Studimi familjar që sjell gëzim
«Nëpërmjet njohurisë dhomat e brendshme do të mbushen me çdo gjë me vlerë, të çmuar e të këndshme»,—thotë Bibla. (Proverbat [Fjalët e urta] 24:4, BR) Këto gjëra të çmueshme me vlerë nuk janë vetëm thesari material, por përfshijnë dashurinë e vërtetë, frikën e shenjtë dhe besimin e fortë. Këto cilësi krijojnë vërtet një jetë familjare të pasur. (Proverbat 15:16, 17; 1. Pjetrit 1:7) Por për t’i shtënë në dorë ato, ne duhet të sjellim në shtëpinë tonë njohurinë e Perëndisë.
KREU i familjes ka përgjegjësinë ta ngulisë këtë njohuri tek anëtarët e familjes. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Efesianëve 5:25, 26; 6:4) Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë, është nëpërmjet një studimi të rregullt familjar. Sa e kënaqshme mund të jetë kjo për pjesëmarrësit, kur studimi drejtohet në mënyrë si instruktive, ashtu edhe të këndshme! Le të shqyrtojmë, pra, disa pika thelbësore për drejtimin e një studimi të efektshëm familjar.a
Studimi familjar është më i efektshëm, kur është i rregullt. Nëse i lihet rastësisë apo bërjes së atypëratyshme, ka të ngjarë që të jetë i rrallë edhe në rrethanat më të favorshme. Prandaj, duhet ‘të blesh kohë’ për studimin. (Efesianëve 5:15-17, BR) Gjetja e një kohe të caktuar, që është e përshtatshme për të gjithë, mund të jetë një sfidë. «Ne kishim vështirësi ta mbanim të rregullt studimin tonë familjar,—pranon një kryefamiljar.—U përpoqëm disa herë, derisa më në fund gjetëm një orar që na përshtatej pak më vonë në mbrëmje. Tani, studimi ynë familjar është i rregullt.»
Pasi keni gjetur orarin e përshtatshëm, jini të kujdesshëm të mos lejoni që shpërqendrimet të lënë jashtë studimin. «Nëse na vinin vizita, kur kishim studimin,—kujton Mariab, tani 33 vjeçe,—babi i ftonte ata të prisnin, derisa të përfundonte studimi. Dhe sa për thirrjet telefonike, ai thjesht i thoshte personit se do t’ia kthente telefonatën më vonë.»
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë vend për të qenë elastikë. Mund të lindin urgjenca apo ndodhi të paparashikuara dhe mund të jetë e nevojshme që në ndonjë rast studimi të anulohet apo të shtyhet. (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11) Por kujdes që të mos lejoni asnjërën prej këtyre të shkëpusë rutinën tuaj.—Filipianëve 3:16.
Sa duhet të zgjasë një studim? Roberti, i cili ka rritur në mënyrë të suksesshme një vajzë e një djalë, thotë: «Zakonisht, studimi ynë zgjaste një orë. Kur fëmijët ishin të vegjël, përpiqeshim ta mbanim gjallë interesin e tyre gjatë kësaj ore, duke shqyrtuar një shumëllojshmëri gjërash, si pak paragrafë nga artikulli i studimit në Kullën e Rojës, fragmente të zgjedhura nga Bibla dhe pjesë nga botime të tjera.» Maria kujton: «Kur dy motrat e mia dhe unë ishim shumë të vogla, studimi ynë zgjaste rreth 20 minuta, dy apo tri herë në javë. Ndërsa rriteshim, studimi familjar i javës zgjaste një orë a diçka më shumë.»
Çfarë duhet të studiojmë?
Të mendosh për këtë pyetje kur të gjithë janë mbledhur për të bërë studimin, do të sillte si rrjedhojë zhgënjim dhe humbjen e kohës së çmuar të studimit. Në një situatë të tillë, fëmijët nuk kanë asgjë specifike për të pritur me qejf dhe shpejt do të humbnin interesin. Prandaj, zgjidh që më përpara një nga botimet e Shoqatës për ta shqyrtuar.
«Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar botime me bollëk, nga të cilat mund të zgjedhim. (Mateu 24:45-47, BR) Ndoshta mund të përdorni një libër, të cilin familja nuk e ka studiuar akoma. Ç’kënaqësi është të shqyrtosh pjesë të zgjedhura nga libri Mendjehollësi mbi Shkrimet, nëse këto volume janë në dispozicion në gjuhën tuaj! Mund të rishikoni, për shembull, artikullin mbi Darkën e Zotërisë gjatë javëve përpara Përkujtimit. Shumë familje bëjnë përgatitjen e Studimit të Kullës së Rojës për javën. E veç këtyre, edhe artikuj dytësorë të Kullës së Rojës sigurojnë një material të shkëlqyer për studim. Kreu i familjes, i cili i di nevojat frymore të familjes, është në pozitën më të mirë për të vendosur se cilat botime duhen studiuar.
