Të rinj, kujtojeni tani Krijuesin tuaj të Madh
«Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.»—EKL. 12:1.
1. Si e ka shprehur Jehovai besimin që ka tek adhuruesit e tij të rinj?
PËR Jehovain të rinjtë e krishterë janë të çmuar dhe si bulëza vese freskuese. Ai profetizoi se ditën e ‘forcave ushtarake’ të Birit të tij, të rinjtë e të rejat ‘do të paraqiteshin vullnetarisht’ në shërbim të Krishtit. (Psal. 110:3) Kjo profeci do të përmbushej në një kohë kur shumica e njerëzve nuk do të kishin interes për Perëndinë, por do të ishin të fiksuar pas vetes e parave dhe të pabindur. Megjithatë, Jehovai e dinte se të rinjtë që do ta adhuronin atë, do të ishin ndryshe. Sa besim ka ai tek ju, vëllezër të rinj e motra të reja!
2. Çfarë do të thotë të kujtosh Jehovain?
2 Përfytyroni gëzimin e Perëndisë kur sheh se të rinjtë e kujtojnë si Krijuesin e tyre të Madh. (Ekl. 12:1) Qartë, të kujtosh Jehovain do të thotë më shumë se vetëm të mendosh për të. Do të thotë të veprosh—të bësh atë që atij i pëlqen dhe të lejosh që në jetën e përditshme të drejtohesh nga ligjet e parimet e tij. Do të thotë edhe të kesh besim te Jehovai, duke ditur se ai e ka për zemër mirëqenien tonë. (Psal. 37:3; Isa. 48:17, 18) A mendoni edhe ju kështu për Krijuesin tuaj të Madh?
«Beso te Jehovai me gjithë zemër»
3, 4. Si e tregoi Jezui se kishte besim te Jehovai dhe përse sot është e rëndësishme të kemi besim te Jehovai?
3 Shembulli më i shkëlqyer i një personi që pati besim te Perëndia është, pa dyshim, Jezu Krishti. Ai jetoi në përputhje me fjalët e Proverbave 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» Pak pasi Jezui u pagëzua, Satanai u përpoq ta tundonte që të pranonte pushtet dhe lavdi në botë. (Luka 4:3-13) Mirëpo Jezui nuk u mashtrua. Ai e dinte se ‘pasuria, lavdia dhe jeta’ e vërtetë janë ‘fryt i përulësisë dhe frikës nga Jehovai’.—Prov. 22:4.
4 Sot në botë sundon lakmia dhe egoizmi. Në një mjedis të tillë, është shenjë mençurie të ndjekim shembullin e Jezuit. Gjithashtu, të mos harrojmë se Satanai s’do të lërë gur pa lëvizur që t’i nxjerrë shërbëtorët e Jehovait nga rruga e ngushtë që të çon në jetë. Ai dëshiron t’i shohë të gjithë në rrugën e gjerë që të çon në shkatërrim. Mos u mashtroni prej tij! Përkundrazi, jini të vendosur të kujtoni Krijuesin tuaj të Madh. Kini besim tek ai plotësisht dhe rrokni «jetën e vërtetë», e cila është e sigurt dhe do të vijë shumë shpejt.—1 Tim. 6:19.
Të rinj, jini të mençur!
5. Ç’mendoni për të ardhmen e kësaj bote?
5 Të rinjtë që kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh kanë një mençuri që i kapërcen kufijtë e moshës së tyre. (Lexo Psalmin 119:99, 100.) Ngaqë kanë pikëpamjen e Perëndisë, ata janë krejtësisht të vetëdijshëm se sa e zymtë është e ardhmja e kësaj bote. Ndonëse nuk keni shumë vite mbi supe, me siguri, ju të rinj e keni parë se sa janë shtuar frika dhe ankthi. Nëse jeni në shkollë, ka shumë të ngjarë të keni dëgjuar për ndotjen, ngrohjen globale, shpyllëzimin dhe probleme të tjera të ngjashme. Njerëzit janë thellësisht të shqetësuar për këto zhvillime, por vetëm Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë plotësisht se ato janë pjesë e shenjës që tregon fundin e botës së Satanait.—Zbul. 11:18.
6. Si janë mashtruar disa të rinj?
6 Mjerisht, disa të rinj që i shërbejnë Perëndisë e kanë ulur vigjilencën dhe nuk e mbajnë më parasysh faktin se kësaj bote i ka mbetur vetëm fare pak kohë. (2 Pjet. 3:3, 4) Shoqëritë e këqija dhe pornografia i kanë shtyrë disa të tjerë në mëkate të rënda. (Prov. 13:20) Sa keq do të ishte të humbnim miratimin e Perëndisë tani, që jemi kaq pranë fundit! Në vend të kësaj, le të mësojmë nga ato që u ndodhën izraelitëve në vitin 1473 p.e.s., kur kishin fushuar në Rrafshinat e Moabit, në prag të Tokës së Premtuar. Ç’ndodhi atje?
