Jehovai—Ai që është energjik në fuqi
«Falë bollëkut të energjisë dinamike, duke qenë se ai është edhe energjik në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.»—ISAIA 40:26, BR.
1, 2. (a) Nga cili burim fizik fuqie varemi të gjithë ne? (b) Shpjegoni përse Jehovai është në thelb Burimi i tërë fuqisë.
FUQIA është një gjë që shumë prej nesh e marrin si diçka të zakonshme. Për shembull, ndoshta mendojmë fare pak për fuqinë që vjen në formën e energjisë elektrike dhe na jep dritë e nxehtësi ose për rehatinë që kemi kur vëmë në prizë pajisjet elektrike. Vetëm ndërprerja e papritur e energjisë na bën të kuptojmë se pa energji elektrike, qytetet që ka ndërtuar njeriu praktikisht do të pushonin së funksionuari. Pjesa më e madhe e energjisë elektrike, nga e cila varemi, vjen në mënyrë të tërthortë nga burimi më i besueshëm i fuqisë për tokën: nga dielli.a Çdo sekondë, ky reaktor diellor konsumon pesë milionë tonelata karburant bërthamor, duke derdhur mbi tokë energjinë që mbështet jetën.
2 Nga vjen e gjithë kjo fuqi diellore? Kush e ndërtoi këtë central elektrik qiellor? Ishte Perëndia Jehova. Duke iu referuar atij, te Psalmi 74:16 thuhet: «Ti vetë e përgatite ndriçuesin, po, diellin.» (BR) Tamam, Jehovai është Burimi suprem i tërë fuqisë, pikërisht siç është edhe Burimi i tërë jetës. (Psalmi 36:9) Fuqinë e tij nuk duhet ta konsiderojmë kurrë si diçka të zakonshme. Nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai na kujton që të ngremë kokën dhe të shohim trupat qiellorë, si diellin dhe yjet, e të meditojmë se si erdhën në ekzistencë ata. «Ngriji sytë lart dhe shiko. Kush i ka krijuar këto gjëra? Është Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre madje edhe sipas numrit, të cilat ai i thërret të gjitha në emër. Falë bollëkut të energjisë dinamike, duke qenë se ai është edhe energjik në fuqi, nuk mungon asnjë prej tyre.»—Isaia 40:26, BR; Jeremia 32:17.
3. Si nxjerrim dobi nga shfaqjet e fuqisë së Jehovait?
3 Meqë Jehovai është energjik në fuqi, mund të jemi të sigurt se dielli do të vazhdojë të na japë dritën dhe nxehtësinë, nga të cilat varet jeta jonë. Megjithatë, ne mbështetemi në fuqinë e Perëndisë për shumë më tepër gjëra, sesa thjesht për nevojat fizike bazë. Shpengimi nga mëkati dhe nga vdekja, shpresa jonë për të ardhmen dhe siguria që kemi te Jehovai, lidhen që të gjitha në mënyrë të pandashme me fuqinë që ushtron ai. (Psalmi 28:6-9; Isaia 50:2) Bibla është plot me shembuj që dëshmojnë për fuqinë e Jehovait për të krijuar dhe për të shpenguar, për të shpëtuar popullin e tij dhe për të shkatërruar armiqtë e tij.
Fuqia e Perëndisë shfaqet në krijim
4. (a) Çfarë ndikimi pati Davidi duke soditur qiellin gjatë natës? (b) Çfarë zbulojnë trupat qiellorë për fuqinë hyjnore?
4 Apostulli Pavël shpjegoi se ‘fuqia e përjetshme’ e Krijuesit tonë ‘është e dukshme nëpërmjet veprave të tij’. (Romakëve 1:20) Shekuj më parë, psalmisti David, i cili kur ishte bari duhet ta ketë vëzhguar shpesh qiellin gjatë natës, kuptoi madhështinë e universit dhe fuqinë e Bërësit të tij. Ai shkroi: «Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur, çfarë është njeriu, që ta mbash mend dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?» (Psalmi 8:3, 4) Pavarësisht se kishte njohuri të kufizuar për trupat qiellorë, Davidi e kuptoi se ishte shumë i parëndësishëm në krahasim me Krijuesin e universit tonë të paanë. Sot, astronomët dinë shumë më tepër rreth pafundësisë së universit dhe rreth fuqisë që e mban atë. Për shembull, ata na thonë se çdo sekondë, dielli ynë lëshon një sasi energjie që është e barabartë me shpërthimin e 100 miliardë megaton tritoli.b Në tokë vjen një pjesë shumë e vogël e kësaj energjie, e megjithatë ajo mjafton për të mbështetur çdo lloj jete në planetin tonë. Por dielli ynë nuk është aspak ylli më i fuqishëm në qiej. Disa yje rrezatojnë vetëm në një sekondë energjinë që rrezaton dielli në një ditë të tërë. Imagjinoni, atëherë, fuqinë që ka në dispozicion Ai që krijoi trupa të tillë qiellorë! Me të drejtë Eliu thirri: «Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia.»—Jobi 37:23.
