‘Shpëtoni veten dhe ata që ju dëgjojnë’
«Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. . . . Duke vepruar kështu, do të shpëtosh si veten, ashtu edhe ata që të dëgjojnë.»—1. TIMOTEUT 4:16, BR.
1, 2. Çfarë i motivon të krishterët e vërtetë që të vazhdojnë veprën e tyre jetëshpëtuese?
NË NJË fshat të izoluar, në Tailandën Veriore, një çift i martuar, të cilët janë Dëshmitarë të Jehovait, provojnë gjuhën që sapo kanë mësuar, duke u folur pjesëtarëve të një fisi që jeton në një kodër. Që të ndajë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë me fshatarët, kohët e fundit çifti ka filluar të mësojë gjuhën lahu.
2 «E kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë gëzimin dhe kënaqësinë që kemi, duke punuar mes këtyre njerëzve tërheqës,—shpjegon burri.—Ndihemi vërtet të përfshirë në përmbushjen e Zbulesës 14:6, 7, duke ia shpallur sihariqin ‘çdo kombi dhe fisi dhe gjuhe’. Kanë mbetur pak zona të pashkelura, ku lajmi i mirë nuk ka depërtuar ende, dhe kjo ku po punojmë është me siguri një prej tyre. Kemi gati-gati më shumë studime biblike nga sa mund të mbajmë.» Është e qartë se ky çift shpreson të shpëtojë jo vetëm veten, por edhe ata që i dëgjojnë. Si të krishterë, a nuk shpresojmë që të gjithë të bëjmë të njëjtën gjë?
«Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes»
3. Çfarë duhet të bëjmë fillimisht, që të shpëtojmë të tjerët?
3 Apostulli Pavël e këshilloi Timoteun me fjalët «kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate» dhe kjo zbatohet për të gjithë të krishterët. (1. Timoteut 4:16, BR) Në fakt, për t’i ndihmuar të tjerët që të fitojnë shpëtimin, së pari duhet t’i kushtojmë vëmendje vetes. Si mund ta bëjmë këtë? Pikësëpari, duhet të qëndrojmë syçelur ndaj kohëve në të cilat jetojmë. Jezui dha një shenjë të përbërë, në mënyrë që ithtarët e tij ta dinin se kur do të mbërrinte «përfundimi i sistemit të gjërave». Megjithatë, Jezui tha edhe se nuk do ta dinim me saktësi kur do të vinte fundi. (Mateu 24:3, 36, BR) Si duhet të reagojmë ndaj këtij fakti?
4. (a) Çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj kohës që mbetet në këtë sistem? (b) Cilin qëndrim duhet të shmangim?
4 Secili prej nesh mund të pyesë: ‘A po e përdor kohën që i mbetet këtij sistemi, sado që të ketë mbetur, për të shpëtuar veten dhe ata që më dëgjojnë? Apo jam duke menduar që, “meqë nuk e dimë saktësisht se kur do të vijë fundi, nuk do të merakosem për këtë”?’ Qëndrimi i dytë është i rrezikshëm. Ai bie drejtpërdrejt në kundërshtim me thirrjen e Jezuit: «Jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.» (Mateu 24:44) Sigurisht, kjo nuk është koha që të humbim entuziazmin për shërbimin e Jehovait ose t’i drejtohemi botës për siguri a kënaqësi.—Luka 21:34-36.
5. Çfarë shembujsh lanë dëshmitarët e Jehovait në kohët para krishterimit?
5 Një mënyrë tjetër se si mund të tregojmë që po i kushtojmë vëmendje vetes është duke qëndruar besimplotë si të krishterë. Shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën vazhduan të qëndronin, pavarësisht nëse pritnin çlirim të menjëhershëm ose jo. Pasi citoi shembujt e dëshmitarëve të tillë të kohëve para krishterimit, si Abeli, Enoku, Noeja, Abrahami dhe Sara, Pavli vërejti: «[Këta] nuk morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg, i mirëpritën dhe deklaruan publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend.» Ata nuk u dorëzuan para ndonjë dëshire për një jetë të rehatshme, as nuk u penguan nga presionet imorale përreth tyre, por me zjarr pritën me padurim «përmbushjen e premtimeve».—Hebrenjve 11:13; 12:1, BR.
