Në Namibi ka xhevahire të gjalla!
NAMIBIA shtrihet rreth 1.500 kilometra përgjatë bregut jugperëndimor të Afrikës. I gjithë bregdeti i vendit përbëhet nga duna rëre, kodra shkëmbore dhe rrafshnalta të mëdha zhavorri. Në brigjet zallore të Namibisë, përzier me gurët e tjerë ka edhe gurë të çmuar me çdo ngjyrë të imagjinueshme. Disa herë aty gjenden edhe diamante. Por vendi ka diçka shumë më të çmuar se këta gurë. Namibia ka xhevahire të gjalla: njerëzit e grupeve të saj të shumta kombëtare.
Banorët më të hershëm të Namibisë flitnin një familje gjuhësh të quajtur khoisan. I foluri i tyre njihej për tingujt kërcitës. Ndër njerëzit që sot flasin gjuhën khoisan janë fisi Damara me lëkurë të zeshkët, njerëzit me lëkurë të çelur e trup të shkurtër të fisit Nama dhe gjahtarët e famshëm të fisit Bushman. Në shekujt e fundit, në Namibi kanë ardhur edhe shumë fise me ngjyrë të zezë. Këto klasifikohen në tri grupe kryesore kombëtare: Ovambo (grupi më i madh etnik në Namibi), Herero dhe Kavango. Evropianët filluan të vendosen në Namibi gjatë shekullit të 19-të. Pas zbulimit të diamanteve në rërën e shkretëtirës, aty mbërritën akoma më shumë emigrantë.
Banorët e Namibisë janë të çmuar, sepse bëjnë pjesë në botën e përbërë nga njerëzimi, për të cilën Perëndia dha Birin e tij, duke hapur në këtë mënyrë udhën për jetën e përhershme. (Gjoni 3:16) Qindra namibianë nga shumë fise, tashmë i janë përgjigjur mesazhit të shpëtimit. Këta mund të krahasohen me xhevahire të gjalla, sepse janë mes ‘gjërave të dëshirueshme të të gjitha kombeve’, që tani po mblidhen në shtëpinë e adhurimit të Jehovait.—Hageu (Hagai) 2:7, BR.
Fillon gërmimi frymor
Gërmimet për të gjetur xhevahirët frymorë në Namibi filluan në vitin 1928. Gjatë atij viti, Dega e Shoqatës Watch Tower në Afrikën e Jugut dërgoi 50.000 copë literaturë biblike për njerëzit e shpërndarë nëpër të gjithë vendin. Vitin që pasoi, një e krishterë e mirosur nga Afrika e Jugut, me emrin Lini Teron, ndoqi interesin që ishte shfaqur. Për katër muaj, ajo përshkoi e vetme të gjithë vendin, duke shpërndarë 6.000 mjete ndihmëse për studimin e Biblës në gjuhët: afrikane, angleze dhe gjermane. E gjithë kjo punë patjetër që nuk ishte e kotë.
Për shembull, të marrim rastin e Bernard Bades, një minator gjerman. Në vitin 1929, ai merrte vezë nga një fermer, i cili e mbështillte çdo vezë me një fletë nga një botim i Watch Tower-it. Bernardi e lexonte çdo fletë me zell, duke pyetur veten se kush e kishte shkruar librin. Përfundimisht mori fletën e fundit, ku jepej një adresë gjermane e Shoqatës Watch Tower. Bernardi shkroi për më shumë literaturë dhe u bë namibiani i parë që mori qëndrim për të vërtetën.
Mbërrijnë punëtorë në kohë të plotë
Në vitin 1950, në Namibi mbërritën katër misionarë të stërvitur në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Në vitin 1953, numri i misionarëve arriti në tetë. Ndër ta përfshiheshin Dik dhe Korali Uolldron, një çift australian, të cilët shërbejnë ende këtu me besnikëri. Shumë lajmëtarë të tjerë të Mbretërisë në shërbim të plotkohor, nga Afrika e Jugut dhe nga vende të tjera kanë marrë pjesë, gjithashtu, në gërmimin për xhevahire frymorë në Namibi. Atje janë dërguar misionarë të tjerë, si edhe të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim.
