Gjejnë paqe të vërtetë në një vend me trazira
«Përbindëshi i dhunës sektare është krejtësisht jashtë kafazit»,—thuhej në një raport në vitin 1969. Kjo ishte koha kur filluan të shtoheshin Trazirat, periudha aktuale e çrregullimit në Irlandën e Veriut.
DHUNA sektare dhe vrasjet u bënë një gjë normale e çdo dite dora-dorës që vrasësit protestantë dhe katolikë, «njerëzit e egër të të dyja palëve» të ndarjeve politike dhe fetare, e intensifikuan luftën për të sunduar në Irlandë. Që nga ajo kohë, The Irish Times raporton se «janë vrarë më shumë se 3.600 njerëz dhe janë gjymtuar mijëra të tjerë gjatë pothuajse 30 vjetëve të dhunës».
Sigurisht, kjo nuk është një luftë e re. Ajo e ka plagosur Irlandën për shekuj të tërë. Vitet e fundit, pasojat e saj më vdekjeprurëse janë ndier në Irlandën e Veriut, por njerëzve kudo në Irlandë u është shkatërruar jeta nga hidhërimi dhe nga mosmarrëveshjet që ka krijuar kjo luftë.
Në rrethana të tilla, ka më shumë se njëqind vjet që Dëshmitarët e Jehovait po e drejtojnë vëmendjen nga zgjidhja e vërtetë për problemet që kanë pllakosur këtë vend me trazira. Kjo zgjidhje është Mbretëria e Perëndisë në dorën e Jezu Krishtit. (Mateu 6:9, 10) Në fillim të periudhës së Trazirave, në vitin 1969, në Irlandë kishte 876 Dëshmitarë të Jehovait. Tani, atje ka mbi 4.500 Dëshmitarë, në më shumë se 100 kongregacione. Ja disa përvoja nga persona që i kanë kthyer shpinën aktiviteteve politike dhe ato të paraushtarakëve.
«Kur të rritem, do të futem në IRA!»
Majkëllia u rrit si katolik në Republikën e Irlandës. Në shkollë iu mësua diçka nga historia e Irlandës dhe nga konflikti i saj shumëshekullor me Britaninë. Që fëmijë, ai zhvilloi një urrejtje të madhe për anglezët, të cilët i konsideronte si «shtypësit e popullit irlandez». Kur ishte dhjetë vjeç, ai i tha gjyshes: «Kur të rritem, do të futem në IRA!» (Ushtria Republikane Irlandeze) «Më dha një shpullë në fytyrë që e mbaj mend edhe sot e kësaj dite»,—thotë ai. Më vonë mësoi se gjatë Luftës I Botërore, gjyshi i tij kishte qenë në ushtrinë britanike. Për këtë arsye, një herë gjyshes i ishte dashur ta mbronte të shoqin, duke qëndruar përpara tij, për të mos i lënë anëtarët e IRA-s ta vritnin me armë.
Megjithatë, kur u rrit Majkëlli donte të bënte diçka për të ndihmuar katolikët e tjerë në Irlandën e Veriut. «Në atë kohë, më dukej,—thotë ai,—se të vetmit njerëz që po bënin ç’të mundnin për të ndihmuar popullin katolik në Irlandën e Veriut ishin ata të IRA-s.» I frymëzuar nga ajo që e konsideroi si një kauzë të drejtë, ai u bë anëtar i IRA-s dhe u stërvit për përdorimin e armëve. Dy shokë dhe një shoqe e tij u vranë nga paraushtarakët protestantë në Irlandën e Veriut.
