Ungjijtë—Histori apo mit?
NË MBARË botën, historia e Jezuit të Nazaretit, një i ri që ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore, është gërshetuar thellë në strukturën e shoqërisë. Ajo është pjesë e arsimimit që njerëzit marrin në shkollë e në familje. Shumë veta i konsiderojnë Ungjijtë si burime të vërtetash e proverbash që s’njohin kohë, si për shembull: «Fjala juaj Po të nënkuptojë Po, Jo-ja juaj Jo.» (Mateu 5:37, BR) Në fakt, tregimet e Ungjijve mund të kenë qenë baza për mësime që ju kanë dhënë prindërit tuaj, që kanë qenë të krishterë ose jo.
Për miliona ithtarë të vërtetë të Krishtit, Ungjijtë kanë siguruar përshkrimin e njeriut për të cilin ata kanë qenë të gatshëm të vuanin e të vdisnin. Gjithashtu, Ungjijtë kanë siguruar bazën dhe frymëzimin për guxim, qëndrueshmëri, besim dhe shpresë. Pra, a nuk do të ishit dakord se duhen dëshmi të pakundërshtueshme për t’i hedhur poshtë këto tregime si të imagjinuara? Po të kihet parasysh ndikimi i jashtëzakonshëm që kanë pasur tregimet e Ungjijve në mendimet dhe në sjelljen e njerëzve, a nuk do të kërkonit prova bindëse, sikur dikush të donte të hidhte dyshime për autenticitetin e tyre?
Ju ftojmë që, lidhur me Ungjijtë, të shqyrtoni disa pyetje të cilat të vënë në mendime. Shikoni vetë çfarë mendojnë disa studiues të Ungjijve për këto çështje, edhe pse disa prej tyre nuk deklarojnë se janë të krishterë. Pastaj, pasi të jeni informuar, mund të nxirrni përfundimet tuaja.
PYETJE PËR T’U SHQYRTUAR
◆ A mund të jenë Ungjijtë një shpikje mjeshtërore?
Robert Funk, themeluesi i Seminarit Jezu, thotë: «Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni ‘e paraqitën Mesinë’ në një mënyrë të tillë që të ishte në harmoni me doktrinën e krishterë, e cila evoluoi pas vdekjes së Jezuit.» Gjithsesi, ndërsa shkruheshin Ungjijtë, shumë nga ata që kishin dëgjuar thëniet e Jezuit, kishin vërejtur veprat e tij dhe e kishin parë pas ringjalljes, ishin ende gjallë. Ata nuk i akuzuan shkrimtarët e Ungjijve për ndonjë formë mashtrimi.
Të marrim në shqyrtim vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Nuk janë vetëm Ungjijtë që përmbajnë tregime të besueshme për vdekjen dhe për ringjalljen e Jezuit, por edhe letra e parë biblike që apostulli Pavël u dërgoi të krishterëve në Korintin e lashtë. Ai shkroi: «Unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve, edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve. Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë. Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve. Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si të dështimit [të lindurit para kohe, BR].» (1. Korintasve 15:3-8) Këta dëshmitarë okularë ishin ruajtës të fakteve historike që kishin të bënin me jetën e Jezuit.
Prirjen për të shpikur, të cilën e supozojnë kritikët modernë, nuk e gjejmë në Shkrimet e Krishtere Greke. Në vend të kësaj, kjo prirje shfaqet në dokumente të shekullit të dytë të e.s. Prandaj, disa tregime jobiblike për Krishtin dolën atëherë kur mes komuniteteve të larguara nga kongregacioni apostolik po zhvillohej një apostazi nga krishterimi i vërtetë.—Veprat 20: 28-30.
◆ A mund të jenë legjenda Ungjijtë?
Autori dhe kritiku, C. S. Ljuis e kishte të vështirë t’i konsideronte Ungjijtë thjesht si legjenda. «Si historian letrar, jam plotësisht i bindur se Ungjijtë mund të jenë çfarëdo gjëje, por legjenda nuk janë,—shkroi ai.—Nuk janë mjaft artistikë sa për të qenë legjenda. . . . Ne nuk e njohim pjesën më të madhe të jetës së Jezuit dhe askush që shpik një legjendë nuk do ta linte të ishte kështu.» Është, gjithashtu, interesante se, ndonëse historiani i shquar, H. G. Uells, nuk pohonte se ishte i krishterë, ai pranoi: «Që të katër [shkrimtarët e Ungjijve] përputhen, duke na dhënë portretin e një personaliteti shumë të qartë; ata përçojnë . . . bindjen e realitetit.»