«Ne gjithmonë studionim një botim të zgjedhur që më përpara,—sjell ndër mend Maria.—Por, kur lindtte një pyetje apo ngrihej një situatë në shkollë, ne ndërronim temën e bisedës për të trajtuar informacionin e zbatueshëm për rastin.» Shqetësime të veçanta, si problemet që përballojnë të rinjtë në shkollë, shoqërimi me seksin e kundërt, aktivitetet jashtëshkollore dhe të tjera si këto, lindin. Kur kjo ndodh, zgjidhni artikuj apo botime që trajtojnë problemin në fjalë. Nëse shikon informacion në botimet më të fundit të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që do t’ju pëlqente t’i trajtonit me familjen pa vonuar, mos ngurro për ta rregulluar një gjë të tillë. Natyrisht, duhet t’i njoftosh që më përpara anëtarët e familjes për ndryshimin. Megjithatë, sigurohu se do të kthehesh në materialin e programuar, pasi kjo nevojë të jetë trajtuar.
Mbaje atmosferën të qetë
Procesi i të mësuarit bëhet më mirë nën kushte paqësore. (Jakovit 3:18) Prandaj, kultivo një atmosferë të lirshme e megjithatë me respekt. Një kryefamiljar në Shtetet e Bashkuara thotë: «Edhe pse studiojmë në dhomën e ndenjes apo në verandë, përpiqemi të ulemi mjaft afër njëri-tjetrit, në vend se të shpërndahemi në një dhomë të madhe. Për ne, kjo krijon një ndjenjë ngrohtësie.» Kurse Maria kujton me shumë dashuri: «Motrave dhe mua na lejohej të zgjidhnim se në cilën dhomë të shtëpisë do ta bënim studimin atë javë. Kjo na bënte të ndiheshim rehat.» Mbaj ndër mend se ndriçimi i mjaftueshëm, vendet e përshtatshme për t’u ulur dhe ambiente të gëzueshme e jo të çrregullta i kontribuojnë të gjitha qetësisë. Edhe diçka freskuese për familjen pas studimit, ndihmon për ta bërë mbrëmjen të gëzueshme.
Disa familje zgjedhin madje që në ndonjë rast të përfshijnë edhe familje të tjera në studimin e tyre, duke e bërë studimin më interesant dhe me më shumë komente të ndryshme. Kur persona të rinj në të vërtetën ftohen për të marrë pjesë në këtë rregullim, ata mund të përfitojnë, duke vërejtur një kryefamiljar me përvojë që drejton studimin familjar.
Bëj që Bibla të vijë e gjallë
Bëji të gjalla periudhat e studimit për fëmijët dhe ata do t’i presin ato me padurim. Mund ta bësh këtë, duke i inkurajuar fëmijët e vegjël që të bëjnë vizatime të skenave biblike. Kur është e përshtatshme, fëmijët le të luajnë ngjarje dhe drama biblike. Me fëmijët e vegjël nuk është e nevojshme të ndjekësh metodën formale me pyetje-përgjigje. Leximi apo rrëfimi i historive për personazhe biblike është një mënyrë e gëzueshme për të ngulitur parimet e shenjta. Roberti i përmendur më përpara, kujton: «Ndonjëherë lexonim fragmente biblike, me radhë, duke bërë zërin e personazheve të ndryshme sipas caktimit.» Fëmijët mund të ftohen që të zgjedhin personazhin që duan, për ta portretizuar atë në lexim.
Përdorimi i hartave dhe i tabelave do t’i ndihmojë fëmijët e moshës më të madhe të përfytyrojnë zonat dhe karakteristikat e vendit, ku kanë ndodhur ngjarjet që po diskutohen. Qartë, me pak imagjinatë, studimi familjar mund të bëhet i gjallë dhe jo monoton. Ndërsa fëmijët do të formojnë një dëshirë të zjarrtë për Fjalën e Perëndisë.—1. Pjetrit 2:2, 3.
Ndihmo të gjithë që të marrin pjesë
Që fëmijët ta gëzojnë studimin, ata duhet të ndihen edhe të përfshirë në të. Megjithatë, të bësh fëmijët e moshave të ndryshme të marrin pjesë, mund të jetë një sfidë. Por një parim biblik thotë: «Ai që mbikëqyr, le ta bëjë me zell të vërtetë.» (Romakëve 12:8, BR) Të qenët entuziast ndihmon, pasi entuziazmi është ngjitës.
Ronaldi e përfshin të bijën e tij, Dinën pesëvjeçare, duke e bërë që të lexojë nëntitujt në materialin e studimit dhe duke i kërkuar të komentojë mbi figurat. Vitin që kaloi, ndërsa Përkujtimi i Vdekjes së Krishtit afrohej, ai u përqendrua mbi ilustrimet përkatëse në librin Njeriu më i madh i cili ka jetuar ndonjëherë.c Ai vëren: «Kjo gjë e ndihmoi atë të kuptonte domethënien e ngjarjes.»
