Gjithkush do të jetë i lirë
«Unë mendoj se vuajtjet e periudhës së tanishme nuk janë asgjë në krahasim me lavdinë që do të shfaqet në ne. Pritja e paduruar e krijimit po pret zbulimin e bijve të Perëndisë. Sepse krijimi i ishte nënshtruar kotësisë, jo me anë të vullnetit të vet, por nëpërmjet atij që e nënshtroi, mbi bazën e shpresës se edhe vetë krijimi do të çlirohet nga skllavërimi ndaj korruptimit dhe do të ketë lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë. Sepse ne e dimë se deri tani, i gjithë krijimi vazhdon të rënkojë së bashku dhe të jetë në dhimbje së bashku.»—ROMAKËVE 8:18-22, BR.
NË KËTË fragment të letrës së tij drejtuar të krishterëve në Romë, apostulli Pavël bën një përmbledhje të jashtëzakonshme se përse në jetën e njerëzve mungon liria e vërtetë dhe përse ajo shpesh karakterizohet nga boshllëku dhe dhimbja. Gjithashtu, ai shpjegon se si mund të fitojmë liri të vërtetë.
«Vuajtjet e periudhës së tanishme»
Pavli nuk po i minimizon «vuajtjet e kohës së tanishme» kur thotë se ato «nuk janë asgjë në krahasim me lavdinë që do të shfaqet në ne». Gjatë kohës kur jetoi Pavli, si edhe më vonë, të krishterët vuajtën shumë nën regjimin e ashpër totalitar që ushtruan autoritetet romake, të cilëve nuk u interesonin shumë të drejtat e njeriut. Pasi Roma krijoi opinionin se të krishterët ishin armiq të shtetit, ajo ushtroi një shtypje brutale ndaj tyre. Historiani J. M. Roberts thotë: «Shumë të krishterë të kryeqytetit [Romës] pa dyshim vdiqën në mënyra të tmerrshme në arenë ose u dogjën të gjallë.» (Shorter History of the World) Një raport tjetër thotë për këto viktima të persekutimit të Neronit: «Disa i kryqëzuan, disa të tjerë i mbështollën në lëkura kafshësh dhe u lëshuan qentë nga pas që t’i hanin, disa i lyen me katran dhe u vunë flakën, duke i përdorur si pishtarë të gjallë kur binte nata.»—New Testament History, by F. F. Brus.
Atyre të krishterëve të hershëm sigurisht që do t’u kishte pëlqyer liria nga një shtypje e tillë, por nuk qenë të gatshëm të dhunonin mësimet e Jezu Krishtit për të pasur atë liri. Ata qëndruan plotësisht asnjanës, për shembull, në konfliktin mes autoriteteve sunduese romake dhe luftëtarëve judenj të lirisë, siç ishin zelotët. (Gjoni 17:16; 18:36) Zelotët mendonin se «të flitje për kohën e duhur sipas Perëndisë nuk ishte ajo që kërkonte kriza aktuale». Ata thoshin se ajo që duhej ishte «veprimi i dhunshëm kundër armikut», Romës. (New Testament History) Të krishterët e hershëm mendonin ndryshe. Për ta zgjidhja e vetme realiste ishte «të pritnin kohën e duhur sipas Perëndisë». Ata ishin të bindur se asgjë tjetër përveç ndërhyrjes hyjnore nuk do të mund t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë «vuajtjeve të kohës së tanishme» dhe të sillte liri të vërtetë e të qëndrueshme. (Mikea 7:7; Habakuku 2:3) Por përpara se të shqyrtojmë se si do të ndodhë kjo, le të shqyrtojmë fillimisht se përse «krijimi i ishte nënshtruar kotësisë».
«I ishte nënshtruar kotësisë»
Benjamin Uilson, në përkthimin The Emphatic Diaglott, thotë se fjala «krijimi» në këtë varg nuk nënkupton «krijimin shtazor e të pajetë» siç sugjerojnë disa, por, përkundrazi, nënkupton «gjithë njerëzimin». (Krahaso Kolosianëve 1:23.) I referohet gjithë familjes njerëzore, të gjithëve ne që e dëshirojmë me zjarr lirinë. Ne iu ‘nënshtruam kotësisë’ për shkak të veprimeve të prindërve tanë të parë. Kjo nuk ndodhi «me anë të vullnetit [tonë]» ose si pasojë e zgjedhjes sonë individuale. Gjendjen tonë e kemi të trashëguar. Nga pikëpamja biblike, Rusoi e kishte gabim kur tha se «njeriu ka lindur i lirë». Secili prej nesh ka lindur nën varësinë e mëkatit dhe të papërsosmërisë, i skllavëruar, si të thuash, në një sistem të mbushur me zhgënjime dhe kotësi.—Romakëve 3:23.