Shqyrtoni një rast kur Jezui i ringjallur iu shfaq dishepujve. Një shkrimtar legjendash i zoti ndoshta do ta paraqiste Jezuin sikur vinte në mënyrë të bujshme, mbante një fjalim vendimtar ose ishte i mbuluar me dritë e shkëlqim. Në vend të kësaj, shkrimtarët e Ungjijve e përshkruajnë atë thjesht duke ndenjur përballë dishepujve të tij. Ai i pyeti: «O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?» (Gjoni 21:5) Studiuesi Greg Istërbruk nxjerr përfundimin: «Këto lloj hollësish të sugjerojnë se ky është një tregim i sinqertë, jo që po krijojnë një mit.»
Akuza se Ungjijtë janë legjenda pengohet edhe nga metoda e rreptë e mësimdhënies së rabinëve, që ishte në modë gjatë kohës kur u shkruan Ungjijtë. Kjo metodë i përmbahej ngushtësisht mësimit përmendësh, një proces për t’i ngulitur në kujtesë gjërat duke përdorur riprodhimin mekanik ose përsëritjen. Kjo favorizon idenë se thëniet dhe veprat e Jezuit janë shkruar në mënyrë të saktë e të kujdesshme, në kundërshtim me idenë e krijimit të një versioni të zbukuruar.
◆ Nëse Ungjijtë do të ishin legjenda, a mund të ishin grumbulluar e shkruar kaq shpejt pas vdekjes së Jezuit?
Sipas dëshmive që janë në dispozicion, Ungjijtë u shkruan në periudhën nga viti 41 deri në 98 të e.s. Jezui vdiq në vitin 33 të e.s. Kjo do të thotë se tregimet për jetën e tij u shkruan në një periudhë relativisht të shkurtër pasi ai përfundoi shërbimin. Kjo përbën një pengesë shumë të madhe për argumentimin se tregimet e Ungjijve janë thjesht legjenda. Që të krijohen legjendat duhet kohë. Të marrim, për shembull, Iliadën dhe Odisenë, të poetit të lashtë grek Homerit. Disa mendojnë se teksti i këtyre dy legjendave epike u përpunua dhe u bë i qëndrueshëm gjatë një periudhe qindravjeçare. Ç’të themi për Ungjijtë?
Në librin e tij, Caesar and Christ, historiani Uill Durant shkruan: «Që disa njerëz të thjeshtë të kenë sajuar . . . një personalitet kaq të fuqishëm dhe tërheqës, një etikë kaq të lartë dhe një vizion kaq frymëzues të vëllazërisë njerëzore, do të ishte një mrekulli shumë më tepër e pabesueshme se të gjitha ato të dokumentuara në Ungjij. Pas dy shekujsh me kritika letrare për Biblën, profili i jetës, personaliteti dhe mësimi i Jezuit mbeten të qarta në mënyrë të arsyeshme dhe përbëjnë aspektin më mahnitës të historisë së njeriut perëndimor.»
◆ A u botuan më vonë Ungjijtë, për të përmbushur nevojat e komunitetit të hershëm të krishterë?
Disa kritikë debatojnë se konkurrenca politike e komunitetit të hershëm të krishterë i bëri shkrimtarët e Ungjijve ta rregullonin ose ta shtonin historinë e Jezuit. Megjithatë, një studim nga afër i Ungjijve tregon se nuk ka ndodhur asnjë falsifikim i tillë. Nëse tregimet e Ungjijve që kishin të bënin me Jezuin u ndryshuan si rezultat i mashtrimeve të të krishterëve të shekullit të parë, përse në tekst ka akoma pohime negative, si për judenjtë, ashtu edhe për johebrenjtë?
Një shembull e gjejmë te Mateu 6:5-7, ku citohen fjalët e Jezuit: «Kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.» Qartë, këtu ai po dënonte udhëheqësit fetarë judenj. Më tej, Jezui tha: «Kur luteni, mos përdorni përsëritje të kota, siç bëjnë paganët [johebrenjtë], sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.» Duke cituar fjalët e Jezuit në këtë mënyrë, shkrimtarët e Ungjijve nuk po përpiqeshin të fitonin njerëz të tjerë të kthyer në besim. Ata thjesht po dokumentonin pohimet që faktikisht i kishte bërë Jezu Krishti.