Me kalimin e kohës Majkëlli u zhgënjye nga lufta e paraushtarakëve, pasi e shqetësonin, për shembull, grindjet e ashpra që kishin me njëri-tjetrin këto grupe. Ndërsa ishte në burg për shkelje të ligjit në lidhje me aktivitetin e IRA-s, ai iu lut Perëndisë që ta ndihmonte për të gjetur udhën e vërtetë drejt paqes së qëndrueshme dhe drejtësisë. Ca kohë më vonë, Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën e tij. Megjithatë, paragjykimet e vjetra i krijuan pengesa. Dëshmitarët ishin anglezë. Urrejtja e tij e rrënjosur thellë ia bënte të vështirë të dëgjonte. «Jo gjithnjë i mirëpritja,—thotë ai,—por ata këmbëngulën duke më bërë vizita e duke më folur dhe fillova të kuptoja se Mbretëria e Perëndisë do t’i sillte fundin tërë padrejtësive politike dhe shoqërore për të cilat po luftoja për t’i çrrënjosur.»—Psalmi 37:10, 11; 72:12-14.
Situata arriti kulmin një mbrëmje, kur Majkëlli takoi komandantin e tij të IRA-s, i cili i tha: «Kemi një punë për ty.» «E ndjeva se duhet të bëja një zgjedhje aty në moment,—thotë Majkëlli,—prandaj, mora frymë thellë dhe i thashë: ‘Tani unë jam Dëshmitar i Jehovait’, edhe pse në atë kohë nuk isha pagëzuar. Thjesht, e dija se dëshiroja të isha shërbëtor i Jehovait.» «Duhet të të vëmë pas një muri e të të pushkatojmë»,—iu përgjigj komandanti. Por, pavarësisht nga kërcënimi, Majkëlli u largua nga IRA. Guximin për ta bërë këtë e mori duke i lënë fjalët e Jehovait të ndikonin në mendjen e në zemrën e tij. «Me kohë, edhe gruaja ime, si edhe disa nga fëmijët ia dedikuan jetën Jehovait. Tani kemi paqe të vërtetë në zemër. Do t’i jemi gjithnjë mirënjohës Jehovait që na dha mundësi të mësonim të vërtetën dhe të merrnim pjesë në përhapjen e një mesazhi paqësor në një vend me trazira.»—Psalmi 34:14; 119:165.
Të jesh asnjanës është një mbrojtje e vërtetë
«U rrita në fshat, në krahinën Derry të Irlandës së Veriut,—thotë Patriku.—Kur isha fëmijë, nuk njihja asgjë tjetër përveç Trazirave. Ai ambient patjetër ndikoi në pikëpamjet dhe në mendimet e mia.» Patriku fitoi pikëpamje ekstremiste të ndikuara nga nacionalizmi keqdashës dhe nga paragjykimet e thella anti-britanike. Ai pa njerëz fetarë të të dyja palëve të luftës politike të shkelnin parime themelore të krishtere, si edhe parimet e mirësjelljes bazë njerëzore. Për pasojë, u largua nga feja, duke u bërë përfundimisht ateist dhe marksist i flaktë.—Krahaso Mateun 15:7-9; 23:27, 28.
«Kujtimet më të hershme që kam, janë grevat e urisë së të burgosurve republikanë në Veri,—thotë Patriku.—Ato ndikuan shumë tek unë. Mbaj mend se vendosja flamuj irlandezë dhe bëja slogane anti-britanike kudo që të mundja. Edhe pse isha vetëm 15 vjeç, isha rojë në funeralin e njërit prej grevistëve të urisë që vdiq në burg.» Ashtu si shumë të tjerë që u ngatërruan në trazirën dhe pështjellimin e kohëve, Patriku mori pjesë në kryengritje dhe marshime proteste, duke ndjekur atë që e konsideronte si drejtësi dhe barazi shoqërore. Lidhi miqësi të ngushta me një numër nacionalistësh ekstremistë, shumë prej të cilëve i kishin burgosur autoritetet britanike.
