A do t’ju zërë bekimi i Jehovait?
«Të gjitha këto bekime duhet të vijnë mbi ty e të të zënë, sepse ti vazhdon ta dëgjosh zërin e Jehovait, Perëndisë tënd.»—LIGJI I PËRTËRIRË 28:2, BR.
1. Çfarë do ta përcaktonte nëse izraelitët do të merrnin bekime apo mallkime?
ATY nga fundi i udhëtimit të tyre 40-vjeçar në shkretëtirë, izraelitët kishin fushuar në Rrafshinën e Moabit. Para tyre gjendej Toka e Premtuar. Në atë kohë, Moisiu shkroi librin e Ligjit të përtërirë, ku përfshihen një seri bekimesh e mallkimesh. Nëse populli i Izraelit do të ‘vazhdonte ta dëgjonte zërin e Jehovait’ duke iu bindur atij, do ta ‘zinin’ bekimet. Jehovai e donte si ‘pronën e tij të veçantë’ dhe dëshironte të tregonte forcën e tij në dobi të këtij populli. Por, nëse nuk do të vazhdonin ta dëgjonin, ishte po aq e sigurt se do t’i zinin mallkimet.—Ligji i përtërirë 8:10-14; 26:18, BR; 28:2, 15.
2. Çfarë domethënieje kanë foljet hebraike që te Ligji i përtërirë 28:2 janë përkthyer «vazhdon të dëgjosh» dhe ‘zë’?
2 Folja hebraike që te Ligji i përtërirë 28:2 është përkthyer «vazhdon të dëgjosh» tregon veprim të vazhdueshëm. Ata që bëjnë pjesë në popullin e Jehovait nuk duhet ta dëgjojnë atë vetëm ngandonjëherë, por duhet të vazhdojnë ta dëgjojnë, duke e bërë këtë mënyrën e tyre të jetesës. Vetëm atëherë do t’i zënë bekimet hyjnore. Folja hebraike e përkthyer ‘zë’ është përcaktuar si një term gjuetie që në shumicën e rasteve do të thotë «të kapësh» ose «të arrish».
3. Në ç’mënyrë mund të jemi si Josiu dhe përse kjo është me rëndësi jetësore?
3 Udhëheqësi izraelit Josiu zgjodhi ta dëgjonte Jehovain e, prandaj, pati bekime. Josiu tha: «Zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni . . . Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit.» Me të dëgjuar këtë, populli u përgjigj: «Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t’u shërbyer perëndive të tjera!» (Jozueu [Josiu] 24:15, 16) Për shkak të qëndrimit të tij shumë të mirë, Josiu ishte ndër ata pak veta nga brezi i tij që patën privilegjin të hynin në Tokën e Premtuar. Sot, ne qëndrojmë në prag të një Toke të Premtuar shumë më të mirë: në prag të një toke parajsore, në të cilën bekime shumë më të mëdha se ato të kohës së Josiut i presin të gjithë ata që kanë miratimin e Perëndisë. A do t’ju zënë juve këto bekime? Po, nëse vazhdoni ta dëgjoni Jehovain. Si një ndihmë që të forconi vendosmërinë për të bërë këtë, shqyrtoni historinë kombëtare të Izraelit të lashtë, si edhe shembuj ndërtues të individëve të ndryshëm.
Bekim apo mallkim?
4. Çfarë i dha Perëndia Solomonit në përgjigje të lutjes së tij dhe si duhet të ndihemi ne për këto bekime?
4 Për pjesën më të madhe të mbretërimit të mbretit Solomon, izraelitët morën bekime të jashtëzakonshme nga Jehovai. Gëzonin siguri dhe gjëra të mira me bollëk. (1 Mbretërve 4:25) Pasuria e Solomonit u bë shumë e famshme, ndonëse ai nuk i kishte kërkuar Perëndisë pasuri materiale. Në vend të kësaj, kur ishte ende i ri e pa përvojë, ishte lutur për të pasur një zemër të bindur: kërkesë që Jehovai ia plotësoi, duke e bekuar me mençuri dhe kuptueshmëri. Kjo i dha mundësi Solomonit që ta gjykonte siç duhej popullin, duke shquar të mirën nga e keqja. Ndonëse Perëndia i dha edhe pasuri e lavdi, kur ishte i ri Solomoni e çmonte shumë vlerën e pashoqe të pasurive frymore. (1 Mbretërve 3:9-13) Kemi ose jo shumë gjëra nga ana materiale, sa mirënjohës mund të jemi nëse kemi bekimin e Jehovait dhe jemi të pasur frymësisht!
