kishte për qëllim të vendoste rregulla? Jo. Edhe pse ata që kanë mundësi të ndjekin sugjerimet gjejnë shumë përfitime, disa pleq nuk janë në gjendje për të vepruar kështu. Ngjashëm, artikulli «Pyetje nga lexuesit», në Kullën e Rojës të 1 korrikut 1995, paralajmëronte kundrejt humbjes së dinjitetit të rastit të pagëzimit, duke shkuar në ekstreme, si shtrimi i banketeve të mëdha apo bërja e paradave fitimtare. Disa e kanë zbatuar në mënyrë të ngurtë këtë këshillë të pjekur, madje duke bërë edhe rregulla, për shembull, duke quajtur të gabuar edhe dërgimin e një letre inkurajimi në këtë rast!
9. Përse është e rëndësishme që të mos jemi tepër kritikues dhe gjykues me njëri-tjetrin?
9 Të mbajmë, gjithashtu, parasysh, që nëse «ligji i përsosur që i përket lirisë» duhet të mbizotërojë mes nesh, duhet të pranojmë se ndërgjegjet e gjithë të krishterëve nuk janë identike. (Jakovit 1:25) A duhet të mërzitemi, nëse njerëzit kanë zgjedhje individuale, të cilat nuk dhunojnë parimet e Shkrimeve? Jo. Një veprim i tillë nga ana jonë, do të ishte ndarës. (1. Korintasve 1:10) Kur na paralajmëroi në lidhje me hedhjen e gjykimit mbi një bashkë të krishterë, Pavli tha: «A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij. Por ai do të qëndrojë, sepse Perëndia [Jehovai, BR] është i zoti ta bëjë atë të qëndrojë në këmbë.» (Romakëve 14:4) Rrezikojmë të mos i pëlqejmë Jehovait, nëse flasim kundër njëri-tjetrit mbi çështje që duhen lënë në ndërgjegjen e çdo individi.—Jakovit 4:10-12.
10. Cilët janë caktuar për të vigjëluar mbi kongregacionin dhe si duhet t’i mbështesim ata?
10 Le të mos harrojmë, gjithashtu, se pleqtë janë caktuar për të vigjëluar mbi kopenë e Perëndisë. (Veprat 20:28) Ata janë aty për të ndihmuar. Duhet të ndihemi të lirë për t’iu afruar atyre për këshilla, pasi ata janë studiues të Biblës dhe i njohin mirë çështjet që janë diskutuar në literaturën e Shoqatës Watch Tower. Kur shohin sjellje që duket se do të çojnë në dhunimin e parimeve të Shkrimeve, pleqtë ofrojnë pa frikë këshillat e nevojshme. (Galatasve 6:1) Pjesëtarët e kongregacionit ndjekin ligjin e Krishtit, duke bashkëpunuar me këta barinj të dashur, të cilët marrin drejtimin mes tyre.—Hebrenjve 13:7.
Pleqtë zbatojnë ligjin e Krishtit
11. Si e zbatojnë pleqtë ligjin e Krishtit në kongregacion?
11 Pleqtë janë të zellshëm në përmbushjen e ligjit të Krishtit në kongregacion. Ata marrin drejtimin në predikimin e lajmit të mirë, mësojnë nga Bibla, në mënyrë që të prekin zemrat dhe si barinj të dashur e të sjellshëm u flasin «shpirtrave të dëshpëruar». (1. Selanikasve 5:14, BR) Ata shmangin qëndrimet jo të krishtere, që ekzistojnë në kaq shumë fe të të ashtuquajturit krishterim. Vërtet, kjo botë po degjeneron me shpejtësi dhe ashtu si Pavli pleqtë mund të ndihen në ankth për kopenë; por ata mbajnë ekuilibrin, ndërsa veprojnë në këto çështje.—2. Korintasve 11:28.
