Burra, pranoni dhe imitoni kryesinë e Krishtit
«Kreu i çdo burri është Krishti.»—1 KORINTASVE 11:3.
1, 2. (a) Çfarë mund ta përcaktojë suksesin e një burri? (b) Pse është jetësore që të pranojmë se martesa e ka origjinën nga Perëndia?
ÇFARË do ta përcaktonte suksesin e një burri, sipas jush? Aftësitë e tij mendore ose fizike? Aftësia për të bërë para? Apo sidomos mënyra e dashur dhe e butë se si trajton gruan dhe fëmijët? Nëse do të gjykonit nga kjo e fundit, shumë burra nuk janë të suksesshëm, sepse ndikohen nga fryma e botës dhe nga normat njerëzore. Pse? Kryesisht sepse nuk pranojnë e nuk zbatojnë drejtimin që vjen nga Nismëtari i martesës, i cili «nga brinja që kishte marrë prej njeriut, . . . bëri një grua dhe ia çoi njeriut».—Zanafilla 2:21-24.
2 Jezu Krishti e mbështeti këtë tregim biblik se martesa e ka origjinën nga Perëndia, kur u tha disa njerëzve kritikë të kohës së tij: «A nuk e keni lexuar se ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër? A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’ Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar [në martesë], asnjeri të mos e ndajë.» (Mateu 19:4-6) E vërteta është se çelësi për të pasur një martesë të suksesshme është të pranojmë se ajo e ka origjinën nga Perëndia dhe se suksesi i saj varet nga zbatimi i udhëzimeve që gjenden në Fjalën e Tij, në Bibël.
Çelësi për suksesin e një burri
3, 4. (a) Pse Jezui kishte njohuri të thellë për martesën? (b) Cila është gruaja e figurshme e Jezuit dhe si duhet të sillen burrat me gratë e tyre?
3 Një ndihmë që një burrë të ketë sukses në martesë është të studiojë atë që tha Jezui dhe të zbatojë atë që bëri Ai. Njohuria e Jezuit për martesën është e thellë, sepse ai ishte i pranishëm kur u krijua çifti i parë njerëzor, si edhe kur u martuan. Perëndia Jehova i tha Jezuit: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne.» (Zanafilla 1:26) Po, Perëndia po fliste me Atë të cilin e krijoi para kujtdo ose çdo gjëje tjetër dhe që ‘ishte përkrah tij si një kryemjeshtër’. (Proverbat 8:22-30) Ai është «i parëlinduri i gjithë krijimit». Është «fillimi i krijimit të Perëndisë», pra ekzistonte edhe përpara krijimit të universit fizik.—Kolosianëve 1:15; Zbulesa 3:14.
4 Jezui quhet «Qengji i Perëndisë» dhe në mënyrë të figurshme përshkruhet si një bashkëshort. Një herë një engjëll tha: «Eja këtu, se do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.» (Gjoni 1:29; Zbulesa 21:9) Cila është kjo nuse ose grua? ‘Gruaja e Qengjit’ përbëhet nga ithtarët besnikë të Krishtit që janë të mirosur nga fryma, të cilët do të sundojnë me të në qiell. (Zbulesa 14:1, 3) Prandaj, mënyra se si sillej Jezui me dishepujt kur ishte në tokë, siguron një model për burrat se si të sillen me gratë e tyre.
5. Për cilët shërben si model Jezui?
5 Pa dyshim që Jezui paraqitet në Bibël si shembull për të gjithë ithtarët e tij, siç lexojmë: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Megjithatë, ai është në veçanti një model për burrat. Në Bibël thuhet: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» (1 Korintasve 11:3) Meqë Krishti është kreu i burrit, burrat duhet ta imitojnë shembullin e tij. Pra, që një familje të ketë sukses dhe lumturi, duhet të zbatojë parimin e kryesisë. Për këtë burrat duhet të sillen me gratë e tyre ashtu siç sillej me dashuri Jezui me gruan e tij të figurshme, pra me dishepujt e tij të mirosur.
Si të përballoni problemet martesore?
6. Sipas 1 Pjetrit 3:7, si duhet të banojnë burrat me gratë e tyre?
6 Në botën e sotme të trazuar, sidomos burrat kanë nevojë që të imitojnë shembullin e Jezuit për sa i përket durimit, dashurisë dhe vendosmërisë për t’iu përmbajtur parimeve të drejta. (2 Timoteut 3:1-5) Në Bibël lexojmë këto fjalë për sa i përket modelit që la Jezui: «Ju burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja] sipas njohurisë.» (1 Pjetrit 3:7) Po, burrat duhet t’i përballojnë problemet martesore me kuptueshmëri, ashtu si i përballoi Jezui vështirësitë. Jezui hasi sprova më të mëdha se çdo njeri tjetër, por ishte i vetëdijshëm se përgjegjës për to ishin Satanai, demonët dhe kjo botë e ligë. (Gjoni 14:30; Efesianëve 6:12) Jezui nuk u çudit kurrë nga sprovat, kështu që as bashkëshortët nuk duhet të çuditen kur përjetojnë «shtrëngim në mish». Bibla paralajmëron se ata që martohen do të kenë shtrëngim të tillë.—1 Korintasve 7:28.
