A është vërtet e mundur jeta e përhershme?
«Mësues, çfarë të mire duhet të bëj, me qëllim që të marr jetën e përhershme?»—MATEU 19:16, BR.
1. Çfarë mund të thuhet për jetëgjatësinë e njeriut?
MBRETI pers Kserksi I, i njohur në Bibël si Asuero, po kalonte në revistë trupat e tij ushtarake, para një beteje në vitin 480 p.e.s. (Estera 1:1, 2) Sipas historianit grek, Herodotit, mbreti derdhi lot ndërsa shihte burrat e tij. Pse? «Më pikëllohet zemra,—tha Kserksi,—kur mendoj se sa e shkurtër është jeta e njeriut. Sepse nga të gjithë këta burra, as edhe një nuk do të jetë gjallë njëqind vjet më vonë.» Edhe ti ndoshta e ke vënë re se jeta është tmerrësisht e shkurtër dhe se askush nuk dëshiron të plaket, të sëmuret dhe të vdesë. Ah, sikur të mund të gëzonim jetën në një gjendje shëndeti rinor dhe lumturie!—Jobi 14:1, 2.
2. Çfarë shprese kanë shumë njerëz dhe përse?
2 Në mënyrë domethënëse, revista The New York Times, 28 shtator 1997, mbante artikullin «Ata duan të jetojnë». Aty citohej një kërkues që tha: «Unë besoj me të vërtetë se mund të jemi brezi i parë që do të jetojë përgjithmonë!» Ndoshta edhe ti beson se jeta e përhershme është e mundur. Mbase mendon kështu, sepse Bibla premton që ne mund të jetojmë përgjithmonë këtu mbi tokë. (Psalmet 37:29; Zbulesa 21:3, 4) Megjithatë, disa njerëz besojnë se jeta e përhershme është e mundur, për arsye të ndryshme nga ato që gjenden në Bibël. Shqyrtimi i disa prej këtyre arsyeve do të na ndihmojë të kuptojmë se jeta e përhershme është vërtet e mundur.
Të projektuar për të jetuar përgjithmonë
3, 4. (a) Pse disa njerëz besojnë se ne duhet të jemi në gjendje të jetojmë përgjithmonë? (b) Çfarë tha Davidi për formimin e tij?
3 Një arsye për të cilën shumë veta besojnë se njerëzit duhet të jenë në gjendje të jetojnë përgjithmonë, ka të bëjë me mënyrën e mrekullueshme në të cilën jemi bërë. Për shembull, është me të vërtetë e mrekullueshme se si jemi formuar brenda mitrës së nënës sonë. Një autoritet i shquar në fushën e çështjeve të plakjes, shkroi: «Pasi kreu mrekullitë që na çojnë nga ngjizja deri në lindje e pastaj në pjekurinë seksuale dhe në moshën madhore, natyra vendosi të mos projektonte atë që do të ishte një mekanizëm më elementar, i cili do të duhej thjesht për t’i mbajtur përgjithmonë ato mrekulli.» Po, duke marrë parasysh formimin tonë të mrekullueshëm, mbetet akoma pyetja: Pse na duhet të vdesim?
4 Mijëra vjet më parë, shkrimtari biblik, Davidi, meditoi mbi po këto mrekulli, edhe pse faktikisht ai nuk mund të shihte brenda mitrës, siç bëjnë shkencëtarët sot. Davidi meditoi mbi formimin e tij, në momentin kur, siç shkroi ai vetë, ishte ‘i strehuar në barkun e nënës së tij’. Ai tha se në atë kohë ‘u prodhuan veshkat e tij’. Foli, gjithashtu, për formimin e «eshtrave» të tij kur ‘u krijua në fshehtësi’. Pastaj, Davidi foli për ‘embrionin e tij’ dhe vërejti lidhur me atë embrion brenda mitrës së nënës së tij: «Ishin të shkruara të gjitha pjesët e tij.»—Psalmet 139:13-16, BR.
5. Cilat mrekulli përfshihen në formimin tonë në mitrën e nënës?
5 Kuptohet që për formimin e Davidit në mitrën e nënës së tij nuk ka pasur një projekt të shkruar me dorë. Por, kur po meditonte mbi bërjen e «veshkave», të «eshtrave» dhe të pjesëve të tjera të trupit, Davidit iu duk sikur zhvillimi i këtyre organeve ishte bërë sipas një plani, pra, gjithçka ishte, si të themi, «shkruar». Ishte sikur qeliza e fekonduar brenda nënës së tij të kishte një dhomë të madhe plot me libra, që përmbanin udhëzime të hollësishme se si të formohej një bebe dhe këto udhëzime të ndërlikuara t’i kaloheshin çdo qelize të re që krijohej. Prandaj, revista Science World përdor metaforën ‘çdo qelizë në një embrion që zhvillohet, ka një kabinet të pajisur me projekte’.
