T’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë
«Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje.»—2. PJETRIT 1:19, BR.
1, 2. Çfarë shembujsh për mesí të rremë mund të tregoni?
PËR shekuj me radhë, mesí të rremë janë përpjekur të parathonë të ardhmen. Në shekullin e pestë të e.s., një burrë që u vetëquajt Moisi, i bindi judenjtë që gjendeshin në ishullin e Kretës se ai ishte mesia dhe do t’i çlironte nga shtypja. Ditën e caktuar për lirimin e tyre, këta judenj e ndoqën atë deri në një pikë të lartë nga e cila shihej deti Mesdhe. Ai u tha se mjaftonte të hidheshin në det dhe ai do të hapej para tyre. Shumë njerëz që u hodhën në ujëra u mbytën dhe ai mesí i rremë u zhduk nga skena.
2 Në shekullin e 12-të, në Jemen doli një «mesí». Kalifi ose sundimtari i kërkoi atij një shenjë për të verifikuar se ishte mesia. Ky «mesí» propozoi që kalifi t’i priste kokën. Ai profetizoi se do të ringjallej menjëherë dhe kjo do të shërbente si shenjë. Kalifi e pranoi propozimin, dhe ky ishte fundi i këtij «mesie».
3. Kush është Mesia i vërtetë dhe çfarë provoi shërbimi i tij?
3 Mesitë e rremë dhe profecitë e tyre kanë dështuar plotësisht, por nëse i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë nuk do të zhgënjehemi kurrë. Mesia i vërtetë, Jezu Krishti, ishte përmbushja e gjallë e shumë profecive biblike. Për shembull, duke cituar profecinë e Isaisë, Mateu, një shkrimtar Ungjilli, shkroi: «‘Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve, populli që gjendej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita.’ Që nga ajo kohë Jezui filloi të predikojë dhe të thotë: ‘Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!’» (Mateu 4:15-17; Isaia 9:1, 2) Kjo «dritë e madhe» ishte Jezui, dhe shërbimi i tij provoi se ai ishte Profeti i parathënë nga Moisiu. Ata që do të refuzonin ta dëgjonin Jezuin, do të shkatërroheshin.—Ligji i përtërirë 18:18, 19; Veprat 3:22, 23.
4. Si e përmbushi Jezui Isainë 53:12?
4 Gjithashtu, Jezui përmbushi fjalët profetike të Isaisë 53:12: «E ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve.» Duke qenë i vetëdijshëm se së shpejti do ta jepte jetën e tij njerëzore si shpërblesë, Jezui ua forcoi besimin dishepujve të tij. (Marku 10:45) Këtë e bëri në një mënyrë të jashtëzakonshme, nëpërmjet shpërfytyrimit.
Shpërfytyrimi ndërton besimin
5. Si do ta përshkruanit me fjalët tuaja shpërfytyrimin?
5 Shpërfytyrimi ishte një ngjarje profetike. Jezui tha: «Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij . . . Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.» (Mateu 16:27, 28) A e panë faktikisht disa nga apostujt Jezuin duke ardhur në Mbretërinë e tij? Te Mateu 17:1-7 thuhet: «Mbas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.» Çfarë ngjarjeje mahnitëse! «Fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita. Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.» Gjithashtu, «një re plot dritë i mbuloi» dhe ata dëgjuan vetë zërin e Perëndisë që thoshte: «‘Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!’ Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe. Por Jezui u afrua, i preku dhe tha: ‘Çohuni dhe mos kini frikë!’»
6. (a) Përse Jezui e quajti vegim shpërfytyrimin? (b) Pamje paraprake e çfarë gjëje ishte shpërfytyrimi?
6 Ka mundësi që kjo ngjarje, e cila të ngjallte frikë dhe nderim, të ketë ndodhur në një nga kreshtat e malit Hermon, ku Jezui dhe tre apostujt kaluan natën. Nga sa duket, shpërfytyrimi ndodhi natën dhe kjo e bëri atë veçanërisht të gjallë. Një arsye përse Jezui e quajti vegim ishte ngaqë Moisiu dhe Elija, të cilët kishin vdekur prej shumë kohësh, nuk ishin të pranishëm në kuptimin e mirëfilltë. Vetëm Krishti ishte faktikisht atje. (Mateu 17:8, 9) Një shfaqje e tillë mbresëlënëse i dha Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit një pamje paraprake madhështore të pranisë së lavdishme të Jezuit në pushtetin e Mbretërisë. Midis Moisiut e Elijas dhe bashkëtrashëgimtarëve të mirosur të Jezuit ka disa paralelizma dhe vegimi e përforcoi fuqimisht dëshminë që dha Jezui për Mbretërinë dhe për mbretërimin e tij në të ardhmen.