Ranë para vijës së finishit
7, 8. (a) Ç’strategji përdori Satanai në Rrafshinat e Moabit? (b) Çfarë strategjie po përdor Satanai sot?
7 Në atë kohë, ishte e qartë se Satanai dëshironte t’i pengonte izraelitët që të mos merrnin trashëgiminë e premtuar. Pasi dështoi me mallkimet e profetit Balaam, Satanai përdori një strategji tinëzare. Ai u orvat t’i nxiste në veprime të papërshtatshme që të mos merrnin bekimet e Jehovait. Përdori gratë joshëse të Moabit që t’i mashtronte dhe, kësaj here, Djalli pati njëfarë suksesi. Izraelitët nisën të kishin marrëdhënie imorale me bijat e Moabit e të përkuleshin para Baalit të Peorit. Ndonëse trashëgimia e tyre e çmuar, Toka e Premtuar, ndodhej fare pranë, 24.000 izraelitë humbën jetën. Ç’tragjedi!—Num. 25:1-3, 9.
8 Sot, ne po i afrohemi me të shpejtë një ‘toke të premtuar’ më të mirë—botës së re. Siç e ka zakon, Satanai po përdor sërish imoralitetin seksual për të korruptuar shërbëtorët e Perëndisë. Normat morale të botës kanë rënë kaq poshtë, sa kurvëria konsiderohet normale, kurse homoseksualizmi shihet thjesht si një zgjedhje personale. Një motër e krishterë tha: «Vetëm në shtëpi dhe në Sallën e Mbretërisë fëmijët e mi mësojnë se homoseksualizmi dhe seksi jashtë martesës janë gjëra të këqija në sy të Perëndisë.»
9. Ç’mund të ndodhë gjatë ‘lules së rinisë’ dhe si mund ta përballojnë të rinjtë këtë?
9 Të rinjtë që kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh, e dinë që intimiteti seksual është një dhuratë e shenjtë që ka lidhje me jetën dhe riprodhimin. Prandaj, ata e pranojnë se një njeri duhet të ketë marrëdhënie seksuale vetëm brenda martesës, ashtu siç ka udhëzuar Perëndia. (Hebr. 13:4) Sidoqoftë, gjatë ‘lules së rinisë’—periudhës kur ndjenjat seksuale bëhen të forta dhe mund ta shtrembërojnë gjykimin—mund të jetë e vështirë të mbetesh i dëlirë. (1 Kor. 7:36) Ç’mund të bëni kur në mendje ju vijnë mendime të papërshtatshme? Lutjuni me zjarr Jehovait që t’ju ndihmojë të përqendroheni në gjëra të pastra. Jehovai i dëgjon gjithmonë ata që i luten me sinqeritet. (Lexo Lukën 11:9-13.) Bisedat ndërtuese mund t’ju ndihmojnë që ta përqendroni mendjen aty ku duhet.
Zgjidhini synimet me mençuri
10. Cilin qëndrim mendor negativ duhet të shmangim dhe cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes?
10 Një arsye përse shumë të rinj në botë janë të shfrenuar dhe jetojnë vetëm për kënaqësitë e mishit, është se u mungon ‘vizioni’, pra, s’kanë asnjë drejtim nga Perëndia dhe as ndonjë shpresë të sigurt për të ardhmen. (Prov. 29:18, Diodati i Ri) Janë si izraelitët në kohën e Isaisë, të cilët nuk ndiqnin më drejtimin e Perëndisë dhe rronin vetëm për ‘të ngazëlluar e për të gëzuar, për të ngrënë mish e për të pirë verë’. (Isa. 22:13) Në vend që t’i keni zili këta njerëz, përse të mos meditoni për shpresën e mrekullueshme që Jehovai u ka dhënë besnikëve të tij? Nëse je një i ri që po i shërben Perëndisë, a dëshiron me zjarr të vijë bota e re? A po bën çmos ‘të jetosh me mendje të shëndoshë, ndërsa pret shpresën e lumtur’ që Perëndia ka shpalosur para teje? (Tit. 2:12, 13) Përgjigjet që u jep këtyre pyetjeve, do të ndikojnë te synimet dhe përparësitë që ke vendosur.
