Enoku eci me Perëndinë në një botë të paperëndishme
DJALLI pohon se mund t’i largojë të gjithë njerëzit nga Perëndia dhe, nganjëherë, duhet të jetë dukur sikur ai po ia dilte mbanë. Për pothuajse pesë shekuj pas vdekjes së Abelit, askush nuk u dallua si një shërbëtor besnik i Jehovait. Përkundrazi, sjellja mëkatare dhe e paperëndishme ishte bërë një gjë e zakonshme.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe të degjeneruar frymësisht jetoi Enoku. Sipas kronologjisë biblike, ai lindi në vitin 3404 p.e.s. Ndryshe nga bashkëkohësit e vet, Enoku tregoi se ishte një njeri i pëlqyeshëm për Perëndinë. Apostulli Pavël e përfshiu ndër shërbëtorët e Jehovait besimi i të cilëve është një shembull për të krishterët. Cili ishte Enoku? Çfarë sfidash do t’i duhej të përballonte? Si i përballoi ato? Gjithashtu, çfarë rëndësie ka për ne integriteti i tij?
Në ditët e Enosit, gati katër shekuj para kohës së Enokut, «u fillua të thirrej emri i Jehovait». (Zanafilla 4:26, BR) Emri hyjnor ishte përdorur që nga fillimi i historisë njerëzore. Prandaj, ajo që filloi kur ishte gjallë Enosi, me sa duket, nuk ishte thirrja e Jehovait me besim dhe në adhurim të pastër. Disa studiues hebrenj mendojnë se te Zanafilla 4:26 duhet të lexohet «u fillua në mënyrë të përdhosur» ose «atëherë filloi përdhosja». Njerëzit mund ta kenë përdorur emrin e Jehovait për veten e tyre ose për njerëzit e tjerë, nëpërmjet të cilëve pretendonin t’i afroheshin Perëndisë në adhurim. Ose ndoshta e përdornin emrin e tij për idhujt.
‘Enoku eci me Perëndinë e vërtetë’
Ndonëse ishte i rrethuar nga paperëndishmëria, Enoku «eci me Perëndinë [e vërtetë, BR]», Jehovain. Nuk thuhet që paraardhësit e tij—Seti, Enosi, Kenani, Mahalaleli dhe Jaredi—ecën me Perëndinë. Të paktën nuk e bënë këtë në të njëjtën masë si Enoku, mënyra e jetesës së të cilit, me sa duket, e dalloi nga të tjerët.—Zanafilla 5:3-27.
Të ecje me Jehovain nënkuptonte një familjaritet dhe një afërsi me Perëndinë, e cila ishte e mundur vetëm sepse Enoku jetonte në harmoni me vullnetin hyjnor. Jehovai e miratoi devocionin e Enokut. Në të vërtetë, Septuaginta greke thotë se «Enoku ishte i pëlqyer» para Perëndisë, një mendim që e shpreh edhe apostulli Pavël.—Zanafilla 5:22; Hebrenjve 11:5.
Një gjë kryesore në marrëdhënien e mirë që Enoku kishte me Jehovain ishte besimi i tij. Ai duhet të ketë ushtruar besim në «farën» e premtuar të «gruas» së Perëndisë. Po qe se është njohur personalisht me Adamin, ndoshta Enoku mund të ketë marrë disa të dhëna lidhur me marrëdhëniet e Perëndisë me çiftin e parë njerëzor në Eden. Njohuria që kishte për Perëndinë, e bëri Enokun llojin e personit që ‘e kërkonte me ngulm atë’.—Zanafilla 3:15; Hebrenjve 11:6, 13.
Në rastin e Enokut, si edhe në rastin tonë, një marrëdhënie e mirë me Jehovain kërkon më shumë sesa vetëm njohurinë për Perëndinë. Nëse e vlerësojmë në mënyrë të veçantë afërsinë me një person, a nuk është e vërtetë se mendimet dhe veprimet tona ndikohen nga pikëpamjet e tij? I shmangim fjalët ose veprimet që mund ta shkatërronin këtë miqësi. Veç kësaj, nëse do të mendonim të bënim disa ndryshime në rrethanat tona, a nuk do të merrnim parasysh edhe si do të ndikonte kjo gjë në atë marrëdhënie?
Në mënyrë të ngjashme, dëshira për të mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë ndikon në atë që bëjmë. Një kërkesë paraprake është njohuria e saktë se çfarë miraton ai e çfarë jo. Pastaj, duhet të udhëhiqemi nga kjo njohuri, duke u përpjekur t’i pëlqejmë atij në mendime e veprime.