«Më pas,—thotë Patriku,—për arsye ekonomike jetova për ca kohë në Angli. Kur isha atje, policia britanike arrestoi një nga miqtë e mi, i cili kishte si mision të vendoste një bombë.» Edhe pse ishte ende simpatizant i madh i kauzës nacionaliste, Patriku filloi ta ndryshonte qëndrimin e tij. Ai filloi të kuptonte se paragjykimet që kishte kundër gjithë popullit anglez në themel ishin të pabazuara. «Gjithashtu, fillova të kuptoj,—thotë ai,—se aktiviteti i paraushtarakëve nuk do t’i zgjidhte kurrë me të vërtetë problemet e të hiqte padrejtësitë që më shqetësonin. Mes atyre që drejtonin organizatat e paraushtarakëve kishte tepër korrupsion dhe të meta të tjera.»—Predikuesi 4:1; Jeremia 10:23.
Me kalimin e kohës, Patriku u kthye në Irlandën e Veriut. «Kur u ktheva, një shok më prezantoi me Dëshmitarët e Jehovait.» Nga studimi i Biblës me Dëshmitarët, Patriku filloi të kuptonte zgjidhjen e vërtetë të konfliktit dhe të mosmarrëveshjeve të njerëzve. Ai bëri përparim të shpejtë frymor, pasi parimet e Biblës ndikuan në mendjen dhe në zemrën e tij. (Efesianëve 4:20-24) «Tani,—thotë ai,—në vend që të komplotoj për të përmbysur rregullin ekzistues, po predikoj mesazhin e paqes që ofron Bibla, madje edhe në zonat lojaliste, ku nuk do të kisha rrezikuar të shkoja kurrë më parë. Në fakt, në një kohë kur në Belfast kishte shumë vrasje sektare, të vetmit që mund të lëviznin lirisht pa makina të blinduara në zonat lojaliste dhe në ato nacionaliste ishin Dëshmitarët e Jehovait.» Ashtu si Dëshmitarët e tjerë në Irlandën e Veriut gjatë kësaj kohe, ai pa se të jesh asnjanës, pikërisht siç ishin të krishterët e parë, është një mbrojtje e vërtetë. (Gjoni 17:16; 18:36) Ai e mbyll tregimin: «Ndihesh kaq i çliruar kur kupton se Jehovai, nëpërmjet Jezu Krishtit, do të sigurojë drejtësinë dhe lirinë e vërtetë nga shtypja për gjithë njerëzimin!»—Isaia 32:1, 16-18.
«Armët ishin e vetmja mbrojtje për mua»
«Unë u rrita në palën tjetër të ndarjes politike dhe fetare,—thotë Uilliami.—M’u ngulitën në mendje paragjykimet protestante dhe ndieja një urrejtje të madhe për çdo gjë katolike. Nëse ishte e mundur, u rrija larg edhe dyqaneve katolike dhe Republikën e Irlandës e vizitova vetëm një herë. U përfshiva në disa grupe dhe institucione protestante si Urdhri Orange, një organizatë që i është përkushtuar ruajtjes së fesë dhe të mënyrës së jetesës protestante.» Në moshën 22-vjeçare, Uilliami u fut në Regjimentin e Mbrojtjes Ulster, një pjesë e ushtrisë britanike e rekrutuar në vend. Shumica e pjesëtarëve të saj ishin protestantë. Ai ishte shumë i gatshëm të vriste për të mbrojtur trashëgiminë e tij. «Zotëroja disa armë dhe nuk do të kisha ngurruar t’i përdorja, po të ishte e nevojshme. Një e mbaja poshtë jastëkut kur flija.»
Por, më pas ndodhi diçka që shënoi një pikë kthese. «Kur po punoja së bashku me një Dëshmitar të Jehovait për të meremetuar një shtëpi të vjetër, fillova të kuptoja se Dëshmitarët e Jehovait kishin diçka të veçantë. Ky punëtor pati një ndikim të thellë tek unë. Ndërsa meremetonim shtëpinë së bashku, i bëja shumë pyetje që më shqetësonin rreth Trazirave, fesë dhe rreth Perëndisë. Përgjigjet e tij të thjeshta e të qarta më ndihmuan t’i shihja Dëshmitarët e Jehovait ashtu siç janë në të vërtetë: një grup njerëzish të bashkuar, jo të dhunshëm, asnjanës nga ana politike, që dallohen nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin.»—Gjoni 13:34, 35.
