Të kapërcejmë vështirësitë e shërbimit shtëpi më shtëpi
«Morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.»—1 SEL. 2:2.
1. Çfarë vështirësish hasi Jeremia dhe si arriti t’i kapërcente?
JEREMIA ishte njeri me ndjenjat si tonat. Kur Jehovai i njoftoi caktimin që të ishte ‘profet i kombeve’, ai thirri: «Oh, Zotëri Sovran Jehova! Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.» Megjithatë, duke besuar te Jehovai, ai e pranoi atë caktim. (Jer. 1:4-10) Për më tepër se 40 vjet, Jeremia hasi apati, mospranim, tallje, e madje dhunë fizike. (Jer. 20:1, 2) Kishte momente kur donte të hiqte dorë. Megjithatë, ngulmoi që t’i shpallte një mesazh të papëlqyeshëm njerëzve të një kombi shumica e të cilëve nuk e priti mirë. Me fuqinë e Perëndisë, Jeremia arriti të bënte atë që nuk mund ta kishte bërë kurrë vetë.—Lexo Jereminë 20:7-9.
2, 3. Në ç’mënyrë shërbëtorët e Perëndisë sot hasin vështirësi të ngjashme me ato që hasi Jeremia?
2 Shumë shërbëtorë të Perëndisë sot mund t’i kuptojnë ndjenjat e Jeremisë. Duke menduar për predikimin shtëpi më shtëpi, jo pak prej nesh thamë: ‘Nuk mund ta bëj kurrë!’ Por, kur kuptuam se ishte vullneti i Jehovait që të shpallnim lajmin e mirë, e kapërcyem frikën dhe u përfshimë aktivisht në shërbim. Prapëseprapë, shumë nga ne hasin vështirësi në jetë që na e bëjnë të vështirë, të paktën për njëfarë kohe, që të vazhdojmë të predikojmë. Nuk e mohojmë se është e vështirë të fillosh të predikosh shtëpi më shtëpi dhe të vazhdosh të predikosh deri në fund.—Mat. 24:13.
3 Ç’mund të themi nëse keni ca kohë që studioni Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe ndiqni mbledhjet e kongregacionit, por ngurroni që të filloni të predikoni shtëpi më shtëpi? Po në qoftë se jeni Dëshmitarë të pagëzuar dhe e keni të vështirë të merrni pjesë në veprën shtëpi më shtëpi, edhe pse fizikisht nuk keni ndonjë problem? Jini të sigurt se njerëz të të gjitha formimeve po i kapërcejnë vështirësitë e shërbimit shtëpi më shtëpi. Me ndihmën e Jehovait mund t’ia dilni mbanë edhe ju.
Të marrim guxim
4. Çfarë e ndihmoi apostullin Pavël të predikonte lajmin e mirë me guxim?
4 Pa dyshim e pranoni se vepra mbarëbotërore e predikimit nuk po kryhet falë fuqisë ose mençurisë njerëzore, por falë frymës së Perëndisë. (Zak. 4:6) Është kështu edhe me shërbimin që kryejnë të krishterët individualisht. (2 Kor. 4:7) Mendoni për apostullin Pavël. Duke kujtuar një rast kur ai dhe shoku i tij misionar u keqtrajtuan nga kundërshtarët, Pavli shkroi: «Pasi fillimisht vuajtëm dhe u trajtuam në mënyrë fyese në Filipi, morëm guxim nga Perëndia t’ju thoshim lajmin e mirë të Perëndisë mes shumë përpjekjesh.» (1 Sel. 2:2; Vep. 16:22-24) Mund të na duket e vështirë ta imagjinojmë që edhe një predikues i zellshëm si Pavli ndonjëherë e kishte të vështirë të predikonte. Megjithatë, si të gjithë ne, Pavlit iu desh të mbështetej te Jehovai që të shpallte lajmin e mirë me guxim. (Lexo Efesianëve 6:18-20.) Si mund ta imitojmë shembullin e Pavlit?
5. Cila është një mënyrë se si mund të marrim guxim për të predikuar?
5 Lutja është një mënyrë që të marrim guxim për të predikuar. Një pioniere tha: «Lutem që të flas me siguri, lutem që t’u prek zemrën njerëzve dhe lutem që të provoj gëzim në shërbim. Në fund të fundit, kjo është vepra e Jehovait dhe jo vepra jonë, prandaj nuk mund të bëjmë asgjë pa ndihmën e tij.» (1 Sel. 5:17) Të gjithë ne kemi nevojë të lutemi vazhdimisht për ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë që të predikojmë me guxim.—Luka 11:9-13.
6, 7. (a) Çfarë vegimi mori Ezekieli dhe ç’domethënie kishte? (b) Çfarë mësimi përmban vegimi i Ezekielit për shërbëtorët e Perëndisë sot?