5. Çfarë ndodhi kur populli i Izraelit dhe i Judës nuk vazhdoi ta dëgjonte Jehovain?
5 Izraelitët dështuan të tregonin çmueshmëri për bekimin e Jehovait. Duke qenë se nuk vazhduan ta dëgjonin, i zunë mallkimet që ishin parathënë. Kjo solli si pasojë mundjen nga armiqtë dhe mërgimin për mbretëritë e Izraelit dhe të Judës. (Ligji i përtërirë 28:36; 2 Mbretërve 17:22, 23; 2 Kronikave 36:17-20) A mësoi populli i Perëndisë nga këto vuajtje se bekimet hyjnore zënë vetëm ata që vazhdojnë ta dëgjojnë Jehovain? Mbetja e judenjve që u kthyen në atdhe në vitin 537 p.e.s., kishin mundësinë të tregonin nëse kishin fituar ‘një zemër të mençur’ dhe nëse tani e shihnin nevojën që të vazhdonin ta dëgjonin Perëndinë.—Psalmi 90:12, BR.
6. (a) Përse Jehovai dërgoi Hageun dhe Zakarinë që t’i profetizonin popullit të tij? (b) Cilin parim ilustroi mesazhi që dha Perëndia nëpërmjet Hageut?
6 Judenjtë e riatdhesuar ndërtuan një altar dhe filluan punën në tempullin e Jerusalemit. Por, ama, kur hasën kundërshtim të fortë, zelli i tyre filloi të lëkundej dhe ndërtimi u ndërpre. (Ezdra 3:1-3, 10; 4:1-4, 23, 24) Gjithashtu, ata filluan t’i jepnin përparësi arritjes së rehative personale. Prandaj, Perëndia dërgoi profetët Hage dhe Zakaria që ta rigjallëronin zellin e popullit të tij për adhurimin e vërtetë. Nëpërmjet Hageut, Jehovai tha: «A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar? . . . Mendohuni mirë për sjelljen tuaj! Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; . . . ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar.» (Hagai 1:4-6) Të sakrifikosh interesat frymore për të ndjekur përfitimet materiale nuk sjell si rrjedhojë bekimin e Jehovait.—Luka 12:15-21.
7. Përse Jehovai u tha judenjve «mendohuni mirë për sjelljen tuaj»?
7 Tepër të zënë me punët e përditshme, judenjtë kishin harruar se bekimet hyjnore në formën e shiut dhe të stinëve të frytshme do t’i zinin vetëm nëse do të kishin vazhduar të ishin të bindur ndaj Perëndisë, edhe përballë kundërshtimit. (Hagai 1:9-11) Pra, sa e përshtatshme është thirrja: «Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!» (Hagai 1:7) Në të vërtetë, Jehovai po u thoshte: ‘Mendoni! Dallojeni lidhjen ndërmjet punës suaj më kot në ara dhe gjendjes së rrënuar të shtëpisë sime të adhurimit.’ Fjalët e frymëzuara të profetëve të Jehovait, më në fund, arritën në zemrat e dëgjuesve të tyre, sepse populli e rifilloi punën për ndërtimin e tempullit, duke e përfunduar në vitin 515 p.e.s.
8. Çfarë thirrjeje u bëri Jehovai judenjve në ditët e Malakisë dhe përse?
8 Më vonë, në ditët e profetit Malakia, judenjtë edhe një herë filluan të lëkundeshin frymësisht, madje duke i paraqitur Perëndisë flijime të papranueshme. (Malakia 1:6-8) Prandaj, Jehovai u bëri thirrje që të sillnin të dhjetat e prodhimeve të tyre në depon e tij dhe ta vinin në provë, për të parë nëse nuk do t’u hapte pragjet e qiellit e do të derdhte mbi ta një bekim derisa të mos kishin më nevojë. (Malakia 3:10) Sa të pamend ishin judenjtë që robtoheshin pikërisht për ato gjëra që Perëndia do t’ua jepte me bollëk, sikur të vazhdonin ta dëgjonin zërin e tij!—2 Kronikave 31:10.
9. Cilët janë ata tre individë të dokumentuar në Bibël, jetën e të cilëve do të marrim në shqyrtim?
9 Përveçse paraqet historinë e Izraelit si komb, Bibla dokumenton jetën e shumë individëve që morën bekime ose mallkime hyjnore, në varësi të faktit nëse vazhduan ta dëgjonin Jehovain apo jo. Le të shohim çfarë mund të mësojmë nga tre prej tyre: Boazi, Nabali dhe Hana. Lidhur me këtë, mund të doni të lexoni librin e Ruthës, si edhe të 1 Samuelit 1:1–2:21 e të 1 Samuelit 25:2-42.