12. Si mund të përgjigjet plaku, kur një i krishterë i afrohet për ndihmë?
12 Ta zëmë se një i krishterë mund të ketë dëshirë të konsultohet me një plak mbi ndonjë çështje të rëndësishme, për të cilën s’ka ndonjë referim biblik të drejtpërdrejtë apo që kërkon baraspeshimin e parimeve të ndryshme të krishtere. Mbase atij i kanë ofruar një vend më të mirë pune, me një pagë më të lartë, por me më shumë përgjegjësi. Ose, babai jobesimtar i një të krishteri të ri ndoshta ka disa kërkesa për të birin, të cilat do të ndikonin mbi shërbimin e këtij të fundit. Në situata të tilla plaku përmbahet për të mos dhënë një opinion personal. Pëkundrazi, ka të ngjarë që të hapë Biblën dhe ta ndihmojë individin për të arsyetuar mbi parimet e përfshira. Nëse ekziston, ai mund të përdorë Treguesin e botimeve Watch Tower, për të parë se ç’ka thënë «skllavi i besueshëm dhe i matur» mbi këtë çështje në faqet e Kullës së Rojës dhe të botimeve të tjera. (Mateu 24:45, BR) Ç’ndodh nëse paskëtaj i krishteri merr një vendim, që për plakun nuk duket i mençur? Nëse vendimi nuk shkel drejtpërdrejt parimet apo ligjet e Biblës, i krishteri ka për të parë se plaku e pranon të drejtën e individit për të marrë atë vendim, duke pranuar se «secili do të mbajë barrën e vet». Megjithatë, i krishteri s’duhet të harrojë se «ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë».—Galatasve 6:5, 7.
13. Përse pleqtë i ndihmojnë të tjerët që të arsyetojnë mbi çështjet, në vend se t’u japin përgjigje direkte pyetjeve apo të shfaqin opinionin e tyre?
13 Përse një plak me përvojë vepron në këtë mënyrë? Të paktën për dy arsye. Së pari, Pavli i tha një kongregacioni, se ai nuk kishte ‘pushtet mbi besimin e tyre’. (2. Korintasve 1:24) Duke ndihmuar vëllain e tij që të arsyetojë mbi Shkrimet e të marrë një vendim personal të bazuar në njohurinë, plaku po imiton qëndrimin e Pavlit. Ai e pranon se autoriteti i tij ka kufij, ashtu sikurse Jezui e pranoi se autoriteti i tij kishte kufij. (Luka 12:13, 14; Judës 9) Në të njëjtën kohë, kur është e nevojshme, pleqtë me gatishmëri ofrojnë këshilla biblike të dobishme, madje edhe të drejtpërdrejta. Së dyti, plaku po e stërvit bashkë të krishterin. Apostulli Pavël tha: «Ushqimi i fortë është për njerëzit e pjekur, për ata që me anë të përdorimit i kanë të stërvitura fuqitë e tyre të perceptimit, për të dalluar të drejtën nga e gabuara.» (Hebrenjve 5:14, BR) Prandaj, që të rritemi drejt pjekurisë, duhet të përdorim fuqitë tona perceptuese, duke mos u mbështetur gjithmonë tek dikush tjetër për të na dhënë përgjigjen. Plaku, duke i treguar bashkë të krishterit se si të arsyetojë mbi Shkrimet, po e ndihmon në këtë mënyrë atë që të përparojë.
14. Si mund të tregojnë individët e pjekur se besojnë në Jehovain?
14 Ne mund të kemi besim se Perëndia Jehova, nëpërmjet frymës së tij të shenjtë, do të ndikojë mbi zemrat e adhuruesve të vërtetë. Prandaj, të krishterët e pjekur u bëjnë thirrje zemrave të vëllezërve, duke iu lutur atyre, siç bëri apostulli Pavël. (2. Korintasve 8:8; 10:1; Filemonit 8, 9) Pavli e dinte se kryesisht janë të padrejtët dhe jo të drejtët, ata që kanë nevojë për ligje të hollësishme për të qëndruar siç duhet. (1. Timoteut 1:9) Ai nuk shprehu dyshim apo mosbesim, por besim tek vëllezërit. Një kongregacioni ai i shkroi: «Ne kemi besim për ju te Zoti.» (2. Selanikasve 3:4) Besimi, besueshmëria dhe mirëbesimi i Pavlit, sigurisht që bënë shumë për t’i nxitur ata të krishterë. Sot, pleqtë dhe mbikëqyrësit udhëtues kanë qëllime të ngjashme. Sa freskues janë këta burra të besueshëm, ndërsa kullotin me dashuri kopenë e Perëndisë!—Isaia 32:1, 2; 1. Pjetrit 5:1.
Të jetojmë sipas ligjit të Krishtit
15. Cilat janë disa pyetje që mund t’i bëjmë vetes, për të parë nëse po zbatojmë ligjin e Krishtit në marrëdhëniet me vëllezërit tanë?
