Të mos i kursejmë lavdërimet
A JU ka ndodhur të dëgjoni ndonjë të ankohet se shefi rrallëherë e lavdëron? Mos jeni ankuar edhe vetë për të njëjtën gjë? Nëse jeni në moshë të re, a keni thënë të njëjtën gjë për prindërit ose mësuesit?
Disa nga këto ankesa mund të jenë me vend. Por, sipas një studiuesi gjerman, kur punëtorët shprehin këtë ankesë, tregojnë se më shumë i bezdis mosinteresimi nga ana e shefit, sesa mosdhënia e lavdërimeve. Sido që të jetë, duket qartë se mungon diçka. Lavdërimi dhe një ndjenjë interesimi ndaj jush si person janë të nevojshme për të pasur marrëdhënie të kënaqshme.
Kjo është po aq e vërtetë edhe në fushën e adhurimit. Në kongregacionin e krishterë duhet të mbizotërojnë lavdërimet, ngrohtësia dhe interesimi për njëri-tjetrin. Kjo atmosferë e shkëlqyer arrihet dhe mbahet kur pjesëtarët e kongregacionit zbatojnë udhëzimet e Biblës. Megjithatë, sado i dashur të jetë kongregacioni ynë, gjithnjë ka vend për përmirësime. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë tre shembuj që dhanë lavdërime në mënyrë të shkëlqyer: Elihun, një shërbëtor të Perëndisë para lindjes së krishterimit, apostullin Pavël dhe vetë Jezu Krishtin.
Një këshillë e dhënë me mirësjellje dhe respekt
Elihu, që ka shumë të ngjarë të ketë qenë kushëri i largët i Abrahamit, bëri shumë për ta ndihmuar Jobin ta shihte në mënyrë të ekuilibruar marrëdhënien e tij me Perëndinë. Ai ishte i sjellshëm dhe i respektueshëm. Priti me durim t’i vinte radha për të folur. Atje ku shokët e shtirur të Jobit nxorën në pah vetëm të metat e tij, Elihu dha këshilla, por gjithashtu s’humbi kohë ta lavdëronte Jobin për sjelljen e tij të drejtë. Si një mik i mirë, ai e bëri këtë me ngrohtësi e me një ndjenjë të dukshme interesimi, dhe, ndryshe nga ata që hiqeshin si miq të tij, iu drejtua Jobit me emër. Me fjalë të ngrohta e me mirësjellje ai tha: «O Job, dëgjoji fjalët e mia dhe vërua veshin atyre që do të them.» Me një ndjenjë respekti për Jobin, ai e vuri veten në vendin e tij dhe pranoi: «Para Perëndisë së vërtetë unë jam njësoj si ti, se nga argjila jam bërë edhe unë.» Pastaj e lavdëroi me fjalët: «Po pate ndonjë fjalë për të më thënë, m’u përgjigj; fol, se jam kënaqur nga drejtësia jote.»—Jobi 33:1, 6, 32.
Kur i trajtojmë të tjerët me respekt e mirësjellje, është sikur po i lavdërojmë. Në të vërtetë, po i bëjmë të ditur dëgjuesit mendimin tonë për të: ‘Ti meriton vëmendjen dhe respektin tim.’ Në këtë mënyrë i përcjellim ngrohtësinë dhe interesimin tonë.
Të jesh i sjellshëm dhe me edukatë nuk do të thotë vetëm të ndjekësh rregullat e ftohta të mirësjelljes. Që t’u prekë zemrën të tjerëve, mirësjellja jonë duhet të jetë e çiltër dhe nga zemra. Duhet të shprehë interes dhe dashuri të vërtetë.
Lavdërime të dhëna me takt
Apostulli Pavël tregoi sa punë mund të bëjë takti kur i lavdërojmë të tjerët. Për shembull, kur po predikonte në Athinë gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, ai mbrojti krishterimin para disa filozofëve grekë. Vini re sa takt i është dashur për të kryer këtë detyrë të vështirë. «Disa nga filozofët epikurianë dhe stoikë haheshin me fjalë me të. Disa thoshin: ‘Ç’do të thotë ky llomotar?’ Të tjerë: ‘Duket se është lajmëtar hyjnish të huaja.’» (Veprat 17:18) Pavarësisht nga fjalët që dëgjoi, Pavli ruajti qetësinë dhe u përgjigj: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka, ju dukeni më të dhënë se të tjerët pas frikës nga hyjnitë.» Ja pra, ai nuk dënoi idhujtarinë e tyre, por i lavdëroi që ishin besimtarë të devotshëm.—Veprat 17:22.
