Kur zemrat prej guri bëhen të ndjeshme
NË 1989-ën, DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT NË POLONI iu dha njohja ligjore si një organizatë fetare. Dëshmitarët që ishin burgosur për asnjanësinë e tyre të krishterë gradualisht u liruan, duke lënë në burg shumë bashkëvuajtës që dëshironin me zjarr të mësonin më shumë prej tyre për Biblën. Ja një tregim se si në një burg të tillë, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të ndihmojnë ata që njëherë e një kohë kishin zemra prej guri të bëhen të ndjeshëm ndaj fuqisë së Fjalës së Perëndisë.
NË VOLOV, një qytet me 12.000 banorë në Poloninë jugperëndimore, ka një burg 200-vjeçar ku mbahen disa nga kriminelët më të këqinj të Polonisë. Që nga njohja zyrtare e veprës së tyre, Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur t’ua çojnë lajmin e mirë të Mbretërisë të burgosurve atje dhe e bëjnë këtë me një entuziazëm të madh.
Ajo që përgatiti terrenin ishte një letër e nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë, në shkurt të vitit 1990, drejtuar të gjithë drejtorëve të burgjeve në Poloni. Letra këshillonte që ata të «mos i shkaktonin vështirësi» ndonjë të burgosuri që do të donte të merrte botimet Watch Tower ose të takohej me Dëshmitarët e Jehovait. Disa prej Dëshmitarëve që kishin kaluar shumë vite në burgun e Volovit, i njihnin mirë të dënuarit e regjur atje. Megjithatë, ata iu drejtuan Jehovait që të bekonte përpjekjet e tyre për ta lënë të vërtetën biblike të zbuste zemrat prej guri të të burgosurve të tjerë.
Fillon puna
«Qe e vështirë të fillohej puna,—thotë vëllai Sheslav nga qyteti Vroslav, rreth 40 kilometra larg, i cili ka qenë i autorizuar për të vizituar burgun në Volov. «U deshën shumë diskutime të gjata me nëpunësit e burgut që ata të bindeshin se ‘shërbimet fetare’ tona janë të dobishme për të burgosurit.»
Për t’i ndërlikuar gjërat, kujton shoku i shërbimit i Sheslavit, Paveli, «një nëpunës i lartë zyrtar ngulte këmbë se të dënuarit thjesht po i përdornin shërbimet fetare si një pretekst për fitime materiale». Por, kur tre kriminelë të rrezikshëm u paraqitën për pagëzim në vitin 1991, autoritetet e burgut ndryshuan qëndrim dhe bashkëpunimi u përmirësua.
«Filluam duke u dëshmuar të burgosurve, familjeve të tyre që vinin t’i vizitonin në burg, si edhe personelit të burgut,—shpjegon Sheslavi.—Pastaj na lejuan të predikonim lajmin e mirë nga qelia në qeli, një përjashtim i pazakontë ky. Më në fund, kur gjetëm personat e parë të interesuar, na u dha mundësia të përdornim një sallë të vogël ku të drejtonim studimet biblike dhe të mbanim mbledhjet e krishtere.» Po, Jehovai e hapi rrugën drejt zemrave prej guri të të burgosurve.
Një program i efektshëm arsimimi
Ajo sallë e vogël shpejt u bë tepër e ngushtë. Meqë si të burgosurit e pagëzuar, ashtu edhe vëllezërit që vinin nga jashtë burgut, merrnin pjesë në veprën e predikimit, pothuajse 50 të dënuar filluan të ndjekin mbledhjet. «Për më shumë se tre vjet, i mbajtëm të gjitha mbledhjet atje dhe të burgosurit merrnin pjesë rregullisht në mbledhjet javore»,—shpjegon një nga pleqtë lokalë. Kështu, në maj të vitit 1995 atyre iu dha një sallë më e madhe që ta përdornin.
Si e përcaktojnë vëllezërit përgjegjës se kush mund të vijë në mbledhjet e mbajtura në burg? «Kemi një listë të të burgosurve që tregojnë interes të sinqertë për të vërtetën,—shpjegojnë vëllezërit Sheslav dhe Zdjeshlav.—Nëse një i dënuar nuk bën progres ose mungon në mbledhje pa arsye të vlefshme, duke treguar kështu një mungesë çmueshmërie për këto masa, ne e heqim emrin e tij nga lista dhe informojmë drejtorin e burgut.»
Gjatë studimeve të tyre biblike, vëllezërit i mësojnë të burgosurit edhe se si të përgatiten mirë për mbledhjet dhe si ta përdorin me efektshmëri literaturën tonë. Kështu, kur të burgosurit vijnë në mbledhje, ata janë mjaft të përgatitur dhe marrin pjesë lirisht. Ata bëjnë komente ndërtuese, e përdorin me shkathtësi Biblën e tyre dhe ia zbatojnë këshillat vetvetes, shpesh duke përfshirë në komentet e tyre vëzhgime si: ‘Kuptoj se duhet të bëj këtë ose atë.’