6. Si ndikoi në mënyrën e jetesës së të krishterëve të shekullit të parë pikëpamja që kishin për shpëtimin?
6 Të krishterët e shekullit të parë e konsideronin, gjithashtu, veten si «të huaj» në këtë botë. (1. Pjetrit 2:11) Edhe pasi shpëtuan nga shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 70 të e.s., të krishterët e vërtetë nuk e ndalën predikimin ose nuk ranë përsëri në mënyrën e të jetuarit të botës. Ata e dinin se personat që mbeteshin besimplotë i priste një shpëtim madhështor. Në fakt, aty nga viti 98 i e.s., apostulli Gjon shkroi: «Bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.»—1. Gjonit 2:17, 28.
7. Si kanë treguar Dëshmitarët e Jehovait qëndrueshmëri në kohët moderne?
7 Në kohët moderne, Dëshmitarët e Jehovait, gjithashtu, kanë këmbëngulur në veprën e krishterë, edhe pse kanë përjetuar persekutim të ashpër. A ka qenë e kotë qëndrueshmëria e tyre? Patjetër që jo, sepse Jezui na siguroi se «ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet», qoftë ky fundi i sistemit të vjetër, qoftë fundi i jetës së tanishme të një personi. Në ringjallje, Jehovai do t’i kujtojë dhe do t’i shpërblejë të gjithë shërbëtorët e tij besimplotë që kanë vdekur.—Mateu 24:13; Hebrenjve 6:10.
8. Si mund ta tregojmë se e vlerësojmë qëndrueshmërinë e të krishterëve të së kaluarës?
8 Për më tepër, jemi të lumtur që të krishterët besimplotë të së kaluarës nuk ishin të interesuar vetëm për shpëtimin e tyre. Patjetër, ne që kemi mësuar për Mbretërinë e Perëndisë falë përpjekjeve të tyre, jemi mirënjohës që ata qëndruan në kryerjen e detyrës që u ngarkoi Jezui: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt, . . . duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Për sa kohë që na jepet ende mundësia, mund ta tregojmë mirënjohjen tonë duke u predikuar të tjerëve që akoma nuk e kanë dëgjuar lajmin e mirë. Megjithatë, predikimi është vetëm hapi i parë për të bërë dishepuj.
‘Kushtoji vëmendje mësimdhënies sate’
9. Si mund të na ndihmojë një qëndrim pozitiv, për të filluar studime biblike?
9 Caktimi ynë përfshin jo vetëm predikimin, por edhe mësimdhënien. Jezui na ngarkoi t’u mësojmë njerëzve që të zbatojnë të gjitha gjërat që ai urdhëroi. Vërtet, në disa territore duket se janë pak personat që duan të mësojnë për Jehovain. Por duke pasur një pikëpamje negative për territorin mund të pengohen përpjekjet tona për të filluar studime biblike. Iveta, një pioniere në një territor që disa e kishin quajtur të pafrytshëm, vuri re se ata që e vizitonin këtë zonë e që nuk kishin këtë qëndrim negativ, fillonin studime biblike në shtëpi. Pasi përvetësoi një pikëpamje më pozitive, edhe Iveta gjeti njerëz që donin të studionin Biblën.
10. Cili është roli ynë bazë si mësues të Biblës?
10 Disa të krishterë mund të ngurrojnë t’u ofrojnë studim biblik personave të interesuar, sepse nuk mendojnë që janë në gjendje të drejtojnë një studim. Kuptohet, ne kemi nivele të ndryshme aftësish. Por nuk na duhet të jemi shumë të aftë për të pasur sukses si mësues të Fjalës së Perëndisë. Mesazhi i pastër i Biblës është i fuqishëm dhe Jezui tha se personat ngjashëm deleve e njohin zërin e Bariut të vërtetë kur e dëgjojnë. Pra, detyra jonë është thjesht t’ua përcjellim njerëzve mesazhin e Bariut të Shkëlqyer, Jezuit, sa më qartë që të mundemi.—Gjoni 10:4, 14.