11. Përse të rinjtë e krishterë që janë ende në shkollë duhet të mësojnë me zell?
11 Kjo botë nuk dëshiron që të rinjtë t’i shpenzojnë energjitë për synime teokratike. Qartë, ju që jeni në shkollë duhet të bëni çmos për të marrë një arsimim bazë të mirë. Në fund të fundit, synimi juaj nuk është vetëm të gjeni një punë të mirë, por edhe të jeni të dobishëm në kongregacion dhe lajmëtarë të frytshëm të Mbretërisë. Për këtë qëllim, duhet të jeni në gjendje të komunikoni mirë, të mendoni në mënyrë logjike dhe të arsyetoni me qetësi e respekt me të tjerët. Megjithatë, të rinjtë që studiojnë Biblën dhe përpiqen t’i zbatojnë në jetën e tyre parimet e saj, po marrin arsimimin më të mirë të mundshëm dhe po hedhin një themel të shkëlqyer për një të ardhme të suksesshme e të përhershme.—Lexo Psalmin 1:1-3.a
12. Cilin shembull do të bënin mirë të imitonin familjet e krishtere?
12 Në Izrael, arsimimi i fëmijëve nga prindërit ishte një çështje e rëndësishme. Arsimimi përfshinte pothuajse çdo fushë të jetës, sidomos ato që kishin lidhje me adhurimin e Perëndisë dhe me ligjet e tij. (Ligj. 6:6, 7) Kështu, të rinjtë izraelitë që u vinin veshin prindërve dhe më të rriturve të tjerë që kishin frikë nga Perëndia, fitonin jo vetëm njohuri, por edhe mençuri, gjykim të thellë, kuptueshmëri dhe aftësi për të menduar—cilësi të rralla që fitohen vetëm falë arsimimit hyjnor. (Prov. 1:2-4; 2:1-5, 11-15) Sot, familjet e krishtere duhet t’i kushtojnë arsimimit vëmendje të ngjashme.
Cilët duhet të dëgjoni?
13. Çfarë këshillash marrin disa të rinj dhe përse duhet të jenë të kujdesshëm?
13 Të rinjtë marrin këshilla nga lloj-lloj njerëzish, sidomos nga mësuesit në shkollë, të cilët i nxitin ta kenë mendjen vetëm tek arritja e suksesit në këtë botë. Ju lutemi të rinj, lutjuni Perëndisë që t’ju drejtojë teksa i peshoni mirë këto këshilla me ndihmën e Fjalës së Tij dhe të botimeve të klasës së skllavit të besueshëm e të matur. Nga studimi i Biblës, ju e dini se shënjestra kryesore e Satanait janë të rinjtë dhe të papërvojët. Për shembull, në kopshtin e Edenit, Eva e papërvojë ia vuri veshin Satanait, një të huaji që s’kishte treguar asnjë grimë dashurie për të. Sa ndryshe do të kishte qenë sikur ajo të kishte dëgjuar Jehovain, personin që kishte treguar në mënyra të ndryshme se e donte!—Zan. 3:1-6.
14. Pse duhet të dëgjojmë si Jehovain, ashtu edhe prindërit që besojnë tek Ai?
14 Krijuesi yt i Madh të do edhe ty, dhe për këtë ai është i shtyrë nga motive krejtësisht të pastra. Ai dëshiron që ti të jesh i lumtur përgjithmonë, e jo vetëm tani. Ja përse, me zemërbutësinë e një prindi të kujdesshëm, ai të thotë ty dhe të gjithë atyre që e adhurojnë: «Kjo është udha. Ecni në të!» (Isa. 30:21) Nëse ke prindër besimtarë që e duan vërtet Jehovain, ky është një tjetër bekim për ty. Dëgjoji me respekt këshillat e tyre, kur duhet të vendosësh përparësi dhe synime. (Prov. 1:8, 9) Ata duan që ti të fitosh jetën, diçka shumë më të vlefshme se pasuria ose prestigji në këtë botë.—Mat. 16:26.
15, 16. (a) Çfarë sigurie mund të kemi te Jehovai? (b) Ç’mësim të rëndësishëm nxjerrim nga përvoja e Barukut?
15 Ata që e kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh bëjnë një jetë të thjeshtë, të sigurt se Jehovai «kurrsesi» nuk do t’i lërë dhe «kurrsesi» nuk do t’i braktisë. (Lexo Hebrenjve 13:5.) Por, përderisa ky qëndrim i shëndetshëm bie ndesh me mënyrën e të menduarit të botës, duhet të bëjmë kujdes që të mos lejojmë të ndikohemi nga fryma e saj. (Efes. 2:2) Në lidhje me këtë, shqyrtoni shembullin e Barukut, sekretarit të Jeremisë, i cili jetoi në ditët e fundit e të vështira të Jerusalemit, që përfunduan me shkatërrimin e qytetit në vitin 607 p.e.s.
