Botë e padrejtë
A NUK jeni dakord se jetojmë në një botë të padrejtë? Me siguri, jeni dakord. Në të vërtetë, pavarësisht nga aftësitë që kemi dhe nga planet e mençura që bëjmë në jetë, asgjë nuk na garanton pasuri, sukses apo edhe bukën e gojës. Shpesh del ashtu siç tha në lashtësi mbreti i mençur Solomon: «Buka nuk u shkon të urtëve, as pasuritë njerëzve të zgjuar, as favori atyre që janë të shkathët.» Përse? Sepse, siç vazhdon Solomoni, «të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë».—Predikuesi [Eklisiastiu] 9:11, Diodati i Ri.
‘Kur koha e fatkeqësisë bie papritur’
Po, ‘koha dhe rastësia’, që zakonisht nënkuptojnë të jesh në vendin e gabuar në kohën e gabuar, shpeshherë na prishin planet që kemi bërë me aq kujdes dhe na largojnë shpresat që kemi më për zemër. Sipas Solomonit, ne jemi «si peshqit që kapen në një rrjetë mizore dhe si zogjtë që kapen në një kurth, . . . kur [koha e fatkeqësisë] bie papritur». (Predikuesi 9:12, Dio) Për shembull, miliona njerëz e punojnë pa u lodhur tokën që të prodhojë ushqim për familjen, por mund të gjenden papritur në ‘kohë fatkeqësie’, kur nuk bie shi dhe thatësira prish të mbjellat.
Të tjerët mundohen të japin ndihmë, por edhe ndihma që u jepet viktimave të ‘kohës së fatkeqësisë’ nga pjesa tjetër e botës, shpesh duket e padrejtë. Për shembull, sipas një organizate të rëndësishme humanitare, gjatë luftës kundër zisë së bukës, «i gjithë kontinenti [i Afrikës] mori si ndihmë vetëm një të pestën e fondit të dhënë për luftën e Gjirit Persik». A ishte e drejtë që vendet e pasura të harxhonin për luftën në një vend të vetëm, pesë herë më shumë sesa për të lehtësuar dhembjen dhe vuajtjet që shkaktoi zia e bukës në një kontinent të tërë? Dhe, a është e drejtë që, në epokën e begatisë materiale, 1 në 4 banorë të rruzullit të jetojë në skamje e mjerim ose që miliona fëmijë të vdesin çdo vit nga sëmundje të parandalueshme? Sigurisht që jo!
Por dihet që, ‘kur koha e fatkeqësisë bie papritur’, nuk e ka fajin vetëm «koha dhe rastësia». Edhe dhuna e tmerrshme, që është krejtësisht jashtë kontrollit tonë, ndikon në jetën tonë dhe përcakton atë që do të na ndodhë. Kjo doli më se e vërtetë në Beslan, në Osetinë Veriore, në vjeshtën e vitit 2004, kur qindra njerëz, shumë prej të cilëve fëmijë të vegjël në ditën e parë të shkollës, vdiqën në një konflikt brutal midis terroristëve dhe forcave policore. Është e vërtetë se, në atë rast, kush vdiq e kush mbijetoi ishte kryesisht çështje rastësie, por shkaku kryesor i kësaj ‘kohe fatkeqësie’ ishte konflikti njerëzor.
A do të vazhdojë gjithmonë kështu?
«Po kjo është jeta,—thonë disa kur flasin për padrejtësitë.—Kështu ka qenë gjithnjë, e kështu do të vazhdojë.» Sipas tyre, i forti gjithmonë do të shtypë të dobëtin dhe i pasuri gjithmonë do ta shfrytëzojë të varfrin. Kjo situatë, thonë ata, bashkë me ‘kohën dhe rastësinë’, do të ndikojë në jetën tonë për aq kohë sa të ekzistojë familja njerëzore.
A duhet të jetë medoemos kështu? A do të mund të marrë ndonjëherë shpërblimin e merituar ai që i përdor me mençuri aftësitë e tij dhe punon pa u lodhur? A ka ndonjë që mund të bëjë diçka për ta ndryshuar njëherë e mirë këtë botë të padrejtë? Shqyrtoni se çfarë thotë artikulli tjetër në lidhje me këtë.
[Burimi i figurës në faqen 2]
KOPERTINA: Burri me një fëmijë: UN PHOTO 148426/McCurry/Stockbower
[Burimi i figurës në faqen 3]
MAXIM MARMUR/AFP/Getty Images