Përse ndodhi kështu? Sepse prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, dëshironin të ishin «si Perëndia», të kishin vetëvendosje të plotë, të vendosnin për vete se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. (Zanafilla 3:5) Ata shpërfillën një faktor jetësor lidhur me lirinë. Vetëm Krijuesi mund të ketë liri absolute. Ai është Sovrani Universal. (Isaia 33:22; Zbulesa 4:11) Liria e njeriut duhet të nënkuptojë liri brenda kufijve. Ja përse dishepulli Jakov i inkurajoi të krishterët e ditëve të tij që të udhëhiqeshin nga ‘ligji i përsosur, i cili është ligji i lirisë’.—Jakobit 1:25.
Me të drejtë Jehovai i dëboi Adamin dhe Evën nga familja e tij universale dhe për pasojë ata vdiqën. (Zanafilla 3:19) Por, ç’të themi për pasardhësit e tyre? Në mënyrë të mëshirshme, edhe pse tani mund të transmetonin vetëm papërsosmërinë, mëkatin dhe vdekjen, Jehovai i lejoi të kishin fëmijë. Kështu, «vdekja u shtri te të gjithë njerëzit». (Romakëve 5:12) Në këtë kuptim Perëndia ‘ia nënshtroi [krijimin] kotësisë’.
‘Zbulimi i bijve të Perëndisë’
Jehovai ia nënshtroi krijimin kotësisë «mbi bazën e shpresës» se një ditë familjes njerëzore do t’i jepej përsëri liria, nëpërmjet aktiviteteve të «bijve të Perëndisë». Cilët janë këta ‘bij të Perëndisë’? Janë dishepuj të Jezu Krishtit, të cilët, ashtu si pjesa tjetër e «krijimit [njerëzor]», kanë lindur nën skllavërinë e mëkatit dhe të papërsosmërisë. Nga lindja ata nuk kanë asnjë vend me të drejtë në familjen universale, të pastër e të përsosur të Perëndisë. Por Jehovai bën diçka të jashtëzakonshme për ta. Me anë të flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit, Ai i çliron ata nga skllavëria e mëkatit të trashëguar dhe i shpall «të drejtë» ose të pastër frymësisht. (1. Korintasve 6:11, BR) Pastaj, i adopton si «bij të Perëndisë», duke i sjellë përsëri në familjen e tij universale.—Romakëve 8:14-17.
Si bij të adoptuar të Jehovait, ata do të kenë një privilegj të lavdishëm. Do të jenë «priftërinj për Perëndinë tonë dhe do të mbretërojnë mbi dhe» përkrah Jezu Krishtit, si pjesë e Mbretërisë ose e qeverisë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1-4) Kjo është një qeveri e themeluar fort mbi parimet e lirisë dhe të drejtësisë, jo mbi shtypjen dhe tiraninë. (Isaia 9:5, 6, [6, 7, BR]; 61:1-4) Apostulli Pavël thotë se këta bij të Perëndisë janë shokë të Jezuit, ‘fara e Abrahamit’ e premtuar nga një kohë e gjatë. (Galatasve 3:16, 26, 29) Si të tillë, ata luajnë rol kyç në përmbushjen e një premtimi që Perëndia ia bëri mikut të tij, Abrahamit. Një pjesë e atij premtimi është se nëpërmjet farës (ose pasardhjes) së Abrahamit «tërë kombet e tokës do të bekohen».—Zanafilla 22:18.
Çfarë bekimi i sjellin ata njerëzimit? Bijtë e Perëndisë marrin pjesë në çlirimin e të gjithë familjes njerëzore nga pasojat e tmerrshme të mëkatit adamik dhe në rivendosjen e njerëzimit në përsosmëri. Njerëz «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve» mund të bekohen, duke ushtruar besim në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit dhe duke iu nënshtruar sundimit mirëdashës të Mbretërisë së tij. (Zbulesa 7:9, 14-17; 21:1-4; 22:1, 2; Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Në këtë mënyrë, «i gjithë krijimi» do të gëzojë përsëri «lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë». Kjo nuk do të jetë ndonjë lloj lirie politike e kufizuar dhe e përkohshme, por, përkundrazi, liri nga çdo gjë që i ka shkaktuar dhimbje e shqetësim familjes njerëzore që nga koha kur Adami dhe Eva hodhën poshtë sovranitetin e Perëndisë. S’është për t’u habitur që apostulli Pavël mundi të thoshte se «vuajtjet e periudhës së tanishme nuk janë asgjë» në krahasim me shërbimin e lavdishëm që do të kryejnë besnikët!
