Studimi i Biblës a është për ju?
«NUK duhet lexuar pa qenë i pranishëm një prift.» Ky paralajmërim gjendet në faqen e parë të disa Biblave që kanë katolikët. «Si katolikë, nuk kemi qenë gjithnjë të lirë për të lexuar Biblën,—thotë Kei Mardi, nga Instituti Biblik Katolik në Los Anxhelos,—por kjo gjendje po ndryshon.» Ajo thotë se kur katolikët kuptojnë se si mund të ndikojnë Shkrimet e Shenjta në jetën e tyre, «ata zhvillojnë një uri dhe etje për Biblën».
Lidhur me këtë ndryshim, revista U.S. Catholic citon çfarë ka thënë një koordinator për arsimimin fetar. Ai tha se katolikët që shkonin në kurse në të cilat studiohej Bibla, mendonin se «si katolikë, kishin qenë të privuar dhe se në Bibël ka një pasuri të madhe frymore. Duan të fitojnë pak nga ajo pasuri që mendojnë se u ka munguar».
Sidoqoftë, çfarë «pasurie» mund të zbulojë një student në Bibël? Shqyrtoni këtë: A do t’ju pëlqente të dinit si t’i përballoni ankthet e jetës së përditshme? Si mund të mbani paqen në rrethin familjar? Përse ka kaq shumë sjellje të pahijshme dhe kundërshoqërore? Cili është shkaku i dhunës mes të rinjve të sotëm? Përgjigje të besueshme për këto pyetje, si edhe për pyetje të tjera pështjelluese, mund të gjenden në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Ato mund të jenë vërtet një «pasuri», jo vetëm për katolikët ose për protestantët, por edhe për budistët, hinduistët, myslimanët, shintoistët, e madje, edhe për ateistët dhe agnosticistët. Siç u shpreh psalmisti, ‘fjala e Perëndisë ishte një llambë në këmbën e tij dhe një dritë në shtegun e tij’. Mund të jetë po kështu edhe për ju.—Psalmi 119:105.