A tregohesh mirënjohës?
Dikur, në një shtëpi misionare në Afrikën perëndimore kishte një qen me emrin Tedi. Kur dikush i hidhte një copë mish, Tedi e gëlltiste menjëherë, pa e shijuar dhe pa e përtypur. Duke gulçuar nën diellin tropikal, ai priste që t’i hidhnin llokmën tjetër. Kur mbaronte mishi, ai largohej dhe shkonte në punë të vet.
Tedi nuk shprehte asnjëherë ndonjë shenjë të vogël mirënjohjeje për atë që merrte. asnjë nuk priste që ai ta bënte këtë. Fundja, ishte vetëm një qen.
PËR sa i përket mirënjohjes, shpesh ne presim më shumë nga njerëzit sesa nga kafshët. Zakonisht mbetemi të zhgënjyer. Shumë njerëz zhvatin sa të munden prej jetës dhe presin për më tepër. Edhe kjo nuk na habit. Bibla parathoshte se në ditët e fundit njerëzit do të ishin mosmirënjohës.—2. Timoteut 3:1, 2.
Sidoqoftë, shërbëtorët e Perëndisë kanë një frymë të ndryshme. Ata e marrin për zemër këshillën e apostullit Pavël, i cili i këshilloi bashkëbesimtarët: «Tregohuni mirënjohës.»—Kolosianëve 3:15, BR.
Jehovai tregohet mirënjohës
Perëndia Jehova jep shembullin e përsosur në shfaqjen e çmueshmërisë. Shqyrto se si i konsideron ai shërbëtorët e tij besimplotë. Pavli, nën frymëzim, u shkroi të krishterëve hebrenj: «Perëndia nuk është i padrejtë aq sa të harrojë punën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij, për arsye se u keni shërbyer të shenjtëve dhe vazhdoni t’u shërbeni.»—Hebrenjve 6:10, BR.
Shembuj të çmueshmërisë që ka Jehovai për shërbëtorët e tij besimplotë ka me bollëk. Ai e bekoi Abrahamin, duke e shumëfishuar pasardhjen e tij, kështu që ata u bënë «si yjet e qiejve dhe si kokrrizat e rërës që janë në breg të detit». (Zanafilla 22:17, BR) Nga çmueshmëria që kishte për besnikërinë e Jobit nën sprova, Jehovai jo vetëm që i riktheu pasurinë e madhe që kishte pasur, por i dha, gjithashtu, «në masë të dyfishtë». (Jobi 42:10, BR) Marrëdhëniet e Jehovait me njerëzit gjatë mijëvjeçarëve kanë provuar vërtetësinë e thënies: «Për sa i përket Jehovait, sytë e tij enden nëpër të gjithë tokën, për të treguar forcën e tij në dobi të atyre, zemra e të cilëve është e plotë ndaj tij.»—2. Kronikave 16:9, BR.
Çmueshmëria që tregon Perëndia dhe prirja e tij për t’i shpërblyer ata që përpiqen të kryejnë vullnetin e tij, janë ndër tiparet kryesore të personalitetit të tij. Pranimi i kësaj është një gjë kryesore për besimin e krishterë. Pavli shkroi: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqejmë atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë . . . se ai bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me zell.»—Hebrenjve 11:6, BR.
Në qoftë se Jehovai në të kundërt do të shfaqte një frymë të ashpër e kritike, të gjithë ne do të ishim të dënuar. Psalmisti nxori këtë përfundim shumë kohë më parë: «Nëse gabimet do të ishin ajo që sheh, o Jah, o Jehova, kush do të mund të qëndronte?» (Psalmi 130:3, BR) Jehovai nuk është as mosmirënjohës, as kritik. Për të, ata që i shërbejnë janë të vyer. Ai tregohet mirënjohës.
Jezui: Një person me mirënjohje të thellë
Duke pasqyruar në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij qiellor, Jezu Krishti u tregua mirënjohës për gjërat që bënë të tjerët për shkak të besimit. Shqyrto se çfarë ndodhi në një rast në tempullin në Jerusalem: «Tani, ndërsa [Jezui] ngriti sytë, pa të pasurit që hidhnin dhuratat e tyre në arkat e thesarit. Pastaj pa njëfarë vejushe nevojtare që hodhi atje dy monedha të vogla me shumë pak vlerë dhe tha: ‘Po ju them me të vërtetë se kjo vejushë, edhe pse e varfër, hodhi më shumë se të gjithë ata. Sepse, të gjithë këta hodhën dhurata nga teprica e tyre, por kjo grua, nga dëshira e saj, hodhi gjithçka që kishte për të jetuar.’»—Luka 21:1-4, BR.
Nga pikëpamja monetare kontributi ishte i vogël, veçanërisht po të krahasohej me kontributet e njerëzve të pasur. Pjesa më e madhe e të pranishmëve vështirë se do ta kishin vënë re këtë grua. Megjithatë, Jezui e pa vejushën. Ai dalloi rrethanat e saj. Jezui e pa dhe e çmoi atë.
