«Beko Jehovain, o shpirti im»
«MUAJT e fundit, shërbimi im është bërë monoton dhe pa gëzim»,—thotë Nensi.a Ajo ka shërbyer si pioniere, një predikuese në kohë të plotë e lajmit të mirë, për afro dhjetë vjet. Gjithsesi, ajo shton: «Nuk më pëlqen ajo që po më ndodh. Më duket sikur po e prezantoj mesazhin e Mbretërisë më shumë në mënyrë të thatë e më pak nga zemra. Çfarë duhet të bëj?»
Shqyrto edhe rastin e Kithit, plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai u habit shumë kur gruaja i tha: «Ti bluan diçka në mendje. Në lutjen që bëre tani, falënderove për ushqimin, por nuk jemi në kohën e ngrënies!» Kithi pranon: «Po e kuptoj se lutjet e mia janë bërë mekanike.»
Pa dyshim, ti nuk do që shprehjet e lavdërimit të cilat ia drejton Perëndisë Jehova të jenë të ftohta dhe mekanike. Përkundrazi, dëshiron që ato të dalin nga zemra jote, të burojnë nga ndjenjat e mirënjohjes. Megjithatë, një ndjenjë nuk mund të vishet ose të zhvishet si një rrobë. Ajo duhet të burojë nga brendësia e personit. Si mund të ndihet një person mirënjohës në zemër? Psalmi i 103-të na siguron mendjehollësi në këtë aspekt.
Psalmin e 103-të e kompozoi mbreti i lashtë David. Ky psalm hapet me fjalët: «Beko Jehovain, o shpirti im, madje çdo gjë brenda meje, emrin e tij të shenjtë.» (Psalmi 103:1, BR) Një vepër referimi thotë: «Fjala beko, kur zbatohet për Perëndinë, do të thotë të lavdërosh, duke përfshirë gjithnjë një përzemërsi të madhe për të, si edhe një ndjenjë mirënjohjeje.» Duke dëshiruar ta lavdëronte Jehovain me një zemër plot dashuri e çmueshmëri, Davidi i bën thirrje shpirtit të tij, vetvetes, që të ‘bekojë Jehovain’. Por, nga lind kjo ndjenjë e ngrohtë në zemrën e Davidit për Perëndinë që adhuron?
Davidi vazhdon: «Mos i harro të gjitha bëmat e tij [të Jehovait].» (Psalmi 103:2, BR) Nga sa duket, ndjenja e mirënjohjes ndaj Jehovait lidhet me meditimin me çmueshmëri mbi «bëmat e tij». Cilat bëma të Jehovait ka veçanërisht në mendje Davidi? Duke parë krijimin e Perëndisë Jehova, si për shembull qiellin e mbuluar me yje në një natë të kthjellët, mund të të mbushet vërtet zemra me mirënjohje për Krijuesin. Qiejt plot yje e prekën thellësisht Davidin. (Psalmi 8:3, 4; 19:1) Por në Psalmin e 103-të, Davidi kujton një tjetër lloj aktiviteti të Jehovait.
Jehovai «fal të gjithë gabimin tënd»
Në këtë psalm, Davidi tregon me hollësi veprat e dashamirësisë së dashur të Perëndisë. Duke iu referuar më kryesores ndër këtyre veprave, ai këndon: ‘Jehovai fal të gjithë gabimin tënd.’ (Psalmi 103:3, BR) Patjetër që Davidi ishte i vetëdijshëm për gjendjen e tij mëkatare. Pasi profeti Natan u ballafaqua me të për marrëdhënien e tradhtisë bashkëshortore që kishte pasur me Betshebën, Davidi pranoi: «Kam mëkatuar kundër teje [Jehova], vetëm kundër teje dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu.» (Psalmi 51:4) Me zemër të thyer ai bëri lutjen: «Më trego favor, o Perëndi, sipas dashamirësisë sate të dashur. Sipas bollëkut të mëshirave të tua fshiji kundërvajtjet e mia. Më laj plotësisht nga gabimi im dhe më pastro madje edhe nga mëkati im.» (Psalmi 51:1, 2, BR) Sa mirënjohës duhet të jetë ndier Davidi që është falur! Pasi ishte një njeri i papërsosur, ai kreu mëkate të tjera në jetë, por gjithnjë u pendua, e pranoi qortimin dhe i korrigjoi udhët e tij. Meditimi mbi veprat e mrekullueshme të dashamirësisë së Perëndisë ndaj tij e shtyu Davidin që të bekonte Jehovain.
