A ke vërtet nevojë të kërkosh të falur?
‘UNË s’kërkoj kurrë të falur’.—shkroi Xhorxh Bernard Shou. ‘Ajo që u bë, u bë’,—mund të thonë të tjerët.
Ndoshta edhe ne vetë ngurrojmë për të pranuar një gabim, nga frika se mos humbim faqen e bardhë. Ndoshta justifikohemi, duke e hedhur problemin mbi personin tjetër. Apo mund të kemi ndër mend të kërkojmë të falur, por e shtyjmë, derisa mendojmë se çështja më në fund ka kaluar pa u vënë re.
Kështu, pra, a është thelbësore të kërkosh të falur? A mund të arrihet diçka në këtë mënyrë?
Dashuria na detyron të kërkojmë të falur
Dashuria vëllazërore është një shenjë dalluese e ithtarëve të vërtetë të Jezu Krishtit. Ai tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Shkrimet i nxisin të krishterët ‘të duan fort njëri-tjetrin me zemër’. (1. Pjetrit 1:22) Dashuria e dendur na detyron të kërkojmë të falur. Përse? Sepse në mënyrë të pashmangshme, papërsosmëria njerëzore shkakton plagosje të ndjenjave, të cilat mund ta frenojnë dashurinë nëse nuk shërohen.
Për shembull, për shkak të ndryshimeve personale me dikë në kongregacion, mund të preferojmë të mos flasim me të. Nëse kemi shkaktuar një fyerje, si mund të përmirësohet një marrëdhënie e dashur? Në shumicën e rasteve, duke kërkuar të falur e pastaj duke bërë përpjekje për të biseduar me ngrohtësi. Ne u kemi borxh bashkëbesimtarëve tanë dashurinë, prandaj kur themi se na vjen keq që kemi shkaktuar fyerje, shkarkojmë ca nga ai borxh.—Romakëve 13:8.
Le të ilustrojmë: Maria Karmen dhe Paki janë dy gra të krishtere, të cilat kanë një miqësi të gjatë. Por, ngaqë Maria Karmen u besoi disa thashethemeve të dëmshme, miqësia e saj me Pakin u ftoh. Pa asnjë shpjegim, ajo shmangu plotësisht Pakin. Gati një vit më vonë, Maria Karmen mësoi se thashethemja s’kishte qenë e vërtetë. Si reagoi ajo? Dashuria e nxiti të shkonte te Paki dhe me përulësi i shprehu keqardhjen e thellë për atë sjellje aq të keqe. Të dyja derdhën nga një mal me lot dhe që nga ajo kohë janë bërë shoqe të pandara.
Edhe pse mund të mendojmë që s’kemi bërë asgjë të gabuar, nëse kërkojmë të falur mund të zgjidhim një keqkuptim. Manueli kujton: «Shumë vite më parë, unë dhe gruaja ime qëndronim në shtëpinë e një motrës sonë frymore, ndërkohë që ajo ishte e shtruar në spital. Ne bëmë të pamundurën për të ndihmuar atë dhe fëmijët e saj, gjatë kohës që ajo ishte sëmurë. Por pasi u kthye në shtëpi, ajo iu ankua një shoku se ne nuk i kishim administruar siç duhej shpenzimet e shtëpisë.
Ne i shkuam për vizitë dhe shpjeguam, se ngaqë ishim të rinj dhe pa përvojë, ndoshta nuk ishim kujdesur për gjërat siç do të kishte bërë ajo. Ajo u përgjigj menjëherë, duke thënë se ajo ishte në borxh me ne dhe se ishte vërtet mirënjohëse për gjithçka që kishim bërë për të. Keqkuptimi ishte zgjidhur. Ajo përvojë më mësoi rëndësinë për të kërkuar falje me përulësi, kur ndodhin keqkuptime.»