Një ngjarje tjetër kishte të bënte me një grua të pasur, Marinë. Në kohën që Jezui po çlodhej gjatë një vakti, ajo hodhi në këmbët dhe në kokën e tij një vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm. Disa e kritikuan veprimin e saj, duke arsyetuar se vaji mund të ishte shitur dhe paratë të ishin përdorur për të ndihmuar të varfrit. Si reagoi Jezui? Ai tha: «Lëreni rehat. Pse përpiqeni t’i krijoni telashe? Ajo bëri një veprim të shkëlqyer ndaj meje. Vërtet po ju them: Kudo që të predikohet lajmi i mirë në të gjithë botën, ajo që bëri kjo grua do të tregohet, gjithashtu, në kujtim të saj.»—Marku 14:3-6, 9, BR; Gjoni 12:3.
Jezui nuk u ankua në mënyrë kritike për faktin që vaji i kushtueshëm nuk u përdor për ndonjë gjë tjetër. Ai e çmoi shprehjen bujare të dashurisë dhe të besimit të Marisë. Ngjarja është paraqitur në Bibël në kujtim të veprimit të saj të shkëlqyer. Këto tregime, si edhe tregime të tjera, e bëjnë të qartë se Jezui ishte një njeri me mirënjohje të thellë.
Nëse je një shërbëtor i Perëndisë, mund të jesh i sigurt se, si Perëndia Jehova, ashtu edhe Jezu Krishti, i çmojnë shumë përpjekjet që bën për të mbështetur adhurimin e pastër. Një njohuri e tillë na tërheq më shumë ndaj tyre dhe na shtyn t’i imitojmë, duke u treguar edhe ne mirënjohës.
Fryma kritike e Satanait
Tani, le të shqyrtojmë një shembull të një personi që nuk tregohet mirënjohës: Satana Djalli. Mungesa e çmueshmërisë nga ana e Satanait i kontribuoi faktit që ai qe në ballë të rebelimit shkatërrimtar kundër Perëndisë.
Pasi kishte ushqyer një frymë kritike e pakënaqësie në vetvete, Satanai filloi ta mbjellë këtë frymë te të tjerët. Ki parasysh ngjarjet në kopshtin e Edenit. Jehovai kishte krijuar burrin dhe gruan e parë, i kishte vendosur në një kopsht parajsor dhe u kishte thënë: «Nga çdo pemë e kopshtit mund të hash sa të kënaqesh.» Kishte vetëm një kufizim. Perëndia u tha: «Sa për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes, nuk duhet të hash prej saj, sepse ditën që do të hash prej saj, me siguri do të vdesësh.»—Zanafilla 2:16, 17, BR.
Por shpejt Satanai vuri në dyshim besueshmërinë e Jehovait. Pjesërisht, ai dëshironte që Eva të bëhej kaq mosmirënjohëse ndaj Jehovait, saqë të shtyhej për t’u rebeluar kundër tij, ashtu siç ishte rebeluar vetë Satanai. «A është e vërtetë që Perëndia tha se nuk duhet të hash nga çdo pemë e kopshtit?»—pyeti Satanai. (Zanafilla 3:1, BR) Nënteksti i qartë ishte se Perëndia po i mbante diçka të çmuar Evës, diçka që do t’i hapte sytë asaj dhe do ta bënte si vetë Perëndia. Në vend se të tregohej mirënjohëse për bekimet e shumta që Jehovai kishte derdhur mbi të, Eva filloi të dëshironte me zjarr atë që ishte e ndaluar.—Zanafilla 3:5, 6.
Pasojat shkatërrimtare i njohim mirë. Ndonëse iu dha emri Eva, «sepse duhej të bëhej nëna e të gjithë atyre që jetojnë», në një kuptim tjetër ajo u bë nëna e të gjithë atyre që vdesin. Që nga Adami, të gjithë njerëzit kanë trashëguar mëkatin, i cili prodhon vdekjen.—Zanafilla 3:20, BR; Romakëve 5:12.
Imito Perëndinë dhe Krishtin
Shqyrto kontrastin midis Satanait dhe Jezuit. Satanai përshkruhet si «akuzuesi i vëllezërve tanë . . . , i cili i akuzon ata ditë e natë para Perëndisë tonë». (Zbulesa 12:10, BR) Jezui është «në gjendje edhe të shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai është gjithnjë gjallë për t’u lutur për ta».—Hebrenjve 7:25, BR.
Satanai i akuzon shërbëtorët e Perëndisë. Jezui i çmon ata dhe lutet në favor të tyre. Si imitues të Krishtit, të krishterët duhet të përpiqen të shohin të mirën te njëri-tjetri, duke çmuar e duke vlerësuar njëri-tjetrin. Duke bërë kështu, ata tregohen mirënjohës ndaj atij që jep shembullin më të lartë për sa i përket çmueshmërisë, Perëndisë Jehova.—1. Korintasve 11:1.
[Figura në faqen 17]
Jezui shprehu çmueshmëri për veprimin e shkëlqyer të Marisë