Krishtërimi i vërtetë po lulëzon
SHËRBIMI i Jezu Krishtit pati shumë ndikim në botën e shekullit të parë. Njerëzit mahniteshin me mesazhin e tij, sepse ishte përtëritës, u hapte sytë dhe i frymëzonte. Shumë nga ata që e dëgjonin Jezuin prekeshin thellë nga fjalët e tij.—Mateu 7:28, 29.
Me vendosmëri Jezui nuk pranoi të përzihej me sistemet shtypëse fetare e politike të kohës së tij, por ishte i afrueshëm me njerëzit e thjeshtë. (Mateu 11:25-30) Ai e pranoi hapur ndikimin e thellë që kishin frymërat e liga në tokë dhe tregoi se Perëndia i kishte dhënë fuqi mbi këto frymëra. (Mateu 4:2-11, 24; Gjoni 14:30) Me mjeshtëri, Jezui bëri të qartë lidhjen thelbësore që ekziston mes vuajtjeve dhe mëkatit. Me dashuri, i drejtoi njerëzit te Mbretëria e Perëndisë nëpërmjet së cilës do të gjenin lehtësim të përhershëm. (Marku 2:1-12; Luka 11:2, 17-23) Ai e hoqi një herë e përgjithmonë velin e errësirës që prej kaq shumë kohësh kishte mbajtur në terr personalitetin e vërtetë të Atit të tij. Ua bëri të njohur emrin e Perëndisë të gjithë atyre që ishin të interesuar për të pasur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë.—Gjoni 17:6, 26.
Prandaj, nuk habitemi që, pavarësisht nga përndjekjet e ashpra fetare dhe politike, dishepujt e Jezuit e përhapën me shpejtësi mesazhin e tij fuqizues. S’kaluan as 30 vjet dhe tashmë ishin formuar kongregacione të krishtere që po lulëzonin në Afrikë, Azi dhe Evropë. (Kolosianëve 1:23) Të vërtetat e thjeshta që u kishte mësuar Jezui njerëzve ndriçuan zemrën e njerëzve të përulur e të drejtë në gjithë Perandorinë Romake.—Efesianëve 1:17, 18.
Por, si do t’ia dilnin mbanë gjithë këta dishepuj të rinj me formime shumë të ndryshme ekonomike, kulturore, gjuhësore dhe fetare që të qëndronin vërtet të bashkuar në «një besim të vetëm», si tha apostulli Pavël? (Efesianëve 4:5) Çfarë do t’i ndihmonte që ‘të flitnin të gjithë në harmoni’ e të mos përçaheshin? (1 Korintasve 1:10) Duke pasur parasysh përçarjen e thellë që ekziston ndër ata që quhen të krishterë sot, duhet të shqyrtojmë çfarë mësoi vetë Jezui.
Baza për unitetin e krishterë
Kur po gjykohej para Ponc Pilatit, Jezui tregoi qartë bazën për unitetin e krishterë. Ai tha: «Për këtë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën. Kushdo që është në anën e së vërtetës, e dëgjon zërin tim.» (Gjoni 18:37) Prandaj, pranimi i mësimeve të Jezuit krahas mësimeve të tjera të Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, Biblës, ka ndikim të fuqishëm bashkues te dishepujt e vërtetë të Krishtit.—1 Korintasve 4:6; 2 Timoteut 3:16, 17.
Sigurisht që nganjëherë dishepujt e Jezuit do të kishin pyetje të sinqerta ose mosmarrëveshje midis njëri-tjetrit. Ç’do të bëhej në raste të tilla? Jezui shpjegoi: «Kur të mbërrijë ai, fryma e së vërtetës, do t’ju drejtojë në gjithë të vërtetën, sepse nuk do të flasë nga vetja e vet, por do të thotë ato që dëgjon dhe do t’ju shpallë gjërat që po vijnë.» (Gjoni 16:12, 13) Pra, fryma e shenjtë e Perëndisë do t’i ndihmonte dishepujt e vërtetë të Jezuit të kuptonin të vërtetën siç do ta zbulonte gradualisht Perëndia. Gjithashtu, kjo frymë do të prodhonte fryte si dashuria, gëzimi dhe paqja, të cilat pastaj do të nxitnin unitetin ndërmjet dishepujve.—Veprat 15:28; Galatasve 5:22, 23.
Jezui nuk lejoi që të kishte fërkime ose ndarje në fraksione mes dishepujve të tij. As nuk i autorizoi t’u bënin ndonjë interpretim tjetër të vërtetave të Biblës për t’i përshtatur me traditat kulturore ose fetare të atyre që do të takonin. Përkundrazi, natën e fundit që ishte me ta, u lut me zjarr: «Nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që tregojnë besim tek unë nëpërmjet fjalës së tyre; që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, me qëllim që bota të besojë se ti më dërgove.» (Gjoni 17:20, 21) Kështu, uniteti i vërtetë në frymë dhe të vërtetë do të ishte shenja dalluese e dishepujve të Krishtit që nga fillimi e deri në kohën tonë. (Gjoni 4:23, 24) Mirëpo, kishat e sotme nuk janë në unitet, por të përçara. Përse ka ndodhur kjo?
Pse janë të përçara kishat?