Brenda katër muajsh pasi filloi një studim biblik, Uilliami dha dorëheqjen nga të gjitha institucionet fetare dhe politike me të cilat ishte shoqëruar. «Ky ishte një hap i madh për mua,—kujton ai,—sepse m’u desh të hiqja dorë nga shumë tradita të lashta që i kisha çmuar.» Megjithatë, sprova më e madhe ende duhej të vinte. «Për shkak të situatës në Irlandën e Veriut, mendoja se e vetmja mbrojtje që kisha, ishin armët e mia. Paraushtarakët e IRA-s më konsideronin një ‘shënjestër legjitime’. Prandaj, e kisha shumë të vështirë t’i dorëzoja këto armë.» Gjithsesi, këshillat biblike, si ajo që gjendet te Isaia 2:2-4, gradualisht e ndryshuan pikëpamjen e tij. Ai e kuptoi se në fund të fundit mbrojtja e tij e vërtetë ishte Jehovai, ashtu siç kishte qenë për të krishterët e shekullit të parë. Kështu, Uilliami i dorëzoi armët.
«Një nga gjërat për të cilat jam vërtet i kënaqur,—thotë Uilliami,—është se tani kam miqësi të forta e të qëndrueshme me njerëz që më përpara do t’i kisha konsideruar si armiq për vdekje. Gjithashtu, është vërtet burim gëzimi që mund ta çoj mesazhin e shpresës që gjendet në Bibël në ato vende që më përpara ishin ‘zona mos shkel’ për mua. Duke medituar për atë që ka bërë e vërteta me mua dhe familjen time, i jam përjetësisht mirënjohës Jehovait dhe organizatës së tij.»
«Gjërat s’kishin asnjë kuptim»
Roberti dhe Tereza vijnë nga mjedise krejt të ndryshme shoqërore. «Unë vij nga një familje e përkushtuar protestante,—thotë Roberti.—Disa nga të afërmit e mi kanë qenë të përfshirë në aktivitetet e paraushtarakëve. Unë vetë, në moshën 19-vjeçare, u futa në Regjimentin e Mbrojtjes Ulster të ushtrisë britanike. Pjesën më të madhe të asaj kohe e kaloja duke patrulluar në zonat ku jetonte Tereza. Një natë më ndryshuan caktimin, nga një patrullë e rregullt në një detyrë tjetër. Atë natë, Lend-Roveri ku duhej të kisha qenë unë duke udhëtuar, u hodh në erë. Dy ushtarë vdiqën dhe dy të tjerë u plagosën.»
Roberti filloi të pyeste veten për domethënien e jetës. «Gjithnjë kisha besuar te Perëndia, por kur hidhja sytë në Irlandën e Veriut, gjërat s’kishin asnjë kuptim. Prandaj, fillova t’i lutesha Perëndisë. E pyeta nëse ai ekzistonte me të vërtetë dhe i kërkova që nëse ekzistonte, të më tregonte mënyrën e drejtë për të jetuar. Mbaj mend se i thashë Perëndisë që diku duhej të ekzistonte një fe e vërtetë.» Vetëm disa ditë më vonë, një Dëshmitar i Jehovait i bëri vizitë Robertit dhe i la literaturë. Kur erdhi në shtëpi, në mbrëmje vonë pas patrullimit, Roberti filloi ta lexonte literaturën dhe e mbaroi në orën pesë të mëngjesit. «Menjëherë e njoha tingullin e së vërtetës,—thotë ai,—dhe arrita të kuptoja se çdo gjë vinte drejtpërdrejt nga Bibla.» (2. Timoteut 3:16) Ai filloi një studim biblik dhe brenda një kohe të shkurtër ia dedikoi jetën Perëndisë.
