Ndihmoje fëmijën të përballojë hidhërimin
NË NJË librari plot njerëz, një nënë e dëshpëruar i bërtiti shitëses: «Keni një mal me libra në dyqan, por s’keni asgjë për të ndihmuar fëmijën tim!» Kjo nënë po kërkonte drejtim për të ndihmuar djalin e saj të vogël të përballonte vdekjen e papritur të një pjesëtari të familjes.
Nëna shqetësohej me të drejtë. Sa e dhembshme është për një fëmijë të përballojë realitetin e vdekjes! Fëmijët rriten mirë nën kujdesin e familjes, megjithatë vdekja mund të rrëmbejë një të afërm me të cilin fëmija ka pasur një lidhje të ngushtë. Si mund ta ndihmosh fëmijën tënd kur pritet vdekja e një të afërmi ose kur sapo ka vdekur?
Patjetër, nëse të ka vdekur një i afërm, ndoshta ti vetë po lufton me përballimin e ndjenjave të tua, prandaj mund të ndihesh i brengosur dhe i hutuar. Megjithatë, nuk duhet të harrosh se fëmija yt ka nevojë për mbështetjen tënde. Një botim i shpërndarë nga një qendër për të pastrehët, në Minesota, SHBA, thotë: «Fëmijëve u zë veshi copa bisedash dhe, kur gjenden vetëm, shpesh i keqkuptojnë ose i shtrembërojnë ato që dëgjojnë.» Më tej ky botim shton: «Fëmijëve u duhet thënë e vërteta.» Pra, mund të jetë e mençur t’ua shpjegosh të vërtetën fëmijëve në një mënyrë që ta kuptojnë. Kjo është e vështirë, pasi fëmijët kanë aftësi të ndryshme për të kuptuar atë që po ndodh.—1 Korintasve 13:11.
Si t’ia shpjegosh vdekjen?
Disa studiues thonë se kur i flasin një fëmije për dikë që ka vdekur, prindërit duhet të kenë kujdes që të mos përdorin shprehje të tilla, si: «po fle», «ka humbur» ose «është larguar». Përdorimi i këtyre shprehjeve pa i sqaruar siç duhet, mund ta hutojë fëmijën. Patjetër, Jezui e përdori gjumin për të ilustruar vdekjen, dhe kjo ishte e përshtatshme. Megjithatë, mos harro se ai nuk po fliste me fëmijë. Për më tepër, ai e shpjegoi ilustrimin. Jezui u tha dishepujve: «Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë.» Edhe pse të rritur, dishepujt «kujtuan se [Jezui] tha që [Lazari] kishte rënë në gjumë për të pushuar». Prandaj Jezui ua tha qartë: «Lazari ka vdekur.» (Gjoni 11:11-14) Nëse të rriturit kanë nevojë për shpjegime të tilla, aq më tepër kanë nevojë fëmijët.
«Një prind mund të përpiqet të përdorë fjalë që mund të mos duken dhe aq tronditëse kur i shpjegon vdekjen fëmijës së tij,—thonë autorët Meri-An Emsuiler dhe Xhejms P. Emsuiler,—por duke bërë kështu, ai mund të futë në kokën e fëmijës ide që nuk i kishte e që mund të jenë të frikshme ose të dëmshme.» Për shembull, t’i thuash një fëmije se i afërmi që ka vdekur thjesht po fle, mund t’i futë frikën fëmijës se po të flejë natën, mund të mos zgjohet më. Po t’i thuhet se «është larguar», fëmija mund të mendojë sikur nuk e duan ose e kanë braktisur.
Kur përpiqen t’i shpjegojnë fëmijës vdekjen e dikujt, shumë prindër kanë vërejtur se fëmijët kuptojnë më kollaj fjalët e thjeshta dhe të drejtpërdrejta, sesa konceptet abstrakte apo eufemizmat. (1 Korintasve 14:9) Studiuesit sugjerojnë se është më mirë ta nxitësh fëmijën të bëjë pyetje dhe të flasë për gjëra që e shqetësojnë. Bisedat e shpeshta mund të të ndihmojnë për të qartësuar keqkuptimet dhe mund të zbulojnë mënyra të tjera si ta ndihmosh fëmijën.
Një burim i besueshëm këshillash
Kur është i hidhëruar, fëmija yt pret nga ty këshilla, mbështetje dhe përgjigje. Atëherë, ku mund të gjesh informacione të besueshme për temën e vdekjes? Shumë njerëz kanë vërejtur se Bibla është një burim i besueshëm ngushëllimi dhe shprese. Në të jepen informacione të sakta për origjinën e vdekjes, gjendjen e të vdekurve dhe se çfarë shprese ka për ta. E vërteta e qartë se «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë» duhet ta ndihmojë fëmijën tënd të kuptojë se i afërmi që ka vdekur nuk po vuan. (Eklisiastiu 9:5) Për më tepër, në Bibël, Perëndia na jep shpresën se, njerëzit tanë të dashur që kanë vdekur, do t’i shohim sërish në një tokë parajsore.—Gjoni 5:28, 29.
Me anë të Shkrimeve të Shenjta mund ta ndihmosh fëmijën të mësojë se Bibla jep drejtim të besueshëm dhe ngushëllim në çdo situatë të vështirë. Në të njëjtën kohë, fëmija yt do të vërejë se ti si prind mbështetesh te Fjala e Perëndisë për të marrë drejtim për çështje të rëndësishme në jetë.—Proverbat 22:6; 2 Timoteut 3:15.
