A e dalloni shenjën e pranisë së Jezuit?
ASKUJT nuk i pëlqen të sëmuret rëndë apo të gjendet papritur në mes të një katastrofe. Që t’i shmangë këto probleme, ai që është i mençur tregohet i vëmendshëm ndaj shenjave që sinjalizojnë rrezikun dhe merr masat e duhura për t’u mbrojtur. Jezu Krishti përshkroi një shenjë të veçantë që duhet ta dallojmë. Shenja për të cilën foli ai, do të kishte një ndikim mbarëbotëror dhe do të prekte të gjithë njerëzimin. Këtu përfshiheni edhe ju me familjen tuaj.
Jezui foli për Mbretërinë e Perëndisë, që do t’i japë fund ligësisë dhe do ta kthejë tokën në parajsë. Dishepujt e tij ishin kureshtarë për këtë Mbretëri dhe donin të dinin se kur do të vinte ajo. Ata pyetën: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»—Mateu 24:3.
Jezui e dinte se pas ekzekutimit dhe ringjalljes së tij, do të kalonin shekuj të tërë para se ai të kurorëzohej në qiell si Mbreti Mesianik që do të qeveriste mbi njerëzimin. Meqenëse njerëzit nuk do të mund ta shihnin kurorëzimin e tij si mbret, Jezui dha një shenjë që ithtarët e tij të kuptonin «praninë» e tij dhe «përfundimin e sistemit». Kjo shenjë përbëhet nga disa aspekte, të cilat, të gjitha së bashku, përbëjnë një shenjë të përbërë dalluese—shenjën e pranisë së Jezuit.
Shkrimtarët e Ungjijve, Mateu, Marku dhe Luka, e dokumentuan me kujdes përgjigjen e Jezuit. (Mateu, kapitujt 24 dhe 25; Marku, kapitulli 13; Luka, kapitulli 21) Shkrimtarë të tjerë të Biblës dhanë hollësi të tjera të kësaj shenje. (2 Timoteut 3:1-5; 2 Pjetrit 3:3, 4; Zbulesa 6:1-8; 11:18) Për arsye hapësire nuk mund t’i shohim një më një të gjitha hollësitë, por do të shqyrtojmë pesë elemente themelore që përbëjnë shenjën për të cilën foli Jezui. Do ta kuptoni se ky shqyrtim është mjaft domethënës dhe i rëndësishëm për ju personalisht.—Shih kutinë në faqen 6.
«Një kthesë që bëri epokë»
«Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Revista gjermane Der Spiegel shkruan se, para vitit 1914, njerëzit «besonin në një të ardhme të artë, ku do të kishte më shumë liri, përparim dhe begati». Pastaj gjithçka ndryshoi. «Lufta që filloi në gusht të vitit 1914 dhe që mbaroi në nëntor të vitit 1918, ishte një ngjarje tronditëse. Ishte një ndryshim historik që ndau të vjetrën nga e reja»,—shkruan revista gjermane GEO. Më shumë se 60 milionë ushtarë nga pesë kontinente u përfshinë në përleshje barbare. Çdo ditë vriteshin mesatarisht 6.000 ushtarë. Që atëherë, historianët e çdo brezi dhe të çdo përkatësie politike, i kanë cilësuar «vitet 1914-1918 si një kthesë që bëri epokë».
Lufta I Botërore solli në shoqërinë njerëzore ndryshime të pakthyeshme dhe e çoi njerëzimin drejt ditëve të fundit të këtij sistemi. Vitet në vazhdim të atij shekulli u karakterizuan nga luftëra të tjera, nga konflikte të armatosura dhe nga terrorizmi. Edhe në fillim të këtij shekulli, gjërat vazhdojnë po njësoj. Përveç luftërave, shohim edhe aspekte të tjera të shenjës.
Zi buke, murtaja dhe tërmete
«Do të ketë mungesë ushqimi.» (Mateu 24:7) Gjatë Luftës I Botërore, Evropën e pllakosi uria dhe, që atëherë, njerëzimi ka vuajtur gjithnjë nga zia e bukës. Historiani Alan Bullok shkroi se, në vitin 1933, në Rusi dhe në Ukrainë, «mori e mori njerëzish që po vdisnin urie endeshin rrugëve. . . . Kufomat bëheshin pirg në anë të rrugës». Në vitin 1943, gazetari T. H. Uait e pa me sytë e tij zinë e bukës në provincën e Henanit, në Kinë. Ai shkroi: «Kur ka zi buke, çdo gjë bëhet e ngrënshme, çdo gjë mund të bluhet, të hahet dhe të kthehet në energji nga trupi i njeriut. Por duhet të jesh nën tmerrin e vdekjes që të të shkojë në mendje të hash diçka që gjer më sot nuk ka qenë e ngrënshme.» Është për të ardhur keq, por gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, në Afrikë zia e bukës është bërë më se e zakonshme. Megjithëse toka prodhon mjaftueshëm për të ushqyer të gjithë njerëzit, sipas llogaritjeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, 840 milionë njerëz në të gjithë botën nuk kanë ç’të hanë.