16 Baruku ndoshta donte të kishte një jetë më të mirë nga ana materiale. Jehovai e vuri re këtë dhe, me dashuri, e paralajmëroi Barukun që të mos kërkonte «gjëra të mëdha» për veten. Baruku u tregua i përulur e i mençur, sepse ia vuri veshin Jehovait dhe mbijetoi kur Jerusalemi u shkatërrua. (Jer. 45:2-5) Nga ana tjetër, bashkëkohësve të Barukut që arritën të kishin «gjëra të mëdha» në aspektin material, duke e lënë Jehovain në plan të dytë, s’kaloi shumë dhe kaldeasit (babilonasit) ua morën të gjitha. Shumë prej tyre, madje, humbën jetën. (2 Kron. 36:15-18) Përvoja e Barukut na ndihmon të kuptojmë se një marrëdhënie e mirë me Perëndinë është shumë më e rëndësishme se pasuria dhe prestigji në botë.
Imitoni shembujt më të mirë
17. Përse Jezui, Pavli dhe Timoteu janë shembuj të shkëlqyer për shërbëtorët e sotëm të Jehovait?
17 Që të na ndihmojë në shtegun e jetës, Fjala e Perëndisë përmban shumë shembuj të shkëlqyer. Jezui, për shembull, ishte njeriu më i talentuar që ka jetuar ndonjëherë, e megjithatë, ai u përqendrua në predikimin e ‘lajmit të mirë për mbretërinë’—diçka që do t’u sillte njerëzve dobi të përhershme. (Luka 4:43) Që t’i jepte Jehovait më të mirën, apostulli Pavël braktisi një karrierë fitimprurëse dhe e përdori kohën dhe energjitë për të predikuar lajmin e mirë. Timoteu, një ‘bir i vërtetë në besim’, imitoi shembullin e shkëlqyer të Pavlit. (1 Tim. 1:2) A ndien ndonjëherë keqardhje Jezui, Pavli dhe Timoteu, që zgjodhën atë mënyrë jetese? Kurrën e kurrës! Faktikisht, Pavli tha se gjërat që ofronte bota i konsideronte si «shumë plehra» në krahasim me privilegjin për t’i shërbyer Perëndisë.—Filip. 3:8-11.
18. Ç’ndryshime bëri një vëlla në moshë të re dhe pse nuk ndien asnjë lloj keqardhjeje?
18 Sot, shumë të rinj të krishterë imitojnë besimin e Jezuit, Pavlit dhe Timoteut. Për shembull, një vëlla në moshë të re, i cili kishte një punë me rrogë të mirë, shkroi: «Ngaqë jetoja në përputhje me parimet biblike, më ngritën shumë shpejt në përgjegjësi. Ndonëse kisha përfitime financiare, e kuptova se po rropatesha pas erës. Kur fola me përgjegjësit e firmës dhe u shpreha dëshirën për të filluar shërbimin në kohë të plotë, ata nxituan të më ofronin më shumë para, me shpresën se do të qëndroja. Por, unë e kisha mbledhur mendjen. Shumëkush mund të mos e kuptojë se përse braktisa një karrierë fitimprurëse për të filluar shërbimin në kohë të plotë. Përgjigja ime është se dëshiroj vërtet të jetoj në lartësinë e kushtimit që i kam bërë Perëndisë. Tani që jeta ime është e përqendruar në shërbim të Perëndisë, kam arritur atë lumturi dhe kënaqësi që s’mund të ma jepte asnjë shumë parash dhe prestigji.»
19. Cilat zgjedhje të mençura janë të inkurajuar të bëjnë të rinjtë?
19 Kudo nëpër botë, mijëra të rinj kanë bërë zgjedhje të ngjashme të mençura. Kështu pra, të rinj, kur të mendoni për të ardhmen tuaj, mbani gjithnjë në mend ditën e Jehovait. (2 Pjet. 3:11, 12) Mos i kini zili ata që po lulëzojnë në këtë botë. Përkundrazi, dëgjojini ata që ju duan vërtet. Grumbullimi i ‘thesareve në qiell’ është investimi më i sigurt që mund të bëni dhe i vetmi që do t’ju sjellë dobi të përhershme. (Mat. 6:19, 20; lexo 1 Gjonit 2:15-17.) Po, kujtoni Krijuesin tuaj të Madh. Në këtë mënyrë, Jehovai do t’ju bekojë.
[Shënimi]
a Në lidhje me arsimin e lartë dhe punën, shiko Kullën e Rojës të 1 tetorit 2005, faqet 26-31.
A ju kujtohet?
• Si tregojmë se kemi besim te Perëndia?
• Cili është arsimimi më i mirë?
• Ç’mësime mund të nxjerrim nga Baruku?
• Cilët janë disa shembuj të shkëlqyer dhe pse?
[Figurat në faqen 13]
Jehovai siguron arsimimin më të mirë
[Figura në faqen 15]
Baruku ia vuri veshin Jehovait dhe mbijetoi kur Jerusalemi u shkatërrua. Ç’mund të mësoni nga ky shembull?