7, 8. (a) Çfarë do të thotë që burrat të banojnë me gratë sipas njohurisë? (b) Pse gratë meritojnë nderim?
7 Në Bibël thuhet se burrat duhet të banojnë me gratë e tyre «sipas njohurisë, duke i nderuar gratë si një enë më të dobët». (1 Pjetrit 3:7) Në vend që të sundojë me ashpërsi mbi gruan, siç paratha Bibla se do të bënin burrat në përgjithësi, një burrë që dëshiron të fitojë miratimin e Perëndisë do ta nderojë gruan. (Zanafilla 3:16) Do ta trajtojë si një thesar të çmuar, duke mos përdorur kurrë forcën e tij më të madhe fizike për ta dëmtuar. Përkundrazi, do të marrë parasysh ndjenjat e saj, duke u sjellë me të gjithnjë me respekt dhe dinjitet.
8 Pse burrat duhet t’i nderojnë gratë e tyre siç duhet? Bibla përgjigjet: «Përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të hirit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1 Pjetrit 3:7) Burrat duhet të kuptojnë se Jehovai nuk e konsideron adhurimin e një burri më të mirë se adhurimin e një gruaje. Gratë që janë të denja për miratimin e Perëndisë do të marrin ashtu si burrat të njëjtin shpërblim të jetës së përhershme—madje shumë do të marrin jetën në qiell, ku «nuk ka as mashkull, as femër». (Galatasve 3:28) Pra, burrat duhet të kujtojnë se besueshmëria është ajo që e bën dikë të çmuar në sytë e Perëndisë. Nuk është fakti që dikush është mashkull ose femër, burrë ose grua a madje fëmijë.—1 Korintasve 4:2.
9. (a) Për ç’arsye burrat duhet t’i nderojnë gratë e tyre, në harmoni me fjalët e Pjetrit? (b) Si i nderoi Jezui gratë?
9 Fjalët mbyllëse të apostullit Pjetër theksojnë pse është e nevojshme që burrat t’i nderojnë gratë e tyre: «Që të mos pengohen lutjet tuaja.» Sa e rrezikshme do të ishte kjo! Mund të çonte deri aty sa një burri t’i bllokoheshin lutjet e të mos kalonin te Perëndia, siç u ndodhi në të kaluarën disa shërbëtorëve të Perëndisë që i lanë pas dore ligjet e tij. (Vajtimet 3:43, 44) Me mençuri, burrat e krishterë—ata që janë të martuar dhe ata që po mendojnë të martohen—do të shqyrtojnë mënyrën dinjitoze se si sillej Jezui me gratë. Ai i pranoi me dëshirë ato në grupin që e shoqëronte në shërbim dhe u soll me dashamirësi dhe respekt me to. Në një rast, madje, Jezui ua zbuloi në fillim grave një të vërtetë të mrekullueshme dhe u tha që t’ua njoftonin burrave!—Mateu 28:1, 8-10; Luka 8:1-3.
Shembull sidomos për burrat
10, 11. (a) Pse sidomos burrat duhet të studiojnë shembullin e Jezuit? (b) Si duhet të tregojnë dashuri burrat për gratë e tyre?
10 Siç e pamë më parë, Bibla e krahason marrëdhënien e burrit me gruan, me atë të Krishtit me ‘nusen’ e tij, që është kongregacioni i ithtarëve të mirosur. Në Bibël thuhet: «Burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit.» (Efesianëve 5:23) Këto fjalë duhet t’i nxitin burrat që të shqyrtojnë si e ushtronte kryesinë Jezui ose si i udhëhiqte ithtarët e tij. Vetëm duke bërë këtë shqyrtim, burrat do të jenë në gjendje të ndjekin siç duhet shembullin e Jezuit dhe të drejtojnë, të duan e të kujdesen për gratë e tyre, ashtu siç bëri Jezui me kongregacionin.
11 Në Bibël, të krishterëve u jepet kjo nxitje: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» (Efesianëve 5:25) Në kapitullin e mëparshëm të letrës drejtuar efesianëve, ‘kongregacioni’ quhet ‘trupi i Krishtit’. Ky trup simbolik ka shumë pjesëtarë të të dy gjinive, që si ‘gjymtyrë’ kontribuojnë që trupi të funksionojë me efektshmëri. Natyrisht Jezui është «kreu i trupit, i kongregacionit».—Efesianëve 4:12; Kolosianëve 1:18; 1 Korintasve 12:12, 13, 27.
