A ke pikëpamjen hyjnore për pijet alkoolike?
GATI 20 vjet më parë, arkeologët zbuluan një ndërtesë të lashtë, të bërë me tulla prej balte afër qytetit Urmia të Iranit. Brenda në të gjetën një poçe qeramike, që sipas shkencëtarëve, është mijëra vjet e lashtë, që daton në kohën kur ishin ngritur disa nga vendbanimet më të hershme njerëzore. Kohët e fundit, për analizimin e poçes u përdor teknologjia e fundit. Shkencëtarët mbetën me sy hapur, kur gjetën brenda tij shenjën më të hershme kimike për bërjen e verës.
Edhe Bibla tregon qartë se vera, birra dhe pije të tjera alkoolike, janë konsumuar që në kohët e lashta. (Zanafilla 27:25; Eklisiastiu 9:7; Naumi 1:10) Ashtu si me ushqimet e tjera, Jehovai na vë ne si individë përpara një zgjedhjeje: të pijmë apo jo pije alkoolike. Shpesh, Jezui piu verë gjatë ngrënies. Gjon Pagëzori mund të jetë përmbajtur nga alkooli.—Mateu 11:18, 19.
Bibla e ndalon teprimin në pije. Dehja është një mëkat para Perëndisë. (1. Korintasve 6:9-11) Në përputhje më këtë, Dëshmitarët e Jehovait nuk lejojnë që të qëndrojë në kongregacionin e krishterë, asnjë njeri që bëhet pijanec i papenduar. Ata persona në kongregacion që zgjedhin për të përdorur pije alkoolike, duhet ta bëjnë në masën e duhur.—Titit 2:2, 3.
Një pikëpamje johyjnore
Shumë njerëz sot, nuk kanë një pikëpamje hyjnore për pijet alkoolike. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se Satanai po nxit keqpërdorimin e këtij produkti të lashtë. Për shembull, në disa ishuj të Paqësorit Jugor, burrat e kanë zakon që të mblidhen e të pijnë sasi të mëdha pijesh të fermentuara që bëhen në shtëpi. Kjo gjë mund të zgjasë disa orë të tëra dhe bëhet vazhdimisht, madje disa burra e praktikojnë këtë gjë përditë. Disa e quajnë thjesht pjesë të kulturës. Nganjëherë, birra dhe pijet alkoolike konsumohen në vend të pijes lokale që bëhet në shtëpi ose përveç saj. Dhe kjo gjë shpesh çon në dehje.
Në një vend tjetër të Paqësorit, konsumimi me vend i alkoolit është gati i padëgjuar ndonjëherë nga njerëzit. Rregulli i përgjithshëm është që kur pijnë, pijnë për t’u dehur. Është tipike që ditën e rrogave një grup burrash mblidhen së bashku dhe blejnë disa arka me birrë, me nga 24 shishe secila. E ndalojnë pijen vetëm atëherë, kur birra ka mbaruar. Si rezultat, dehja publike është një gjë shumë e zakonshme.
Pijet e fermentuara, të tilla si vera e palmës dhe pije të tjera lokale, janë përdorur tradicionalisht në vendet afrikane. Në disa komunitete, tradita dikton që kur mikpriten mysafirë, duhet ofruar alkool. Mikpritësi e ka për zakon të nxjerrë më shumë nga sa mund të konsumojë mysafiri. Në një zonë, zakoni e do që të lihen 12 shishe birre para çdo mysafiri.
Shumë kompani japoneze organizojnë udhëtime me autobus për punëtorët e tyre. Me vete merren sasira të mëdha pijesh alkoolike dhe dehja për ta është e lejueshme. Disa prej këtyre kompanive shkojnë për ekskursion dy apo tri ditët e fundit. Sipas revistës Asiaweek, në Japoni, «duke filluar nga fermerët e orizit, deri tek politikanët e pasur burrëria është matur tradicionalisht me sasinë e pijes që ai mund të konsumojë». Prirje të ngjashme vërehen edhe në vende të tjera aziatike. Asiaweek pohon se «koreano-jugorët tani pijnë më shumë pije alkoolike për person, sesa pijanecët anembanë botës».