E thënë thjesht, shpjegimi se përse ka kaq shumë bindje e praktika të ndryshme ndër ata që thonë se janë të krishterë sot, është se nuk u janë përmbajtur mësimeve të Jezuit. Një shkrimtar tha: «Ashtu si në të kaluarën, ata që bëhen të krishterë sot kanë prirjen të marrin nga Bibla çfarë u shkon për mbarë dhe të shpërfillin çfarëdolloj shkrimi të saj që nuk përputhet me traditat e tyre fetare vendëse.» Kjo është pikërisht ajo që parathanë Jezui dhe apostujt e tij.
Për shembull, nën frymëzim, apostulli Pavël i shkroi një mbikëqyrësi tjetër, Timoteut: «Do të vijë një periudhë kohe, kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët; do t’i largojnë veshët nga e vërteta dhe do t’u kthehen tregimeve të rreme.» A do të mashtroheshin të gjithë të krishterët? Jo. Pavli vazhdoi: «Kurse ti, ruaj gjykimin në gjithçka, duro të ligën, bëj punën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» (2 Timoteut 4:3-5; Luka 21:8; Veprat 20:29, 30; 2 Pjetrit 2:1-3) Timoteu dhe të krishterë të tjerë besnikë jetuan në përputhje me këtë këshillë të frymëzuar.
Të krishterët e vërtetë vazhdojnë të jenë në unitet
Ashtu si Timoteu, të krishterët e vërtetë sot po ruajnë gjykimin duke i hedhur poshtë arsyetimet njerëzore dhe duke pranuar vetëm autoritetin e Biblës për bindjet e tyre doktrinale. (Kolosianëve 2:8; 1 Gjonit 4:1) Njësoj si të krishterët e shekullit të parë, Dëshmitarët e Jehovait po e kryejnë shërbimin e tyre në më shumë se 230 vende, duke u çuar njerëzve kudo pikërisht atë mesazh që dha Jezui, lajmin e mirë të Mbretërisë. Shqyrtoni katër mënyra të rëndësishme se si e imitojnë Jezuin në unitet dhe praktikojnë krishterimin e vërtetë, pavarësisht se ku jetojnë.
Bindjet e tyre janë të bazuara në Fjalën e Perëndisë. (Gjoni 17:17) Një prift famullie në Belgjikë shkroi për ta: «Një gjë që mund të mësojmë prej tyre [Dëshmitarëve të Jehovait] është gatishmëria për t’i vënë veshin Fjalës së Perëndisë dhe guximi për të dhënë dëshmi për të.»
Shpresojnë te Mbretëria e Perëndisë për zgjidhjen e problemeve globale. (Luka 8:1) Në Barankilë, Kolumbi, një Dëshmitar foli me Antonion, i cili ishte përkrahës i flaktë i një lëvizjeje politike. Dëshmitari nuk mori anën e Antonios dhe as nuk përkrahu ndonjë ideologji tjetër politike. Në vend të kësaj, i propozoi Antonios dhe motrave të tij që të studionte Biblën me ta pa pagesë. Shumë shpejt Antonioja e kuptoi se Mbretëria e Perëndisë është me të vërtetë e vetmja shpresë për njerëzit e varfër në Kolumbi dhe në pjesën tjetër të botës.
E nderojnë emrin e Perëndisë. (Mateu 6:9) Kur Dëshmitarët e Jehovait u takuan fillimisht me Marinë, një katolike e sinqertë në Australi, ajo i la që t’i tregonin emrin e Perëndisë në Bibël. Si reagoi më pas? «Kur e pashë për herë të parë emrin e Perëndisë në Bibël, qava. Më preku shumë fakti që mund ta njihja e ta përdorja emrin e Perëndisë.» Maria vazhdoi ta studionte Biblën dhe për herë të parë në jetën e saj e njohu Jehovain si person e pati mundësi të krijonte një marrëdhënie të qëndrueshme me të.
Janë të bashkuar nga dashuria. (Gjoni 13:34, 35) Në një artikull kryesor në The Ladysmith-Chemainus Chronicle, Kanada, komentohej: «Pavarësisht nga bindjet fetare që keni, ose që s’keni, duhet t’u jepni meritën 4.500 Dëshmitarëve të Jehovait që punuan gjithë ditën e ditës, për një javë e gjysmë, për të ndërtuar një Sallë Asamblesh 2.300 metra katrorë në Kesidi . . . E gjithë kjo punë, e bërë me gëzim e pa debatuar, pa përçarje ose pa kërkuar lavdi për vete, është shenjë e krishterimit të vërtetë.»
Pra, shqyrtoni dëshmitë. Ndërkohë që teologët, misionarët dhe ata që shkojnë në kishat e të ashtuquajturit krishterim vazhdojnë të luftojnë me krizën dhe përplasjen që po u kanoset kishave të tyre, krishterimi i vërtetë po lulëzon në mbarë botën. Pikërisht, të krishterët e vërtetë po vazhdojnë të kryejnë shërbimin që u është caktuar, domethënë predikimin dhe mësimin e Fjalës së Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Nëse jeni ndër ata që «psherëtijnë dhe vajtojnë» për gjërat e neveritshme që po ndodhin tani dhe nëse ju shqetëson përçarja ndër kishat e të ashtuquajturit krishterim, ju ftojmë të bashkoheni me Dëshmitarët e Jehovait për të adhuruar së bashku, në një unitet të krishterë, të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain!—Ezekieli 9:4; Isaia 2:2-4.