Shqyrtoni, gjithashtu, tregimet e Ungjijve që flasin për gratë të cilat shkuan te varri i Jezuit dhe e gjetën bosh. (Marku 16:1-8) Sipas Greg Istërbrukut, «në sociologjinë e Lindjes së Mesme të lashtë, dëshmia e grave konsiderohej gjithnjë e pabesueshme: për shembull, dy dëshmitarë meshkuj mjaftonin për ta dënuar një grua për tradhti bashkëshortore, kurse asnjë dëshmi nga gratë nuk mund të mjaftonte për të dënuar një burrë». Në fakt, as vetë dishepujt e Jezuit nuk u besuan grave! (Luka 24:11) Prandaj, ka shumë pak të ngjarë që kjo histori të ishte shpikur me qëllim.
Mungesa e shëmbëlltyrave në letrat dhe në librin e Veprave është një dëshmi e fortë se shëmbëlltyrat në Ungjij nuk i shtuan të krishterët e hershëm, por i tha vetë Jezui. Përveç kësaj, krahasimi i kujdesshëm i Ungjijve me letrat zbulon se nuk u riformuluan e nuk iu atribuan me mjeshtëri Jezuit as fjalët e Pavlit, as ato të shkrimtarëve të tjerë të Shkrimeve Greke. Nëse komuniteti i hershëm i krishterë do të kishte bërë një gjë të tillë, duhet të presim të gjejmë në tregimet e Ungjijve të paktën disa materiale nga letrat. Meqë nuk gjejmë asgjë, mund të nxjerrim të sigurt përfundimin se materiali i Ungjijve është origjinal dhe autentik.
◆ Ç’të themi për kontradiktat në dukje në Ungjij?
Prej shumë kohësh, kritikët kanë pohuar se Ungjijtë janë plot kontradikta. Historiani Durant u përpoq t’i shqyrtonte tregimet e Ungjijve nga një këndvështrim i pastër objektiv, pra, si dokumente historike. Ndonëse thotë që ka disa kontradikta në dukje, ai përfundon me fjalët: «Kontradiktat kanë të bëjnë me imtësira [hollësi të parëndësishme], jo me përmbajtjen. Në thelb, ungjijtë e ngjashëm janë në harmoni të jashtëzakonshme me njëri-tjetrin dhe formojnë një portret konsekuent të Krishtit.»
Shpesh, ato që duken si kontradikta në tregimet e Ungjijve, zgjidhen me lehtësi. Për ta ilustruar: te Mateu 8:5 thuhet se «[Jezuit] i erdhi një centurion duke iu lutur» që t’ia shëronte shërbëtorin. Te Luka 7:3 lexojmë se centurioni «i dërgoi [Jezuit] disa pleq judenj që ta lusnin të vinte e të shëronte shërbëtorin». Centurioni i dërgoi pleqtë si përfaqësues të tij. Mateu thotë se ishte vetë centurioni ai që iu lut Jezuit, sepse ai e bëri kërkesën nëpërmjet pleqve, që shërbyen si zëdhënës të tij. Ky është vetëm një shembull që tregon se mospërputhjet e supozuara në Ungjij mund të zgjidhen.
Ç’të themi për pohimet e kritikëve letrarë se Ungjijtë nuk i plotësojnë standardet e historisë reale? Duranti vazhdon: «Në valën e entuziazmit për zbulimet e saj, kritika letrare për Biblën i ka bërë Besëlidhjes së Re analiza autenticiteti kaq të rrepta, saqë me to, njëqind burra të lashtë të shquar, si për shembull, Hamurabi, Davidi, Sokrati, do të ktheheshin në legjendë. Pavarësisht nga paragjykimet dhe nga paramendimet teologjike që mund të kenë pasur shkrimtarët e Ungjijve, ata dokumentojnë shumë ngjarje që trilluesit do t’i kishin fshehur, si për shembull: konkurrencën mes apostujve për të pasur vende të larta në Mbretëri, ikjen e tyre pas arrestimit të Jezuit, mohimin e Pjetrit . . . Asnjëri që lexon këto skena, nuk dyshon dot për realitetin e personazhit që qëndron pas tyre.»