Kur fillon «zbulimi i bijve të Perëndisë»? Tani së shpejti, kur Jehovai t’ua bëjë të qartë të gjithëve se cilët janë bijtë e Perëndisë. Kjo do të ndodhë kur këta ‘bij’, të ringjallur në sferën frymore, të marrin pjesë me Jezu Krishtin në pastrimin e kësaj toke nga ligësia e shtypja në luftën e Perëndisë në Harmagedon. (Danieli 2:44; 7:13, 14, 27; Zbulesa 2:26, 27; 16:16; 17:14; 19:11-21) Përreth nesh shohim dëshmi në rritje se tashmë jemi thellë në «ditët e fundit», kur do të marrë fund tolerimi i gjatë që i ka bërë Perëndia rebelimit dhe ligësia që ka ardhur si pasojë.—2. Timoteut 3:1-5; Mateu 24:3-31.
Po, siç thotë apostulli Pavël, është e vërtetë se «deri tani, i gjithë krijimi vazhdon të rënkojë së bashku dhe të jetë në dhimbje së bashku», por kjo nuk do të zgjasë akoma për shumë kohë. Miliona njerëz që jetojnë tani, do të shohin ‘ripërtëritjen e të gjitha gjërave, për të cilën Perëndia ka folur nëpërmjet gojës së gjithë profetëve të tij të shenjtë, që nga fillimi i botës’, duke përfshirë ripërtëritjen e paqes, lirisë dhe drejtësisë për të gjithë familjen njerëzore.—Veprat 3:21.
Më në fund, liri e vërtetë!
Çfarë duhet të bësh për të gëzuar këtë ‘liri të lavdishme të bijve të Perëndisë’? Jezu Krishti tha: «Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi, do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:31, 32) Ky është çelësi për të pasur lirinë, pra, të mësosh e pastaj t’u bindesh urdhrave dhe mësimeve të Krishtit. Kjo gjë sjell një masë lirie madje edhe tani. Në të ardhmen e afërt, do të sjellë liri të plotë nën sundimin e Jezu Krishtit. Drejtimi i mençur që duhet ndjekur është të njohësh «fjalën» e Jezuit nëpërmjet një studimi të Biblës. (Gjoni 17:3) Shoqërohu në mënyrë aktive me kongregacionin e dishepujve të vërtetë të Krishtit, siç bënin të krishterët e hershëm. Duke vepruar kështu, mund të nxjerrësh dobi nga të vërtetat çliruese që Jehovai vë në dispozicion sot me anë të organizatës së tij.—Hebrenjve 10:24, 25.
Ndërkohë që «pret zbulimin e bijve të Perëndisë», mund të kultivosh sigurinë që kishte dhe apostulli Pavël në kujdesin e mbështetjen mbrojtëse të Krishtit, edhe kur vuajtjet e padrejtësitë duken pothuajse të padurueshme. Pasi foli për zbulimin e bijve të Perëndisë, Pavli pyeti: «Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?» (Romakëve 8:35) Sigurisht, të krishterët në ditët e Pavlit ishin ende «lidhur me zinxhirë», siç tha Rusoi, ndaj forcave shtypëse të një lloji ose të një tjetri. Ata po ‘vriteshin gjithë ditën’ si «dele për therje». (Romakëve 8:36) A lejuan ata që kjo gjë t’i dërrmonte?
«Përkundrazi,—thotë Pavli,—në të gjitha këto gjëra ne po dalim plotësisht fitimtarë nëpërmjet atij që na deshi.» (Romakëve 8:37, BR) Fitimtarë me gjithë atë që të krishterëve iu desh të duronin? Si ka mundësi? «Jam i bindur,—thotë ai, duke u përgjigjur,—se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.» (Romakëve 8:38, 39) Edhe ti mund të dalësh fitimtar nga çfarëdo ‘pikëllimi a ngushtice, a përndjekje’ që mund të të duhet të durosh gjatë kësaj kohe. Dashuria e Perëndisë garanton se së shpejti, shumë shpejt tani, ne do ‘të çlirohemi nga [çdo] skllavërim . . . për të hyrë në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë’.
[Figurat në faqen 6]
«Deri tani, i gjithë krijimi vazhdon të rënkojë së bashku dhe të jetë në dhimbje së bashku»
[Figura në faqen 7]
‘Krijimi do të çlirohet nga çdo skllavërim për të hyrë në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë’