Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë
Mos u përmbani nga shpallja e lajmit të mirë
KUR eksploruesit evropianë vizituan për herë të parë Gjirin e Venezuelës dhe liqenin Marakaibo, bregdeti ishte i mbushur me kasolle të vogla prej kashte të ndërtuara mbi shtylla në ujërat e cekëta. Pamja të sillte ndër mend Venecian, në Itali, ku njerëzit i ndërtonin shtëpitë në buzë të ujit. Prandaj, eksploruesit që flitnin spanjisht, i vunë zonës emrin Venezuela, që do të thotë «Venecia e vogël».
Sot, ky vend i bukur po mirëpret një lloj tjetër programi ndërtues, atë frymor. Atje, Dëshmitarët e Jehovait janë shumë të angazhuar në mbjelljen e farës së Mbretërisë në çdo rast të përshtatshëm. E korra frymore që ka ardhur si rezultat i kësaj po i sjell shumë lavdi «Zotit të të korrave», Perëndisë Jehova.—Mateu 9:37, 38.
Kur një mbikëqyrës qarkor vizitoi një kongregacion në shtetin e Sulias në Venezuelën veriperëndimore, Dëshmitarët vendas rregulluan që ai dhe gruaja e tij të vizitonin një ishull të vogël aty afër, të quajtur Toas. Kur po pritnin në radhë për të kapur një traget herët në mëngjes për në ishull, gruaja e mbikëqyrësit qarkor, Meri, i sugjeroi shoqes së saj të shërbimit, një pioniereje në kohë të plotë, që t’u flitnin disa punëtorëve në anije. Pionierja pranoi.
Duke iu afruar një mekaniku, Meri prezantoi librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Ajo i tregoi kapitullin «Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë», të cilin ai u duk se e vlerësoi. Pastaj Meri i shpjegoi se me anë të këtij botimi, ai mund të kishte një studim biblik në shtëpinë e vet. Ai e pranoi librin dhe ranë dakord që dikush ta vizitonte në shtëpi.
Pak kohë më vonë, në atë zonë kishte një asamble speciale njëditore. Çfarë surprize ishte për Merin të shihte atje mekanikun, Senor Nava, bashkë me gruan dhe dy vajzat! Meri e pyeti të shoqen e mekanikut se çfarë mendonte për studimin e tyre biblik familjar. Përgjigjja e saj ishte shumë habitëse.
«I jap falënderime Jehovait që të gjithë ne kemi mësuar të vërtetën»,—tha ajo. Pastaj shpjegoi. «Kur folët me burrin tim, ai sapo më kishte lënë për një grua tjetër. Ishte edhe pijanec. Disa herë kur dehej bëhej abuzues, gjë që popullsia e vogël në ishull nuk e pëlqente. Ai praktikonte edhe spiritizmin. Sidoqoftë, njohuria e Biblës që fitoi nga studimi e ka ndihmuar të bëjë ndryshime kolosale në jetën e tij. Ka hequr dorë nga të gjitha praktikat e tij të papastra. Prindërve të tij, të cilët janë katolikë, u kanë bërë shumë përshtypje këto ndryshime. Ata janë të lumtur që tani ai është një burrë dhe baba i përgjegjshëm.»
Senor Nava u pagëzua në vitin 1996 dhe tani shërben si një shërbëtor në kohë të plotë. Gruaja e tij, Xheni, u pagëzua në vitin 1997. Kryetarit të bashkisë së qytetit i bënë kaq shumë përshtypje ndryshimet e këtij mekaniku trageti, saqë edhe ai kërkoi një studim biblik. Sa të gëzuara janë motrat që nuk u përmbajtën nga shpallja e lajmit të mirë, ndërsa ishin duke pritur për tragetin atë mëngjes!
[Figurat në faqen 7]
Ndarja e lajmit të mirë me një mekanik trageti solli rezultate të lumtura