Mos po tregohej hipokrit Pavli? Aspak. Ai e kuptonte shumë mirë se nuk i takonte të gjykonte dëgjuesit; e dinte mirë se edhe vetë dikur s’e njihte të vërtetën. Detyra e tij ishte t’u jepte mesazhin e Perëndisë, jo t’i gjykonte. Përvoja i mësoi Pavlit atë që kanë kuptuar sot shumë Dëshmitarë të Jehovait: disa mbrojtës të sinqertë të fesë së rreme në fund bëhen mbrojtësit më të flaktë të fesë së vërtetë.
Ajo që bëri Pavli në këtë situatë ishte me vend dhe solli rezultate. «Disa burra u bashkuan me të e u bënë besimtarë. Ndër ta ishte edhe Dionisi, gjykatës i gjyqit të Areopagut, një grua që quhej Damaris, e bashkë me ta edhe disa të tjerë.» (Veprat 17:34) Sa i mençur u tregua Pavli që i lavdëroi athinasit për bindjet e tyre të sinqerta—ndonëse të rreme—dhe nuk i dënoi pse nuk kishin njohuri të saktë! Edhe ata që ndjekin një rrugë të gabuar për shkak të informacioneve jo të sakta, shpesh kanë zemër të mirë.
Pavli tregoi takt edhe kur e thirrën që të mbrohej para Herod Agripës II. Dihej botërisht se Herodi kishte lidhje incesti me të motrën, Bernikën, praktikë që Fjala e Perëndisë e dënonte qartësisht. Megjithatë, Pavli nuk nxori nga goja asnjë fjalë për ta dënuar Herodin. Përkundrazi, gjeti një arsye të vlefshme për ta lavdëruar. «Për gjithçka që më akuzojnë judenjtë, e quaj veten të lumtur që sot duhet ta bëj mbrojtjen time para teje, o mbret Agripa, sidomos sepse ti i njeh mirë të gjitha zakonet dhe polemikat midis judenjve.»—Veprat 26:1-3.
A s’është e mençur që të tregojmë edhe ne po kaq takt në marrëdhëniet tona me të tjerët? Duke lavdëruar fqinjin, shokun e klasës ose kolegun, nxitim marrëdhënie paqësore dhe ndikojmë për mirë në sjelljen e të tjerëve. Nëse u prekim zemrën të tjerëve me lavdërime të merituara, mund të ndodhë që t’i nxitim njerëzit e sinqertë t’i zëvendësojnë veprimet dhe arsyetimet e tyre të rreme me ato që janë në përputhje me njohurinë e saktë.
Jezui, shembulli i përsosur i dhënies së lavdërimeve
Jezui jepte lavdërime. Për shembull, pasi u ringjall dhe u ngjit në qiell, nën drejtimin e Perëndisë, Jezui u foli nëpërmjet apostullit Gjon shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël. Ai nuk la pa lavdëruar ata që e meritonin. Kongregacionit të Efesit, Pergamit dhe Tiatirës iu drejtua me shprehjet «i njoh veprat e tua, mundin dhe qëndrueshmërinë tënde. E di se nuk i duron dot njerëzit e këqij»; «vazhdon ta mbash fort emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin tek unë»; dhe «i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet». Edhe në kongregacionin e Sardës, që kishte nevojë për këshilla të forta, Jezui i pikasi ata që meritonin lavdërime dhe tha: «Megjithatë, ke disa emra në Sardë që nuk i kanë ndotur rrobat, dhe ata do të ecin bashkë me mua me rroba të bardha, sepse janë të denjë.» (Zbulesa 2:2, 13, 19; 3:4) Jezui la vërtet një shembull të shkëlqyer!