«Dëshmitarët na drejtonin gjithnjë te Bibla»
Nga ana tjetër, Tereza vinte nga një familje katolike, me prirje të thella nacionaliste. «Kur isha ende një vajzë e re, u futa në organizatën Sinn Fein.»b Tereza pranon: «Kjo gjë bëri që të përfshihesha në mbështetjen që iu dha aktivitetit të paraushtarakëve. Ndihmoja në mbledhjen e fondeve për luftën ushtarake. E mbaja të informuar IRA-n për atë që ndodhte në zonën time. Gjithashtu, merrja pjesë në demonstrata dhe sulme me gurë kundër policisë dhe patrullave të ushtrisë.»
Kur disa në familjen e Terezës filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, edhe asaj i lindi kureshtja. Fuqia e Fjalës së Perëndisë ndikoi shumë tek ajo. «Dëshmitarët na drejtonin gjithnjë te Bibla, për të marrë përgjigjen e pyetjeve tona,—thotë ajo.—Premtimi i Danielit 2:44 na i hapi vërtet sytë. E kuptova se Mbretëria e Perëndisë ishte mjeti i vërtetë për të hequr të gjitha padrejtësitë kundër të cilave po luftoja.» Gjithnjë e më shumë, ajo filloi të ndiente neveri për disa nga mizoritë e kryera nga paraushtarakët. Për shembull, Tereza nuk e kuptonte dot se përse dikush me ndjenja dhembshurie e mirësjelljeje, do të kënaqej kur të dëgjonte për një aksion terrorist, ku ishin vrarë a gjymtuar ushtarë ose të tjerë, dhe familjet ishin shkatërruar nga pikëllimi e dhimbja. Edhe ajo reagoi mirë ndaj së vërtetës së Biblës dhe lejoi që parimet e Perëndisë të rregullonin mënyrën e saj të të menduarit. Ia dedikoi jetën Perëndisë dhe pas pak kohësh u pagëzua.—Fjalët e urta 2:1-5, 10-14.
Tereza e takoi Robertin kur të dy ndiqnin mbledhjet në një nga kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Irlandën e Veriut. Ajo komenton: «Kur u takova për herë të parë me Robertin, mezi arrita ta besoja se po flitja me kaq qetësi dhe në mënyrë paqësore me dikë, të cilin deri kohët e fundit do ta kisha konsideruar si pjesë të makinës britanike të luftës. Fjala e Perëndisë patjetër më kishte ndihmuar të çrrënjosja urrejtjet dhe paragjykimet e rrënjosura thellë.» Ajo dhe Roberti panë se, në vend që të ishin të ndarë nga urrejtjet dhe paragjykimet e krijuara nga traditat dhe kulturat e tyre të ndryshme, ata kishin tani shumë gjëra të përbashkëta. Më e fuqishmja ndër to ishte dashuria për Perëndinë Jehova. Ata u martuan dhe tani po punojnë së bashku për t’u çuar mesazhin e paqes së vërtetë nga Perëndia, njerëzve të të gjitha mjediseve shoqërore dhe besimeve në këtë vend me trazira.
Edhe të tjerë në Irlandë kanë pasur përvoja të ngjashme. Duke dëgjuar dhe duke pranuar mësimet e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, ata janë larguar nga ‘filozofitë dhe mashtrimet e kota’ të njerëzve. (Kolosianëve 2:8) Tani kanë siguri të plotë në premtimet e Perëndisë të dokumentuara në Bibël. Ata janë të lumtur të ndajnë me këdo që ka dëshirë të dëgjojë, shpresën e tyre për një të ardhme paqësore, një e ardhme që do të jetë plotësisht e lirë nga dhuna sektare dhe nga llojet e tjera të dhunës.—Isaia 11:6-9.
[Shënimet]
a Emrat janë ndryshuar.
b Një parti politike e lidhur ngushtë me IRA-n Provizore.
[Figurat në faqen 10]
Kudo në Irlandën e Veriut, luftës së paraushtarakëve i është thurur lavdi me vizatime në mure