Boazi e dëgjoi Perëndinë
10. Çfarë kishin të përbashkët Boazi dhe Nabali?
10 Ndonëse Boazi dhe Nabali nuk ishin bashkëkohës, kishin disa gjëra të përbashkëta. Për shembull, që të dy jetuan në vendin e Judës. Ishin pronarë të pasur tokash dhe që të dy patën një mundësi të veçantë për t’i treguar dashamirësi dikujt që ishte në nevojë. Por me kaq mbarojnë ngjashmëritë ndërmjet tyre.
11. Si tregoi Boazi se vazhdonte ta dëgjonte Jehovain?
11 Boazi jetoi në epokën kur në Izrael kishte gjykatës. Ai i trajtonte të tjerët me respekt dhe korrësit e vet e nderonin shumë. (Rutha 2:4) Duke iu bindur Ligjit, Boazi sigurohej që në arën e tij të mbeteshin kallëza për të varfrit dhe nevojtarët. (Levitiku 19:9, 10) Çfarë bëri Boazi, kur mori vesh për Ruthën e për Naomin dhe kur pa zellin e Ruthës për t’i siguruar ushqim vjehrrës së saj të moshuar? U kujdes në mënyrë të veçantë për Ruthën dhe i urdhëroi njerëzit e tij që ta linin të mblidhte kallëza në arën e tij. Me fjalët e me veprat e tij të dashura, Boazi zbuloi se ishte një burrë frymor që e dëgjonte Jehovain. Prandaj, pati favorin dhe bekimin e Perëndisë.—Levitiku 19:18; Rutha 2:5-16.
12, 13. (a) Në ç’mënyrë Boazi tregoi respekt të thellë për ligjin e Jehovait për riblerjen? (b) Cilat bekime hyjnore e zunë Boazin?
12 Treguesi më i dukshëm se Boazi vazhdonte ta dëgjonte Jehovain ishte mënyra altruiste në të cilën veproi sipas ligjit të Perëndisë për riblerjen. Boazi bëri gjithçka mundi për t’u siguruar se trashëgimia e të afërmit të tij—burrit të Naomit, Elimelekut, që kishte vdekur—do të mbetej në fisin e Elimelekut. Sipas ‘martesës me kunatin’, një vejushë duhej të martohej me personin më të afërt të burrit të saj që kishte vdekur, në mënyrë që të lindte një djalë i cili mund të vazhdonte trashëgiminë. (Ligji i përtërirë 25:5-10; Levitiku 25:47-49) Rutha u paraqit për martesë në vend të Naomit, e cila e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë. Pasi një njeri më i afërt i Elimelekut nuk pranoi ta ndihmonte Naomin, Boazi e mori Ruthën si gruan e tij. Biri i tyre, Obedi, u quajt si pasardhës i Naomit dhe trashëgimtar ligjor i Elimelekut.—Rutha 2:19, 20; 4:1, 6, 9, 13-16.
13 Boazin e zunë bekime të pasura ngaqë, në mënyrë altruiste, veproi në harmoni me ligjin e Perëndisë. Nëpërmjet birit të tyre, Obedit, ai dhe Rutha u bekuan me privilegjin për t’u bërë paraardhës të Jezu Krishtit. (Rutha 2:12; 4:13, 21, 22; Mateu 1:1, 5, 6) Nga veprat altruiste të Boazit mësojmë se bekimet zënë ata persona që tregojnë dashuri për të tjerët dhe që veprojnë në harmoni me kërkesat e Perëndisë.
Nabali nuk dëgjoi
14. Çfarë lloj njeriu ishte Nabali?
14 Ndryshe nga Boazi, Nabali nuk e dëgjoi Jehovain. Ai shkeli ligjin e Perëndisë që thoshte: «Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.» (Levitiku 19:18) Nabali nuk ishte njeri frymor, por, përkundrazi, «i ashpër dhe i keq në veprimet e tij». Madje, edhe shërbëtorët e tij e shihnin si ‘një njeri të keq’. Në mënyrë të përshtatshme, emri i tij Nabal do të thotë «i pamend» ose «budalla». (1 Samuelit 25:3, 17, 25) Atëherë, si reagoi Nabali kur iu dha një mundësi t’i tregonte dashamirësi dikujt që ishte në nevojë, domethënë Davidit, të mirosurit të Jehovait?—1 Samuelit 16:13.