«Gjithsej, në burgun e Volovit po drejtohen 20 studime biblike. Tetë prej tyre drejtohen nga tre lajmëtarë të burgosur»,—thotë sekretari i kongregacionit. Ata kanë arritur rezultate të mira edhe kur kanë predikuar nga qelia në qeli dhe gjatë shëtitjeve në oborrin e burgut. Për shembull, në dhjetë muaj, që nga shtatori i vitit 1993 deri në qershor të vitit 1994, ata shpërndanë 235 libra, pothuajse 300 broshura dhe 1.700 revista. Kohët e fundit, dy nga nëpunësit e burgut kërkuan studime biblike.
Asambletë speciale sjellin gëzim
Me kalimin e kohës, programit të arsimimit të mbajtur në atë burg iu shtua një element tjetër, domethënë asambletë speciale. Mbikëqyrësit qarkorë dhe vëllezër të tjerë të kualifikuar paraqitnin në palestrën e burgut pjesët kryesore të programeve nga asambleja qarkore dhe asambleja speciale njëditore. Asambleja e parë speciale u mbajt në tetor të vitit 1993. Pesëdhjetë të burgosur morën pjesë dhe «familje të tëra, duke përfshirë gra dhe fëmijë të vegjël, erdhën nga Vroslavi», raportoi gazeta Słowo Polskie, duke bërë në total një numër prej 139 të pranishmish. Intervali në programin e asamblesë krijoi rast për një vakt të përgatitur nga motrat, si edhe kohë për shoqërim të shkëlqyer të krishterë.
Që nga ajo kohë janë mbajtur edhe shtatë asamble të tjera speciale dhe prej tyre kanë nxjerrë dobi jo vetëm ata që janë në burg, por edhe ata jashtë. Kur një Dëshmitare i bëri vizitë një ish-të burgosuri të Volovit që tani jeton në qytet, ai ishte paksa negativ në fillim. Por, kur motra i tha se një i burgosur tjetër ishte bërë Dëshmitar, burri pyeti me mosbesim: «Ai vrasës tani është Dëshmitar?» Si rezultat, burri pranoi një studim biblik.
Kryhet një transformim i mrekullueshëm
A i ka zbutur me të vërtetë ky program i gjerë arsimimi zemrat prej guri të të burgosurve? Le ta thonë vetë ata me historinë e tyre.
«Nuk i kam njohur kurrë prindërit e mi, sepse ata më braktisën kur isha i vogël, kështu që e kam ndjerë në mënyrën më të dhimbshme mungesën e dashurisë së të tjerëve,—pranon Zdjeshlavi, një burrë i matur nga natyra.—Në vitet e hershme të jetës sime, u përfshiva në krim, duke kryer së fundi një vrasje. Ndjenja e fajit më shtyu të mendoja vetëvrasjen dhe po kërkoja me dëshpërim një shpresë reale. Pastaj, në vitin 1987 më ra në dorë një revistë Kulla e Rojës. Prej saj mësova shpresën për ringjalljen dhe jetën e përhershme. Duke kuptuar se nuk kishin humbur të gjitha shpresat, e largova nga mendja idenë e vetëvrasjes dhe fillova të studioj Biblën. Tani e kam mësuar domethënien e dashurisë nga Jehovai dhe nga vëllezërit.» Që nga viti 1993, ky ish-vrasës ka qenë shërbëtor ndihmës e pionier ndihmës dhe vitin e kaluar u bë pionier i rregullt.
Tomashi, nga ana tjetër, e pranoi menjëherë studimin biblik. «Megjithatë, ky nuk ishte një hap i sinqertë,—pranon ai.—Unë po studioja vetëm se më pëlqente të mburresha kur t’u shpjegoja të tjerëve bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait. Por nuk po bëja shumë për të vërtetën biblike. Një ditë, e ndava mendjen dhe shkova në një mbledhje të krishtere. Të burgosurit e pagëzuar më dhanë një mirëseardhje të ngrohtë. E kuptova se në vend që të mburresha me anë të njohurisë, më duhej të zbutja zemrën time prej guri dhe të transformoja mendjen.» Tomashi filloi të vishte personalitetin e ri të krishterë. (Efesianëve 4:22-24) Sot ai është një Dëshmitar i dedikuar e i pagëzuar dhe gjen kënaqësi në predikimin nga qelia në qeli.