6 Libri i Ezekielit zbulon diçka tjetër që mund të na ndihmojë të flasim me guxim. Në një vegim, Jehovai i dha Ezekielit një rrotull të shkruar nga të dyja anët me «këngë të përvajshme, ofshama dhe vaje» e i tha që ta hante: «Bir njeriu, fute në bark e mbushi zorrët me rrotullën që po të jap.» Çfarë do të thoshte ky vegim? Ezekieli duhej ta përvetësonte plotësisht mesazhin që do t’u çonte të tjerëve. Ai duhej të bëhej, si të thuash, pjesë e tij dhe të ndikonte në ndjenjat e tij më të thella. Profeti tregon më tej: «Unë nisa ta haja, dhe ajo më la në gojë një shije të ëmbël si mjalti.» Për Ezekielin, shpallja e mesazhit të Perëndisë ishte një gjë e këndshme si mjalti. Ai ndihej tejet i privilegjuar të përfaqësonte Jehovain dhe të përmbushte caktimin që i kishte dhënë Ai, ndonëse kjo do të thoshte që të shpallte një mesazh që shumica e njerëzve nuk donte ta dëgjonte.—Lexo Ezekielin 2:8–3:4, 7-9.
7 Ky vegim përmban një mësim të vlefshëm për shërbëtorët e Perëndisë sot. Edhe ne kemi një mesazh për t’u çuar njerëzve që nuk i vlerësojnë gjithmonë përpjekjet tona. Që të vazhdojmë ta shohim shërbimin e krishterë si një privilegj nga Perëndia, duhet të jemi të ushqyer mirë frymësisht. Zakonet sipërfaqësore ose të parregullta të studimit nuk do të mjaftojnë që ta përvetësojmë plotësisht Fjalën e Perëndisë. A mund të përmirësoni për sa i përket cilësisë ose rregullsisë në leximin dhe studimin e Biblës? A mund të meditoni më shpesh rreth asaj që lexoni?—Psal. 1:2, 3.
Të fillojmë studime biblike
8. Cila metodë i ka ndihmuar disa lajmëtarë të Mbretërisë të nisin biseda biblike në shërbimin shtëpi më shtëpi?
8 Për shumë lajmëtarë, pjesa më e vështirë e shërbimit shtëpi më shtëpi është kontakti i parë me të zotin e shtëpisë. Patjetër, në disa territore është e vështirë të nisësh biseda. Disa lajmëtarë ndihen më rehat kur u flasin njerëzve te dera nëse e nisin prezantimin me pak fjalë të zgjedhura e më pas i japin të zotit të shtëpisë një fletushkë, siç tregohet edhe te kutia. Titulli i fletushkës ose ilustrimi i saj me ngjyra mund t’i tërheqë vëmendjen personit, e kështu kemi mundësi të përmendim shkurtimisht qëllimin e vizitës sonë dhe të bëjmë një pyetje. Një variant i kësaj metode është t’i tregojmë të zotit të shtëpisë tri ose katër fletushka të ndryshme dhe ta ftojmë të zgjedhë atë që i intereson. Sigurisht, synimi ynë nuk është thjesht të lëmë fletushka ose t’i përdorim ato në çdo derë, por që të nisim biseda biblike që çojnë në studime biblike.
9. Pse përgatitja e mirë është e rëndësishme?
9 Pavarësisht se çfarë metode përdorni, përgatitja e mirë do t’ju ndihmojë ta zotëroni vetveten dhe të jeni entuziastë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Një pionier tha: «Provoj më shumë gëzim nëse jam përgatitur mirë. Kur jam i përgatitur, kam dëshirë ta bëj prezantimin.» Një pionier tjetër tha: «Kur familjarizohem me botimet që do të ofroj, ndihem entuziast për t’i përdorur.» Edhe pse mund të jetë disi e dobishme të rishqyrtoni në heshtje fjalët që do të thoni, shumë vetave u duket më e dobishme ta provojnë prezantimin me zë. Kjo i ndihmon t’i japin më të mirën Jehovait.—Kol. 3:23; 2 Tim. 2:15.
10. Çfarë mund të bëhet që mbledhjet e shërbimit të jenë praktike dhe dobiprurëse?
10 Mbledhjet praktike për shërbimin në fushë kontribuojnë që të jemi frytdhënës dhe të provojmë gëzim në shërbimin shtëpi më shtëpi. Nëse shkrimi i ditës flet për predikimin, mund të lexohet e të diskutohet shkurtimisht. Megjithatë, vëllai që drejton mbledhjen e shërbimit duhet të lërë kohë të mjaftueshme për të diskutuar ose për të demonstruar një prezantim të thjeshtë që është i përshtatshëm për territorin ose të shqyrtojë informacione të tjera praktike që mund të përdoren në shërbim atë ditë. Kjo do t’i përgatitë edhe më shumë të pranishmit që të japin një dëshmi të efektshme. Duke u përgatitur mirë që më përpara, pleqtë dhe të tjerë që drejtojnë këto mbledhje, mund t’i arrijnë këto gjëra, e megjithatë, ta përfundojnë mbledhjen brenda kohës së caktuar.—Rom. 12:8.