A nuk jemi edhe ne mëkatarë? (Romakëve 5:12) Edhe apostulli Pavël u ankua: «Unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?» (Romakëve 7:22-24) Sa mirënjohës mund të jemi që Jehovai nuk i mban në llogari kundërvajtjet tona! Ai i fshin ato me gëzim, kur ne pendohemi dhe kërkojmë falje.
Davidi i rikujton vetes: «[Jehovai] shëron të gjitha sëmundjet e tua.» (Psalmi 103:3) Meqenëse shërimi është një akt rivendosjeje, ai përfshin më shumë sesa faljen e keqbërjeve. Përfshin heqjen e «sëmundjeve», të pasojave të këqija të gabimit të udhëve tona. Në fakt, në botën e re që do të sjellë, Jehovai do t’i çrrënjosë pasojat fizike të mëkatit, siç janë sëmundjet dhe vdekja. (Isaia 25:8; Zbulesa 21:1-4) Gjithsesi, që sot Perëndia po na shëron nga sëmundjet tona frymore. Për disa persona, këto sëmundje përfshijnë një ndërgjegje të keqe dhe ndërprerje të marrëdhënieve me të. «Mos harro» atë që ka bërë tashmë Jehovai për secilin prej nesh personalisht në këtë aspekt.
Ai «shpengon jetën tënde»
«[Jehovai] e shpengon jetën tënde nga vetë gropa»,—këndon Davidi. (Psalmi 103:4, BR) «Vetë gropa» është varri i përbashkët i njerëzimit, Sheoli ose Hadesi. Edhe përpara se të bëhej mbret mbi Izraelin, Davidi u gjend nën kthetrat e vdekjes. Për shembull, Sauli, mbreti i Izraelit ushqente një urrejtje vrastare kundër Davidit dhe në disa raste u përpoq ta vriste. (1. Samuelit 18:9-29; 19:10; 23:6-29) Edhe filistejtë e donin të vdekur Davidin. (1. Samuelit 21:10-15) Por çdo herë Jehovai e shpengonte atë nga «vetë gropa». Sa mirënjohës duhet të jetë ndier Davidi kur kujtonte këto bëma të Jehovait!
Po ti? A të ka mbështetur Jehovai gjatë periudhave të depresionit ose në kohëra kur ke pësuar ndonjë humbje? Apo ke dëgjuar për raste kur ai ka shpenguar jetën e Dëshmitarëve besnikë nga gropa e Sheolit në kohët tona? Ndoshta je prekur kur ke lexuar tregime mbi veprat e tij të çlirimit në faqet e kësaj reviste. Pse të mos gjesh pak kohë e të meditosh me çmueshmëri mbi këto bëma të Perëndisë së vërtetë? Pastaj, sigurisht që të gjithë ne kemi arsye për të qenë mirënjohës ndaj Jehovait për shpresën e ringjalljes.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.
Jehovai na jep jetën dhe gjithçka nevojitet për ta bërë atë të kënaqshme e që t’ia vlejë të jetohet. Psalmisti deklaron se Perëndia «të kurorëzon me dashamirësi të dashur e mëshira». (Psalmi 103:4, BR) Në kohën kur kemi nevojë, Jehovai nuk na braktis, por na vjen në ndihmë me anë të organizatës së tij të dukshme dhe me anë të pleqve të emëruar ose barinjve në kongregacion. Një ndihmë e tillë na aftëson të përballojmë ndonjë situatë të mundimshme pa humbur respektin për veten dhe dinjitetin. Barinjtë e krishterë kujdesen shumë për delet. Ata inkurajojnë të sëmurët e të dëshpëruarit dhe bëjnë gjithçka munden për të rivendosur ata që kanë rënë. (Isaia 32:1, 2; 1. Pjetrit 5:2, 3; Judës 22, 23) Fryma e Jehovait i motivon këta barinj që të jenë të dhembshur e të dashur ndaj kopesë. «Dashamirësia e dashur dhe mëshira» e tij janë tamam si një kurorë që na stolis dhe na jep dinjitet! Duke mos i harruar kurrë veprat e tij, le ta bekojmë Jehovain dhe emrin e tij të shenjtë.