11. Si mund të jeni më të efektshëm për të ndihmuar një student të Biblës?
11 Si mund ta jepni mesazhin e Jezuit në mënyrë më të efektshme? Si fillim, familjarizohuni me atë që thotë Bibla për një argument që keni në shqyrtim. Duhet ta kuptoni vetë një temë, para se t’ua mësoni të tjerëve. Gjithashtu, përpiquni që gjatë studimit të mbani një atmosferë dinjitoze, por miqësore. Studentët, duke përfshirë edhe ata shumë të vegjël në moshë, mësojnë më mirë kur ndihen të lirshëm dhe kur mësuesi u tregon respekt e dashamirësi.—Fjalët e urta (Proverbat) 16:21.
12. Si mund të siguroheni se studenti e kupton atë që po i mësoni?
12 Si mësues, ju nuk dëshironi thjesht të paraqitni fakte që studenti t’i përsëritë përmendësh. Ndihmojeni ta kuptojë atë që po mëson. Arsimimi, përvoja e jetës dhe familjariteti që ka një person me Biblën do të ndikojnë në faktin se sa e kupton ai atë që po i thoni. Prandaj, mund të pyetni veten: ‘A e kupton ai domethënien e shkrimeve të cituara në materialin e studimit?’ Mund ta inkurajoni të flasë, duke i bërë pyetje të cilave s’mund t’u përgjigjet vetëm me një po ose jo, por që kërkojnë shpjegim. (Luka 9:18-20) Nga ana tjetër, disa studentë ngurrojnë të pyesin mësuesin e tyre. Kështu, ata mund të vazhdojnë më tej, pa e kuptuar plotësisht atë që po u mësohet. Inkurajojeni studentin që të bëjë pyetje dhe t’ju thotë kur nuk e kupton plotësisht ndonjë pikë.—Marku 4:10; 9:32, 33.
13. Si mund ta ndihmoni studentin të bëhet mësues?
13 Një qëllim i rëndësishëm përse drejtohet studimi biblik është të ndihmohet studenti për t’u bërë mësues. (Galatasve 6:6) Për këtë qëllim, si rishikim të studimit, mund t’i kërkoni atij që t’ju shpjegojë ndonjë argument me fjalë të thjeshta, sikur të ishte duke ia shpjeguar dikujt që po e dëgjonte për herë të parë. Më vonë, kur të kualifikohet për të marrë pjesë në shërbim, mund ta ftoni që t’ju shoqërojë në shërbimin në fushë. Ka shumë të ngjarë të ndihet rehat duke punuar me ju dhe përvoja do ta ndihmojë që të shtojë sigurinë, derisa të jetë gati të shkojë vetë në shërbim.
Ndihmojeni studentin të bëhet mik i Jehovait
14. Cili është synimi juaj kryesor si mësues dhe çfarë do t’i kontribuojë suksesit për ta arritur këtë synim?
14 Synimi kryesor i çdo mësuesi të krishterë është ta ndihmojë studentin që të fitojë miqësinë me Jehovain. Ju do ta arrini këtë jo vetëm me fjalët, por edhe me shembullin që jepni. Mësimi me anë të shembullit ka efekt të fuqishëm në zemrën e studentëve. Veprimet vërtet mund të flasin më shumë se fjalët, veçanërisht kur bëhet fjalë për të ngulitur cilësitë morale dhe për të frymëzuar zell te studenti. Nëse ai e sheh se fjalët dhe veprimet tuaja vijnë nga një marrëdhënie e mirë me Jehovain, mund të jetë më i nxitur të kultivojë edhe vetë një marrëdhënie të tillë.
15. (a) Përse është e rëndësishme që studenti të zhvillojë motivin e duhur për t’i shërbyer Jehovait? (b) Si mund ta ndihmoni studentin që të vazhdojë të bëjë përparim frymor?
15 Ju doni që studenti t’i shërbejë Jehovait sepse e do atë, jo thjesht sepse nuk dëshiron të shkatërrohet në Harmagedon. Duke e ndihmuar të zhvillojë një motiv të tillë të pastër, po ndërtoni me materiale zjarrduruese që do t’u rezistojnë sprovave të besimit të tij. (1. Korintasve 3:10-15) Motivi i gabuar, si për shembull, dëshira e tepruar për t’ju imituar ju ose ndonjë njeri tjetër, nuk do t’i japë atij as forcën për t’u rezistuar ndikimeve jo të krishtere, as guximin për të bërë atë që është e drejtë. Mbani ndër mend se nuk do të jeni përgjithnjë mësues i tij. Ndërkohë që keni mundësi, mund ta inkurajoni t’i afrohet gjithnjë e më shumë Jehovait, duke lexuar Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe duke menduar për të. Në këtë mënyrë, ai do të vazhdojë të thithë «modelin e fjalëve të shëndosha» nga Bibla dhe nga botimet e bazuara në Bibël, shumë kohë pasi të keni mbaruar studimin me të.—2. Timoteut 1:13.