12. Si tregoi dashuri Jezui për trupin e tij të figurshëm?
12 Jezui tregoi dashuri për trupin e tij të figurshëm, ‘kongregacionin’, veçanërisht me anë të kujdesit që tregonte kur u shërbente atyre që do të bëheshin gjymtyrë të këtij trupi. Për shembull, kur dishepujt e tij ishin të lodhur, u tha: «Ejani të shkojmë veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.» (Marku 6:31) Duke përshkruar se çfarë bëri Jezui vetëm pak orë para se ta ekzekutonin, një nga apostujt e tij shkroi: «[Jezui] meqë i kishte dashur të vetët [pra, gjymtyrët e trupit të tij të figurshëm] . . . i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Çfarë shembulli të shkëlqyer që la Jezui për mënyrën se si duhet të sillen burrat me gratë e tyre!
13. Si këshillohen t’i duan burrat gratë e tyre?
13 Duke vazhduar të përdorte shembullin e Jezuit për burrat, apostulli Pavël i këshilloi ata: «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten, sepse, asnjeri nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të, ashtu siç bën Krishti për kongregacionin.» Pavli shtoi: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten.»—Efesianëve 5:28, 29, 33.
14. Si e trajton një burrë trupin e tij të papërsosur dhe çfarë tregon kjo për mënyrën se si duhet ta trajtojë gruan?
14 Mendoni pak për fjalët e Pavlit. A e dëmton me dashje trupin e vet një njeri normal? Kur dikush vret gishtin e këmbës, a e godet më pas sepse për shkak të tij u pengua? Patjetër që jo! A e poshtëron veten një burrë para miqve të tij ose a bën thashetheme për të metat e veta? Jo! Pse, pra, duhet ta godasë gruan e tij me fjalë ose edhe fizikisht, nëse ajo bën një gabim? Burrat duhet të marrin parasysh jo vetëm interesat vetjake, por edhe ato të grave të tyre.—1 Korintasve 10:24; 13:5.
15. (a) Çfarë bëri Jezui kur dishepujt e tij treguan dobësi njerëzore? (b) Çfarë mësimesh mund të nxirren nga shembulli i tij?
15 Shqyrtoni se si u interesua Jezui për dishepujt natën para se të vdiste, kur ata treguan dobësi njerëzore. Edhe pse u kërkoi herë pas here që të luteshin, tri herë ata i zuri gjumi në kopshtin e Getsemanisë. Papritur erdhën burra të armatosur dhe i rrethuan. Jezui pyeti: «Kë po kërkoni?» Kur ata iu përgjigjën: «Jezuin, nazareasin», ai u tha: «Unë jam.» Duke e ditur se i ‘kishte ardhur ora’ e vdekjes, ai tha: «Nëse më kërkoni mua, lërini të ikin këta.» Jezui gjithnjë merrte parasysh mirëqenien e dishepujve—që ishin pjesë e nuses së tij të figurshme—dhe gjeti një mënyrë për t’i shpëtuar. Duke studiuar mënyrën se si sillej Jezui me dishepujt, burrat do të gjejnë shumë parime që mund t’i zbatojnë në sjelljen ndaj grave të tyre.—Gjoni 18:1-9; Marku 14:34-37, 41.
Dashuria e Jezuit nuk ishte sentimentalizëm
16. Ç’marrëdhënie kishte Jezui me Martën, por si e ndreqi atë?
16 Bibla thotë: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin», të cilët shpesh e mirëpritnin në shtëpi. (Gjoni 11:5) Gjithsesi Jezui nuk u step, por e këshilloi Martën, kur ajo po i kushtonte vëmendje të tepruar vaktit që po përgatiste, dhe kështu nuk po linte shumë kohë që të mësohej frymësisht prej tij. Ai i tha: «Martë, Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një.» (Luka 10:41, 42) Pa dyshim që përzemërsia e tij e dukshme për Martën ia bëri më të lehtë asaj që të pranonte këshillën. Po kështu, burrat duhet të sillen me dashamirësi dhe dashuri me gratë e tyre, duke përdorur fjalë të zgjedhura mirë. Megjithatë, kur nevojitet ndreqje, është e përshtatshme që të flasin hapur siç bëri Jezui.
17, 18. (a) Si e qortoi Pjetri Jezuin dhe pse kishte nevojë të ndreqej? (b) Çfarë përgjegjësie ka një burrë?
