Ta adhurojmë Perëndinë me të vërtetë
Që të jetë i pranueshëm nga Perëndia, adhurimi duhet të jetë i bazuar në të vërtetën. (Gjoni 4:23) Bibla i identifikon adhuruesit e vërtetë se i përkasin «kongregacionit të Perëndisë së gjallë, një shtyllë dhe mbështetje e së vërtetës». (1. Timoteut 3:15, BR) Ata që përbëjnë kongregacionin e Perëndisë jo vetëm që e besojnë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, por edhe jetojnë në harmoni me të dhe e mbrojnë atë, duke e bërë të njohur në mbarë tokën.—Mateu 24:14; Romakëve 10:9-15.
DËSHMITARËT E JEHOVAIT njihen gjerësisht për veprën e tyre të arsimimit biblik, e cila tani po kryhet në më shumë se 200 vende. Ata e studiojnë Biblën dhe ua mësojnë të tjerëve si e vërteta, pa përfshirë ndikimin dobësues të filozofive njerëzore. A i njeh mësimet e tyre të bazuara në Bibël? Shumë njerëz ngurrojnë t’i dëgjojnë Dëshmitarët e Jehovait për shkak të informacionit negativ që qarkullon kundër tyre. Por njerëzit me zemër të ndershme janë të ftuar të vendosin vetë nëse ajo që predikojnë Dëshmitarët është e vërteta apo jo. Një vendim i tillë jetësor nuk duhet bazuar mbi thashetheme. Shumë nga ata që kanë bërë një shqyrtim personal të mësimeve të Dëshmitarëve të Jehovait, kanë nxjerrë shumë dobi.
Njohja e së vërtetës largon frikën
Shqyrto, për shembull, rastin e Jugenisë. Ajo u rrit në një familje strikte katolike. Babai i saj ishte një nga organizuesit e vizitës së papës në Meksikë, në vitin 1979. Kur ishte duke vizituar miqtë e saj, Jugenia ra në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait. Me ndihmën e tyre ajo filloi të analizonte më nga afër atë që thotë Bibla. Ajo kujton: «Në fillim, më zuri frika. Kisha gjetur të vërtetën! Por kjo donte të thoshte se shumica e bindjeve të mia të mëparshme ishin të gabuara. Edhe bindjet e familjes, miqve të mi, të njerëzve që doja, që të gjitha ishin të gabuara. I kisha nervat copë. Vazhdoja të pyesja veten se si do të reagonte familja ime ndaj asaj që sapo kisha zbuluar. Me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Jehovait, fillova t’i përshtatem kësaj situate tronditëse. Një ditë vendosa t’i hapja zemrën një miku të familjes, një profesori teologjie. I fola për dëshirën time që të gjeja të vërtetën. Atëherë ai vërejti: ‘Nëse dëshiron të njohësh të vërtetën, kërko Dëshmitarët e Jehovait.’»
Siç kishte pasur frikë Jugenia, familja e saj e dëboi nga shtëpia. Megjithatë, Dëshmitarët vazhduan t’i jepnin ndihmë frymore. Ajo komenton: «U forcova për të marrë një qëndrim për të vërtetën. E kuptova se ishte diçka që ia vlente të luftoje për ta pasur. Mirëseardhja që mora nga Dëshmitarët e Jehovait ishte shumë e rëndësishme. E ndieva se brenda kongregacionit të krishterë më donin. Afrimi me organizatën e Perëndisë më ndihmoi të kapërceja frikën për të qëndruar në të vërtetën edhe pse e vetme.»
Shqyrto një shembull tjetër. Sabrina u mësua që e vogël me diskutimet e rregullta familjare rreth Biblës. Në fakt, ata zhvilluan një formë të ‘fesë së familjes’. Ajo e kishte zakon të shoqërohej me pjesëtarë të feve të ndryshme për të nxjerrë në pah gabimet e tyre. Kur një Dëshmitare e Jehovait i ofroi një studim biblik, ajo e pranoi menjëherë, me synimin për të hedhur poshtë bindjet e tyre. Ajo sjell ndër mend: «Pasi studiova për më shumë se një vit, fillova të kisha frikë se mos humbja ‘të vërtetën time’. E kisha pasur të lehtë të nxirrja në pah mashtrimet e shumë feve ku isha përfshirë, por kësaj radhe nuk ishte kaq e lehtë.»
