Të arrijmë edhe më shumë njerëz me lajmin e mirë
NDËRSA mendoja për njerëzit e vendit tim, kuptova se shumë prej tyre i njohin Dëshmitarët e Jehovait vetëm nëpërmjet mjeteve të informacionit. Mendova se këta njerëz duhen kontaktuar, që të mësojnë se kush janë Dëshmitarët e Jehovait dhe se çfarë besojnë ata me të vërtetë. Por si mund të jepja ndihmë unë? Burri im është një plak i krishterë dhe ai më dha disa këshilla dhe sugjerime të mençura.
Gjetëm një ide kyçe në artikullin «Revista që japin ngushëllim praktik», botuar në revistën Zgjohuni!, 8 janar 1995, anglisht. Në lidhje me aktivitetin e një Dëshmitareje, artikulli thotë: «Ajo e ka vënë si synim që të mbledhë numra të vjetër të disa revistave Zgjohuni!, që Dëshmitarë të tjerë i kishin grumbulluar në shtëpi. Pastaj shkon nëpër disa agjenci, ku mendon se mund të tregohet interes i veçantë për disa prej argumenteve të revistave.»
Me ndihmën e burrit tim, grumbullova shpejt disa qindra numra revistash. Prej tyre, pata mundësi të zgjidhja një larmi temash të përshtatshme për njerëzit që do të përpiqesha të kontaktoja.
Duke përdorur numëratorët telefonikë dhe regjistrat në dispozicion të publikut, përpilova një listë spitalesh, konviktesh për të rinjtë dhe qendrash kujdesi për pleqtë dhe të sëmurët kronikë. Gjithashtu, vura në listë organizues funeralesh, drejtorë dhe këshillues shkollash, mjekë të ekspertizave hetimore, si dhe zyrtarë të burgjeve dhe të gjykatave. Në listën time përfshiheshin drejtues të institucioneve për të alkoolizuarit dhe të droguarit, shoqata për çështjet e mjedisit, për viktimat e gjymtuara dhe ato të luftës, si dhe për kërkimet në aspektin e ushqimit. Nuk lashë pa futur dhe drejtuesit e zyrave për shërbimet e mirëqenies dhe ato sociale, si dhe për çështjet e familjes.
Çfarë do të thosha?
Gjëja e parë që bëja, kur shkoja në një takim të tillë, ishte të identifikoja qartë se kush isha. Më pas përmendja se vizita ime do të zgjaste vetëm pak minuta.
Sapo ndodhesha ballë për ballë me personin e ngarkuar, thosha: «Jam një Dëshmitare e Jehovait. Megjithatë, nuk ndodhem këtu për të zhvilluar një bisedë fetare, gjë që mund të jetë e papërshtatshme gjatë orarit të punës.» Zakonisht, atmosfera bëhej më e çtendosur. Pastaj, duke ia përshtatur atë që thosha situatës, vazhdoja: «Arsyeja e vizitës sime është e dyfishtë. Së pari, dëshiroj t’ju shpreh vlerësimin tim për punën që bën zyra juaj. Në fund të fundit, nuk duhet nënvlerësuar fakti që dikush shpenzon kohën dhe energjitë e tij për të mirën e popullit në përgjithësi. Sigurisht që është një gjë për t’u lavdëruar.» Në shumë raste, personi të cilit i drejtohesha në këtë mënyrë, mbetej i habitur.
Në këtë pikë, kishte shumë të ngjarë që personi të pyeste veten se cila qe arsyeja e dytë e vizitës sime. Unë vazhdoja: «Arsyeja e dytë e vizitës sime është kjo: Nga revista jonë Zgjohuni!, e cila botohet në shkallë ndërkombëtare, kam shkëputur disa artikuj që kanë të bëjnë sidomos me llojin tuaj të punës dhe me problemet që lidhen me të. Jam e sigurt që do t’ju pëlqente të dinit se si i sheh këto probleme një revistë ndërkombëtare. Do të isha e kënaqur t’jua lija këta numra.» Shpesh më thanë se i vlerësonin përpjekjet e mia.
