Të gjithë duhet t’i japin llogari Perëndisë
«Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.»—ROMAKËVE 14:12.
1. Cilët kufij ishin vënë për lirinë e Adamit dhe të Evës?
PERËNDIA JEHOVA i krijoi prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, si persona me vullnet të lirë. Edhe pse ishin më të ulët se engjëjt, ata ishin krijesa inteligjente, në gjendje për të marrë vendime të mençura. (Psalmi 8:4, 5) Megjithatë, liria që u dha Perëndia nuk ishte një licensë për ushtrimin e vetëvendosjes. Ata i jepnin llogari Krijuesit të tyre dhe kjo dhënie llogarie është shtrirë mbi të gjithë pasardhësit e tyre.
2. Çfarë llogarie do të kërkojë së shpejti Jehovai dhe përse?
2 Tashmë, që jemi pranë pikës kulminante të këtij sistemi të lig gjërash, Jehovai do t’i kërkojë llogari tokës. (Krahaso Romakëve 9:28.) Së shpejti, njerëzit e paperëndishëm duhet t’i japin llogari Perëndisë Jehova për shfrytëzimin e rezervave të tokës, për shkatërrimin e jetës njerëzore dhe sidomos për persekutimin e shërbëtorëve të tij.—Zbulesa 6:10; 11:18.
3. Cilat pyetje do të shqyrtohen?
3 Duke u gjendur përballë kësaj perspektive që të fut në mendime, është e dobishme për ne që të mendojmë thellë mbi mënyrën e drejtë në të cilën është sjellë Jehovai me krijesat e tij, në kohët e lashta. Si mund të na ndihmojnë Shkrimet personalisht, për t’i dhënë llogari në mënyrë të pranueshme Krijuesit tonë? Cilët shembuj mund të na ndihmojnë dhe cilët nuk duhet të imitojmë?
Engjëjt japin llogari
4. Nga e dimë se Perëndia u kërkon llogari engjëjve për veprimet e tyre?
4 Krijesat engjëllore të Jehovait në qiell, i japin llogari atij, po aq sa edhe ne. Përpara përmbytjes së ditëve të Noes, duke mos u bindur, disa engjëj u materializuan, për të pasur marrëdhënie seksuale me gratë. Duke qenë se ishin me vullnet të lirë, ato krijesa frymore mund ta merrnin atë vendim, por Jehovai do t’u kërkonte llogari. Kur engjëjt e pabindur u kthyen në mbretërinë frymore, Jehovai nuk u lejoi të merrnin sërish pozitën e tyre fillestare. Dishepulli Juda na thotë se ata janë ‘ruajtur me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe’.—Judës 6.
5. Çfarë rrëzimi kanë provuar Satanai dhe demonët e tij dhe si do të lahen llogaritë për rebelimin e tyre?
5 Këta engjëj të pabindur, ose demonë, kanë Satana Djallin si sundues të tyre. (Mateu 12:24-26) Ky engjëll i lig u rebelua kundër Krijuesit të tij dhe sfidoi të drejtën e sovranitetit të Jehovait. Satanai i çoi prindërit tanë të parë në mëkat dhe ky solli së fundi vdekjen e tyre. (Zanafilla 3:1-7, 17-19) Edhe pse Jehovai lejoi që Satanai të hynte për njëfarë periudhe pas kësaj në asambletë zyrtare qiellore, libri biblik i Zbulesës paratha se në kohën e caktuar nga Perëndia, ky i lig do të flakej poshtë në afërsi të tokës. Dëshmitë tregojnë se kjo gjë ndodhi pak pasi Jezu Krishti mori fuqinë e Mbretërisë, në vitin 1914. Së fundi, Djalli dhe demonët e tij do të shkojnë në shkatërrim të përhershëm. Me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së sovranitetit, llogaria për rebelimin do të lahet siç duhet.—Jobi 1:6-12; 2:1-7; Zbulesa 12:7-9; 20:10.
Biri i Perëndisë jep llogari
6. Si e konsideron Jezui llogaridhënien e tij përpara Atit të tij?
6 Sa shembull të shkëlqyer ka lënë Biri i Perëndisë, Jezu Krishti! Si njeri i përsosur, i barabartë me Adamin, Jezui gjeti kënaqësi në kryerjen e vullnetit hyjnor. Gjithashtu, ai ishte i gëzuar që dha llogari për bindje ndaj ligjit të Jehovait. Në lidhje me të, psalmisti profetizoi në mënyrë të përshtatshme: «Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time.»—Psalmi 40:8; Hebrenjve 10:6-9.
7. Duke u lutur mbrëmjen e vdekjes së tij, përse Jezui mundi të thoshte fjalët që gjejmë në Gjonin 17:4, 5?
7 Pavarësisht nga kundërshtimi armiqësor që hasi, Jezui kreu vullnetin e Perëndisë dhe mbajti integritetin deri në vdekje mbi një shtyllë mundimi. Në këtë mënyrë, ai pagoi çmimin e shpërblesës për të çliruar njerëzimin nga pasojat vdekjeprurëse të mëkatit të Adamit. (Mateu 20:28) Prandaj, mbrëmjen përpara vdekjes së tij, Jezui mundi të lutej me besim: «Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj. Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.» (Gjoni 17:4, 5) Jezui mundi t’ia thoshte këto fjalë Atit të tij të qiellor, pasi po e përballonte me sukses provën e dhënies së llogarisë dhe ishte i pranuar nga Perëndia.
8. (a) Si tregoi Pavli se ne duhet të japim llogari për veten tonë para Perëndisë Jehova? (b) Çfarë do të na ndihmojë të pranohemi nga Perëndia?
8 Ndryshe nga njeriu i përsosur, Jezu Krishti, ne jemi të papërsosur. Megjithatë, edhe ne i japim llogari Perëndisë. Apostulli Pavël tha: «Përse e gjykon vëllanë tënd? Apo, përse e shikon me përbuzje vëllanë tënd? Pasi të gjithë ne do të qëndrojmë përpara fronit të gjykimit të Perëndisë; sepse është shkruar: ‘Ashtu sikurse jetoj unë,—thotë Jehovai,—përpara meje çdo gju do të përkulet dhe çdo gjuhë do të pranojë hapur Perëndinë.’ Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet.» (Romakëve 14:10-12, BR) Me qëllim që t’i japim llogari për mirë dhe të pranohemi nga Jehovai, ai na ka dhënë me dashuri ndërgjegjen dhe Fjalën e tij të frymëzuar, Biblën, për të na drejtuar në ato që themi dhe bëjmë. (Romakëve 2:14, 15; 2. Timoteut 3:16, 17) Përfitimi në mënyrë sa më të plotë nga masat frymore të Jehovait dhe ndjekja e ndërgjegjes sonë të stërvitur nga Bibla, do të na ndihmojë të pranohemi nga Perëndia. (Mateu 24:45-47) Fryma e shenjtë e Jehovait, ose forca aktive, është një tjetër burim fuqie dhe drejtimi. Nëse veprojmë në përputhje me drejtimin e frymës dhe të ndërgjegjes sonë të stërvitur nga Bibla, tregojmë se nuk ‘e përbuzim Perëndinë’, të cilit duhet t’i japim llogari për të gjitha veprimet tona.—1. Selanikasve 4:3-8; 1. Pjetrit 3:16, 21.
Kombe llogaridhënëse
9. Cilët ishin edomitët dhe çfarë ndodhi me ta, për shkak të trajtimit që i bënë Izraelit?
9 Jehovai u kërkon llogari kombeve. (Jeremia 25:12-14; Sofonia 3:6, 7) Le të shqyrtojmë mbretërinë e lashtë të Edomit, e vendosur në jug të Detit të Vdekur dhe në veri të Gjirit Akaba. Edomitët ishin një popull semitik, të lidhur ngushtë me izraelitët. Edhe pse stërgjyshi i edomitëve ishte nipi i Abrahamit, Esau, izraelitët nuk u lejuan të kalonin nëpër Edom në «rrugën e mbretit», ndërsa marshonin për në Tokën e Premtuar. (Numrat 20:14-21) Përgjatë shekujve, armiqësia e edomitëve, u zhvillua në një urrejtje të pashuar për Izraelin. Më në fund, edomitët duhej të jepnin llogari për nxitjen që u bënë babilonasve, për të shkatërruar Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. (Psalmi 137:7) Në shekullin e gjashtë p.e.s., trupat babilonase, nën mbretin Nabonidi, pushtuan Edomin dhe e shkretuan, ashtu siç kishte vendosur Jehovai.—Jeremia 49:20; Abdia 9-11.
10. Si vepruan moabitët kundrejt izraelitëve dhe si i kërkoi Perëndia llogari Moabit?
10 Moabi pësoi diçka të ngjashme. Mbretëria moabite gjendej në veri të Edomit dhe në lindje të Detit të Vdekur. Përpara se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, moabitët nuk u treguan mikpritës kundrejt tyre, duke i furnizuar me bukë dhe ujë, me sa duket vetëm për përfitim financiar. (Ligji i përtërirë 23:3, 4) Mbreti i Moabit, Balaku, e pagoi profetin Balaam për të mallkuar Izraelin, ndërsa gratë moabite u përdorën për të yshtur burrat izraelitë në imoralitet dhe idhujtari. (Numrat 22:2-8; 25:1-9) Megjithatë, Jehovai nuk i mbylli sytë përpara urrejtjes së Moabit për Izraelin. Siç ishte profetizuar, Moabi u shkretua nga dora e babilonasve. (Jeremia 9:25, 26; Sofonia 2:8-11) Po, Perëndia i kërkoi llogari Moabit.
11. Ngjashëm cilave qytete u bënë Moabi dhe Amoni dhe çfarë tregojnë profecitë biblike, në lidhje me sistemin e tanishëm të lig të gjërave?
11 Jo vetëm Moabi, por edhe Amoni duhej t’i jepte llogari Perëndisë. Jehovai kishte parathënë: «Moabi do të jetë si Sodoma dhe bijtë e Amonit si Gomorra, një vend i zënë nga hithrat dhe kripërat, një shkreti përjetë.» (Sofonia 2:9) Tokat e Moabit dhe të Amonit u shkatërruan, ashtu sikurse kishte shkatërruar Perëndia qytetet e Sodomës dhe Gomorrës. Sipas Shoqatës Gjeologjike të Londrës, kërkuesit pohojnë se kanë përcaktuar vendndodhjen e rrënojave të Sodomës dhe Gomorrës në bregun lindor të Detit të Vdekur. Çdo dëshmi e besueshme që ende mund të dalë në dritë në lidhje me këtë, s’mund të bëjë tjetër, veçse të mbështesë profecitë biblike, të cilat tregojnë se edhe sistemi i tanishëm i lig i gjërave do të japë llogari përpara Perëndisë Jehova.—2. Pjetrit 3:6-12.
12. Edhe pse Izraeli duhej t’i jepte llogari Perëndisë për mëkatet e tij, çfarë ishte parathënë për mbetjen e judenjve?
12 Megjithëse ishte favorizuar shumë nga Jehovai, edhe Izraeli duhej t’i jepte llogari Perëndisë për mëkatet e veta. Kur Jezu Krishti erdhi në kombin e Izraelit, shumica nuk e pranoi. Vetëm një mbetje ushtroi besim dhe u bënë ithtarë të tij. Pavli zbatoi disa profeci për këtë mbetje judenjsh, kur shkroi: «Isaia bërtet për Izraelin: ‘Edhe sikur numri i bijve të Izraelit të jetë si rëra e detit, vetëm mbetja do të shpëtohet. Sepse Jehovai do të kërkojë llogari mbi tokë, duke e përfunduar dhe duke e shkurtuar.’ Gjithashtu, siç ka thënë Isaia kohë më parë: ‘Sikur Jehovai i ushtrive të mos na kishte lënë një farë, ne do të ishim bërë tamam si Sodoma dhe do të kishim qenë bërë tamam si Gomorra.’» (Romakëve 9:27-29, BR; Isaia 1:9; 10:22, 23) Apostulli citoi shembullin e 7.000 vetave të kohës së Elisë që s’ishin përkulur para Baalit e më pas shtoi: «Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.» (Romakëve 11:5) Ajo mbetje përbëhet nga individë, të cilët personalisht i japin llogari Jehovait.
Shembuj të llogaridhënies personale
13. Çfarë ndodhi me Kainin, kur Perëndia i kërkoi llogari për vrasjen e të vëllait, Abelit?
13 Bibla citon shumë raste të llogaridhënies personale ndaj Perëndisë Jehova. Le të marrim si shembull djalin e parëlindur të Adamit, Kainin. Si ai edhe vëllai i tij, Abeli, i ofruan sakrifica Jehovait. Sakrifica e Abelit u pranua nga Perëndia, ndërsa e Kainit jo. Kur iu kërkua llogari për vrasjen brutale të të vëllait, Kaini i tha Perëndisë pa pikën e ndjenjës: «Mos jam unë rojtari i vëllait tim?» Për shkak të mëkatit të tij, Kaini u përzu në ‘vendin e ikanakëve, në lindje të Edenit’. Ai nuk tregoi asnjë pendim të sinqertë për krimin e tij, duke u pikëlluar vetëm për ndëshkimin e merituar që mori.—Zanafilla 4:3-16.
14. Si u ilustrua llogaridhënia personale para Perëndisë, në rastin e kryepriftit Eliu dhe të bijve të tij?
14 Dhënia e llogarisë ndaj Perëndisë prej secilit personalisht, ilustrohet, gjithashtu, në rastin e kryepriftit të Izraelit, Eliu. Bijtë e tij, Hofni dhe Fineasi, shërbenin si priftërinj zyrtarë, por «ishin fajtorë për padrejtësi kundrejt njerëzve dhe për prapësi kundrejt Perëndisë dhe nuk përmbaheshin nga asnjë lloj ligësie»,—thotë historiani Jozefi. Këta njerëz «të këqij» nuk e njihnin Jehovain, e përzien në sakrilegje dhe ishin fajtorë për imoralitet të rëndë. (1. Samuelit 1:3; 2:12-17, 22-25) Si baba i tyre dhe si kryeprift i Izraelit, Eliu kishte detyrën t’i disiplinonte, por ai vetëm sa i qortoi me butësi. Eliu ‘vazhdonte të nderonte më tepër fëmijët e tij, se Jehovain’. (1. Samuelit 2:29) Shpagimi ra mbi shtëpinë e Eliut. Të dy djemtë vdiqën në të njëjtën ditë me atin e tyre dhe linja e tyre priftërore më në fund u ndërpre plotësisht. Kështu, llogaria u la.—1. Samuelit 3:13, 14; 4:11, 17, 18.
15. Përse u shpërblye djali i mbretit Saul, Jonatani?
15 Një shembull krejt të ndryshëm la djali i mbretit Saul, Jonatani. Shpejt, pasi Davidi kishte vrarë Goliadin, «shpirti i Jonathanit mbeti i lidhur me shpirtin e Davidit» dhe ata lidhën një besëlidhje miqësie. (1. Samuelit 18:1, 3) Ka të ngjarë që Jonatani të ketë vërejtur se fryma e Perëndisë e kishte lënë Saulin, por zelli i tij për adhurimin e vërtetë mbeti i pazvogëluar. (1. Samuelit 16:14) Vlerësimi i Jonatanit për autoritetin që Perëndia i kishte dhënë Davidit, nuk u lëkund kurrë. Jonatani e kuptoi që i jepte llogari Perëndisë dhe Jehovai e shpërbleu për rrugën e tij të nderuar, duke siguruar që linja e tij familjare të vazhdonte për breza.—1. Kronikave 8:33-40.
Llogaridhënia në kongregacionin e krishterë
16. Kush ishte Titi dhe përse mund të themi se ai dha një llogari të mirë për veten para Perëndisë?
16 Shkrimet e Krishtere Greke flasin në mënyrë të favorshme për shumë burra e gra, të cilët dhanë një llogari të mirë për veten e tyre. Për shembull, kemi të krishterin grek, të quajtur Titi. Mendohet se ai u bë i krishterë gjatë udhëtimit të parë misionar të Pavlit në Qipro. Pasi hebrenjtë dhe prozelitët nga Qiproja mund të kenë qenë në Jerusalem gjatë Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., krishterimi mund të këtë mbërritur në ishull pak pas asaj kohe. (Veprat 11:19) Megjithatë, Titi doli një nga bashkëpunëtorët e besueshëm të Pavlit. Ai shoqëroi Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin për në Jerusalem rreth vitit 49 të e.s., kur u zgjidh çështja e rëndësishme e rrethprerjes. Fakti që Titi nuk ishte i rrethprerë i shtoi peshë argumentit të Pavlit, që të kthyerit në krishterim nuk duhet të jenë nën Ligjin e Moisiut. (Galatasve 2:1-3) Shërbimi i shkëlqyer i Titit dëshmohet në Shkrimet, madje Pavli i drejtoi atij një letër të frymëzuar nga Perëndia. (2. Korintasve 7:6; Titit 1:1-4) Është e dukshme se deri në fund të jetës së tij tokësore, Titi vazhdoi të jepte një llogari të shkëlqyer për veten para Perëndisë.