15. Si e trajtoi Nabali Davidin dhe si ndryshonte Abigaila nga i shoqi i saj në këtë fushë?
15 Kur kishin fushuar afër kopeve të Nabalit, Davidi dhe njerëzit e tij, pa kërkuar ndonjë pagesë, u kishin siguruar mbrojtje kopeve nga bandat e grabitësve. «Ata kanë qenë për ne një mur mbrojtjeje natën e ditën»,—tha njëri nga barinjtë e Nabalit. Por, kur lajmëtarët e Davidit kërkuan ca ushqime, Nabali ‘i fyeu’ dhe i ktheu prapa duarbosh. (1 Samuelit 25:2-16) E shoqja e Nabalit, Abigaila, menjëherë i çoi ushqime Davidit. Shumë i inatosur, ky i fundit po bëhej gati të shfaroste Nabalin dhe njerëzit e tij. Kështu, nisma që mori Abigaila u shpëtoi jetën shumë njerëzve dhe e pengoi Davidin që të bëhej fajtor gjaku. Gjithsesi, lakmia dhe ashpërsia e Nabalit e kishin kaluar kufirin. Rreth dhjetë ditë më vonë, «Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq».—1 Samuelit 25:18-38.
16. Si mund ta imitojmë Boazin dhe të hedhim poshtë mënyrën e të vepruarit të Nabalit?
16 Sa ndryshonin nga njëri-tjetri Boazi dhe Nabali! Ndërkohë që duhet të hedhim poshtë mënyrën e ashpër dhe egoiste të të vepruarit të Nabalit, le të imitojmë dashamirësinë dhe altruizmin e Boazit. (Hebrenjve 13:16) Këtë mund ta bëjmë duke zbatuar këshillën e apostullit Pavël: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Sot, ‘delet e tjera’ të Jezuit, pra, të krishterët me shpresë tokësore, kanë privilegjin të bëjnë atë që është e mirë ndaj të mirosurve të Jehovait, mbetjes së 144.000-ve, të cilëve do t’u jepet pavdekësia në qiell. (Gjoni 10:16; 1 Korintasve 15:50-53; Zbulesa 14:1, 4) Vepra të tilla të dashura Jezui i merr sikur t’i bëhen atij personalisht dhe duke bërë këto gjëra të mira marrim si rrjedhim bekimin e pasur të Jehovait.—Mateu 25:34-40; 1 Gjonit 3:18.
Sprovat dhe bekimet e Hanës
17. Çfarë sprovash haste Hana dhe çfarë qëndrimi shfaqi?
17 Bekimi i Jehovait zuri edhe Hanën, një grua të perëndishme. Ajo jetonte në krahinën malore të Efraimit, me të shoqin e saj levit, Elkanahun. Siç ishte e lejuar dhe e rregulluar nga Ligji, ai kishte edhe një grua tjetër, Peninën. Hana mbeti shterpë dhe kjo ishte diçka poshtëruese për një grua izraelite, kurse Penina pati disa fëmijë. (1 Samuelit 1:1-3; 1 Kronikave 6:16, 33, 34) Por, në vend që ta ngushëllonte Hanën, Penina tregohej e pazemër aq sa e acaronte atë derisa qante dhe humbte oreksin. Ç’është më e keqja, kjo ndodhte «çdo vit», sa herë që familja shkonte në shtëpinë e Jehovait në Shiloh. (1 Samuelit 1:4-8) Sa e pashpirt që tregohej Penina dhe çfarë sprove ishte kjo për Hanën! E megjithatë, ajo nuk e fajësoi kurrë Jehovain dhe as qëndroi në shtëpi, kur i shoqi shkonte në Shiloh. Për këtë arsye, së fundi një bekim i pasur do ta zinte me siguri.
18. Çfarë shembulli la Hana?
18 Hana la një shembull të shkëlqyer për popullin e Jehovait sot, e në veçanti për ata që mund të jenë lënduar nga komentet e pasjellshme të të tjerëve. Në rrethana të tilla, zgjidhja nuk është të veçohemi nga të tjerët. (Fjalët e urta [Proverbat] 18:1) Hana nuk la që sprovat t’ia pakësonin dëshirën për të qenë aty ku mësohej Fjala e Perëndisë dhe ku mblidhej populli i tij për adhurim. Prandaj, mbeti e fortë frymësisht. Thellësia e karakterit të saj frymor zbulohet në lutjen e bukur që bëri, të dokumentuar te 1 Samuelit 2:1-10.a