Duke vazhduar të këshillonte vetveten, psalmisti David këndon: «[Jehovai] po e kënaq jetën tënde me atë që është e mirë; rinia jote vazhdon të përtërihet si ajo e një shqiponje.» (Psalmi 103:5, BR) Jeta që na jep Jehovai është plot kënaqësi dhe gëzim. E pra, vetë njohja e së vërtetës është një thesar që s’ka të krahasuar dhe një burim gëzimi të jashtëzakonshëm! Shqyrto edhe se sa e kënaqshme është puna që na ka dhënë Jehovai, predikimin dhe bërjen e dishepujve. Çfarë kënaqësie është të gjesh një person të interesuar për të mësuar rreth Perëndisë së vërtetë dhe ta ndihmosh atë që ta njohë Jehovain dhe ta bekojë atë! Gjithsesi, qoftë që ndonjë në zonën tonë na dëgjon, qoftë jo, është një privilegj i madh të marrim pjesë në një vepër që lidhet me shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe me shfajësimin e sovranitetit të tij.
Ndërkohë që këmbëngulim në veprën e shpalljes të Mbretërisë së Perëndisë, kush është ai që nuk lodhet ose nuk këputet? Por Jehovai vazhdon ta ripërtërijë forcën e shërbëtorëve të tij, duke i bërë ata ‘si shqiponja’ që kanë krahë të fuqishëm dhe ngrihen në lartësi të mëdha në qiell. Sa mirënjohës mund të jemi që Ati ynë i dashur qiellor na siguron një «energji dinamike» të tillë që të vazhdojmë plot besim në shërbimin tonë ditë pas dite!—Isaia 40:29-31, BR.
Ta ilustrojmë: Klara ka një punë në kohë të plotë dhe i kushton rreth 50 orë në muaj shërbimit në fushë. Ajo thotë: «Disa herë ndihem e lodhur dhe e detyroj veten për të shkuar në shërbimin në fushë vetëm sepse kam marrë takim për të dalë me dikë. Por sapo dal në shërbim, ndihem gjithnjë e rigjallëruar.» Edhe ti mund të kesh përjetuar gjallërinë që vjen nga mbështetja hyjnore në shërbimin e krishterë. Qofsh edhe ti i nxitur për të thënë, siç tha Davidi në fjalët hapëse të psalmit të tij: «Beko Jehovain, o shpirti im, madje çdo gjë brenda meje, emrin e tij të shenjtë.»
Jehovai e çliron popullin e tij
Psalmisti këndon, gjithashtu: «Jehovai po ekzekuton vepra drejtësie dhe vendime gjyqësore për të gjithë ata që po i mashtrojnë. Ai ia bëri të njohura udhët e tij Moisiut, madje si sillet me bijtë e Izraelit.» (Psalmi 103:6, 7, BR) Ka të ngjarë që Davidi po mendon për ‘mashtrimin’ e izraelitëve nën shtypësit egjiptianë në ditët e Moisiut. Meditimi mbi mënyrën se si Jehovai ia bëri të njohura Moisiut udhët e tij të çlirimit, duhet të ketë lindur një ndjenjë mirënjohjeje në zemrën e Davidit.
Ne mund të arrijmë të kemi një mirënjohje të ngjashme, duke medituar mbi mënyrën se si sillej Perëndia me izraelitët. Por nuk duhet të harrojmë edhe meditimin mbi përvojat e shërbëtorëve të Jehovait në ditët moderne, si ato që përmenden në kapitujt 29 dhe 30 të librit Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, anglisht. Ngjarjet e dokumentuara aty dhe në botime të tjera të Shoqatës Watch Tower na mundësojnë të shohim se si e ka ndihmuar Jehovai popullin e tij në kohët moderne për të duruar burgimin, veprimet e turmave të irrituara, ndalimet, kampet e përqendrimit dhe kampet e punës së detyruar. Ka pasur sprova në vende të përçara nga lufta, si në Burundi, Liberi, Ruanda dhe në ish-Jugosllavi. Kurdo që ka ndodhur persekutim, dora e Jehovait i ka mbështetur gjithnjë shërbëtorët e tij besnikë. Meditimi mbi këto bëma të Perëndisë tonë të madh, Jehovait, mund të ketë te ne të njëjtin efekt që pati për Davidin meditimi mbi ngjarjen e çlirimit nga Egjipti.