17. Çfarë llogarie dha Timoteu dhe si mund të ndikojë mbi ne ky shembull?
17 Timoteu ishte një tjetër individ i zellshëm, i cili dha për veten një llogari të pranueshme para Perëndisë Jehova. Edhe pse ai kishte disa probleme me shëndetin, Timoteu shfaqi ‘besim pa asnjë hipokrizi’ dhe ‘shërbeu me Pavlin për çuarjen përpara të lajmit të mirë’. Prandaj, apostulli mundi t’u thoshte bashkë të krishterëve në Filipi: «Nuk kam asnjë të një mendje me mua [si Timoteu], që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja.» (2. Timoteut 1:5, BR; Filipianëve 2:20, 22; 1. Timoteut 5:23) Përballë delikatesës njerëzore dhe sprovave të tjera, edhe ne mund të kemi besim pa hipokrizi dhe mund të japim për veten një llogari të pranueshme para Perëndisë.
18. Kush ishte Lidia dhe çfarë fryme shfaqi ajo?
18 Lidia ishte një grua e perëndishme, që me sa duket dha për veten një llogari të shkëlqyer para Perëndisë. Ajo dhe shtëpia e saj ishin ndër të parët persona në Evropë që përqafuan krishterimin, si rezultat i aktivitetit të Pavlit në Filipi, rreth vitit 50 të e.s. Lindur në Tiatira, Lidia ishte mbase një prozelite hebreje, por ka të ngjarë që në Filipi të ketë pasur pak hebrenj dhe asnjë sinagogë. Ajo dhe gra të tjera të devotshme ishin mbledhur pranë një lumi, kur Pavli u foli. Si rezultat, Lidia u bë e krishterë dhe këmbënguli që Pavli dhe shokët e tij të qëndronin me të. (Veprat 16:12-15) Mikpritja që tregoi Lidia mbetet një karakteristikë dalluese e krishterimit të vërtetë.
19. Me cilat vepra të mira, Dorka dha një llogari të shkëlqyer për veten para Perëndisë?
19 Dorka ishte një grua tjetër, e cila dha për veten një llogari të shkëlqyer para Perëndisë Jehova. Kur ajo vdiq, Pjetri shkoi në Jopa, sipas kërkesës që i bënë dishepujt që jetonin atje. Dy burrat që e takuan Pjetrin, «e çuan në dhomën lart; të gjitha gratë e veja i dolën atij duke qarë dhe i treguan tunikat dhe veshjet që kishte punuar Gazela [Dorka, BR], sa ishte bashkë me to». Dorka u kthye përsëri në jetë. Por, a duhet kujtuar ajo vetëm për frymën e saj bujare e të dashur? Jo. Ajo ishte «dishepulle» dhe sigurisht ka marrë pjesë edhe vetë në veprën e bërjes së dishepujve. Në mënyrë të ngjashme, gratë e krishtere sot ‘bëjnë shumë vepra të mira dhe japin shumë lëmoshë’. Po ashtu, ato janë të gëzuara që marrin pjesë aktive në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë dhe në bërjen e dishepujve.—Veprat 9:36-42; Mateu 24:14; 28:19, 20.
20. Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
20 Bibla tregon qartë se kombet dhe individët duhet t’i japin llogari Zotërisë Sovran Jehova. (Sofonia 1:7) Prandaj, nëse jemi dedikuar ndaj Perëndisë, mund të pyesim veten: «Si i shikoj unë privilegjet dhe përgjegjësitë që më ka dhënë Perëndia? Çfarë llogarie po i jap për veten Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit?»
Cilat janë përgjigjet e tua?
◻ Si do ta provoje se engjëjt dhe Biri i Perëndisë japin llogari para Jehovait?
◻ Çfarë shembujsh kemi nga Bibla, për të treguar se kombet i japin llogari Perëndisë?
◻ Çfarë thotë Bibla për llogaridhënien personale para Perëndisë?
◻ Cilët janë disa individë të tregimeve biblike, që dhanë një llogari të shkëlqyer para Perëndisë Jehova?
[Figura në faqen 10]
Jezu Krishti dha një llogari të shkëlqyer për veten para Atit të tij qiellor
[Figura në faqen 15]
Ashtu si Dorka, gratë e krishtere sot, i japin Perëndisë Jehova një llogari të mirë për vetveten
[Burimi i figurës në faqen 13]
Vdekja e Abelit/The Doré Bible Illustrations/Dover Publications