Jehovai e bekoi këtë çift, pasi tregoi dashuri dhe ‘ndoqi gjërat që ndihmonin për paqe’. (Romakëve 14:19) Gjithashtu, dashuria përfshin vetëdijen për ndjenjat e të tjerëve. Pjetri na këshillon të shfaqim «ndjenja të përbashkëta». (1. Pjetrit 3:8, BR) Nëse kemi ndjenja të përbashkëta, ka më shumë të ngjarë që të dallojmë dhimbjen që kemi shkaktuar, me ndojë fjalë të pamenduar dhe do të nxitemi të kërkojmë të falur.
«Ngjeshuni me përulësi mendjeje»
Edhe pleqtë e besueshëm të krishterë, me raste mund të kenë shkëmbime zemërimi. (Krahaso Veprat 15:37-39.) Këto janë raste, në të cilat po të kërkojmë të falur, do të kemi shumë dobi. Por, çfarë do ta ndihmojë një plak apo cilindo të krishterë, që ka vështirësi për të kërkuar të falur?
Çelësi është përulësia. Apostulli Pjetër këshilloi: «Ngjeshuni me përulësi mendjeje kundrejt njëri-tjetrit.» (1. Pjetrit 5:5, BR) Edhe pse është e vërtetë se në shumicën e zënkave të dyja palët kanë faj, një i krishter i përulur shqetësohet për gabimet e tij dhe është i gatshëm për t’i pranuar ato.—Proverbat 6:1-5.
Natyrisht, personi të cilit i kërkohet të falur, duhet ta pranojë me përulësi. Duke përdorur një ilustrim, le ta zëmë se dy burra që duhet të komunikojnë qëndrojnë në majat e dy maleve të ndryshme. Bisedimi ndërmjet greminave që i ndajnë, është i pamundur. Megjithatë, nëse njëri prej tyre zbret poshtë në luginë dhe tjetri ndjek shembullin e tij, ata mund të bisedojnë me lehtësi. Ngjashëm, nëse dy të krishterë kanë nevojë për të zgjidhur ndryshimet mes tyre, me përulësi le të zbresin për të takuar njëri-tjetrin në luginë, nëse mund të themi kështu dhe në mënyrë të përshtatshme të kërkojnë të falur.—1. Pjetrit 5:6.
Të kërkosh të falur, do të thotë shumë në martesë
Në mënyrë të pashmangshme, martesa e dy njerëzve të papërsosur do të krijojë raste për të kërkuar të falur. Dhe nëse burri e gruaja kanë ndjenja të përbashkëta, kjo do t’i shtyjë të kërkojnë të falur, qoftë nëse kanë folur apo kanë vepruar pa kujdes. Proverbat 12:18 thekson: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.» ‘Shpimet me shpatë’ s’mund të zhbëhen, por mund të shërohen, duke kërkuar të falur me sinqeritet. Natyrisht, kjo kërkon një vetëdije dhe përpjekje të vazhdueshme.
Duke folur për martesën e saj, Suzanaa thotë: «Xheku* dhe unë po bëjmë 24 vjet të martuar, por akoma mësojmë gjëra të reja për njëri-tjetrin. Mjerisht, disa kohë më parë, ne u ndamë dhe jetuam veç për disa javë. Megjithatë, u vumë veshin këshillave biblike që na dhanë pleqtë dhe përsëri jemi bashkë. Tani e kuptojmë se, meqë kemi personalitete shumë të ndryshme, ka të ngjarë të ndodhin edhe përplasje. Kur kjo ndodh, kërkojmë të falur me të shpejtë dhe përpiqemi vërtet shumë për të kuptuar pikëpamjen e njëri-tjetrit. Jam e lumtur të them se martesa jonë është përmirësuar ndjeshëm.» Xheku shton: «Gjithashtu, kemi mësuar të identifikojmë ato momente, kur jemi të prirë për t’u mërzitur. Në çaste të tilla, e trajtojmë njëri-tjetrin me më tepër ndjeshmëri.»—Proverbat 16:23.