7. Si e dimë që Pjetri kishte kujtime të gjalla të shpërfytyrimit?
7 Shpërfytyrimi ndihmoi për t’ua forcuar besimin tre apostujve që do të luanin një rol drejtues në kongregacionin e krishterë. Fytyra e ndritshme e Krishtit, rrobat e tij të shkëlqyeshme dhe vetë zëri i Perëndisë, që deklaronte se Jezui ishte Biri i Tij i dashur, të cilin duhej ta dëgjonin,—e gjithë kjo ia arriti qëllimit të vet me shumë efektshmëri. Por apostujt nuk duhej t’ia tregonin askujt vegimin, derisa të ringjallej Jezui. Rreth 32 vjet më vonë, ky vegim ishte ende i gjallë në mendjen e Pjetrit. Duke iu referuar këtij vegimi dhe domethënies së tij, Pjetri shkroi: «Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen [praninë, BR] e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përrallave të sajuara me mjeshtëri, por sepse jemi dëshmitarë okularë të madhështisë së tij. Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: ‘Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.’ Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.»—2. Pjetrit 1:16-18.
8. (a) Ku e përqendroi vëmendjen shpallja e Perëndisë lidhur me Birin e tij? (b) Çfarë tregoi reja që u shfaq gjatë shpërfytyrimit?
8 Me rëndësi parësore ishte shpallja e Perëndisë: «Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!» Ky pohim e përqendron vëmendjen te Jezui si Mbret i kurorëzuar nga Perëndia, të cilit i gjithë krijimi duhet t’i bindet. Reja që i mbuloi, tregoi se përmbushja e këtij vizioni profetik do të ishte e padukshme. Ajo do të kishte mundësi të dallohej vetëm me sytë e kuptueshmërisë, nga ata që e njohin «shenjën» e pranisë së padukshme të Jezuit në pushtetin e Mbretërisë. (Mateu 24:3) Në fakt, udhëzimi i Jezuit për të mos ia treguar askujt vegimin derisa ai të ishte ngritur nga të vdekurit, tregon se lartësimi dhe lëvdimi i tij do të ndodhnin pas ringjalljes.
9. Përse shpërfytyrimi duhet të na e forcojë besimin?
9 Pasi iu referua shpërfytyrimit, Pjetri pohoi: «Kështu, ne e kemi fjalën profetike më të sigurt dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje asaj si një llambë që shkëlqen në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe të lindë ylli i ditës, në zemrat tuaja. Sepse ju dini së pari këtë, që asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal. Sepse profecia nuk u soll asnjëherë nga vullneti i njeriut, por njerëzit folën prej Perëndisë, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.» (2. Pjetrit 1:19-21, BR) Shpërfytyrimi e thekson besueshmërinë e fjalës profetike të Perëndisë. Kësaj fjale duhet t’i kushtojmë vëmendje, jo ‘përrallave të sajuara me mjeshtëri’ që nuk kanë mbështetjen ose miratimin hyjnor. Shpërfytyrimi duhet të na e forcojë besimin në fjalën profetike, sepse ajo pamje paraprake në vegim e lavdisë së Jezuit dhe e pushtetit të Mbretërisë është bërë realitet. Pikërisht, ne kemi dëshmi të pamohueshme se Krishti është i pranishëm sot si një Mbret i fuqishëm qiellor.
Si lind Ylli i Ditës?
10. Kush apo çfarë është «ylli i ditës» që përmendi Pjetri dhe përse përgjigjeni kështu?
10 Pjetri shkroi: «Ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje asaj [fjalës profetike] si një llambë që shkëlqen në një vend të errët, derisa të agojë dita dhe të lindë ylli i ditës.» Kush apo çfarë është «ylli i ditës»? Fjala «ylli i ditës» shfaqet vetëm një herë në Bibël dhe ka domethënie të ngjashme me «ylli i mëngjesit». Te Zbulesa 22:16, Jezu Krishti quhet «ylli i mëngjesit i ndritshëm». Në stinë të caktuara të vitit, këta yje janë të fundit që lindin ose ngrihen në horizontin lindor. Ata lindin pikërisht përpara se të shfaqet dielli dhe lajmërojnë, në këtë mënyrë, agimin e një dite të re. Pjetri e përdori fjalën «ylli i ditës» për t’iu referuar Jezuit pasi Ky të kishte marrë pushtetin e Mbretërisë. Në atë kohë, Jezui lindi ose u ngrit në gjithë universin, duke përfshirë edhe tokën tonë. Si Ylli i Ditës Mesianik, ai paralajmëron agimin e një dite a të një epoke të re për njerëzimin e bindur.