Zdërhallja është bërë një praktikë e përhapur nëpër kolegjet e Shteteve të Bashkuara. Sipas një gazete, «shumica e atyre që marrin pjesë nëpër këto zdërhallje, nuk e konsiderojnë veten si pijanecë problematikë».a (The Journal of the American Medical Association) Kjo gjë nuk duhet të na çuditë aspak, pasi në shumë vende mjetet e informacionit e përkrahin pijen si një veprimtari aventureske, të modës dhe të sofistikuar. Shpeshherë, kjo propagandë vë në shënjestër të saj veçanërisht të rinjtë.
Në Britani, konsumi i birrës është dyfishuar gjatë një periudhe 20-vjeçare, ndërsa ai i pijeve të forta është trefishuar. Pijanecët bëhen të tillë në një moshë më të re dhe më shumë gra se kurrë më parë kanë filluar të pijnë. Prirje të ngjashme vërehen në vendet e Evropës Lindore dhe ato latino-amerikane. Kjo gjë theksohet nga shifrat gjithnjë e në rritje, që i korrespondojnë alkoolizmit dhe aksidenteve rrugore, që lidhen me përdorimin e alkoolit. Është e qartë se në mbarë botën po ndodh një rritje e dukshme në abuzimin e alkoolit.
Deri në ç’pikë e kalojnë masën?
Pikëpamja e Biblës për pijet alkoolike është e ekuilibruar. Nga njëra anë, Shkrimet thonë se vera është një dhuratë nga Perëndia Jehova dhe «gëzon zemrën e njeriut». (Psalmi 104:1, 15) Nga ana tjetër, duke dënuar teprimin e saj, Bibla përdor shprehjet «të pirat e tepërta», «dehje me verë, gosti të shthurura, zdërhallje», «të dhënë pas verës së tepërt» dhe «të skllavëruar ndaj verës së tepërt». (Luka 21:34, BR; 1. Pjetrit 4:3, BR; 1. Timoteut 3:8, BR; Titit 2:3, BR) Por deri kur mund të quhet verë e tepërt? Si mund ta përcaktojë një i krishterë se ç’gjë përbën pikëpamjen hyjnore për pijet alkoolike?
Dehja nuk është e vështirë për t’u njohur. Pasojat e saj janë përshkruar në Bibël me fjalët: «Për cilin janë ‘ah-ët’, për cilin ‘obobo-të’? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur? Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar. . . . Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.»—Proverbat 23:29-33.
Alkooli i tepërt mund të shkaktojë pështjellim, halucinacione, pavetëdijshmëri dhe çrregullime të tjera në mendje dhe në organizëm. Duke qenë nën ndikimin e alkoolit, personi mund të humbë kontrollin e sjelljes së tij, duke i shkaktuar dëm vetes apo të tjerëve. Pijanecët njihen si persona që përfshihen në sjellje qesharake, sulmuese apo imorale.
Pirja deri në pikën e dehjes, bashkë me pasojat e saj të përmendura më sipër, përkufizohet në mënyrë të qartë si pije e tepërt. Megjithatë, një person mund të shfaqë mungesë përmbajtjeje pa treguar të gjitha shenjat tipike të dehjes. Prandaj, çështja nëse një person ka pirë tepër apo jo, shpeshherë është e hapur për diskutim. Ku është vija ndarëse ndërmjet pirjes me vend dhe teprimit?
Ruaj aftësinë tënde të të menduarit
Bibla nuk vë kufij, duke bërë të ditur përqendrimin e përqindjes së alkoolit në gjak apo me masa të tjera. Mbajtja e alkoolit ndryshon nga një person në tjetrin. Megjithatë, parimet e Biblës zbatohen për të gjithë të krishterët dhe mund të na ndihmojnë që të zhvillojmë një pikëpamje hyjnore për pijet alkoolike.
Urdhërimi i parë që dha Jezui, është «duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde». (Mateu 22:37, 38) Alkooli ka një ndikim të drejpërdrejtë mbi mendjen dhe teprimi do të trazojë bindjen tënde ndaj këtij urdhri që është më i madhi nga të gjithë. Mund të trazojë seriozisht gjykimin e mirë, aftësinë për të zgjidhur problemet, ushtrimin e vetëpërmbajtjes dhe funksione të tjera të rëndësishme të mendjes. Shkrimet na këshillojnë: «Ruaj mençurinë praktike dhe aftësinë e të menduarit dhe ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe stoli për qafën tënde.»—Proverbat 3:21, 22, BR.