A duhet të kërkosh të falur, nëse mendon se s’je në gabim? Kur në mes janë ndjenjat e thella, është e vështirë të jesh objektiv mbi faktin se kush e ka fajin. Por gjëja e rëndësishme është paqja në martesë. Le të shqyrtojmë Abigailën, një grua izraelite, burri i së cilës keqtrajtoi Davidin. Edhe pse nuk mund të fajësohej për budallallëkun e të shoqit, ajo kërkoi të falur. «Falja fajin shërbëtores sate»,—u lut ajo. Davidi e mori në konsideratë atë, duke pranuar përulësisht, se po të mos kishte qenë Abigaila, ai do të kishte derdhur gjak të pafajshëm.—1. Samuelit 25:24-28, 32-35.
Ngjashëm, një grua e krishterë e quajtur Xhun, e cila është e martuar qysh prej 45 vjetësh, mendon se një martesë e suksesshme kërkon gatishmëri për të qenë i pari për të kërkuar të falur. Ajo thotë: «I them vetes se martesa jonë është më e rëndësishme se ndjenjat e mia si individ. Kështu, kur kërkoj të falur, ndihem se po i kontribuoj martesës.» Një burrë i moshuar me emrin Xhim, pohon: «I kërkoj të falur gruas sime edhe për gjëra të parëndësishme. Pasi ka kaluar një operacion serioz, ajo mërzitet kollaj. Prandaj, rregullisht e përqafoj dhe i them: ‘Më fal, e dashur. S’doja të të mërzitja.’ Ashtu si një pemë e ujitur, ajo çelet menjëherë.»
Nëse kemi lënduar personin që duam më shumë, është shumë frytdhënëse po të kërkojmë menjëherë të falur. Milagrosi është dakort me gjithë zemër, duke thënë: «Vuaj nga mungesa e besimit te vetja dhe një fjalë e rëndë nga im shoq më mërzit. Por, kur ai kërkon të falur, ndihem menjëherë më mirë.» Me plot të drejtë, Shkrimet na thonë: «Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.»—Proverbat 16:24.
Të praktikojmë artin e të kërkuarit të falur
Nëse praktikohemi që të kërkojmë të falur kur është e nevojshme, ka të ngjarë të shohim se njerëzit do të na përgjigjen pozitivisht. E ndoshta edhe ata do të kërkojnë të falur për veten. Nëse dyshojmë se kemi mërzitur dikë, përse të mos e bëjmë zakon të kërkojmë të falur, në vend se të harxhojmë kohë e përpjekje, për të shmangur pranimin e çdo faji? Bota mund të mendojë se të kërkosh të falur është një shenjë dobësie, por ajo në të vërtet është tregues i pjekurisë së krishterë. Natyrisht, ne nuk dëshirojmë të bëhemi si disa që pranojnë disa gabime, duke zvogëluar ama përgjegjësinë e tyre. Për shembull, a themi ndonjëherë se na vjen keq, pa sinqeritet? Nëse arrijmë me vonesë dhe kërkojmë pa pushim të falur, a jemi të vendosur të përmirësojmë përpikmërinë tonë?
Kështu, pra, a kemi vërtet nevojë të kërkojmë të falur? Po, kemi. Jemi të detyruar ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve që të bëjmë kështu. Duke kërkuar të falur, mund të kemi një ndihmë për të lehtësuar dhimbjet e shkaktuara nga papërsosmëria dhe për të shëruar marrëdhëniet e tendosura. Çdo herë që kërkojmë të falur, është një mësim në përulësi dhe na stërvit të bëhemi më të ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Si rrjedhojë, bashkëbesimtarët, bashkëshortët dhe të tjerët, do të na shohin si njerëz që meritojmë dashurinë e tyre të përzemërt dhe besim. Ne do të kemi paqe mendore dhe Perëndia Jehova do të na bekojë.
[Shënimi]
a Nuk janë emrat e tyre të vërtetë
[Figurat në faqen 23]
Kur kërkojmë të falur me sinqeritet, nxitim dashurinë e krishterë