11. (a) Përse 2. Pjetrit 1:19 nuk nënkupton që «ylli i ditës» lind në zemrat fizike njerëzore? (b) Si do ta shpjegonit 2. Pjetrit 1:19?
11 Shumë përkthime të Biblës përkrahin idenë se fjalët e apostullit Pjetër, të dokumentuara te 2. Pjetrit 1:19, i referohen zemrës fizike të një personi. Zemra e një të rrituri peshon veçse 250-300 gramë. Si mundet që Jezu Krishti—tani një krijesë frymore e lavdishme dhe e pavdekshme në qiell—të lindë ose të ngrihet në këto organe të vogla njerëzore? (1. Timoteut 6:16) Sigurisht, zemra jonë figurative është e përfshirë në këtë çështje, sepse me të i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë. Por, po të shohim me kujdes 2. Pjetrit 1:19, do të vërejmë se në Përkthimin Bota e Re përdoren presje për ta veçuar frazën shpjeguese «derisa të agojë dita dhe të lindë ylli i ditës» nga fjalët e mëparshme të vargut dhe nga shprehja «në zemrat tuaja». Ky varg mund të shprehet në këtë mënyrë: ‘Ne e kemi fjalën profetike më të sigurt dhe ju bëni mirë që i kushtoni vëmendje asaj si një llambë që shkëlqen në një vend të errët, domethënë, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita dhe të lindë ylli i ditës.’
12. Si është gjendja e zemrave njerëzore në përgjithësi, por çfarë vlen të thuhet për të krishterët e vërtetë?
12 Cila është gjendja e zemrave figurative të njerëzimit mëkatar në përgjithësi? E pra, zemrat e tyre janë në errësirë frymore! Gjithsesi, nëse jemi të krishterë të vërtetë, është sikur të kemi një llambë që shkëlqen në zemrën tonë, e cila përndryshe do të ishte në errësirë. Siç e tregojnë fjalët e Pjetrit, vetëm duke i kushtuar vëmendje fjalës ndriçuese profetike të Perëndisë, të krishterët e vërtetë do të mbaheshin syçelë dhe të ndriçuar për agimin e një dite të re. Ata do të ishin në dijeni të faktit që Ylli i Ditës ishte ngritur, jo në zemrat fizike njerëzore, por mbi gjithë krijimin.
13. (a) Përse mund të jemi të sigurt që Ylli i Ditës tashmë është ngritur? (b) Përse të krishterët mund t’u rezistojnë kushteve të vështira që paratha Jezui për ditët tona?
13 Ylli i Ditës tashmë është ngritur! Mund të sigurohemi për këtë duke i kushtuar vëmendje profecisë madhështore të Jezuit lidhur me praninë e tij. Sot po përjetojmë përmbushjen e saj me ngjarje të tilla, si: luftëra pa precedent, zi buke, tërmete dhe predikim mbarëbotëror të lajmit të mirë. (Mateu 24:3-14) Ndonëse kushtet e vështira që paratha Jezui na prekin edhe ne si të krishterë, kemi mundësi të rezistojmë duke pasur paqe dhe gëzim në zemër. Përse? Sepse i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë dhe kemi besim në atë që premton ai për të ardhmen. E dimë që jemi në prag të kohëve më të mira nga të gjitha kohërat, sepse jemi shumë thellë në «kohën e mbarimit». (Danieli 12:4) Bota është në gjendjen e mjerueshme të parathënë te Isaia 60:2: «Ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt.» Si mund ta gjejë një person rrugën e tij në këtë errësirë? Me përulësi, ai duhet t’i kushtojë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë tani, para se të jetë tepër vonë. Njerëzit me zemër të sinqertë duhet t’i drejtohen Perëndisë Jehova, Burimit të jetës dhe të dritës. (Psalmi 36:9; Veprat 17:28) Vetëm duke bërë kështu, ata mund të kenë ndriçim të vërtetë dhe shpresën për të gëzuar të ardhmen e mrekullueshme që ka vënë si qëllim Perëndia për njerëzimin e bindur.—Zbulesa 21:1-5.
«Drita erdhi në botë»
14. Çfarë duhet të bëjmë që të përjetojmë përmbushjen e profecive të mrekullueshme të Biblës?
14 Shkrimet e tregojnë qartë se tani Jezu Krishti po sundon si Mbret. Duke qenë se ai erdhi në pushtet në vitin 1914, pritet të përmbushen profeci të tjera të mrekullueshme. Që ta përjetojmë përmbushjen e tyre, duhet të provojmë se jemi persona të butë që ushtrojnë besim te Jezu Krishti, duke u penduar për veprat mëkatare dhe për gabimet e bëra në padije. Natyrisht, ata që e duan errësirën nuk do të marrin jetën e përhershme. Jezui tha: «Tani gjykimi [baza për gjykim, BR] është ky: drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.»—Gjoni 3:19-21.