16. Si mund ta mësoni studentin që të lutet nga zemra?
16 Gjithashtu, mund ta ndihmoni studentin që t’i afrohet më shumë Jehovait, duke e mësuar të lutet nga zemra. Si mund ta bëni këtë? Ndoshta mund ta drejtoni te lutja model e Jezuit, si edhe në shumë lutje të sinqerta të dokumentuara në Bibël, si ato që gjenden në psalme. (Psalmet 17, 86, 143; Mateu 6:9, 10) Përveç kësaj, kur studenti ju dëgjon të luteni për të filluar e për të mbaruar studimin, ai do t’i kuptojë ndjenjat tuaja ndaj Jehovait. Kështu, lutjet tuaja duhet të pasqyrojnë gjithnjë sinqeritet e çiltërsi, si edhe ekuilibër frymor dhe emocional.
Punoni për të shpëtuar fëmijët tuaj
17. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të qëndrojnë në shtegun për shpëtim?
17 Sigurisht, ndër ata që kemi dëshirë të shpëtojmë, janë edhe pjesëtarët e familjes sonë. Shumë fëmijë me prindër të krishterë janë të sinqertë dhe «të patundur në besim». Kurse të tjerë mund të mos e kenë të vërtetën të rrënjosur thellë në zemër. (1. Pjetrit 5:9; Efesianëve 3:17; Kolosianëve 2:7) Shumë nga këta të rinj e lënë udhën e krishterë kur i afrohen ose kur hyjnë në moshën e rritur. Nëse jeni prindër, çfarë mund të bëni për ta zvogëluar në minimum këtë rezultat? Së pari, mund të punoni për të krijuar një atmosferë të shëndetshme familjare. Një jetë e mirë familjare vë themelin për një pikëpamje të shëndetshme rreth autoritetit, për çmueshmërinë e vlerave personale dhe për marrëdhënie miqësore me të tjerët. (Hebrenjve 12:9) Kështu, lidhjet e ngushta brenda familjes mund të jenë vatra ku mund të rritet miqësia e një fëmije me Jehovain. (Psalmi 22:10) Familjet e forta i bëjnë gjërat së bashku si një njësi, edhe nëse prindërve u duhet të sakrifikojnë kohë që mund ta përdornin për përfitime personale. Në këtë mënyrë, me anë të shembullit tuaj mund t’i mësoni fëmijët që të marrin vendime të drejta në jetë. Prindër, ajo që fëmijët kanë më shumë nevojë prej jush nuk janë avantazhet materiale, por ju: koha, energjitë dhe dashuria juaj. A po ua jepni fëmijëve këto gjëra?
18. Për zgjidhjen e cilave çështje duhet t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre?
18 Prindërit e krishterë nuk duhet të supozojnë asnjëherë se edhe fëmijët e tyre do të bëhen automatikisht të krishterë. Danieli, plak kongregacioni dhe baba i pesë fëmijëve, vëren: «Prindërit duhet të gjejnë kohë për t’i ndihmuar fëmijët të heqin dyshimet që në mënyrë të pashmangshme i marrin në shkollë dhe në vende të tjera. Ata duhet t’i ndihmojnë me durim fëmijët që të gjejnë përgjigje për pyetje të tilla, si: ‘A po jetojmë faktikisht në kohën e fundit? A ka vërtet vetëm një fe të vërtetë? Përse një shok shkolle, në dukje i mirë, nuk është shoqëri e mirë? A është gjithnjë e gabuar të kesh marrëdhënie seksuale para martesës?’» Prindër, mund të jeni të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tuaja, sepse edhe ai është i interesuar për mirëqenien e fëmijëve tuaj.