Po, për të ecur me Perëndinë, duhet t’i pëlqejmë atij. Kjo është ajo që bëri Enoku për qindra vjet. Në të vërtetë, forma e foljes hebraike që tregon se Enoku «eci» me Perëndinë, tregon një veprim të përsëritur dhe të vazhdueshëm. Një njeri tjetër besnik që ‘eci me Perëndinë’ ishte Noeja.—Zanafilla 6:9.
Enoku ishte njeri familjar, pra, kishte grua dhe i lindën ‘bij e bija’. Një nga bijtë e tij ishte Metuselahu. (Zanafilla 5:21, 22) Enoku duhet të ketë bërë më të mirën për ta drejtuar në mënyrë të shkëlqyer familjen e tij. Megjithatë, duke qenë se paperëndishmëria ishte kudo përreth, për të nuk ishte e lehtë që t’i shërbente Perëndisë. I vetmi bashkëkohës i tij që ushtroi besim te Jehovai mund të ketë qenë Lameku, i ati i Noesë. (Zanafilla 5:28, 29) Sidoqoftë, me guxim Enoku praktikoi adhurimin e vërtetë.
Çfarë e ndihmoi Enokun që t’i qëndronte besnik Perëndisë? Pa dyshim, ai nuk shoqërohej me ata që e përdhosnin emrin e Jehovait ose me të tjerë që përbënin një shoqëri të papërshtatshme për një adhurues të Perëndisë. Edhe fakti që kërkonte ndihmën e Jehovait në lutje duhet ta ketë forcuar vendosmërinë e Enokut për të shmangur çdo gjë që mund t’i sillte pakënaqësi Krijuesit të tij.
Profetizon kundër të paperëndishmëve
Të mbajmë norma të larta është mjaft e vështirë, kur jemi të rrethuar nga njerëz të paperëndishëm. Por Enoku shpalli edhe një mesazh gjykimi pa kompromise kundër të ligjve. I drejtuar nga fryma e Perëndisë, Enoku shpalli në mënyrë profetike: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijët e tij të shenjtë, për të ekzekutuar gjykimin kundër të gjithëve, për të shpallur fajtorë të tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme që bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.»—Judës 14, 15.
Çfarë efekti do të kishte ky mesazh te jobesimtarët e zvetënuar? Është e arsyeshme të mendojmë se ato fjalë sëmbuese e bënë Enokun të papëlqyeshëm, ndoshta duke sjellë tallje, përqeshje dhe kërcënime. Disa duhet të jenë përpjekur ta bënin të heshtte një herë e mirë. Megjithatë, Enoku nuk u frikësua. E dinte çfarë i kishte ndodhur Abelit të drejtë dhe, ngjashëm tij, Enoku ishte i vendosur t’i shërbente Perëndisë, të ndodhte ç’të ndodhte.
«Perëndia e mori»
Me sa duket, Enoku ishte në rrezik vdekjeje kur «Perëndia e mori». (Zanafilla 5:24) Jehovai nuk lejoi që profeti i tij besnik të vuante në duart e armiqve të tërbuar. Sipas apostullit Pavël, «Enoku u hoq që të mos shihte vdekjen». (Hebrenjve 11:5) Shumë veta thonë se Enoku nuk vdiq, se Perëndia e mori në qiell ku vazhdoi të jetonte. Por, Jezui e tha qartë: «Asnjeri nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.» Jezui ishte ‘pararendësi’ i të gjithë atyre që ngjiten në qiell.—Gjoni 3:13; Hebrenjve 6:19, 20.
Atëherë, çfarë ndodhi me Enokun? Fakti që «u hoq që të mos shihte vdekjen» mund të nënkuptojë se Perëndia e vuri në një përhitje profetike dhe, pastaj, e përfundoi jetën e tij ndërsa ishte ende në këtë gjendje. Në rrethana të tilla, Enoku nuk do të provonte dhembjet e vdekjes. Pastaj «nuk u gjend gjëkundi», me sa duket ngaqë Jehovai e hoqi trupin e tij, siç hoqi edhe trupin e Moisiut.—Ligji i përtërirë 34:5, 6.
Enoku jetoi 365 vjet, jo aq gjatë sa jetonin shumë nga bashkëkohësit e tij. Por e rëndësishme për ata që e duan Jehovain është që t’i shërbejnë atij me besnikëri deri në fund të jetës së tyre. E dimë se Enoku e bëri këtë, sepse «përpara se të hiqej pati dëshminë se i kishte pëlqyer Perëndisë». Shkrimet nuk e thonë se si ia komunikoi Jehovai këtë Enokut. Megjithatë, para se të vdiste, Enokut iu dha siguri se Perëndia e miratonte dhe mund të jemi të sigurt se Jehovai do ta kujtojë në ringjallje.
