Pyetje nga lexuesit
Duke pasur parasysh gatishmërinë e Jehovait për t’i falur mëkatet nëpërmjet flijimit shpërblyes, përse është e nevojshme që të krishterët t’ua rrëfejnë mëkatin pleqve në kongregacion?
Siç mund të shihet në rastin e Davidit dhe të Betshebës, Jehovai e fali mëkatin e Davidit, sado i rëndë që ishte, për shkak të pendimit nga zemra të Davidit. Kur iu afrua profeti Natan, Davidi rrëfeu hapur: «Kam mëkatuar kundër Zotit.»—2 Samuelit 12:13.
Megjithatë, Jehovai jo vetëm që pranon rrëfimin nga zemra të një mëkatari dhe e fal atë, por, gjithashtu, me dashuri merr masa për ta ndihmuar personin i cili ka gabuar që të përparojë drejt shërimit frymor. Në rastin e Davidit, ndihma erdhi nëpërmjet profetit Natan. Sot, në kongregacionin e krishterë, ka burra të pjekur frymësisht ose pleq. Dishepulli Jakov shpjegon: «A ka mes jush ndonjë të sëmurë [frymësisht]? Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten mbi të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. Dhe lutja e besimit do t’ia kthejë shëndetin të pamundurit dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.»—Jakovit 5:14, 15.
Pleqtë me përvojë mund të bëjnë shumë për t’ia lehtësuar dhembjen që ka në zemër mëkatari, të cilin e bren ndërgjegjja. Ata përpiqen të imitojnë Jehovain në mënyrën se si e trajtojnë këtë person. Nuk duan kurrë të jenë të ashpër, ndonëse mund të duhet të japin disiplinë të fortë. Në vend të kësaj, me dhembshuri mbajnë parasysh nevojat e menjëhershme të individit. Me durim, përpiqen ta ndreqin mënyrën e të menduarit të atij që ka gabuar, duke përdorur Fjalën e Perëndisë. (Galatasve 6:1) Edhe nëse një person nuk e rrëfen vetë mëkatin e tij, prapëseprapë ka mundësi që të nxitet për t’u penduar kur i afrohen pleqtë, siç ndodhi me Davidin kur iu afrua Natani. Mbështetja që pleqtë japin në këtë mënyrë e ndihmon personin që ka gabuar të shmangë rrezikun e përsëritjes së mëkatit dhe pasojat e rënda që vijnë kur një person bëhet praktikues i ngurtësuar i mëkatit.—Hebrenjve 10:26-31.
Sigurisht, nuk është e lehtë që një person t’u rrëfejë të tjerëve veprime për të cilat ndihet i turpëruar dhe të kërkojë falje. Kërkohet forcë e brendshme. Por, mendoni për një çast për mundësinë tjetër. Një njeri që nuk arriti t’ua zbulojë pleqve të kongregacionit mëkatin e rëndë që kishte bërë, tha: «Ndieja një dhembje në zemër që nuk më ikte. I rrita përpjekjet në veprën e predikimit, por ndjenja e brejtjes së ndërgjegjes vazhdonte.» Ai mendoi se mjaftonte që t’i rrëfehej Perëndisë në lutje, por ishte e qartë se kjo nuk mjaftonte, pasi ai pati ndjenja të ngjashme me ato të mbretit David. (Psalmi 51:8, 11) Sa më mirë është të pranojmë ndihmën e dashur që siguron Jehovai nëpërmjet pleqve!