15. Çfarë do të ndodhë nëse lëmë pas dore shpëtimin që Perëndia ka bërë të mundur nëpërmjet Birit të tij?
15 Drita frymore ka ardhur në botë nëpërmjet Jezuit dhe është jetësore ta dëgjojmë atë. Pavli shkroi: «Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave.» (Hebrenjve 1:1, 2) Çfarë do të ndodhë nëse i biem me shkelm shpëtimit që Perëndia Jehova ka bërë të mundur nëpërmjet Birit të tij? Pavli vazhdoi me fjalët: «Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë, si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë [Zotërisë tonë, BR], u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë [të frymës së shenjtë, BR], sipas vullnetit të tij.» (Hebrenjve 2:2-4) Në fakt, shpallja e fjalës profetike ka në qendër Jezuin.—Zbulesa 19:10.
16. Përse mund të kemi besim të plotë në tërë profecitë e Perëndisë Jehova?
16 Siç e kemi vërejtur, Pjetri tha: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal.» Njerëzit vetë nuk mund të nxjerrin profeci të vërteta, por ne mund të kemi besim të plotë në të gjitha profecitë e Perëndisë. Këto burojnë nga vetë Perëndia Jehova. Me anë të frymës së shenjtë ai u ka dhënë mundësi shërbëtorëve të tij të kuptojnë se si po përmbushen profecitë biblike. Në fakt, i jemi mirënjohës Jehovait që kemi parë përmbushjen e shumë prej këtyre profecive që nga viti 1914. Gjithashtu, jemi plotësisht të sigurt se profecitë që kanë mbetur, në lidhje me fundin e këtij sistemi të lig, do të përmbushen që të gjitha. Është jetësore që të vazhdojmë t’u kushtojmë vëmendje parashikimeve hyjnore, ndërkohë që e lëmë dritën tonë të shndritë. (Mateu 5:16) Sa mirënjohës jemi që Jehovai po e bën ‘dritën të shndritë për ne në errësirën’ që mbështjell botën sot!—Isaia 58:10, DSF.
17. Përse na nevojitet dritë frymore nga Perëndia?
17 Drita fizike na jep mundësi të shohim. Gjithashtu, bën të mundur rritjen e prodhimeve që na furnizojnë me ushqim të shumëllojshëm. Nuk jetojmë dot pa dritën fizike. Ç’të themi për dritën frymore? Ajo na jep udhëheqje dhe na tregon të ardhmen që parathuhet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. (Psalmi 119:105) Me dashuri, Perëndia Jehova ‘dërgon dritën e tij dhe të vërtetën e tij’. (Psalmi 43:3) Sigurisht, duhet të tregojmë çmueshmëri të thellë për këto masa. Pra, le të bëjmë çmos për të thithur dritën e ‘njohurisë së lavdishme të Perëndisë’, që ajo të ndriçojë zemrën tonë figurative!—2. Korintasve 4:6, BR; Efesianëve 1:18.
18. Çfarë është gati të bëjë tani Ylli i Ditës i Jehovait?
18 Sa të bekuar jemi që e dimë se në vitin 1914 Jezu Krishti, Ylli i Ditës, u ngrit mbi gjithë universin dhe filloi të përmbushë vizionin e shpërfytyrimit! Tani Ylli i Ditës i Jehovait është i pranishëm, gati për të plotësuar qëllimin e Perëndisë, në përmbushje të mëtejshme të shpërfytyrimit—«luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm». (Zbulesa 16:14, 16) Pasi ky sistem i vjetër të jetë fshirë nga faqja e dheut, Jehovai do të përmbushë premtimin e tij për «qiej të rinj dhe tokë të re», ku do të kemi mundësi ta lavdërojmë atë përgjithmonë si Zotëria Sovran i universit dhe si Perëndia i profecive të vërteta. (2. Pjetrit 3:13) Derisa të vijë ajo ditë madhështore, le të vazhdojmë të ecim në dritën hyjnore, duke i kushtuar vëmendje fjalës profetike të Perëndisë!
Si do të përgjigjeshit?
• Si do ta përshkruanit shpërfytyrimin e Jezuit?
• Si e ndërton besimin shpërfytyrimi?
• Kush apo çfarë është Ylli i Ditës i Jehovait dhe kur u ngrit ai?
• Përse duhet t’i kushtojmë vëmendje fjalës profetike të Perëndisë?
[Figura në faqen 13]
A mund ta shpjegoni domethënien e shpërfytyrimit?
[Figura në faqen 15]
Ylli i Ditës tashmë është ngritur. A e dini si dhe kur?