Presione nga ish-shokët
Ata që e mësuan të vërtetën biblike në burg hasën presione të rënda nga ish-shokët e tyre të qelisë dhe nga nëpunësit e burgut. Njëri prej tyre kujton: «Isha vazhdimisht objekt talljesh dhe përqeshjesh. Por mbaja në mend fjalët inkurajuese të vëllezërve. ‘Lutju vazhdimisht Jehovait,—më thanë ata.—Lexo Biblën dhe do të ndiesh paqe të brendshme.’ Kjo më ndihmoi me të vërtetë.»
«Bashkëvuajtësit e mi nuk kurseheshin me vërejtjet e hidhura që më drejtonin»,—thotë Rishardi, një vëlla i fortë, i pagëzuar. «‘Po deshe shko në mbledhjet e tua, por mos u përpiq të dalësh veç e të pretendosh se je më i mirë, OK?’,—më paralajmëronin ata. Kur bëra ndryshime në jetën time për shkak të zbatimit të parimeve biblike, m’u desh të vuaja për to. Ata më përmbysën krevatin, më hodhën gjithandej literaturën biblike dhe bënë rrëmujë në pjesën time të qelisë. Iu luta Jehovait që të më jepte forcë të kontrolloja veten dhe me qetësi fillova të vija gjërat në vendin e tyre. Pas pak kohe, sulmet pushuan.»
«Kur bashkë të burgosurit kuptojnë se kemi marrë një vendim të patundur për t’i shërbyer Jehovait,—tregojnë disa të burgosur të tjerë të pagëzuar,—presioni merr një formë tjetër. Ka të ngjarë që ata të të thonë: ‘Kujto se ti nuk duhet të pish alkool, duhan e të gënjesh më.’ Ky lloj presioni të ndihmon të kontrollosh trupin tënd, duke hequr qafe shumë shpejt veset ose varësinë. Të ndihmon edhe për të kultivuar frytet e frymës.»—Galatasve 5:22, 23.
Bëhen shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë
Me lejen e autoriteteve të burgut, pagëzimi i parë u bë në palestrën e burgut në pranverë të vitit 1991. Zdjeshlavi ishte kandidati i lumtur. Të pranishëm ishin dymbëdhjetë të burgosur, si edhe 21 vëllezër e motra nga jashtë burgut që kishin ardhur për këtë rast. Mbledhja pati një efekt inkurajues te të burgosurit. Një numër prej tyre bëri një progres kaq të dukshëm, saqë dy të dënuar të tjerë u zhytën në ujë më vonë atë vit. Dy vjet më vonë, në vitin 1993, pagëzimet u mbajtën dy herë dhe shtatë të dënuar të tjerë e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Jehovait!
Duke raportuar mbi pagëzimin e mbajtur në dhjetor, e përditshmja lokale Wieczór Wrocławia vërejti: «Njerëzit vërshonin në palestrën e burgut, duke përshëndetur të gjithë dhe duke u takuar. Asnjë nuk është i huaj atje. Ata formojnë një familje të madhe, të bashkuar në mendim, në mënyrën e tyre të jetës dhe duke i shërbyer një Perëndie, Jehovait.» Ajo «familje e madhe» atëherë konsistonte në 135 njerëz, duke përfshirë edhe 50 të dënuar. Le të takojmë disa prej tyre.
Jerzi, i pagëzuar në qershor, tregon: «Edhe pse kisha pasur kontakt me të vërtetën biblike kohë më parë, ajo që ishte brenda meje në të vërtetë ishte një zemër prej guri. Mashtrimi, divorci nga gruaja ime e parë, marrëdhënie të paligjshme me Kristinën, një fëmijë jashtë martesës dhe rikthimi i shpeshtë në burg: kjo ishte jeta ime.» Duke parë se si kriminelë të tjerë të regjur u bënë Dëshmitarë ndërsa ishin në burg, ai filloi të pyeste veten: ‘A mund të bëhem edhe unë një njeri më i mirë?’ Kërkoi një studim biblik dhe filloi të vinte në mbledhje. Megjithatë, pika e vërtetë e kthesës ishte kur ai mësoi nga prokurori se Kristina ishte bërë Dëshmitare e Jehovait tre vjet më parë. «Mbeta tërësisht i shtangur!—thotë Jerzi.—Mendova: ‘Po unë? Çfarë po bëj unë?’ E kuptova se për të qenë i miratuar nga Jehovai duhej ta vija në rregull jetën time.» Si rezultat, në burg ndodhi një ribashkim i lumtur me Kristinën dhe vajzën e tyre 11-vjeçare, Marzenën. Jo shumë kohë më pas ata e ligjëruan martesën e tyre. Edhe pse është ende në burg dhe ka të përpjetat e të tatëpjetat e tij, Jerzi kohët e fundit mësoi vetë gjuhën e shenjave dhe po ndihmon të burgosurit që janë të shurdhër.