19. Si mund ta shfaqim çmueshmërinë tonë për gjërat frymore?
19 Si shërbëtorë të Jehovait në kohët e sotme, ne nuk adhurojmë në një tabernakull. Megjithatë, mund ta shfaqim çmueshmërinë tonë për gjërat frymore, siç bëri Hana. Për shembull, mund ta tregojmë çmueshmërinë e thellë për pasuritë frymore duke qenë rregullisht të pranishëm në mbledhjet, asambletë dhe kongreset e krishtere. T’i përdorim këto raste për të nxitur njëri-tjetrin në adhurimin e vërtetë të Jehovait, i cili na ka dhënë «privilegjin për t’i bërë atij pa frikë shërbim të shenjtë me besnikëri dhe drejtësi».—Luka 1:74, 75; Hebrenjve 10:24, 25.
20, 21. Si u shpërblye Hana për devocionin e saj hyjnor?
20 Jehovai e vuri re devocionin hyjnor të Hanës dhe e shpërbleu atë në mënyrë të bollshme. Në një nga udhëtimet e përvitshme të familjes në Shiloh, me lot në sy Hana iu lut me zjarr Perëndisë dhe u betua: «O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t’i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t’ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij.» (1 Samuelit 1:9-11) Perëndia e dëgjoi përgjërimin e Hanës dhe e bekoi me një djalë, të cilin ajo e quajti Samuel. Kur djali u zvordh, ajo e çoi në Shiloh që të shërbente në tabernakull.—1 Samuelit 1:20, 24-28.
21 Hana tregoi dashuri për Perëndinë dhe e mbajti betimin që i kishte bërë lidhur me Samuelin. Mendoni për bekimin e pasur që patën ajo dhe Elkanahu, ngaqë djali i tyre i dashur shërbente në tabernakullin e Jehovait! Shumë prindër të krishterë kanë gëzime dhe bekime të ngjashme, ngaqë bijtë dhe bijat e tyre shërbejnë në kohë të plotë si pionierë, si anëtarë të familjes Bethel ose në mënyra të tjera që e nderojnë Jehovain.
Vazhdoni ta dëgjoni Jehovain!
22, 23. (a) Për çfarë mund të jemi të sigurt, nëse vazhdojmë ta dëgjojmë zërin e Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?
22 Për çfarë mund të jemi të sigurt, nëse vazhdojmë ta dëgjojmë Jehovain? Nëse tregojmë dashuri me gjithë shpirt për Perëndinë dhe përmbushim dedikimin tonë ndaj tij, do të jemi të pasur frymësisht. Edhe atëherë kur ndjekja e një drejtimi të tillë nënkupton që të durojmë sprova të rënda, bekimi i Jehovait do të na zërë pa dyshim, shpesh në mënyra më të mëdha sesa mund ta përfytyrojmë.—Psalmi 37:4; Hebrenjve 6:10.
23 Shumë bekime do të bien mbi popullin e Perëndisë në të ardhmen. Ngaqë e ka dëgjuar me bindje Jehovain, ‘një shumicë e madhe’ do të ruhet gjatë ‘shtrëngimit të madh’ dhe do të provojë gëzimet e jetës në botën e re të Perëndisë. (Zbulesa 7:9-14; 2 Pjetrit 3:13) Atje, Jehovai do t’i plotësojë krejtësisht dëshirat e drejta të gjithë popullit të tij. (Psalmi 145:16) Megjithatë, siç do ta tregojë artikulli vijues, edhe tani ata që vazhdojnë ta dëgjojnë zërin e Jehovait bekohen me ‘dhurata të mira dhe gjëra të përsosura nga lart’.—Jakovit 1:17.
[Shënimi]
a Shprehjet e Hanës kanë disa ngjashmëri me ato të Marisë së virgjër, të cilat i tha pak kohë pasi mori vesh se do të bëhej nëna e Mesisë.—Luka 1:46-55.
A ju kujtohet?
• Çfarë mund të na mësojë historia e Izraelit për bekimet hyjnore?
• Si ndryshonin nga njëri-tjetri Boazi dhe Nabali?
• Si mund ta imitojmë Hanën?
• Përse duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë zërin e Jehovait?
[Figura në faqen 10]
Mbreti Solomon u lut për një zemër të bindur dhe Jehovai e bekoi duke i dhënë mençuri
[Figura në faqen 12]
Boazi i trajtonte të tjerët me respekt dhe mirëdashje
[Figura në faqen 15]
Hana u bekua në mënyrë të pasur sepse u mbështet te Jehovai