5. Çfarë dëshmie për forcën e Jehovait gjejmë te veprat e tij?
5 Nëse i ‘kërkojmë veprat e Zotit’ siç bëri Davidi, do të shohim dëshmi të fuqisë së tij kudo: tek erërat dhe te dallgët, te vetëtimat dhe te bubullimat, te lumenjtë e fuqishëm dhe te malet hijerënda. (Psalmi 111:2; Jobi 26:12-14) Për më tepër, siç ia kujtoi Jehovai Jobit, edhe kafshët dëshmojnë për forcën e Tij. Mes tyre është Behemothi ose hipopotami. Jehovai i tha Jobit: «Forca e tij qëndron në ijët . . . Kockat e tij janë si shufra hekuri.» (Jobi 40:15-18) Gjithashtu, në kohët biblike ishte e njohur fuqia frikësuese e demit të egër dhe Davidi u lut që të shpëtonte nga «gryka e luanit dhe nga brirët e buajve [demave të egër, BR]».—Psalmi 22:21; Jobi 39:9-11.
6. Çfarë simbolizon demi në Shkrime dhe përse? (Shiko shënimin.)
6 Për shkak të forcës së tij, demi është përdorur në Bibël për të simbolizuar fuqinë e Jehovait.c Në vizionin që pati apostulli Gjon lidhur me fronin e Jehovait, paraqiten katër krijesa të gjalla, njëra prej të cilave kishte fytyrë demi. (Zbulesa 4:6, 7) Nga sa duket, një prej katër cilësive kryesore të Jehovait, të paraqitura nga këta kerubinë, është fuqia. Të tjerat janë: dashuria, mençuria dhe drejtësia. Duke qenë se fuqia është një aspekt kaq i rëndësishëm i personalitetit të Perëndisë, kuptueshmëria e qartë për fuqinë e tij dhe për mënyrën se si e përdor atë, do të na afrojë më shumë me të dhe do të na ndihmojë të imitojmë shembullin e tij, duke përdorur mirë çfarëdo fuqie që kemi në dispozicion.—Efesianëve 5:1.
«Jehovai i ushtrive, i Fuqishmi»
7. Përse mund të jemi të sigurt që e mira do të triumfojë mbi të keqen?
7 Në Shkrime, Jehovai quhet «Perëndia i Plotfuqishëm», një titull që na kujton se nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrë fuqinë e tij ose të vëmë në dyshim aftësinë e tij për të mposhtur armiqtë. (Zanafilla 17:1; Eksodi [Dalja] 6:3) Sistemi i lig i gjërave i Satanait mund të duket i rrënjosur thellë, por në sytë e Jehovait «kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje». (Isaia 40:15) Falë kësaj fuqie hyjnore, nuk ka asnjë dyshim se e mira do të triumfojë mbi të keqen. Në një kohë kur ligësia është mbizotëruese, mund të gjejmë ngushëllim duke e ditur se «Zoti [Jehovai, BR] i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit» do ta eliminojë të keqen përgjithmonë.—Isaia 1:24; Psalmi 37:9, 10.
8. Çfarë ushtrish qiellore ka nën komandën e tij Jehovai dhe nga mund ta kuptojmë fuqinë që kanë ato?