Miroslavi ishte përfshirë në aktivitete kriminale që kur ishte në shkollën fillore. Ai e admironte shumë atë që bënin shokët e tij dhe shpejt filloi të bënte të njëjtën gjë. Shumë ishin ata që i grabiti ose i rrahu. Pastaj e futën në burg. «Kur u gjenda në burg, iu drejtova priftit për ndihmë,—rrëfen Miroslavi.—Por u zhgënjeva hidhur. Prandaj vendosa të vritja veten, duke pirë helm.» Po atë ditë që ai mendoi të vriste veten, e transferuan në një qeli tjetër. Atje gjeti një kopje të Kullës së Rojës që fliste për qëllimin e jetës. «Informacioni i thjeshtë dhe i qartë doli se ishte tamam ajo që më duhej,—shton ai.—Tani doja të jetoja! Prandaj, iu luta Jehovait dhe kërkova Dëshmitarët për një studim biblik.» Ai bëri progres të shpejtë në studimin e tij biblik dhe u pagëzua në vitin 1991. Tani shërben si pionier ndihmës në burg, duke pasur privilegjin për të predikuar nga qelia në qeli.
Deri tani janë pagëzuar gjithsej 15 të burgosur. Dënimet e tyre, të marra së bashku, përbëjnë gati-gati 260 vjet burg. Disa prej këtyre të burgosurve u liruan para se të përfundonin dënimet e tyre. Një të burgosuri iu reduktua dënimi i tij 25-vjeçar me 10 vjet. Dhe disa të tjerë që treguan interes kur ishin në burg, u bënë Dëshmitarë të pagëzuar pasi ishin liruar. Akoma, katër të burgosur të tjerë tani po përgatiten për t’u pagëzuar.
Falënderim nga autoritetet e burgut
Në një raport të burgut thuhet: «Ndryshimi në qëndrimin e të dënuarve ka qenë veçanërisht i dallueshëm. Shumë veta lënë duhanin dhe i mbajnë të pastra qelitë e tyre. Këto ndryshime në sjellje janë të dukshme te shumë të dënuar.»
Gazeta Życie Warszawy raporton se administrata e burgut në Volov e pranoi që «të kthyerit në besim janë të disiplinuar, ata nuk përbëjnë asnjë problem për rojet e burgut». Artikulli më tej vëren se ata që u liruan para se të përfundonin dënimin e tyre janë integruar më së miri në rrethin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe nuk kthehen më në shtegun e krimit.
Po opinioni i drejtorit të burgut cili është? «Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në këtë burg është shumë e dëshirueshme dhe e dobishme»,—thotë ai. Drejtori pranon se «gjatë studimit të tyre biblik [me Dëshmitarët] vlerat dhe standardet e të dënuarve ndryshojnë, duke u dhënë një forcë të re udhëheqëse në jetën e tyre. Sjellja e tyre është shumë me takt dhe e kulturuar. Ata janë punëtorë të zellshëm, duke mos shkaktuar pothuajse asnjë problem». Komente të tilla të favorshme nga autoritetet, patjetër që u sjellin kënaqësi Dëshmitarëve që punojnë me të burgosurit në burgun e Volovit.
Dëshmitarët që bëjnë vizitat i vlerësojnë plotësisht fjalët e Jezuit: «Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua. . . . Ato do të dëgjojnë zërin tim dhe do të jenë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.» (Gjoni 10:14, 16) As edhe muret e burgut nuk mund ta ndalin Bariun e Shkëlqyer, Jezu Krishtin, nga mbledhja e atyre ngjashëm deleve. Dëshmitarët në Volov janë mirënjohës që kanë privilegjin e pjesëmarrjes në këtë shërbim të gëzueshëm. Dhe ata presin nga Jehovai bekimin e tij të vazhdueshëm për të ndihmuar shumë më tepër zemra prej guri që të bëhen të ndjeshme ndaj lajmit të mirë të Mbretërisë para se të vijë fundi.—Mateu 24:14.
[Kutia në faqen 27]
Problem me «fëmijë të rritur»
«Pasi ka qenë në burg për ca kohë, një i burgosur shpesh e humb kuptimin e asaj që do të thotë të jetosh në liri ose për veten tënde,—vërejnë Dëshmitarët që predikojnë në burgun e Volovit.—Kjo që kemi ne është në thelb problem me një ‘fëmijë të rritur’, një njeri që pasi lirohet nga burgu nuk di të kujdeset për veten. Ja përse roli i kongregacionit shkon përtej mësimit vetëm të së vërtetës biblike. Ne duhet ta përgatitim atë për t’u bërë pjesë e shoqërisë, duke e paralajmëruar për rreziqet e reja dhe tundimet që mund të përballojë. Edhe pse duhet të jemi të kujdesshëm për të mos u bërë tepër mbrojtës, ne duhet ta ndihmojmë atë për të filluar nga e para jetën e tij.»