‘Murtaja nga njëri vend në tjetrin.’ (Luka 21:11) «Nga llogaritjet, del se në vitin 1918, nga gripi spanjoll kanë vdekur 20 milionë deri 50 milionë veta, dhe ky numër ia kalon numrit të të vdekurve nga vdekja e zezë apo nga Lufta I Botërore»,—shkruan gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung. Që atëherë, një numër i paparë njerëzish kanë marrë sëmundje të tilla, si: malarja, lia, tuberkulozi, poliomieliti dhe kolera. Për më tepër, bota vështron e shtangur se si SIDA vazhdon të përhapet me të njëjtin ritëm. Jetojmë në një situatë të çuditshme, ku sëmundjet rezistente vazhdojnë pavarësisht nga përparimi me hapa viganë i mjekësisë. Ky paradoks, deri tani i panjohur për njerëzimin, na ndihmon të kuptojmë se po jetojmë në kohë të pazakonta.
«Tërmete.» (Mateu 24:7) Gjatë 100 viteve të fundit, tërmetet u kanë marrë jetën qindra mijë njerëzve. Sipas një burimi informacioni, që nga viti 1914, numri i tërmeteve që mund të dëmtojnë një ndërtesë dhe të krijojnë të çara në tokë, ka qenë mesatarisht 18 në vit. Ndërsa shumë tërmete të tjera më të mëdha, të forta sa mund të rrafshojnë ndërtesa, kanë rënë rreth një herë në vit. Pavarësisht nga përparimi i teknologjisë, numri i të vdekurve mbetet i lartë, sepse shumë qytete, ku popullsia rritet shpejt, janë ngritur mbi vijat e shkarjes së tokës.
Një lajm i mirë!
Shumë nga aspektet e shenjës së ditëve të fundit janë pikëlluese. Por Jezui foli edhe për një lajm të mirë.
«Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet.» (Mateu 24:14) Vepra që filloi vetë Jezui, pra predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë, do të arrinte kulmin në ditët e fundit. Dhe pikërisht kështu ka ndodhur. Dëshmitarët e Jehovait po e predikojnë mesazhin e Biblës dhe, njerëzit që dëshirojnë, po i ndihmojnë të zbatojnë në jetën e përditshme atë që mësojnë. Tani, mbi gjashtë milionë Dëshmitarë predikojnë në 235 vende dhe në më shumë se 400 gjuhë.
Vini re që Jezui nuk tha se jeta në tokë do të pushonte për shkak të kushteve të rënda botërore. Po ashtu, nuk tha se të gjithë botën do ta gllabëronte një nga aspektet e shenjës. Por ai paratha një mori ngjarjesh që, së bashku, do të përbënin një shenjë e cila do të ishte e dallueshme në çdo skaj të tokës.
Në vend që të gjykoni në bazë të disa ngjarjeve të caktuara ose rasteve të veçuara, a e kuptoni që këto janë pjesë e një situate mbarëbotërore, e një shenje të përbërë, me rëndësi për të gjithë? Ajo që po ndodh ndikon te ju dhe te familja juaj. ‘Po pse kaq pak njerëz e vënë re?’—mund të pyesim.
Interesat personale zënë vendin e parë
«Ndalohet kalimi!», «Tension i lartë!», «Ulni shpejtësinë!» Këto janë disa nga shenjat dhe paralajmërimet që hasen, por që shpesh shpërfillen. Përse? Sepse mashtrohemi lehtë nga gjërat që mendojmë se janë në interesin tonë. Për shembull, mund të mendojmë se është e nevojshme t’i japim makinës më shpejt nga sa e lejon ligji ose mund të kemi një dëshirë të fortë të kalojmë atje ku është e ndaluar. Por nuk është e mençur t’i shpërfillim paralajmërimet.