Ashtu si Jezui, edhe ne s’duhet të paragjykojmë kurrë një grup të tërë për shkak të sjelljes jo të mirë të disa individëve ose të këshillojmë pa dhënë më parë lavdërimin e përshtatshëm. Megjithatë, bëjmë mirë të mbajmë në mendje se, nëse lavdërojmë vetëm kur kemi ndër mend të japim këshilla, mund të ndodhë që lavdërimi ynë të bjerë në vesh të shurdhër. Tregohuni bujarë me lavdërimet sa herë të jetë e mundur! Nëse ndonjëherë tjetër lind nevoja për të këshilluar, do të jetë më e lehtë për ta pranuar.
Pleqtë japin lavdërime me vend
Kornelia, një e krishtere që tani shërben në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait në Evropë, kujton se mbikëqyrësi që kishte vizituar kongregacionin aty nga fillimi i viteve 70-të e kishte pyetur si po shkonte me studimin personal dhe me leximin e revistave. «U vura pak në siklet»,—thotë ajo, por kishte pranuar se nuk arrinte t’i lexonte të gjithë artikujt e revistave. «Ai s’më kritikoi për këtë,—kujton ajo,—por më lavdëroi për aq sa kisha lexuar. Aq ma ngrohu zemrën ai lavdërim, sa që nga ajo kohë, vendosa të mos lija artikull pa lexuar.»
Rei që shërben në një zyrë dege në Evropë, sjell ndër mend ditën e parë të shërbimit si pionier. Mbikëqyrësi drejtues i kongregacionit, një njeri mjaft i zënë me punë, me detyrime familjare dhe me përgjegjësi të shumta në kongregacion, atë mbrëmje hyri në Sallën e Mbretërisë, shkoi drejt e te Rei dhe e pyeti: «Si ia kalove ditën e parë si pionier?» Tani që kanë kaluar pothuaj 60 vjet, Reit ende s’i shlyhet nga mendja që ai plak kishte menduar për të.
Siç tregojnë këto dy përvoja, fjalë të sinqerta e të dashura që shprehin çmueshmëri për atë që bëjnë të tjerët—jo thjesht fjalë të pamenduara ose lajka të kota—mund të bëjnë mrekulli! Në kongregacionin e krishterë kemi shumë e shumë arsye për t’i lavdëruar bashkëbesimtarët. Për shembull, mund t’i lavdërojmë për dëshirën që kanë për t’i shërbyer Jehovait dhe për komentet e përgatitura mirë. Mund t’i lavdërojmë që kanë bërë përparim në mposhtjen e etheve të fjalimit. Mund t’i lavdërojmë për ndonjë pjesë që kanë bërë në mbledhje, për zellin në predikim dhe mësimdhënie, si dhe për përpjekjet për t’u dhënë përparësi interesave të Mbretërisë e synimeve frymore. Kur lavdërojmë të tjerët, shpërblehemi edhe vetë, pasi ndihemi më të lumtur dhe i shohim gjërat në mënyrë ndërtuese.—Veprat 20:35.
Pleqtë e kongregacionit bëjnë mirë ta lavdërojnë kongregacionin për punën e mirë që bën. Kur të jetë e nevojshme të jepen këshilla, e bëjnë me një frymë dashurie. Nga ana tjetër, s’duhet të fiksohen pas përsosmërisë, sa çdo gjë që s’është bërë në mënyrë të përsosur të shihet si dobësi serioze.
Pleqtë e krishterë që imitojnë shembullin e Elihut, i cili me dashuri tregoi respekt dhe mirësjellje, të Pavlit që tregoi takt dhe të Jezuit që u interesua me dashuri, do të jenë një burim i vërtetë inkurajimi për vëllezërit. Lavdërimi do t’i nxitë vëllezërit dhe motrat të bëhen të krishterë më të mirë dhe të kenë gëzim e harmoni mes njëri-tjetrit. Sa duhet të jetë gëzuar Jezui kur ka dëgjuar Atin e tij qiellor që e lavdëroi me fjalët: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.» (Marku 1:11) Le t’u falim gëzim në zemër vëllezërve me lavdërime të çiltra e plot kuptim!
[Figurat në faqen 15]
Pavlit i solli rezultate të mira takti që tregoi, e po njësoj mund të na sjellë edhe neve
[Figura në faqen 16]
Lavdërimi i ngrohtë e i çiltër mund të bëjë mrekulli