17 Në një rast tjetër Jezui u shpjegoi apostujve se duhej të shkonte në Jerusalem, ku do ta përndiqnin ‘pleqtë, krerët e priftërinjve dhe skribët, do të vritej dhe do të ngrihej nga të vdekurit ditën e tretë’. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte: «Ji i mirë me veten, Zotëri. Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Është e qartë se pikëpamja e Pjetrit ishte mjegulluar nga sentimentalizmi. Kjo duhej ndrequr. Prandaj Jezui i tha: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»—Mateu 16:21-23.
18 Jezui sapo kishte thënë se cili ishte vullneti i Perëndisë për të, pra, se do të vuante shumë dhe do ta vritnin. (Psalmi 16:10; Isaia 53:12) Prandaj Pjetri e kishte gabim që filloi të qortonte Jezuin dhe kishte nevojë për një ndreqje të fortë, siç kemi nevojë të gjithë ne ndonjëherë. Si kreu i familjes, burri ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ndreqë pjesëtarët e familjes, përfshirë gruan. Megjithëse mund të nevojitet vendosmëri, kjo ndreqje duhet bërë me dashamirësi dhe dashuri. Pra, ashtu si Jezui e ndihmoi Pjetrin që t’i shihte gjërat në mënyrën e duhur, ndonjëherë burrat mund të kenë nevojë të bëjnë të njëjtën gjë me gratë e tyre. Për shembull, një burrë mund të ketë nevojë t’i theksojë me dashamirësi gruas së tij pse duhet ndrequr diçka nëse veshja e saj ose bizhuteritë a përdorimi i produkteve kozmetike fillojnë e largohen nga norma e modestisë që rekomandohet në Shkrime.—1 Pjetrit 3:3-5.
Është mirë që burrat të jenë të durueshëm
19, 20. (a) Cili problem lindi mes apostujve të Jezuit dhe si e trajtoi ai? (b) Sa sukses patën përpjekjet e Jezuit?
19 Nëse ka ndonjë të metë që i duhet kushtuar vëmendje, burrat nuk duhet të presin medoemos që përpjekjet e tyre të sinqerta për të ndrequr, të kenë menjëherë sukses. Jezuit iu desh të përpiqej vazhdimisht që të ndreqte qëndrimet e apostujve. Për shembull, mes tyre lindi një rivalitet që u shfaq përsëri nga fundi i shërbimit të Jezuit. Ata debatonin se cili mes tyre dukej se ishte më i madhi. (Marku 9:33-37; 10:35-45) Jo shumë kohë pas rastit të dytë të tillë, Jezui organizoi që të kremtonte veçmas Pashkën e tij të fundit me ta. Në atë rast, askush prej tyre nuk e mori iniciativën që të bënte shërbimin e përulur për t’u larë të tjerëve këmbët me pluhur. Jezui e bëri këtë. Pastaj tha: «Unë ju lashë modelin.»—Gjoni 13:2-15.
20 Burrat që tregojnë një qëndrim të përulur si ai i Jezuit, me siguri do të kenë bashkëpunimin dhe mbështetjen e grave të tyre. Por duhet durim. Më vonë, po atë natë të Pashkës, apostujt debatuan përsëri se kush nga ata dukej se ishte më i madhi. (Luka 22:24) Ndryshimet në qëndrime dhe në sjellje shpesh kërkojnë kohë dhe bëhen dalëngadalë. Por, sa shpërblyese është kur arrihen rezultate të mira, siç u arritën me apostujt!
21. Çfarë nxiten të kujtojnë e të bëjnë burrat kur ndeshin probleme sot?
21 Sot në martesë po ndeshen probleme më të mëdha se kurrë më parë. Shumë nuk e marrin më seriozisht betimin martesor. Prandaj, burra, meditoni për origjinën e martesës. Mos harroni se ajo ka origjinë hyjnore, e ideoi dhe e themeloi Perëndia ynë i dashur, Jehovai. Ai dha Birin e tij, Jezuin, jo vetëm si shpërblesë për ne—si Shpëtimtarin tonë—por edhe si model për t’u imituar nga burrat.—Mateu 20:28; Gjoni 3:29; 1 Pjetrit 2:21.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse është e rëndësishme që të kuptojmë e të pranojmë origjinën e martesës?
• Në cilat mënyra duhet t’i duan burrat gratë e tyre?
• Cilët shembuj të sjelljes së Jezuit me dishepujt ilustrojnë se si duhet ta ushtrojë kryesinë e krishterë një burrë?
[Figura në faqen 14]
Pse burrat duhet të studiojnë si sillej Jezui me gratë?
[Figura në faqen 15]
Kur dishepujt ishin të lodhur, Jezui e merrte parasysh këtë
[Figura në faqen 16]
Burrat duhet t’i këshillojnë gratë e tyre me fjalë dashamirëse dhe të zgjedhura mirë