6. Çfarë dëshmie ka që ne jemi «bërë mrekullisht», siç shkroi Davidi?
6 A ke menduar ndonjëherë për funksionimin e mrekullueshëm të trupit tonë? Biologu Xharëd Dajmënd vërejti: «Ne i zëvendësojmë qelizat që mbulojnë zorrën me intervale prej disa ditësh, ato që mbulojnë fshikëzën urinare çdo dy muaj dhe rruazat e kuqe të gjakut çdo katër muaj.» Ai nxori përfundimin: «Natyra po na çmonton e monton çdo ditë.» Çfarë do të thotë kjo faktikisht? E pra, do të thotë se pavarësisht nga sa vjet kemi mundësi për të jetuar, qofshin 8, 80 apo edhe 800, trupi ynë fizik mbetet shumë i ri. Një shkencëtar një herë përllogariti: «Në një vit, afërsisht 98 për qind e atomeve që gjenden në trupin tonë tani, do të zëvendësohen nga atome të tjera, të cilat i marrim në ajër, ushqim dhe lëngje.» Pikërisht, siç deklaroi Davidi, jemi «bërë mrekullisht».—Psalmet 139:14, BR.
7. Në bazë të mënyrës se si është projektuar trupi ynë fizik, çfarë përfundimi kanë nxjerrë disa njerëz?
7 Në bazë të mënyrës se si është projektuar trupi ynë fizik, një autoritet i shquar në fushën e çështjeve të plakjes tha: «Nuk është e qartë se përse duhet të ndodhë plakja.» Me të vërtetë, nga sa duket ne duhet të jetojmë përgjithmonë. Dhe kjo është arsyeja se përse njerëzit po përpiqen ta arrijnë këtë synim me anë të teknologjisë së tyre. Jo shumë kohë më parë, dr. Alvin Silvërstajn shkroi me besim në librin Fitorja mbi vdekjen (Conquest of Death): «Ne do të zbulojmë thelbin e jetës. Do të kuptojmë . . . se si plaket një person.» Me çfarë pasojash? Ai parashikoi: «Nuk do të ketë më njerëz ‘të plakur’, sepse njohuria që do të bëjë të mundur fitoren mbi vdekjen, do të sjellë edhe rini të përjetshme.» Duke konsideruar kërkimet e shkencës moderne lidhur me formimin e trupit të njeriut, a tingëllon kaq i panatyrshëm mendimi i jetës së përhershme? Ka edhe një arsye tjetër për të besuar se jeta e përhershme është e mundur.
Dëshira për të jetuar përgjithmonë
8, 9. Cilën dëshirë të natyrshme kanë pasur njerëzit përgjatë historisë?
8 A e ke vënë re ndonjëherë se jeta e përhershme është një dëshirë e natyrshme njerëzore? Një mjek shkroi në një gazetë gjermane: «Ëndrra e jetës së përhershme është ndoshta po aq e vjetër sa edhe njerëzimi.» Duke përshkruar bindjet e disa evropianëve të lashtë, një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica) thotë: «Njerëzit e denjë do të jetojnë përgjithmonë në një sallë të ndritshme, me çati prej ari.» Eh, sa larg kanë shkuar njerëzit, në përpjekje për të kënaqur këtë dëshirë themelore për jetën e përhershme!
9 Një enciklopedi tjetër (The Encyclopedia Americana) vëren se mbi 2.000 vjet më parë, në Kinë «perandorët dhe njerëzit [e thjeshtë] po ashtu, nën kryesinë e priftërinjve taoistë, lanë pas dore punën për të kërkuar eliksirin e jetës», një bar të ashtuquajtur burimi i rinisë. Në fakt, përgjatë historisë njerëzit kanë besuar se, duke konsumuar përzierje të ndryshme ose edhe duke pirë një lloj të veçantë uji, do të mund të mbeteshin të rinj.
10. Çfarë përpjekjesh moderne janë bërë për të arritur një jetë më të gjatë?
10 Përpjekjet moderne për të kënaqur dëshirën e natyrshme të njeriut për jetën e përhershme janë edhe më të pazakonshme. Një shembull i shquar është praktika e ngrirjes së një njeriu që ka vdekur nga një sëmundje. Kjo është bërë me shpresën që t’ia rikthejnë jetën në ndonjë kohë të ardhme, kur të jetë gjetur një kurë për atë sëmundje. Një përkrahës i kësaj praktike, e cila quhet «krionikë», shkroi: «Nëse optimizmi ynë del i justifikuar dhe mësohet se si të kurohen ose të riparohen të gjitha dëmet, duke përfshirë edhe dobësitë e plakjes, atëherë ata që ‘vdesin’ tani, do të kenë një jetë pafundësisht të zgjatur në të ardhmen.»