8 Shprehja «Jehovai i ushtrive», e cila gjendet 285 herë në Bibël, është një përkujtues tjetër i fuqisë së Perëndisë. ‘Ushtritë’ për të cilat bëhet fjalë këtu, janë moria e krijesave frymore që ka Jehovai nën komandën e tij. (Psalmi 103:20, 21; 148:2) Brenda një nate, vetëm njëri nga këta engjëj vrau 185.000 ushtarë asirianë që kërcënonin Jerusalemin. (2. Mbretërve 19:35) Po ta perceptojmë qartë fuqinë e ushtrive qiellore të Jehovait, nuk do të na trembin me lehtësi kundërshtarët. Profeti Elise nuk u shqetësua kur u gjend i rrethuar nga një ushtri e tërë që po e ndiqte, sepse, ndryshe nga shërbëtori i tij, ai mund të shihte me sytë e besimit një mori të madhe forcash qiellore që e mbronin.—2. Mbretërve 6:15-17.
9. Përse edhe ne, ashtu si Jezui, duhet të kemi besim në mbrojtjen hyjnore?
9 Në mënyrë të ngjashme, kur u ballafaqua në kopshtin e Getsemanisë me një turmë të armatosur me shpata dhe me shkopinj, Jezui ishte i vetëdijshëm për mbështetjen engjëllore. Pasi i tha Pjetrit që ta kthente shpatën në vendin e vet, Jezui i tha se, po të ishte e nevojshme, Ai mund t’i lutej Atit të tij që t’i dërgonte «më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh». (Mateu 26:47, 52, 53) Po të kemi një çmueshmëri të ngjashme për ushtritë qiellore që janë në dispozicion të Perëndisë, edhe ne do të kemi besim të patundur në mbështetjen hyjnore. Apostulli Pavël shkroi: «Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?»—Romakëve 8:31.
10. Në dobi të kujt e përdor Jehovai fuqinë e tij?
10 Pra, kemi çdo arsye për të besuar në mbrojtjen e Jehovait. Ai e përdor gjithnjë fuqinë e vet për mirë dhe në harmoni me cilësitë e tjera të tij: drejtësinë, mençurinë dhe dashurinë. (Jobi 37:23; Jeremia 10:12) Ndryshe nga njerëzit e fuqishëm që shpesh i shtypin të varfrit dhe njerëzit e thjeshtë për fitim egoist, Jehovai «e ngre të mjerin nga pluhuri» dhe është «i fuqishëm për të shpëtuar». (Psalmi 113:5-7; Isaia 63:1) Siç e kuptoi Maria, nëna modeste dhe e përulur e Jezuit, «i Fuqishmi» e ushtron në mënyrë altruiste fuqinë e tij, në dobi të atyre që i druhen, duke përulur fodullët dhe duke lartësuar të përulurit.—Luka 1:46-53.
Jehovai u zbulon shërbëtorëve fuqinë e tij
11. Çfarë dëshmie të fuqisë së Perëndisë panë me sytë e tyre izraelitët në vitin 1513 p.e.s.?
11 Jehovai ua shfaqi në disa raste fuqinë shërbëtorëve të tij. Një rast i tillë ishte në malin Sinai, në vitin 1513 p.e.s. Gjatë atij viti, izraelitët kishin parë tashmë dëshmi mbresëlënëse të fuqisë së Perëndisë. Dhjetë plagë shkretuese kishin zbuluar dorën e fortë të Jehovait dhe pafuqinë e perëndive egjiptiane. Jo shumë pas kësaj, kalimi i mrekullueshëm i Detit të Kuq dhe shkatërrimi i ushtrisë së Faraonit u dhanë atyre prova të mëtejshme të forcës hyjnore. Tre muaj më vonë, rrëzë malit Sinai, Jehovai i ftoi izraelitët që të bëheshin ‘thesari i tij i veçantë ndërmjet tërë popujve’. Nga ana e tyre, ata premtuan: «Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti.» (Eksodi 19:5, 8) Atëherë, Jehovai dha një shfaqje të gjallë të fuqisë së tij. Mes bubullimave, vetëtimave dhe tingullit të lartë të një briri, mali Sinai nxori tym dhe u drodh. Njerëzit, që qëndronin në njëfarë distance, u tmerruan. Por Moisiu u tha se kjo përvojë duhej t’u mësonte atyre druajtjen hyjnore, një druajtje që do t’i shtynte t’i bindeshin Jehovait, të vetmit Perëndi të tyre të vërtetë dhe të gjithëfuqishëm.—Eksodi 19:16-19; 20:18-20.
12, 13. Cilat rrethana e bënë Elijan të linte caktimin e tij, por si e forcoi Jehovai atë?