Apostulli Pavël u bën të krishterëve këtë kërkesë të zjarrtë: «Paraqitini trupat tuaj si një sakrificë e gjallë, e shenjtë, e pranueshme për Perëndinë, si shërbim i shenjtë me fuqinë tuaj të arsyes.» (Romakëve 12:1, BR) A mund të jetë një i krishterë ‘i pranueshëm për Perëndinë’, nëse pi alkool deri në atë pikë, sa të heqë dorë nga fuqia e arsyes’? Zakonisht, një pijanec i papërmbajtur zhvillon gradualisht një aftësi për të mbajtur alkoolin. Ai mund të mendojë se pija e rëndë për të është poshtë kufirit të dehjes. Megjithatë, ai fare mirë mund të jetë, duke zhvilluar një varësi të pashëndetshme nga alkooli. A mund ta paraqesë një person i tillë trupin e tij si «një sakrificë e gjallë, e shenjtë»?
Çdo sasi alkooli që dëmton «mençurinë [tënde] praktike dhe aftësinë e të menduarit» si i krishterë, është alkool i tepërt për ty.
Çfarë përcakton pikëpamja jote mbi alkoolin?
Një i krishterë duhet të vlerësojë nëse qëndrimi i tij kundrejt pijes është ndikuar nga prirjet e përhapura apo traditat. Kur vjen fjala për pijet alkoolike, ti me siguri nuk dëshiron që t’i bësh zgjedhjet e tua mbi bazën e prirjeve kulturore apo të propagandës së shtypit. Për të vlerësuar qëndrimin që do të mbash, pyet veten: «A është i ndikuar qëndrimi im ndaj pijes nga ajo që është e pranueshme nga njerëzit në përgjithësi? Apo pija ime drejtohet nga parimet biblike?»
Megjithëse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë kundër praktikave të zakonshme, ata e kuptojnë se Jehovai urren shumë praktika që sot pranohen në masë të gjerë. Disa shoqëri njerëzore lejojnë abortin, transfuzionet e gjakut, homoseksualizmin apo poligaminë. Ndërsa të krishterët veprojnë në harmoni me pikëpamjen e Perëndisë mbi këto gjëra. Po, pikëpamja hyjnore do ta nxisë një të krishterë që të urrejë praktika të tilla, pavarësisht nga fakti nëse janë pranuar apo jo nga niveli kulturor.—Psalmi 97:10.
Bibla flet për «vullnetin e kombeve», i cili përfshin «teprimin në verë» dhe «zdërhalljet». Termi «zdërhallje» përçon idenë e grumbullimeve që bëheshin, duke pasur në mendje qëllimin e veçantë për të konsumuar sasi të mëdha alkooli. Duket se në kohët biblike, disa nga ata që ishin krenarë për aftësinë që mendonin se kishin për të mbajtur pijen, u përpoqën të dehnin të tjerët ose u përpoqën që të shihnin se kush pinte më shumë. Apostulli Pjetër i referohet kësaj lloj sjelljeje si një «niveli të ulët shthurjeje», në të cilin të krishterët e penduar nuk marrin më pjesë.—1. Pjetrit 4:3, 4, BR.
A do të ishte e arsyeshme që një i krishterë të adoptonte pikëpamjen, sipas së cilës për aq kohë sa ai nuk dehet, nuk ka aspak rëndësi ku, kur dhe sa pi? Mund të pyesim: «A është kjo një pikëpamje hyjnore?» Bibla thotë: «Nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.» (1. Korintasve 10:31) Në një grup burrash që mblidhen për të pirë në publik sasi të mëdha alkooli, ndoshta mund të mos dehen të gjithë, por a do t’i sillte sjellja e tyre lavdi Jehovait? Bibla këshillon: «Mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.»—Romakëve 12:2.