Frika e bëri Sabrinën që ta ndërpriste studimin e Biblës me Dëshmitarët e Jehovait. Por më pas ajo u ndie bosh nga ana frymore. Vendosi të rifillonte studimin dhe me kalimin e kohës e pranoi këtë të vërtetë të sapogjetur. Sabrina bëri përparim deri në pikën që donte ta ndante me të tjerët atë që po mësonte. Ajo madje kërkoi ta shoqëronte Dëshmitaren në shërbimin shtëpi më shtëpi. Sabrina shpjegon: «Para se të merrja miratimin për të predikuar me Dëshmitarët e Jehovait, më pyetën: ‘A dëshiron me të vërtetë të jesh një Dëshmitare e Jehovait?’ ‘Jo!’—u përgjigja.—Më zuri përsëri frika.» Më në fund, pasi vazhdoi të ndiqte të gjitha mbledhjet e të vërente popullin e Perëndisë se si zbatonte parimet e Biblës, Sabrina arriti në përfundimin se kjo ishte pikërisht e vërteta. Ajo u pagëzua dhe tani është një ungjillëzuese në kohë të plotë.
Pse kaq të ndryshme?
Dikush mund të pyesë: ‘Pse mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë kaq të ndryshme nga ato të feve të tjera?’ Një vështrim shkurtimisht i asaj që besojnë Dëshmitarët do të të ndihmojë të shohësh se ata janë të krishterë të sinqertë, studentë të ndërgjegjshëm të Biblës. Të inkurajojmë të kërkosh në Biblën tënde shkrimet e paraqitura në përmbledhjen e bindjeve të tyre themelore që tregohet më lart.
Duke i hedhur një vështrim më nga afër asaj që besojnë Dëshmitarët e Jehovait dhe se si i përmbahen ata mësimit të Biblës, mund të bekohesh me lirinë që siguron e vërteta. (Gjoni 17:17) Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Kujto premtimin e Jezuit: «Do ta njhni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:32.
[Kutia në faqen 6]
DISA BINDJE THEMELORE TË DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT
◯ Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm. Emri i tij personal shfaqet më shumë se 7.000 herë në dorëshkrimet më të hershme të Biblës.—Psalmi 83:18.
◯ Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili erdhi në tokë që të jepte jetën e tij për njerëzimin. (Gjoni 3:16, 17) Dëshmitarët e Jehovait ndjekin mësimet e Jezu Krishtit siç gjenden në Ungjijtë.
◯ Emri Dëshmitarët e Jehovait bazohet në Isainë 43:10, ku thuhet: «‘Ju jeni dëshmitarët e mi’—është thënia e Jehovait.»—BR.
◯ Mbretëria, për të cilën luten njerëzit në lutjen «Ati ynë», është një qeveri qiellore që së shpejti do të eliminojë të gjitha vuajtjet dhe dhimbjet në botë, për t’i hapur rrugën parajsës që premton Bibla.—Isaia 9:6, 7; Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:3, 4.
◯ Gjithkush që bën vullnetin e Perëndisë ka mundësinë për t’i gëzuar bekimet e Mbretërisë përjetësisht.—Gjoni 17:3; 1. Gjonit 2:17.
◯ Të krishterët duhet ta modelojnë sjelljen e tyre sipas asaj që thotë Bibla. Ata duhet të përpiqen të jenë të ndershëm, të bëjnë një jetë të pastër nga ana morale dhe të tregojnë dashuri për të afërmin e tyre.—Mateu 22:39; Gjoni 13:35; 1. Korintasve 6:9, 10.
[Figura në faqen 5]
Dëshmitarët e Jehovait ua bëjnë të njohur njerëzve të vërtetën biblike në më shumë se 200 vende