Fuqia e të dëgjuarit
11, 12. Në ç’mënyrë kur dëgjojmë me dhembshuri mund t’u prekim zemrën njerëzve me lajmin e mirë? Jepni shembuj.
11 Nuk mjafton vetëm përgatitja e mirë, por duhet edhe interesi i thellë personal për të tjerët që të nisim biseda biblike dhe t’u prekim zemrën njerëzve në shërbim. E tregojmë këtë interes edhe me mënyrën si dëgjojmë. Një mbikëqyrës udhëtues tha: «Kur jemi të durueshëm dhe tregohemi të gatshëm t’i dëgjojmë njerëzit, kjo ndihmon jashtëzakonisht për t’i tërhequr drejt lajmit të mirë dhe është një shprehje e mrekullueshme e interesit të ngrohtë.» Nëse dëgjojmë me dhembshuri, ky mund të jetë çelësi që i hap zemrën të zotit të shtëpisë, siç e tregon edhe përvoja vijuese.
12 Në një letër të hapur të botuar në një gazetë (Le Progrès) të Sent-Etienit, Francë, një grua përshkroi vizitën e dy vetave që trokitën në derën e saj jo shumë kohë pasi i kishte vdekur në mënyrë tragjike vajza tremuajshe. Ajo shkroi: «Menjëherë e kuptova se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Po bëhesha gati t’i largoja me mirësjellje, por atëherë vura re broshurën që po më ofronin. Fliste se përse i lejon Perëndia vuajtjet. Kështu vendosa t’i ftoja brenda me synimin që t’ua hidhja poshtë argumentet. . . . Dëshmitarët qëndruan paksa më tepër se një orë. Ata dëgjuan me shumë dhembshuri dhe, kur po iknin, ndihesha kaq mirë, saqë pranova të vinin përsëri.» (Rom. 12:15) Me kalimin e kohës, kjo grua pranoi një studim biblik. Mësojmë shumë nga fakti se gjëja që kujtonte kjo grua rreth vizitës së parë, ishte mënyra si dëgjuan Dëshmitarët, e jo gjërat që i thanë.
13. Si mund ta përshtatim prezantimin e mesazhit të Mbretërisë sipas individëve që takojmë?
13 Kur dëgjojmë me dhembshuri, në të vërtetë u japim mundësi njerëzve të na thonë se përse kanë nevojë për Mbretërinë. Kështu jemi më në gjendje t’u japim lajmin e mirë. Ndoshta keni vënë re se ungjillëzuesit e efektshëm zakonisht janë dëgjues të mirë. (Prov. 20:5) Ata interesohen vërtet për njerëzit që takojnë në shërbim. Marrin shënime jo vetëm për emrat e adresat, por edhe se çfarë interesash ose nevojash kanë. Kur dikush shpreh një shqetësim të veçantë, bëjnë kërkime dhe kthehen shpejt t’u tregojnë informacionet që kanë gjetur. Ashtu si apostulli Pavël, e përshtatin prezantimin e mesazhit të Mbretërisë sipas individëve që takojnë. (Lexo 1 Korintasve 9:19-23.) Një interes i tillë i sinqertë i tërheq njerëzit drejt lajmit të mirë dhe pasqyron në mënyrë të mrekullueshme ‘dhembshurinë e butë të Perëndisë tonë’.—Luka 1:78.
Të mbajmë një qëndrim pozitiv
14. Si mund t’i pasqyrojmë cilësitë e Jehovait ndërsa kryejmë shërbimin?
14 Jehovai na ka dhënë dinjitet duke na krijuar me vullnet të lirë. Edhe pse është Perëndia i Plotfuqishëm, ai nuk detyron askënd t’i shërbejë, por u bën thirrje njerëzve në bazë të dashurisë që ka për ta, duke i bekuar ata që reagojnë me çmueshmëri ndaj masave të tij të mrekullueshme. (Rom. 2:4) Si shërbëtorë të tij, duhet të jemi gati ta paraqitim lajmin e mirë në një mënyrë të denjë për Perëndinë tonë të mëshirshëm, sa herë që japim dëshmi. (2 Kor. 5:20, 21; 6:3-6) Për këtë qëllim, duhet të mbajmë një qëndrim pozitiv ndaj njerëzve në territorin tonë. Çfarë mund të na ndihmojë ta kapërcejmë këtë sfidë?