11. Pse njerëzit dëshirojnë të jetojnë përgjithmonë?
11 ‘Përse kjo dëshirë për jetën e përhershme është e rrënjosur thellë në mendimet tona?’—mund të pyesësh. Mos ndodh vallë sepse «[Perëndia] ka vendosur përjetësinë në mendjen e njeriut»? (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:11, Revised Standard Version) Kjo është një çështje që meriton një meditim serioz! Vetëm mendo: Pse do të kishim një dëshirë të natyrshme për të jetuar përjetësisht, përgjithmonë, po qe se nuk ishte qëllimi i Krijuesit tonë që ajo dëshirë të kënaqej? A do të ishte e dashur nga ana e tij, të na krijonte me dëshirën për jetën e përhershme dhe pastaj të na zhgënjente, duke mos na lejuar kurrë që ta realizonim këtë dëshirë?—Psalmet 145:16.
Kujt duhet t’i besojmë?
12. Çfarë sigurie kanë disa njerëz, por a beson se kjo siguri është me baza të forta?
12 Por, ku ose në çfarë duhet ta vendosim besimin tonë për të fituar jetën e përhershme? Në teknologjinë njerëzore të shekullit të 20-të ose të 21-të? Artikulli i revistës The New York Times, «Ata duan të jetojnë», fliste për «hyjninë e quajtur teknologji» dhe për «entuziazmin lidhur me potencialin e teknologjisë». Për një kërkues u tha madje që ishte «tepër i sigurt . . . se teknikat e ndërhyrjes gjenetike do të vihen në dispozicion në kohën e duhur për të [na] shpëtuar, duke ndalur plakjen, mbase duke bërë të mundur procesin e kundërt të saj». Por në të vërtetë, përpjekjet e njeriut kanë dalë plotësisht të paefektshme në ndalimin e plakjes ose në fitoren mbi vdekjen.
13. Në ç’mënyrë struktura e trurit tonë tregon se u krijuam për të jetuar përgjithmonë?
13 A do të thotë kjo se nuk ka asnjë mënyrë për të fituar jetën e përhershme? Aspak! Ka një mënyrë! Struktura e trurit tonë të mrekullueshëm, me kapacitetin e tij pothuajse të pakufishëm për të mësuar, mund të na bindë për këtë. Specialisti i biologjisë molekulare, Xhejms Uatson, e quajti trurin, «gjëja më e ndërlikuar që kemi zbuluar deri tani në universin tonë». Gjithashtu, neurologu Riçard Restak tha: «Asgjëkundi në universin e njohur nuk ka ndonjë gjë që t’i ngjasojë sikur edhe pak atij.» Pse do të kishim një tru me aftësi për të magazinuar dhe për të asimiluar një informacion gati-gati të pakufizuar dhe një trup që është projektuar për të jetuar përgjithmonë, po të mos ishim bërë për të gëzuar jetën e përhershme?
14. (a) Cilin përfundim tregojnë shkrimtarët e Biblës lidhur me jetën njerëzore? (b) Pse duhet t’i zëmë besë Perëndisë e jo njeriut?
14 Atëherë, cili është përfundimi i vetëm, i arsyeshëm e faktik, tek i cili mund të arrijmë? A nuk është se ne u projektuam dhe u krijuam nga një Bërës i gjithëfuqishëm e inteligjent, me qëllim që të jetonim përgjithmonë? (Jobi 10:8; Psalmet 36:9; 100:3; Malakia 2:10; Veprat 17:24, 25) Prandaj, a nuk do të ishte e mençur t’i vinim veshin urdhrit të frymëzuar të psalmistit biblik: «Mos u zini besë fisnikëve as birit të njeriut tokësor, të cilit nuk i përket asnjë shpëtim.» Pse nuk duhet t’i zëmë besë njeriut? Sepse, siç shkroi psalmisti, «fryma e tij del, ai kthehet në dheun e tij; në atë ditë mendimet e tij marrin fund». Në fakt, pavarësisht nga potenciali për të jetuar përgjithmonë, njerëzit janë të pafuqishëm përballë vdekjes. Psalmisti mbaron me fjalët: «I lumtur është ai . . . shpresa e të cilit është në Jehovain, Perëndinë e tij.»—Psalmet 146:3-5, BR.