12 Disa shekuj më vonë, gjatë kohës së Elijas, mali Sinai qe dëshmitar i një shfaqjeje tjetër të fuqisë hyjnore. Profeti e kishte parë tashmë fuqinë e Perëndisë në veprim. Për tre vjet e gjysmë, Perëndia ‘mbylli qiejtë’ për shkak të apostazisë së kombit izraelit. (2. Kronikave 7:13) Gjatë thatësirës që erdhi si pasojë, Elijan e ushqyen korbat, kur ishte në luginën e përroit Kerith dhe, më vonë, rezervat e pakta të miellit e të vajit që kishte një vejushë, u shumuan me anë të një mrekullie, për t’i siguruar atij ushqim. Madje, Jehovai i dha fuqi Elijas që të ringjallte të birin e vejushës. Në fund, në një provë dramatike se kush ishte Perëndia, të bërë në malin Karmel, nga qielli zbriti një zjarr që e konsumoi flijimin e Elijas. (1. Mbretërve 17:4-24; 18:36-40) Megjithatë, jo shumë kohë pas kësaj, Elija u frikësua dhe u shkurajua, kur Jezabela e kërcënoi se do ta vriste. (1. Mbretërve 19:1-4) Ai u largua nga vendi, duke menduar se puna e tij si profet kishte mbaruar. Me dashamirësi Jehovai i dha atij një shfaqje personale të fuqisë hyjnore, për ta siguruar edhe një herë dhe për ta forcuar.
13 Ndërkohë që rrinte i fshehur në një shpellë, Elija pa një shfaqje që të ngjallte nderim dhe frikë, të tri forcave që Jehovai i ka nën kontroll: erën e fortë, tërmetin dhe në fund zjarrin. Megjithatë, kur i foli Elijas, Jehovai përdori ‘një zë të qetë, të ulët’. Ai i caktoi Elijas punë të mëtejshme dhe e informoi se në vend kishte ende 7.000 adhurues besnikë të Jehovait. (1. Mbretërve 19:9-18, BR) Nëse, ashtu si Elija, ndihemi ndonjëherë të shkurajuar nga mungesa e rezultateve në shërbim, mund t’i lutemi Jehovait për «fuqi përtej asaj që është normale», një fuqi që mund të na forcojë të vazhdojmë të predikojmë lajmin e mirë pa pushim.—2. Korintasve 4:7, BR.
Fuqia e Jehovait është garanci e përmbushjes së premtimeve të tij
14. Çfarë zbulon emri personal i Jehovait dhe si lidhet fuqia e tij me emrin që ka?
14 Fuqia e Jehovait lidhet ngushtë, gjithashtu, me emrin e tij dhe me përmbushjen e vullnetit të tij. Emri unik Jehova, i cili do të thotë «Ai shkakton të bëhet», zbulon se ai i shkakton vetvetes të bëhet Përmbushësi i premtimeve. Asnjë gjë ose asnjë njeri nuk mund ta pengojë Perëndinë që të përmbushë qëllimet e tij, sado të pamundura t’i konsiderojnë skeptikët këto qëllime. Siç u tha Jezui në një rast apostujve të tij, «për Perëndinë çdo gjë është e mundur».—Mateu 19:26.
15. Si u bë e qartë për Abrahamin dhe Sarën, që për Jehovain nuk ka asgjë tepër të vështirë?
15 Ta ilustrojmë: në një rast, Jehovai i premtoi Abrahamit dhe Sarës se do t’i bënte pasardhësit e tyre një komb të madh. Por, për shumë vjet, ata mbetën pa fëmijë. Që të dy ishin shumë të moshuar kur Jehovai u tha se premtimi ishte afër përmbushjes dhe Sara qeshi. Duke iu përgjigjur, engjëlli i tha: «A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?» (Zanafilla 12:1-3; 17:4-8; 18:10-14) Katër shekuj më vonë, kur Moisiu më në fund i mblodhi pasardhësit e Abrahamit—tani një komb i madh—në Rrafshinën e Moabit, ai u kujtoi atyre se Perëndia e kishte përmbushur premtimin e tij. Moisiu tha: «Dhe [ti vazhdon të jetosh, BR], ngaqë [Jehovai] i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre dhe i nxori nga Egjipti në prani të tij, me anë të fuqisë së tij të madhe, duke dëbuar para teje kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti, me qëllim që ti të hyje dhe ta merrje si trashëgimi vendin e tyre.»—Ligji i përtërirë 4:37, 38.