Mos pengo të tjerët
Është interesante se shpesh ato kultura që tolerojnë teprimin, nuk e miratojnë atë kur një pijanec me nam pohon se është një njeri i Perëndisë. Në një bashkësi të vogël në Paqësorin Jugor, një vëzhgues thoshte: «Ju admiroj. Ju predikoni të vërtetën. Por problemi që vëmë re është se njerëzit tuaj pinë tepër alkool.» Thuhet se individët nuk deheshin, megjithatë ky fakt nuk ishte kaq i dukshëm për shumë njerëz të bashkësisë. Vëzhguesit e kishin të lehtë të dilnin në përfundimin se ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve të tjerë, të cilët marrin pjesë në aktivitete me pije, edhe Dëshmitarët dehen. A mund të mbajë një reputacion të mirë dhe të plotësojë shërbimin e tij publik me liri fjale një shërbëtor i krishterë, i cili përzihet në grumbullime të gjata me pije?—Veprat 28:31.
Një raport nga një vend evropian tregon se nganjëherë disa vëllezër dhe motra vijnë në Sallën e Mbretërisë dhe kundërmojnë era alkool. Kjo gjë ka shqetësuar ndërgjegjen e të tjerëve. Bibla këshillon: «Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë apo të mos bësh asgjë që pengon vëllanë tënd.» (Romakëve 14:21, BR) Pasja e një pikëpamjeje hyjnore për pijet alkoolike do ta shtyjë një të krishterë të pjekur për të qenë i ndjeshëm ndaj ndërgjegjes së të tjerëve, edhe nëse kjo gjë do të thotë që në disa rrethana duhet të përmbahemi nga alkooli.
Të krishterët janë pa dyshim të ndryshëm
Me keqardhje, kjo botë ka bërë shumë për të ofenduar Jehovain, duke keqpërdorur gjërat e mira që ai i ka dhënë njerëzimit, duke përfshirë edhe pijet alkoolike. Çdo i krishterë i dedikuar duhet të përpiqet të shmangë pikëpamjen johyjnore që mbizotëron. Në këtë mënyrë, njerëzit do të mund ‘të shikojnë ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij’.—Malakia 3:18.
Kur bie fjala për pijet alkoolike, «ndryshimi» ndërmjet Dëshmitarëve të Jehovait dhe botës duhet të jetë i qartë. Përdorimi i pijeve alkoolike nuk është gjëja më kryesore në jetën e të krishterëve të vërtetë. Ata nuk eksperimentojnë me kufizimet e vetes mbi mënyrën se sa e mbajnë alkoolin, duke iu afruar në mënyrë të rrezikshme dehjes dhe as nuk lejojnë që pijet alkoolike të dëmtojnë apo në ndonjë mënyrë të trazojnë shërbimin që i bëjnë Perëndisë me gjithë shpirtin e tyre dhe me një mendje të kthjellët.
Si grup, Dëshmitarët e Jehovait kanë një pikëpamje hyjnore për pijet alkoolike. Por ç’mund të thuhet për ty? Secili prej nesh mund të shpresojë për bekimin e Jehovait, ndërsa ndjekim udhëzimin e Biblës «që të ndiejmë neveri për papërshpirtshmërinë dhe dëshirat e botës dhe të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe devotshmëri të shenjtë midis këtij sistemi të tanishën gjërash».—Titit 2:12, BR.
[Shënimi]
a «Fjala e përdorur për zdërhallje ishte përcaktuar si konsumi i pesë apo më shumë pijeve njëra pas tjetrës për burrat dhe katër apo më shumë pijeve njëra pas tjetrës për gratë.»—The Journal of the American Medical Association.
[Kutia dhe figura në faqen 28]
Dëgjoji ata që të duan
Një pijanec i papërmbajtur shpeshherë e kupton i fundit se ka një problem. Të afërmit, miqtë dhe pleqtë e krishterë nuk duhet të ngurrojnë për t’i ofruar ndihmë personave të tyre të dashur, të cilët tregohen të papërmbajtur. Nga ana tjetër, nëse personat e dashur shprehin shqetësimin e tyre për zakonet e përdorimit të alkoolit, ka të ngjarë që të kenë arsye të mira për ta bërë. Mbaj parasysh atë që të thonë.—Proverbat 19:20; 27:6.