A është me të vërtetë qëllimi i Perëndisë?
15. Ç’gjë tregon se qëllimi i Perëndisë është që të jetojmë përgjithmonë?
15 ‘Por, a është me të vërtetë qëllimi i Jehovait që ne të gëzojmë jetën e përhershme?’—mund të pyesësh. Po, është! Kjo gjë premtohet shumë herë në Fjalën e tij. «Dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme»,—na siguron Bibla. Gjoni, një shërbëtor i Perëndisë, shkroi: «Kjo është gjëja e premtuar që vetë [Perëndia] na e premtoi, jeta e përhershme.» Nuk habitemi që një i ri e pyeti Jezuin: «Mësues, çfarë të mire duhet të bëj, me qëllim që të marr jetën e përhershme?» (Romakëve 6:23, BR; 1. Gjonit 2:25, BR; Mateu 19:16, BR) Në fakt, apostulli Pavël shkroi për «një shpresë të jetës së përhershme, të cilën Perëndia, që nuk mund të gënjejë, e premtoi para kohëve shumë të hershme».—Titit 1:2, BR.
16. Në cilin kuptim mund ta ketë premtuar Perëndia jetën e përhershme, «para kohëve shumë të hershme»?
16 Çfarë do të thotë që Perëndia e ka premtuar jetën e përhershme «para kohëve shumë të hershme»? Disa mendojnë se apostulli Pavël donte të thoshte që para se të krijohej çifti i parë, Adami dhe Eva, Perëndia vuri si qëllim që njerëzit të jetonin përgjithmonë. Sidoqoftë, nëse Pavli po i referohej një pike pas krijimit të njerëzve dhe kur Jehovai bëri të ditur qëllimin e tij, është ende e qartë se vullneti i Perëndisë përfshin që njerëzit të kenë jetë të përhershme.
17. Pse Adami dhe Eva u nxorën nga kopshti i Edenit dhe pse në hyrje të tij u vendosën kerubinë?
17 Bibla thotë se në kopshtin e Edenit, «Perëndia Jehova bëri të rritet nga dheu . . . pema e jetës». Arsyeja se përse Adami u nxor jashtë kopshtit, ishte që ai të mos «shtrijë dorën e tij dhe faktikisht të marrë frut edhe nga pema e jetës, të hajë dhe të jetojë», po, përgjithmonë! Pasi dëboi Adamin dhe Evën nga kopshti i Edenit, Jehovai vendosi «kerubinët dhe tehun flakërues të një shpate, e cila rrotullohej vazhdimisht për të ruajtur udhën drejt pemës së jetës».—Zanafilla 2:9; 3:22-24, BR.
18. (a) Çfarë do të kishte nënkuptuar për Adamin dhe Evën ngrënia nga pema e jetës? (b) Çfarë përfaqësonte ngrënia nga ajo pemë?
18 Çfarë do të kishte nënkuptuar për Adamin dhe Evën, po të ishin lejuar të hanin nga ajo pemë e jetës? Pikërisht, privilegjin për të jetuar përgjithmonë në Parajsë! Një komentues biblik tha: «Pema e jetës duhet të ketë pasur ndonjë dhunti, me anë të së cilës trupi njerëzor nuk do të cënohej nga plakja ose nga rënia fizike që përfundon me vdekje.» Ai pohoi madje se «në parajsë kishte një veti barishtore, e aftë për të kundërvepruar ndaj efekteve» të plakjes. Megjithatë, Bibla nuk thotë se pema e jetës në vetvete kishte veti jetëdhënëse. Në vend të kësaj, pema paraqiste thjesht garancinë e jetës së përhershme të dhënë nga Perëndia, atij që do të lejohej të hante frutin e saj.—Zbulesa 2:7.
Qëllimi i Perëndisë nuk ka ndryshuar
19. Pse vdiq Adami dhe pse edhe ne, pasardhja e tij, vdesim?
19 Kur mëkatoi, Adami e humbi të drejtën e jetës së përhershme për veten dhe për të gjithë pasardhjen e tij, që nuk kishte lindur akoma. (Zanafilla 2:17) Kur u bë mëkatar, si rezultat i mosbindjes së tij, ai u bë me mangësi, i papërsosur. Që nga ajo kohë e më tej, trupi i Adamit, u bë, në fakt, i programuar për të vdekur. Siç e thotë Bibla, «paga që paguan mëkati është vdekja». (Romakëve 6:23, BR) Për më tepër, edhe pasardhja e papërsosur e Adamit u bë, në fakt, e programuar për të vdekur, jo për të jetuar përgjithmonë. Bibla shpjegon: «Me anë të një njeriu [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja me anë të mëkatit, e kështu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë ata kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12, BR.