◆ Krishterimi i ditëve moderne a pasqyron Jezuin e Ungjijve?
Seminari Jezu ka deklaruar se kërkimet e tyre nëpër Ungjij «nuk kufizohen nga diktatet e këshillave të kishës». Por historiani Uells e kuptoi se ekziston një hendek gjigant ndërmjet mësimeve të Jezuit të paraqitura në Ungjij dhe mësimeve të të ashtuquajturit krishterim. Ai shkroi: «Nuk ka dëshmi që apostujt e Jezuit të kenë dëgjuar ndonjëherë të flitej për Trinitetin, të paktën prej tij. . . . [Jezui] as nuk tha ndonjë fjalë për adhurimin e nënës së tij, Marisë, në rolin e Mbretëreshës së qiellit Isis. Ai shpërfilli gjithçka që sot është më karakteristike e të ashtuquajturit krishterim, në adhurim dhe në tradita.» Prandaj, nuk mund ta gjykojmë vlerën e Ungjijve në bazë të mësimeve të të ashtuquajturit krishterim.
ÇFARË PËRFUNDIMI NXIRRNI?
Çfarë mendoni ju, pasi keni shqyrtuar pikat e mësipërme? A ka ndonjë provë reale dhe bindëse se Ungjijtë janë thjesht një mit? Shumë vetave pyetjet dhe dyshimet e ngritura për autenticitetin e Ungjijve u janë dukur pa baza dhe jobindëse. Për të krijuar një opinion personal, duhet t’i lexoni Ungjijtë me mendje të hapur. (Veprat 17:11) Kur të shqyrtoni përputhjen, ndershmërinë dhe saktësinë me të cilën Ungjijtë e paraqesin personalitetin e Jezuit, do të kuptoni se këto tregime kategorikisht nuk janë një përmbledhje përrallash.a
Nëse e shqyrtoni me kujdes Biblën dhe zbatoni këshillat e saj, do ta shihni se si do ta ndryshojë jetën tuaj për më mirë. (Gjoni 6:68) Kjo ndodh veçanërisht me thëniet e Jezuit të dokumentuara në Ungjij. Për më tepër, atje mund të mësoni për të ardhmen e mrekullueshme që e pret njerëzimin e bindur.—Gjoni 3:16; 17:3, 17.
[Shënimi]
a Shiko kapitujt 5 deri në 7 të librit Bibla: Fjala e Perëndisë apo e njeriut? (anglisht) dhe broshurën Një libër për të gjithë njerëzit. Që të dy janë botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia në faqen 7]
Dëshmi të dokumentimit autentik
DISA vjet më parë, një shkrimtar australian skenarësh dhe ish-kritik i Biblës, pranoi: «Për herën e parë në jetën time bëra atë që normalisht është puna e parë e reporterit: kontrollova faktet që kisha. . . . Dhe u trondita, sepse ajo që po lexoja [në tregimet e Ungjijve] nuk ishte legjendë dhe as imagjinatë që tingëllonte realiste. Ishte dokumentim. Tregime për ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat shkrimtarët i kishin përjetuar vetë ose që ishin të bazuara në informacione të tërthorta, për ngjarje të jashtëzakonshme . . . Dokumentarët kanë një ngjyrim të veçantë dhe ai ngjyrim gjendet në Ungjij.»
Në mënyrë të ngjashme, E. M. Blejklok, profesor i letërsisë klasike në Universitetin e Oklendit, argumentoi: «Unë pohoj se jam historian. E shqyrtoj letërsinë klasike nga këndvështrimi historik. Mund t’ju siguroj se dëshmitë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit janë më autentike se shumica e fakteve të historisë së lashtë.»
[Harta dhe figurat në faqet 8, 9]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FENIKIA
GALILEJA
Lumi Jordan
JUDEA
[Figurat]
«Dëshmitë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit janë më autentike se faktet e historisë së lashtë.»—PROFESOR E. M. BLEJKLOK
[Burimi]
Hartat në sfond: Bazuar në një hartë që ka të drejtat e rezervuara nga Pictorial Archive (Near Eastern History) Est. and Survey of Israel