15 Të gjithë ne duhet të shqyrtojmë veten rregullisht, për të parë nëse po jetojmë sipas ligjit të Krishtit dhe po e nxitim atë. (2. Korintasve 13:5) Vërtet, të gjithë ne mund të përfitojmë, duke pyetur: ‘A jam ndërtues apo kritikues? A jam i ekuilibruar apo ekstremist? A tregoj konsideratë për të tjerët apo ngul këmbë në të drejtat e mia?’ Një i krishterë nuk përpiqet të diktojë se cilat hapa duhet të bëjë apo jo një vëlla, në çështje që nuk janë trajtuar në mënyrë specifike në Bibël.—Romakëve 12:1; 1. Korintasve 4:6.
16. Si mund t’i ndihmojmë ata që kanë pikëpamje negative për veten, duke përmbushur kështu një aspekt jetësor të ligjit të Krishtit?
16 Në këto kohë kritike, është e rëndësishme për ne që të kërkojmë mënyra për të inkurajuar njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25; krahaso Mateun 7:1-5.) Kur shikojmë vëllezërit dhe motrat tona, a s’kanë të bëjnë më shumë për ne cilësitë e tyre të mira, sesa dobësitë e tyre? Për Jehovain të gjithë janë të çmuar. Mjerisht, jo të gjithë mendojnë në këtë mënyrë, madje edhe për veten. Shumë kanë prirjen për të parë vetëm të metat dhe papërsosmëritë e tyre personale. Për të inkurajuar këta individë dhe të tjerë, a mund të përpiqemi për të folur me një apo dy veta çdo mbledhje, duke u bërë të ditur se përse e vlerësojmë praninë e tyre dhe kontributin e rëndësishëm që ata japin në kongregacion? Sa gëzim është të lehtësosh barrën e tyre në këtë mënyrë e të përmbushësh kështu ligjin e Krishtit!—Galatasve 6:2.
Ligji i Krishtit vepron!
17. Në cilat mënyra të ndryshme e sheh ligjin e Krishtit tek vepron në kongregacionin tënd?
17 Ligji i Krishtit vepron në kongregacionin e krishterë. Këtë e shohim përditë: kur Dëshmitarët e tjerë me zell ndajnë lajmin e mirë, kur ngushëllojnë dhe inkurajojnë njëri-tjetrin, kur luftojnë për t’i shërbyer Jehovait, pavarësisht nga problemet ndër më të vështirat, kur prindërit përpiqen t’i rritin fëmijët që të duan Jehovain me zemra të gëzuara, kur mbikëqyrësit mësojnë Fjalën e Perëndisë me dashuri dhe ngrohtësi, duke nxitur kopenë që të ketë një zell përvëlues për t’i shërbyer Jehovait përgjithmonë. (Mateu 28:19, 20; 1. Selanikasve 5:11, 14) Sa gëzon zemra e Jehovait, kur ne individualisht e vëmë në veprim ligjin e Krishtit në jetën tonë! (Proverbat 23:15) Ai dëshiron që të gjithë ata që e duan ligjin e tij të përsosur të jetojnë përgjithmonë. Në Parajsën që po vjen, do të shohim një kohë kur njerëzimi të jetë i përsosur, një kohë pa shkelës të ligjit, kur çdo prirje e zemrave tona do të jetë nën kontroll. Sa shpërblim i lavdishëm për jetesën sipas ligjit të Krishtit!
[Shënimi]
a Këto shtëpi nuk janë si manastiret e të ashtuquajturit krishterim. Nëpër to s’ka «abatë» dhe «etër», në këtë kuptim. (Mateu 23:9) Vëllezërve përgjegjës u tregohet respekt, por shërbimi i tyre qeveriset nga po ato parime që qeverisin të gjithë pleqtë.
Çfarë mendon?
◻ Përse i ashtuquajturi krishterim s’ka arritur të kuptojë domethënien e ligjit të Krishtit?
◻ Si mund ta vëmë në veprim ligjin e Krishtit në familje?
◻ Çfarë duhet të shmangim dhe çfarë duhet të bëjmë, për të zbatuar ligjin e Krishtit në kongregacion?
◻ Si mund t’i binden pleqtë ligjit të Krishtit, në marrëdhëniet e tyre me kongregacionin?
[Figura në faqen 23]
Fëmija yt ka shumë nevojë për dashuri
[Figura në faqen 24]
Sa freskues janë pleqtë tanë të dashur!