Rezultate të habitshme dhe shpërblyese
Kur përdorja këtë mënyrë për t’iu drejtuar personave, shumica e tyre më dëgjonte me kënaqësi; vetëm një në 17 persona refuzoi të më dëgjonte. Pata përvoja të shumta, që ishin si të habitshme, ashtu dhe shpërblyese.
Për shembull, pasi u përpoqa katër herë dhe prita me durim, ia dola të takoja një inspektor shkollash të një rajoni. Ai ishte shumë i zënë me punë. Por megjithatë, qe shumë miqësor dhe foli ca me mua. Kur po largohesha, më tha: «I vlerësoj me të vërtetë përpjekjet që bëni dhe patjetër që do ta lexoj me vëmendje literaturën tuaj.»
Në një rast tjetër, shkova në një gjykatë rajonale dhe takova kryetarin e gjykatës, një mesoburrë. Kur hyra në zyrën e tij, ngriti sytë nga dokumentet, shumë i nervozuar.
«Orari i vizitave është vetëm të martën në mëngjes dhe atëherë do të jem në dispozicion për çdo informacion»,—tha ai me një zë të vrazhdë.
«Më lejoni t’ju kërkoj ndjesë që kam ardhur në një kohë të papërshtatshme,—iu përgjigja shpejt dhe shtova:—Sigurisht që do të jem e kënaqur të vij njëherë tjetër. Por vizita ime është në fakt e një natyre private.»
Tani gjykatësi u bë kureshtar. Me një ton shumë më pak armiqësor, më pyeti se çfarë desha. I përsërita se do të kthehesha përsëri të martën.
«Ju lutem, uluni,—këmbënguli ai, për çudinë time të madhe.—Çfarë dëshironi?»
Pasoi një bisedë e gjallë dhe më kërkoi ndjesë që kishte qenë aq jomiqësor në fillim, pasi ishte vërtet shumë i zënë.
«A e dini se ç’më pëlqen te Dëshmitarët e Jehovait?—më pyeti pas pak gjykatësi.—Kanë parime me themele të forta, prej të cilave nuk devijojnë. Hitleri provoi me gjithçka mundi, por Dëshmitarët nuk shkuan që nuk shkuan të luftojnë.»
Kur bashkë me një motër hymë në një zyrë, sekretaret që ndodheshin atje na njohën. Kështu që, administratorja foli troç dhe ftohtë: «Kryetari nuk pret kurrë asnjë palë.»
«Por ne do të na presë,—iu përgjigja me qetësi,—sepse ne jemi Dëshmitare të Jehovait. Nuk do të kërkojmë asgjë dhe vizita jonë nuk do të zgjasë më shumë se tri minuta.» Në zemrën time, lutesha me gjithë forcën time: «O Jehova, të lutem bëj që të dalë për mirë.»
Administratorja u përgjigj me indiferentizëm: «Në rregull, pra, po e provoj.» Ajo u largua. Pas nja dy minutash, që mua m’u dukën një përjetësi, doli e ndjekur nga vetë kryetari. Pa thënë asgjë, ai na drejtoi për në zyrën e tij, duke kaluar nëpër dy dhoma të tjera.
Ndërsa filluam të bisedonim, ai bëhej gjithnjë e më miqësor. Kur i ofruam numrat e veçantë të revistës Zgjohuni!, i pranoi me gatishmëri. Falënderuam Jehovain për këtë mundësi, që të jepnim një dëshmi të mirë rreth qëllimit të veprës sonë.
Duke sjellë ndër mend përvojat e shumta të mrekullueshme, kam arritur të çmoj më plotësisht atë që tha apostulli Pjetër: «Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm, por në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35) Vullneti i Perëndisë është që njerëzve të çdo prejardhjeje, gjuhe apo pozite shoqërore, t’u jepet mundësia të njohin qëllimin e tij për njerëzimin dhe për tokën.—Bashkëpunëtore.