Një faktor tjetër që i kontribuon rritjes frymore në Namibi ka qenë përkthimi dhe botimi i literaturës biblike në gjuhët kryesore vendase, siç janë: herero, kvangali, kvaniama, nama/damara dhe ndonge. Duke filluar në vitin 1990, në kryeqytetin e Namibisë, në Uind’hok, ka filluar veprimtarinë një zyrë përkthimi e shkëlqyer dhe një shtëpi për punëtorët vullnetarë në kohë të plotë. Karen Depish, e cila ka marrë pjesë së bashku me të shoqin në veprën e ungjillëzimit në kohë të plotë, në pjesë të ndryshme të Namibisë, thotë: «Shumë veta mahniten kur u ofrojmë literaturë në gjuhën e tyre, e veçanërisht kur në atë gjuhë të veçantë ka shumë pak libra, të cilitdo lloj qofshin.»
Xhevahiret lëmohen
Disa nga xhevahiret e mirëfilltë të Namibisë janë lëmuar nga lëvizja e dallgëve dhe e rërës për mijëvjeçarë të tërë. Por sigurisht, ky proces natyror nuk prodhon xhevahire të gjalla. Njerëzve të papërsosur u duhen përpjekje që të ‘zhveshin personalitetin e vjetër’ dhe të veshin një personalitet të ri ngjashëm atij të Krishtit. (Efesianëve 4:20-24, BR) Për shembull, mes fiseve të shumta të Namibisë ekziston një traditë e fortë e adhurimit të të parëve të vdekur. Ata që nuk kryejnë aktet e adhurimit të të parëve, shpesh persekutohen nga familjarët dhe nga fqinjët. Të gjithë individët që mësojnë nga Bibla se të vdekurit «nuk janë të vetëdijshëm për asgjë», hasin më pas një sprovë. (Eklisiastiu [Predikuesit] 9:5, BR) Në ç’mënyrë?
Një Dëshmitar nga fisi Herero shpjegon: «Ishte një sfidë e madhe t’i bindesha së vërtetës. Unë pranova të studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, por m’u desh kohë për t’i zbatuar gjërat që po mësoja. Së pari, duhej të provoja nëse do të ishte i sigurt për mua mospraktikimi i besimeve tradicionale. Për shembull, kaloja me makinë në disa vende të Namibisë pa ndaluar për të vendosur gur në ndonjë varr ose pa ngritur kapelen për të përshëndetur të vdekurin. Gradualisht, u binda se nuk do të më ndodhte asgjë për faktin se nuk kisha adhuruar të parët e vdekur. Sa i lumtur jam që Jehovai i ka bekuar përpjekjet e mia për të ndihmuar familjen dhe persona të tjerë të interesuar që të mësojnë të vërtetën!»
Nevoja për gërmues frymorë
Para se të mbërrinin misionarët, në vitin 1950, në Namibi kishte vetëm një lajmëtar të lajmit të mirë. Numri është rritur vazhdimisht deri në një maksimum prej 995 lajmëtarësh. Megjithatë, mbetet akoma shumë punë për të bërë. Në fakt, disa rajone zor se janë prekur me lajmin e mirë. A ke mundësi të shërbesh atje ku nevoja për lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë është e madhe? Atëherë, të lutemi, kalo në Namibi dhe na ndihmo të gjejmë dhe të lëmojmë xhevahire të tjerë frymorë!—Krahaso Veprat 16:9.
[Harta dhe figurat në faqen 26]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
AFRIKA
NAMIBIA
[Figurat]
Namibia është një vend me xhevahire të bukura
[Burimet]
Maps: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.; Diamante: Me mirësjellje nga Namdek Diamond Corporation
[Figurat në faqen 26]
Lajmi i mirë po u predikohet të gjitha grupeve etnike të Namibisë
[Figura në faqen 28]
A mund të shërbesh atje ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë është më e madhe?