16. Përse saducenjtë ranë në gabim, duke mohuar ringjalljen e të vdekurve?
16 Shekuj më vonë, Jezui i dënoi saducenjtë, të cilët nuk besonin te ringjallja. Përse refuzonin të besonin premtimin e Perëndisë se do t’i sillte përsëri në jetë të vdekurit? Jezui u tha atyre: «[Ju] nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin [fuqinë, BR] e Perëndisë.» (Mateu 22:29) Shkrimet na sigurojnë se ‘të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e Birit të njeriut dhe do të dalin prej tyre’. (Gjoni 5:27-29) Nëse e dimë atë që thotë Bibla për ringjalljen, siguria jonë në fuqinë e Perëndisë do të na bindë se të vdekurit do të ringjallen. Perëndia «do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen, . . . sepse Zoti ka folur».—Isaia 25:8.
17. Në cilën ditë të ardhme do të jetë jetësor, në një mënyrë të veçantë, besimi te Jehovai?
17 Në të ardhmen e afërt, do të vijë një kohë kur secilit nga ne do t’i duhet të ketë besim në një mënyrë të veçantë në fuqinë shpëtuese të Perëndisë. Satana Djalli do të nisë një sulm mbi popullin e Perëndisë, i cili do të duket sikur është i pambrojtur. (Ezekieli 38:14-16) Atëherë Perëndia do të shfaqë fuqinë e tij të madhe për dobinë tonë, dhe të gjithëve do t’u duhet të njohin se ai është Jehovai. (Ezekieli 38:21-23) Tani është koha të ndërtojmë besimin dhe sigurinë tonë te Perëndia i Plotfuqishëm, me qëllim që të mos lëkundemi në atë kohë kritike.
18. (a) Çfarë dobish marrim duke medituar për fuqinë e Jehovait? (b) Cila pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues?
18 Pa dyshim, kemi shumë arsye për të medituar rreth fuqisë së Jehovait. Ndërsa shqyrtojmë veprat e tij, me përulësi ndihemi të shtyrë që ta lëvdojmë Krijuesin tonë të Madh dhe t’i japim falënderime, pasi e përdor fuqinë e vet në një mënyrë kaq të mençur e të dashur. Nuk do të frikësohemi kurrë, po të kemi besim te Jehovai i ushtrive. Besimi ynë në premtimet e tij do të jetë i palëkundur. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Prandaj, edhe ne kemi fuqi, ndonëse në një masë të kufizuar. Si mund ta imitojmë Krijuesin tonë për mënyrën se si e ushtron fuqinë? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Në përgjithësi besohet se lëndët e djegshme natyrore, siç janë nafta dhe qymyrguri, burimet kryesore të energjisë për centralet elektrike, e marrin energjinë e tyre nga dielli.
b Në kontrast me këtë, bomba më e fuqishme bërthamore që është eksperimentuar ndonjëherë kishte një fuqi shpërthyese të barabartë me 57 megaton tritol.
c Demi i egër, të cilit i referohet Bibla, ka të ngjarë të ishte urusi ose bizoni i Evropës (latinisht, urus). Dy mijë vjet më parë, këto kafshë gjendeshin në Galì (tani Franca) dhe Jul Cezari u bëri këtë përshkrim: «Këta urusë janë paksa më të vegjël se elefantët në madhësi, por për sa i përket natyrës, ngjyrës dhe formës, janë dema. Kanë forcë të madhe dhe shpejtësi të madhe: ata nuk kursejnë as njerëz, as kafshë, kur ua zë syri.»
A mund t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve?
• Si dëshmon krijimi për fuqinë e Jehovait?
• Cilat ushtri mund të përdorë Jehovai për të mbështetur popullin e tij?
• Cilat ishin disa raste kur Jehovai shfaqi fuqinë e vet?
• Çfarë garancie kemi se Jehovai do t’i përmbushë premtimet e tij?
[Figurat në faqen 10]
«Ngriji sytë lart dhe shiko. Kush i ka krijuar këto gjëra?»
[Burimi]
Fotografi nga Malin, © IAC/RGO 1991
[Figurat në faqen 13]
Duke medituar për shfaqjet e fuqisë së Jehovait ndërtohet besimi në premtimet e tij