Imitoni besimin e Enokut
Në mënyrë të përshtatshme, ne mund të imitojmë besimin e njerëzve të perëndishëm. (Hebrenjve 13:7) Me anë të besimit, Enoku shërbeu si profeti i parë besnik i Perëndisë. Bota e kohës së Enokut ishte si e jona: e dhunshme, blasfemuese dhe e paperëndishme. Gjithsesi, Enoku ishte i ndryshëm. Ai kishte besim të vërtetë dhe ishte një shembull për sa i përket devocionit hyjnor. Vërtet, Jehovai i dha një mesazh të rëndësishëm gjykimi për të shpallur, por edhe e forcoi që ta jepte atë mesazh. Enoku e kreu me guxim detyrën që i ishte ngarkuar dhe Perëndia u kujdes për të kur hasi kundërshtim nga armiqtë.
Nëse ushtrojmë besim siç bëri Enoku, Jehovai do të na forcojë që të shpallim mesazhin e tij në këto ditë të fundit. Do të na ndihmojë që ta përballojmë me guxim kundërshtimin dhe devocioni ynë hyjnor do të na bëjë shumë të ndryshëm nga të paperëndishmit. Besimi do të na japë mundësi që të ecim me Perëndinë dhe të sillemi në mënyrë të atillë që e bën zemrën e tij të gëzojë. (Fjalët e urta 27:11) Me anë të besimit, Enoku i drejtë ia doli mbanë të ecte me Jehovain në një botë të paperëndishme dhe, edhe ne mund ta bëjmë këtë.
[Kutia në faqen 30]
A përmban Bibla citime nga Libri i Enokut?
Libri i Enokut është një libër apokrif dhe pseudoepigraf. Në mënyrë të rreme i atribuohet Enokut. I shkruar ndoshta në një periudhë ndërmjet shekullit të dytë e të parë p.e.s., ai është një përmbledhje mitesh ekstravagante e johistorike të judenjve, me sa duket, prodhim i përpunimeve shpjeguese rreth referimit të shkurtër që i bën Zanafilla Enokut. Mjafton ky fakt që ata të cilët e duan Fjalën e frymëzuar të Perëndisë të mos e shohin si të denjë për ta shqyrtuar këtë libër.
Në Bibël vetëm libri i Judës përmban fjalët profetike të Enokut: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijët e tij të shenjtë, për të ekzekutuar gjykimin kundër të gjithëve, për të shpallur fajtorë të tërë të paperëndishmit për të gjitha veprat e tyre të paperëndishme që bënë në mënyrë të paperëndishme dhe për të gjitha fjalët tronditëse që thanë kundër tij mëkatarët e paperëndishëm.» (Judës 14, 15) Shumë studiues argumentojnë se profecia e Enokut kundër bashkëkohësve të tij të paperëndishëm është cituar drejtpërdrejt nga Libri i Enokut. A është e mundur që Juda të ketë përdorur një libër apokrif jo të besueshëm si burim për librin e tij?
Se nga e dinte Juda profecinë e Enokut nuk zbulohet në Shkrime. Ai thjesht mund të ketë cituar një burim të përbashkët, një traditë të besueshme që ishte përcjellë nga lashtësia. Nga sa duket, Pavli bëri diçka të ngjashme kur përmendi Janesin e Jambresin, magjistarët—që përndryshe do të ishin anonimë—e oborrit të Faraonit që iu kundërvunë Moisiut. Nëse shkrimtari i Librit të Enokut kishte në dispozicion një burim të lashtë të këtij lloji, përse duhet t’ia mohojmë këtë gjë Judës?a—Eksodi 7:11, 22; 2 Timoteut 3:8.
Se si i mori Juda të dhënat lidhur me mesazhin e Enokut ndaj të paperëndishmëve është një çështje pa shumë rëndësi. Besueshmëria e këtyre të dhënave dëshmohet nga fakti se Juda shkroi nën frymëzimin hyjnor. (2 Timoteut 3:16) Fryma e shenjtë e Perëndisë e ruajti atë që të mos thoshte ndonjë gjë që nuk ishte e vërtetë.
[Shënimi]
a Edhe dishepulli Stefan siguroi të dhëna që nuk gjenden asgjëkundi tjetër në Shkrimet Hebraike. Këto të dhëna kishin të bënin me arsimimin egjiptian të Moisiut, me faktin që ishte 40 vjeç kur u arratis nga Egjipti, qëndrimin 40-vjeçar të tij në Midian dhe rolin e engjëjve për të përcjellë Ligjin e Moisiut.—Veprat 7:22, 23, 30, 38.
[Figura në faqen 31]
Enoku e shpalli me guxim mesazhin e Jehovait