20. Ç’gjë tregon se njerëzit u krijuan për të jetuar përgjithmonë në tokë?
20 Por, çfarë do të kishte ndodhur sikur Adami të mos kishte mëkatuar? Po sikur t’i ishte bindur Perëndisë dhe t’i ishte dhënë leja për të ngrënë nga pema e jetës? Ku do ta kishte gëzuar ai dhuratën e jetës së përhershme? Në qiell? Jo! Perëndia nuk tha fare se Adami do të merrej në qiell. Caktimi i tij i punës ishte këtu në tokë. Bibla shpjegon se «Perëndia Jehova bëri të rritet nga dheu çdo pemë e dëshirueshme për pamjen dhe e mirë për ushqim». Pastaj thotë: «Perëndia Jehova e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, për ta kultivuar dhe për t’u kujdesur për të.» (Zanafilla 2:9, 15, BR) Pasi u krijua Eva si një bashkëshorte për Adamin, që të dyve iu dhanë caktime të mëtejshme pune këtu mbi tokë. Perëndia u tha atyre: «Jini të frytshëm dhe bëhuni shumë, mbusheni tokën e nënshtrojeni, e kini nën sundim peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiellit dhe çdo krijesë tjetër të gjallë që lëviz mbi tokë.»—Zanafilla 1:28, BR.
21. Cilat perspektiva të mrekullueshme kishin njerëzit e parë?
21 Mendo për perspektivat e mrekullueshme tokësore që hapën ato udhëzime të Perëndisë për Adamin dhe Evën! Ata do të rritnin bij e bija me shëndet të përsosur në një Parajsë tokësore. Ndërsa fëmijët e tyre të dashur rriteshin, do të merrnin pjesë bashkë me prindërit, duke qenë të frytshëm dhe duke bërë punë të kënaqshme kopshtarie për ta mirëmbajtur atë Parajsë. Duke i pasur të gjitha kafshët të nënshtruara ndaj tyre, njerëzit do të ishin shumë të kënaqur. Mendo për gëzimin e zgjerimit të kufijve të kopshtit të Edenit, kështu që përfundimisht e gjithë toka do të bëhej një parajsë! A do të doje të gëzoje jetën me fëmijë të përsosur, në një shtëpi kaq të bukur tokësore, pa u shqetësuar fare për plakjen dhe vdekjen? Lër që prirja e natyrshme e zemrës sate t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
22. Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk e ndryshoi qëllimin e tij për tokën?
22 Por, atëherë, kur Adami dhe Eva nuk u bindën dhe u nxorën jashtë kopshtit të Edenit, a e ndryshoi Perëndia qëllimin e tij që njerëzit të jetonin përgjithmonë në Parajsën mbi tokë? Aspak! Për Perëndinë, bërja e kësaj do të ishte njësoj si të kishte pranuar dështimin për sa i përket aftësisë së tij për të plotësuar qëllimin e tij fillestar. Ne mund të jemi të sigurt se Perëndia e bën atë që premton, siç e pohon me fjalët e veta: «Kështu do të jetë fjala ime që del nga goja ime. Ajo nuk do të kthehet tek unë pa rezultate, por me siguri që do të bëjë atë, në të cilën kam kënaqësi dhe do të ketë sukses të sigurt në atë, për të cilën e kam dërguar.»—Isaia 55:11, BR.
23. (a) Ç’gjë e përforcon faktin se qëllimi i Perëndisë është që njerëzit e drejtë të jetojnë përgjithmonë në tokë? (b) Çfarë do të trajtojmë në artikullin vijues?
23 Që qëllimi i Perëndisë për tokën nuk ka ndryshuar, bëhet e qartë në Bibël, ku Perëndia premton: «Vetë të drejtët do ta zotërojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë mbi të.» Edhe Jezu Krishti në Predikimin e tij në Mal, tha se zemërbutët do ta trashëgojnë tokën. (Psalmet 37:29, BR; Mateu 5:5) Por, si mund ta fitojmë jetën e përhershme dhe çfarë duhet të bëjmë për të gëzuar një jetë të tillë? Kjo do të trajtohet në artikullin vijues.
Si do të përgjigjesh?
◻ Pse shumë njerëz besojnë se jeta e përhershme është e mundur?
◻ Ç’gjë duhet të na bindë se jemi krijuar për të jetuar përgjithmonë?
◻ Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për njerëzimin dhe për tokën?
◻ Pse mund të jemi të sigurt se Perëndia do ta përmbushë qëllimin e tij fillestar?