Me vajzën e tij dhjetëvjeçare, Mishën, Ronaldi shkon një hap më tej. «Misha ka përparuar deri në atë pikë, sa mund të kuptojë jo vetëm se çfarë janë ilustrimet, por edhe domethënien që ato portretizojnë,—thotë Ronaldi.—Kështu, kur shqyrtuam librin Zbulesa—Kulmi i saj madhështor është afër!d, ne u përqendruam në domethënien e ilustrimeve, e kjo gjë e ndihmoi.»
Ndërsa fëmijët arrijnë moshën e adoleshencës, ftoji ata të bëjnë zbatimin praktik të materialit që po shqyrtohet. Kur lindin pyetje gjatë studimit, cakto pjesë kërkimi. Kështu bënte Roberti kur djali i tij 12-vjeçar, Pavli, pyeste për ndonjë klub shkollor të sapoformuar që kishte lojën «Birucat dhe dragonjtë». Pavli dhe të tjerët në familje kërkuan informacion, duke përdorur Treguesin e botimeve Watch Tower (anglisht) dhe e rishikuan atë në studimin e tyre familjar. «Si rezultat,—thotë Roberti,—Pavli e kuptoi shpejt se kjo lojë ishte e gabuar për të krishterët.»
Herë të tjera, Roberti caktonte edhe për të bërë kërkime. Gruaja e tij, Nansi, sjell ndër mend: «Kur bëmë kërkime për apostujt e Jezuit, çdo javë secilit prej nesh i caktohej një apostull. Sa emocionuese ishte që të shihje fëmijët tek paraqisnin me entuziazëm raportin e tyre në studimin familjar!» Bërja vetë e kërkimit dhe ndarja e informacionit me familjen, i ndihmon fëmijët që ‘të rriten me Jehovain’.—1. Samuelit 2:20, 21.
Pyetjet qoftë për pikëpamjet, qoftë ato drejtuese, janë, gjithashtu, një mënyrë e shkëlqyer për të përfshirë edhe fëmijët. Mësuesi Mjeshtëror, Jezui, bëri pyetje mbi pikëpamjet, si, p.sh.: «Si mendoni ju?» (Mateu 17:25, BR) «Kur ndonjëri prej nesh kishte pyetje, prindërit nuk na përgjigjeshin asnjëherë drejtpërdrejt,—kujton Maria.—Ata gjithmonë na bënin pyetje drejtuese, duke na ndihmuar të arsyetonim mbi çështjen.»
Komuniko: Mos acaro!
Gëzimi i një studimi familjar rritet, nëse të gjithë të pranishmit mund t’i komunikojnë pikëpamjet dhe ndjenjat e tyre pa frikën se mos vihen në lojë. Por «komunikimi i mirë gjatë një studimi familjar mundësohet vetëm nëse linjat e komunikimit janë të hapura herë të tjera,—thotë një baba.—Nuk mund të pretendosh të kesh komunikim të mirë vetëm për periudhën e studimit». Shmang me çdo mënyrë komentet e pamenduara që lëndojnë, si: «Kaq ke për të thënë? Mendova se do të kishe diçka të rëndësishme për të thënë.» «Është një budallallëk të thuash këtë.» «Nuk mund të presësh diçka më domethënëse nga ti. S’ke faj, je veçse një fëmijë.» (Proverbat 12:18) Ji i dhembshur dhe i mëshirshëm me fëmijët. (Psalmi 103:13; Malakia 3:17) Gjej kënaqësi në ta dhe mbështeti në përpjekjet për ta zbatuar atë që mësojnë.
Atmosfera e studimit familjar duhet të jetë e tillë, që mendja e fëmijës të jetë e hapur ndaj mësimit. «Kur fillon t’i korrigjosh fëmijët,—shpjegon një prind që ka rritur me sukses katër fëmijë,—ke përpara një auditor disi armiqësor.» Në një atmosferë të tillë, ka të ngjarë që informacioni të mos kapet. Prandaj, shmang kthimin e periudhave të studimit në sesione për disiplinim dhe ndëshkim. Nëse ato janë të nevojshme, jepi më vonë dhe individualisht.
Ia vlen përpjekja
Ndërtimi i një familjeje të pasur frymësisht kërkon kohë dhe mund. Por psalmisti deklaron: «Ja! Bijtë janë një trashëgimi nga Jehovai; fryti i barkut është një shpërblim.» (Psalmi 127:3, BR) Prindërve u është besuar përgjegjësia e ‘rritjes [së fëmijëve] në disiplinën dhe në rregullin mendor të Jehovait’. (Efesianëve 6:4, BR) Prandaj, zhvillo aftësitë për të zhvilluar një studim familjar të efektshëm dhe të gëzueshëm. Bëj ç’të mundesh për të siguruar «qumështin e papërzier që i përket fjalës», me qëllim që fëmijët tuaj të mund «të rriten drejt shpëtimit».—1. Pjetrit 2:2; Gjoni 17:3, BR.
[Shënimet]
a Edhe pse shumë sugjerime të paraqitura në këtë artikull kanë të bëjnë me ndihmesën e fëmijëve në një studim familjar, konceptet zbatohen edhe për një studim familjar, ku nuk ka fëmijë.
b Disa prej emrave janë ndryshuar.
c Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
d Botuar në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.