19. Përse është më mirë që vetë prindërit të studiojnë me fëmijët e tyre?
19 Disa prindër mund të ndihen të paaftë për të studiuar me fëmijët e tyre. Megjithatë, nuk duhet të ndiheni kështu, sepse askush nuk është më shumë në gjendje t’i mësojë fëmijët tuaj, sesa ju. (Efesianëve 6:4) Studimi me fëmijët tuaj do t’ju lejojë të kuptoni drejtpërdrejt çfarë kanë ata në zemër e në mendje. A vijnë nga zemra shprehjet e tyre apo janë mekanike? A e besojnë vërtet atë që po mësojnë? A është real Jehovai për ta? Përgjigjet për këto dhe për pyetje të tjera jetësore mund t’i gjeni vetëm nëse studioni personalisht me fëmijët tuaj.—2. Timoteut 1:5.
20. Si mund ta bëjnë prindërit studimin familjar të këndshëm dhe dobiprurës?
20 Si mund t’i përmbaheni programit të studimit familjar, pasi ta keni filluar? Xhozefi, plak kongregacioni e baba i një vajze dhe i një djali, thotë: «Ashtu si të gjitha studimet biblike, studimi familjar duhet të jetë i këndshëm, diçka që secili mezi e pret. Që të arrijmë këtë në familjen tonë, nuk mund të jemi shumë strikt për kohën. Studimi mund të zgjatë një orë, por edhe nëse ndonjëherë kemi vetëm dhjetë minuta kohë, prapëseprapë e bëjmë studimin. Diçka që e bën studimin një pikë kryesore të javës për fëmijët, është se interpretojmë skena nga Libri im i tregimeve biblike.a Përshtypjet dhe kuptueshmëria e thellë që vijnë si rezultat, janë shumë më të rëndësishme, sesa numri i paragrafëve që trajtojmë.»
21. Kur mund t’i mësojnë prindërit fëmijët e tyre?
21 Sigurisht, mësimi i fëmijëve nuk kufizohet vetëm në kohën e studimit formal. (Ligji i përtërirë 6:5-7) Dëshmitari në Tailandë, i përmendur në hyrje të artikullit, thotë: «E kam të gjallë në mendje se si babai e kishte zakon të më merrte me vete në veprën e predikimit, me biçikletat tona, në cepat më të largët të territorit të kongregacionit tonë. Patjetër, ishte shembulli i shkëlqyer i prindërve dhe fakti që na mësuan në çdo rrethanë, të cilat na ndihmuan të vendosnim që të ndërmerrnim shërbimin e plotkohor. Mësimet që më dhanë duhet të më jenë ngulitur mirë. Akoma jam duke punuar në cepat më të largët të fushës!»
22. Çfarë do të vijë si rezultat kur ‘i kushtoni vëmendje vetes dhe mësimdhënies suaj’?
22 Në një ditë të afërt, pikërisht në kohën e duhur, Jezui do të vijë për të ekzekutuar gjykimin e Perëndisë mbi këtë sistem. Atëherë, kjo ngjarje madhështore do të kalojë në historinë universale, por shërbëtorët besimplotë të Jehovait do të vazhdojnë t’i shërbejnë atij me sytë nga shpëtimi i përjetshëm. A shpresoni të jeni mes tyre, bashkë me fëmijët dhe me studentët tuaj të Biblës? Atëherë, mbani mend: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Qëndro në këto gjëra, sepse duke vepruar kështu, do të shpëtosh si veten, ashtu dhe ata që të dëgjojnë.»—1. Timoteut 4:16, BR.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
A mund ta shpjegoni?
• Cili duhet të jetë qëndrimi ynë, meqë nuk e dimë kohën e saktë të gjykimit të Perëndisë?
• Në cilat mënyra mund ‘t’i kushtojmë vëmendje mësimdhënies sonë’?
• Si mund ta ndihmoni një student që të bëhet mik i Jehovait?
• Përse është e rëndësishme që prindërit të gjejnë kohë për të mësuar fëmijët e tyre?
[Figura në faqen 15]
Një atmosferë dinjitoze, por miqësore, e rrit mundësinë për të mësuar
[Figura në faqen 18]
Interpretimi i historive biblike, si rasti kur Solomoni gjykon dy prostitutat, e bën studimin familjar të këndshëm