Legjendat e përmbytjes përkrahin tregimin e Biblës
PËRMBYTJA e përgjithshme e ditëve të Noes është një fakt historik. Versione të këtij tregimi gjenden në historinë gojore të shumë civilizimeve të ndryshme anembanë botës. Në vendin afrikan të Çadit, fisi musaje e shpjegon përmbytjen kështu:
‘Një herë e një kohë, në një vend të largët, jetonte një familje. Një ditë, nëna e kësaj familjeje dëshironte të përgatiste një drekë të kushtueshme për njerëzit e saj të dashur. Kështu, mori havanin dhe shtypësen, për të rrahur drithin e për ta bërë miell. Asokohe, qielli ishte shumë më afër se tani. Në fakt, po të zgjasje dorën lart, mund ta prekje. Ajo e rrahu drithin me sa forcë që kishte dhe së shpejti meli u kthye në miell. Por ndërsa po rrihte, gruaja pa kujdes e ngriti shtypësen shumë lart dhe hapi një të çarë në qiell. Menjëherë, një sasi e madhe shiu nisi të binte mbi tokë. Ky nuk ishte një shi i zakonshëm. Ra për shtatë ditë e shtatë netë, derisa e gjithë toka u mbulua me ujë. Ndërsa shiu binte, qielli filloi të ngrihej, derisa zuri vend aty ku është tani, aq lart, sa s’mund të kapet. Çfarë katastrofe për njerëzimin! Qysh nga ajo kohë, ne kemi humbur privilegjin për të prekur qiellin me duart tona.’
Në mënyrë interesante, tregimet e lashta që flasin për një përmbytje të përgjithshme mund të gjenden anembanë botës. Qytetërimet vendase të Amerikës, si edhe aborigjenët e Australisë, kanë të gjithë histori për të. Hollësitë mund të ndryshojnë, por shumica e tregimeve përmbajnë mendimin se toka u mbulua nga uji dhe vetëm pak njerëz mbijetuan, në një anije të bërë nga njerëzit. Prania e përhapur e kësaj teme shton mbështetjen për faktin se ka ndodhur një Përmbytje botërore, siç raporton Bibla.—Zanafilla 7:11-20.