Për shembull, në Alpet e Austrisë, Francës, Italisë dhe Zvicrës, ortekët ndonjëherë u marrin jetën turistëve që i shpërfillin shenjat të cilat u tregojnë se duhet të bëjnë ski ose të rrëshqasin vetëm atje ku nuk ka rrezik. Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, shumë turistë që i shpërfillin këto paralajmërime, jetojnë me moton: «Pa rrezikuar, s’bën qejf.» Mjerisht, shpërfillja e paralajmërimeve mund të jetë me pasoja tragjike.
Cila është arsyeja që njerëzit e shpërfillin shenjën e përshkruar nga Jezui? Mund të jenë të verbuar nga lakmia, të mpirë nga apatia, të paralizuar nga pavendosmëria, të përpirë nga rutina ose të mbërthyer nga frika se mos humbin prestigjin. Mos ndoshta edhe juve ju shtyn ndonjëra nga këto që të shpërfillni shenjën e pranisë së Jezuit? A nuk do të ishte më e mençur ta dallonim shenjën dhe të vepronim në përputhje me të?
Jeta në një tokë parajsore
Një numër gjithnjë në rritje njerëzish po ia vënë veshin shenjës së pranisë së Jezuit. Kristiani, një i ri i martuar, nga Gjermania, shkruan: «Këto janë kohë të zymta. Pa dyshim që po jetojmë në ‘ditët e fundit’.» Ai dhe e shoqja i kushtojnë mjaft kohë përhapjes së mesazhit për Mbretërinë Mesianike. Franku jeton në të njëjtin vend. Edhe ai bashkë me gruan e tij i inkurajojnë njerëzit me lajmin e mirë të Biblës. Franku thotë: «Për shkak të situatës botërore, shumë njerëz sot janë në ankth për të ardhmen. Përpiqemi t’i inkurajojmë me anë të profecive biblike për një tokë parajsore.» Pra, Kristiani dhe Franku ndihmojnë në përmbushjen e një prej aspekteve të shenjës së Jezuit—predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë.—Mateu 24:14.
Ndërsa ditët e fundit arrijnë kulmin, Jezui do ta shfarosë këtë sistem të vjetër dhe tërë ata që e përkrahin. Pastaj Mbretëria Mesianike do të qeverisë tokën, e cila, ashtu siç është parathënë, do të kthehet në kushte parajsore. Njerëzimi nuk do të jetë më rob i sëmundjeve e i vdekjes, dhe të vdekurit do të ringjallen e do të jetojnë në tokë. Kjo është e ardhmja e mrekullueshme që i pret ata që e dallojnë shenjën e kohëve. A nuk do të ishte e mençur të mësonim më tepër për shenjën dhe çfarë duhet të bëjmë për të mbijetuar në fund të këtij sistemi? Sigurisht, që të gjithë duhet ta konsiderojmë këtë gjë si tepër urgjente.—Gjoni 17:3.
[Diçitura në faqen 4]
Jezui paratha një mori ngjarjesh që, së bashku, do të përbënin një shenjë e cila do të ishte e dallueshme në çdo skaj të botës
[Diçitura në faqen 6]
A e kuptoni se këto ngjarje janë pjesë e një situate mbarëbotërore, e një shenje të përbërë, me rëndësi për të gjithë?
[Kutia dhe figurat në faqen 6]
ASPEKTE QË IDENTIFIKOJNË DITËT E FUNDIT
Luftëra të papara ndonjëherë.—Mateu 24:7; Zbulesa 6:4
Zi buke.—Mateu 24:7; Zbulesa 6:5, 6, 8
Murtaja.—Luka 21:11; Zbulesa 6:8
Paligjshmëri në rritje.—Mateu 24:12
Tërmete.—Mateu 24:7
Kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.—2 Timoteut 3:1
Dashuri tepër e madhe për paratë.—2 Timoteut 3:2
Mosbindje ndaj prindërve.—2 Timoteut 3:2
Mungesë e përzemërsisë të natyrshme.—2 Timoteut 3:3
Duan kënaqësitë, jo Perëndinë.—2 Timoteut 3:4
Mungesë vetëkontrolli.—2 Timoteut 3:3
Pa dashuri për mirësinë.—2 Timoteut 3:3
Nuk i kushtojnë vëmendje rrezikut që kanoset.—Mateu 24:39
Tallësit hedhin poshtë provat e ditëve të fundit.—2 Pjetrit 3:3, 4
Predikimi global për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14
[Burimet e figurave në faqen 5]
Ushtarë në Luf. I Bot.: Nga libri The World War—A Pictorial History, 1919; familje e varfër: AP Photo/Aijaz Rahi; i sëmurë me poliomielit: © WHO/P. Virot