Shqyrto edhe se me sa butësi na çliron Jehovai nga barra e mëkatit. Ai na ka siguruar ‘gjakun e Krishtit’ për të ‘pastruar ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura’. (Hebrenjve 9:14) Kur pendohemi për mëkatet tona dhe kërkojmë falje në bazë të gjakut që derdhi Krishti, Perëndia i largon prej nesh kundërvajtjet tona «aq larg sa është lindja e diellit nga perëndimi i diellit» dhe na rivendos në favorin e tij. Mendo edhe për masat që ka marrë Jehovai në formën e mbledhjeve të krishtere, të shoqërisë ndërtuese, të barinjve në kongregacion dhe të botimeve të bazuara në Bibël që i marrim nëpërmjet «skllavit të besueshëm e të matur». (Mateu 24:45, BR) A nuk na ndihmojnë të gjitha këto vepra të Jehovait për të forcuar marrëdhënien tonë me të? Davidi shpall: «Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur. . . . Ai nuk ka vepruar me ne sipas mëkateve tona; as nuk ka sjellë mbi ne atë që meritojmë sipas gabimeve tona.» (Psalmi 103:8-14, BR) Meditimi mbi kujdesin e dashur të Jehovait patjetër që mund të na nxitë ta lavdërojmë atë dhe të lartësojmë emrin e tij të shenjtë.
«Bekoni Jehovain, të gjitha ju veprat e tij»
Në krahasim me pavdekësinë e Jehovait «Perëndisë së përjetësisë», «ditët» e «njerëzve të vdekshëm» janë vërtet të shkurtra, «si ato të barit të gjelbër». Por Davidi shpreh me çmueshmëri: «Dashamirësia e dashur e Jehovait është nga koha e pacaktuar madje deri në kohë të pacaktuar ndaj atyre që i druhen atij dhe drejtësia e tij te bijtë e bijve, ndaj atyre që mbajnë besëlidhjen e tij dhe ndaj atyre që i kujtojnë urdhrat e tij me qëllim që t’i kryejnë ato.» (Zanafilla 21:33; Psalmi 103:15-18, BR) Jehovai nuk i harron ata që i druhen atij. Në kohën e duhur, ai do t’u japë atyre jetën e përhershme.—Gjoni 3:16; 17:3.
Duke shprehur çmueshmërinë e tij për mbretërimin e Jehovait, Davidi thotë: «Vetë Jehovai e ka vendosur fort fronin e tij në vetë qiejt dhe çdo gjë mbretërimi i tij ka mbajtur nën pushtet.» (Psalmi 103:19, BR) Ndonëse për njëfarë kohe mbretërimi i Jehovait u shpreh në mënyrë të dukshme nëpërmjet mbretërisë së Izraelit, froni i tij aktualisht është në qiell. Duke qenë Krijuesi, Jehovai është Sundimtari Sovran i universit dhe e ushtron vullnetin e tij hyjnor në qiell dhe në tokë, sipas qëllimeve të tij.
Davidi u bën thirrje edhe krijesave qiellore engjëllore. Ai këndon; «Bekoni Jehovain, o ju engjëjt e tij, të fuqishëm në forcë, që kryeni fjalën e tij, duke e dëgjuar zërin e fjalës së tij. Bekoni Jehovain, të gjitha ju ushtritë e tij, ju shërbëtorët e tij, që bëni vullnetin e tij. Bekoni Jehovain, të gjitha ju veprat e tij, në vendet e sundimit të tij. Beko Jehovain, o shpirti im.» (Psalmi 103:20-22, BR) A nuk duhet të na nxitë edhe ne meditimi mbi veprat e dashamirësisë së dashur të Jehovait ndaj nesh, që ta bekojmë atë? Patjetër që po! Mund të jemi të sigurt se tingulli i zërit tonë që lavdëron Perëndinë në mënyrë personale nuk do të humbë mes korit të fuqishëm të lavdëruesve që përfshin edhe vetë engjëjt e drejtë. Le ta lavdërojmë me gjithë zemër atin tonë qiellor, duke folur gjithnjë mirë për të! Vërtet, le t’i marrim për zemër fjalët e Davidit: «Beko Jehovain, o shpirti im.»
[Shënimi]
a Disa emra janë ndryshuar.
[Figura në faqen 23]
Davidi meditoi mbi veprat e dashamirësisë së dashur të Jehovait. Po ti?