Përgjigjet e pyetjeve të tua
Kur ndihmon fëmijën të përballojë vdekjen e një të afërmi, mund të gjendesh përballë disa situatave që nuk di se ç’të bësh. Atëherë si të veprosh?a Le të shqyrtojmë disa pyetje të zakonshme që mund të lindin.
• A duhet t’ia fsheh hidhërimin fëmijës? Është e natyrshme të duash ta mbrosh fëmijën. Por, a është e gabuar që fëmija të të shohë të hidhëruar? Shumë prindër kanë kuptuar se është më mirë ta shprehin hapur hidhërimin, e kështu t’i tregojnë fëmijës se është normale të hidhërohesh. Disa prindër kanë folur me fëmijët rreth shembujve biblikë të njerëzve që e shprehën hapur hidhërimin. Për shembull, Jezui nuk i mbajti lotët kur miku i tij Lazari vdiq. Jezui nuk e fshehu atë që ndiente.—Gjoni 11:35.
• A duhet të jetë i pranishëm fëmija im gjatë riteve që bëhen në shtëpinë e të ndjerit apo në varrim ose në shërbesën fetare? Nëse një fëmijë do të marrë pjesë, do të ishte e mençur t’i shpjegoje atij që më përpara se ç’do të ndodhë aty dhe pse mbahet shërbesa fetare. Patjetër, në disa raste, për arsye të vlefshme, prindërit mund të vendosin që fëmija të mos jetë i pranishëm në të gjitha ritet që do të mbahen. Fëmijët që janë të pranishëm në shërbesën fetare të funeralit që zhvillojnë Dëshmitarët e Jehovait, mund të përfitojnë nga fjalimi i bazuar në Bibël që mbahet në atë rast. Përveç kësaj, ‘përzemërsia e butë’ dhe dashuria që vërehet midis të pranishmëve mund të ketë ndikim të madh dhe mund t’i sjellë ngushëllim fëmijës.—Romakëve 12:10, 15; Gjoni 13:34, 35.
• A duhet t’i flas fëmijës për të ndjerin? Disa studiues thonë se po të mos ta përmendësh fare këtë temë, fëmija gabimisht mund të mendojë se po i fsheh ndonjë gjë për të ndjerin apo se po përpiqesh të fshish çdo kujtim rreth tij. Autorja Xhulja Rathkei vëren: «Është e rëndësishme t’i ndihmosh fëmijët që të mësojnë të jetojnë me kujtimet rreth të ndjerit dhe të mos kenë frikë.» Të flasësh hapur për të ndjerin duke përmendur aspekte pozitive të personalitetit dhe të jetës së tij, mund të ndihmojë shumë gjatë hidhërimit. Prindërit Dëshmitarë i ngushëllojnë fëmijët e tyre me shpresën biblike të ringjalljes në një tokë parajsore, ku nuk do të ketë më sëmundje dhe vdekje.—Zbulesa 21:4.
• Si mund ta ndihmoj fëmijën kur është i hidhëruar? Fëmija yt mund të shfaqë simptoma fizike gjatë hidhërimit, për shembull mund të sëmuret. Ai mund të zemërohet apo shqetësohet ngaqë ndihet i pashpresë dhe i mërzitur. Mos u habit nëse shikon që fëmija ndihet shumë fajtor për vdekjen e të afërmit, të rri gjithmonë nga pas ose e zë paniku nëse kthehesh vonë apo sëmuresh. Çfarë të bësh në një situatë të tillë? Fëmija nuk duhet të mendojë kurrë se ti nuk e vëren që diçka nuk shkon tek ai. Prandaj ji i ndjeshëm ndaj ndjenjave të fëmijës dhe vëzhgo me kujdes gjendjen e tij. Përpiqu të mos keqkuptosh ose të mos nënvlerësosh ndikimin e madh që ka pasur vdekja te fëmija. Siguroje vazhdimisht dhe nxite të bëjë pyetje dhe të komunikojë lirshëm me ty. Mund të forcosh si shpresën e fëmijës, edhe tënden «me anë të ngushëllimit nga Shkrimet».—Romakëve 15:4.
• Kur duhet të rifilloj rutinën dhe aktivitetet normale të familjes? Ekspertët thonë se duhet mbajtur rutina sa më shumë që të jetë e mundur. Thuhet se mbajtja e një rutine të shëndetshme është një mënyrë e efektshme për të përballuar hidhërimin. Shumë prindër Dëshmitarë të Jehovait kanë kuptuar se mbajtja e një rutine të mirë frymore, që përfshin të studiojnë Biblën rregullisht si familje dhe të ndjekin mbledhjet e krishtere, mund të ketë një ndikim stabilizues dhe forcues për familjen.—Ligji i përtërirë 6:4-9; Hebrenjve 10:24, 25.
Derisa të vijë koha kur Perëndia Jehova t’u japë fund sëmundjeve dhe vdekjes, fëmijët do të përballen ndonjëherë me tragjedinë e vdekjes së një të afërmi. (Isaia 25:8) Megjithatë, duke u dhënë sigurinë dhe mbështetjen e duhur, fëmijët mund të ndihmohen ta përballojnë mirë vdekjen e një të afërmi të dashur.
[Shënimi]
a Informacioni i paraqitur në këtë artikull nuk ka si synim të vërë rregulla. Duhet theksuar se rrethanat dhe zakonet ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin dhe nga njëra kulturë në tjetrën.
[Diçitura në faqen 19]
Nxite fëmijën të bëjë pyetje dhe të shprehë shqetësimet e tij
[Figura në faqen 20]
Mbajtja e rutinës përfshin studimin e Biblës si familje