Ne jemi lloji që ka besim
Ndërtojnë besimin nëpërmjet studimit të Biblës në Indi
INDIA, e cila shtrihet nga malet Himalaje, madhështore e të mbuluara me borë, në veri, deri në brigjet e nxehta të Oqeanit Indian në jug, është një vend me shumëllojshmëri, si nga ana gjeografike, ashtu edhe nga ana fetare. Nga popullsia e saj prej më shumë se një miliard banorësh, rreth 83 për qind janë hinduistë, 11 për qind janë myslimanë dhe pjesa tjetër përbëhet kryesisht nga persona që deklarohen të krishterë, sikistë, budistë dhe jainistë. Që të gjithë gëzojnë liri adhurimi. «Feja luan rol jetësor në stilin indian të jetesës»,—thuhet në The World Book Encyclopedia.
Jetesa në harmoni me besimin e krishterë i përshkruan më së miri Dëshmitarët e Jehovait, që në Indi janë më shumë se 21 200 veta. Ashtu si shokët e tyre frymorë në vende të tjera të botës, Dëshmitarët në Indi e konsiderojnë një privilegj të ndihmojnë të afërmit e tyre që të ndërtojnë besim të fortë në Fjalën e Perëndisë, në Biblën e Shenjtë. (2. Timoteut 3:16, 17) Shqyrtoni se si e mori njohurinë për të vërtetën biblike një familje nga Kenai, në jug të Indisë.
Para se të binte në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait, kjo familje ishte përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjet karizmatike katolike, në të cilat pohohej se shihnin vizione, flitnin në gjuhë dhe shëronin të sëmurët. Ata ishin njerëz të shquar në kishë dhe në komunitet e, madje, disa anëtarëve të familjes njerëzit u drejtoheshin me titullin «suami» që do të thotë «zotëri». Pastaj, një ditë, një Dëshmitar i bëri vizitë familjes dhe i tregoi nga Bibla se Jezui është Biri i Perëndisë, jo Perëndia i Plotfuqishëm siç besohet në përgjithësi. Gjithashtu, Dëshmitari u tregoi se emri i Perëndisë është Jehova dhe se qëllimi i Jehovait për tokën është që ta bëjë një parajsë të bukur.—Psalmi 83:18; Luka 23:43; Gjoni 3:16.
Duke qenë se e respektonin Fjalën e Perëndisë dhe u pëlqeu ajo që dëgjuan, anëtarët e kësaj familjeje pranuan një studim biblik të rregullt me Dëshmitarët e Jehovait. Kjo u solli tallje nga të njohurit e tyre në kishë. Megjithatë, familja ishte e vendosur që të vazhdonte studimin e Biblës. Duke u rritur në njohuri dhe duke u forcuar në besim, ata hoqën dorë nga praktikat e rreme fetare që bënin më parë. Sot, tre pjesëtarë të kësaj familjeje janë Dëshmitarë të pagëzuar e të zellshëm dhe mamaja shërben si pioniere ndihmëse, sa herë që ka mundësi.
Ndihmë për të kapërcyer të metat fizike
Sunder Lalit, një i ri që jeton në një fshat të Punxhabit, i nevojitej shumë besim e guxim që të ndante me të tjerët lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Pikësëpari, sepse kishte lënë besimet politeiste të familjes dhe të fshatit të tij, për të adhuruar Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Së dyti, sepse Sunder Lali është pa këmbë.
Deri në vitin 1992, jeta e Sunder Lalit vijonte normalisht. Punonte si ndihmësmjek dhe, së bashku me familjen, adhuronte hyjni të ndryshme nën udhëheqjen e gurusë që kishin zgjedhur. Pastaj, një natë, ndërsa po kapërcente shinat e trenit, ra. Një tren i kaloi përsipër, duke ia prerë të dyja këmbët deri te kofshët. Edhe pse mbijetoi, bota e tij u përmbys. Kuptohet që Sunder Lali ra në depresion të rëndë e, madje, mendoi edhe të bënte vetëvrasje. Familja e mbështeste, por atij i dukej e pashpresë e ardhmja.
Pastaj, një Dëshmitar i Jehovait i bëri vizitë Sunder Lalit dhe i tregoi nga Bibla se Perëndia ka premtuar ta bëjë tokën një parajsë të këndshme dhe t’u japë shëndet të përsosur të gjithë atyre që e duan dhe i druhen Atij. Sunder Lali pranoi të studionte Biblën dhe për një vit studioi me zell. E ftuan të merrte pjesë në mbledhjet e krishtere dhe, më në fund shkoi, duke udhëtuar në pjesën e pasme të biçikletës së një miku. Edhe pse udhëtimi ishte i dhimbshëm, shpërblimi ishte i madh. Ajo që kishte mësuar në studimin personal të Biblës u vërtetua ndërsa takohej me të tjerët që i besonin vërtet premtimet e Fjalës së Perëndisë dhe që jetonin në harmoni me mësimet e Biblës.
Sunder Lali filloi ta ndante lajmin e mirë me të afërmit e tij dhe u pagëzua në vitin 1995. Fillimisht, shkonte në shërbim në fshatin e tij, duke u tërhequr zvarrë nga dera në derë, pasi kjo ishte mënyra normale që përdorte për të ecur. Por tani, vëllezërit e tij frymorë i kanë bërë një dhuratë: një triçikël që është pajisur posaçërisht për t’u «pedaluar» me dorë. Falë triçiklit, tani ai është më i pavarur dhe ka mundësi ta bëjë vetë udhëtimin prej 12 kilometrash për të marrë pjesë në mbledhjet e krishtere. Disa herë pedalon midis musoneve që sjellin rrebeshe; herë të tjera temperatura arrin deri në 43 gradë celcius.
Përveç faktit që ndjek mbledhjet, Sunder Lali drejton shumë studime biblike me të tjerë që duan ndihmë për të ndërtuar një besim të fortë te Perëndia i vërtetë, Jehovai. Në fakt, shtatë nga personat që kanë studiuar Biblën me të tani janë të pagëzuar, si edhe tre persona të tjerë, që i kontaktoi ai, por që e kanë studiuar Biblën me Dëshmitarë të tjerë.
«Besimin,—sipas Biblës,—nuk e zotërojnë të gjithë njerëzit.» (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 3:2, BR) Por për ata që janë «të prirur siç duhet për jetën e përhershme», studimi i rregullt i Fjalës së Perëndisë mund të ndërtojë besim të fortë. (Veprat 13:48, BR) Një studim i tillë, gjithashtu, i bën sytë e tyre të shkëlqejnë nga shpresa për një të ardhme të mrekullueshme, diçka në të cilën një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Indi po ushtron besim.
[Harta në faqen 30]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
AFGANISTAN
PAKISTAN
NEPAL
BHUTAN
KINË
BANGLADESH
MJANMAR
LAOS
TAJLANDË
VIETNAM
KAMBOXHIA
SRI-LANKË
INDI
[Burimi]
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.