15. (a) Çfarë i udhëzoi Jezui apostujt të bënin nëse njerëzit nuk do ta pranonin mesazhin? (b) Çfarë mund të na ndihmojë që të përqendrohemi për të gjetur ata që e meritojnë?
15 Jezui i udhëzoi dishepujt që të mos shqetësoheshin së tepërmi nëse disa nuk do ta pranonin mesazhin, por përkundrazi të përqendroheshin për të gjetur ata që e meritonin. (Lexo Mateun 10:11-15.) Për ta bërë këtë, mund të na ndihmojë vënia e synimeve të vogla e të arritshme. Një vëlla e krahason veten me një kërkues ari. Motoja e tij është: «Kur dal në shërbim, mezi pres të gjej ‘arin’.» Një vëlla tjetër ka synimin që «çdo javë të takojë një person të interesuar dhe të rikthehet brenda pak ditëve për të kultivuar interesin». Disa lajmëtarë përpiqen që, nëse është e mundur, t’u lexojnë një shkrim të gjithë atyre që takojnë shtëpi më shtëpi. Çfarë synimi realist mund t’i vësh vetes?
16. Për cilat arsye duhet të vazhdojmë të predikojmë?
16 Suksesi i shërbimit shtëpi më shtëpi nuk varet vetëm nga reagimi i njerëzve në territor. Vërtet, vepra e predikimit luan një rol jetësor për shpëtimin e njerëzve të sinqertë, por ajo shërben edhe për qëllime të tjera të rëndësishme. Shërbimi i krishterë na jep mundësi të tregojmë dashurinë tonë për Jehovain. (1 Gjon. 5:3) Na ndihmon të mos bëhemi fajtorë gjaku. (Vep. 20:26, 27) I paralajmëron njerëzit e paperëndishëm se «mbërriti ora e gjykimit prej [Perëndisë]». (Zbul. 14:6, 7) Mbi të gjitha, nëpërmjet predikimit të lajmit të mirë, emri i Jehovait po lëvdohet në të gjithë tokën. (Psal. 113:3) Kështu, dëgjojnë a s’dëgjojnë njerëzit, duhet të vazhdojmë ta shpallim mesazhin për Mbretërinë. Vërtet, të gjitha përpjekjet tona për të shpallur lajmin e mirë janë të bukura në sytë e Jehovait.—Rom. 10:13-15.
17. Çfarë do të jenë të detyruar të pranojnë njerëzit së shpejti?
17 Megjithëse sot shumë njerëz nuk i kushtojnë vëmendje veprës sonë të predikimit, së shpejti do ta shohin me një sy tjetër. (Mat. 24:37-39) Jehovai e siguroi Ezekielin se kur të realizoheshin gjykimet që shpalli ai, shtëpia rebele e Izraelit ‘do ta merrte vesh se mes tyre kishte qenë një profet’. (Ezek. 2:5) Në mënyrë të ngjashme, kur Perëndia të sjellë gjykimet e tij kundër botës së sotme, njerëzit do të jenë të detyruar ta pranojnë se mesazhi që Dëshmitarët e Jehovait predikonin në vende publike dhe shtëpi më shtëpi, faktikisht vinte nga Perëndia i vërtetë, Jehovai, dhe se Dëshmitarët shërbenin vërtet si përfaqësues të tij. Ç’privilegj kemi të mbajmë emrin e Perëndisë dhe të shpallim mesazhet e tij në këto kohë të rëndësishme! Me ndihmën e tij, le të kapërcejmë vazhdimisht vështirësitë e shërbimit shtëpi më shtëpi.
Si do të përgjigjeshit?
• Si mund të marrim guxim për të predikuar?
• Çfarë mund të na ndihmojë të nisim biseda biblike në shërbimin shtëpi më shtëpi?
• Si mund të tregojmë interes të sinqertë për të tjerët?
• Çfarë mund të na ndihmojë që të mbajmë një qëndrim pozitiv ndaj njerëzve në territorin tonë?
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Një mënyrë për të nisur biseda biblike
Në fillim:
◼ Pasi të keni përshëndetur të zotin e shtëpisë, mund t’i jepni një fletushkë e të thoni: «Kam ardhur sot te ju që t’ju them një mendim inkurajues për këtë temë të rëndësishme.»
◼ Ose, mund t’i ofroni një fletushkë e t’i thoni: «Kam ardhur për një vizitë të shkurtër, sepse doja të dija se ç’mendoni për këtë temë.»
Nëse fletushka pranohet:
◼ Pa bërë një pauzë të gjatë, bëjini një pyetje të thjeshtë se ç’mendon për titullin e fletushkës.
◼ Dëgjojeni me kujdes, duke u përpjekur të kuptoni pikëpamjet e të zotit të shtëpisë. Me mirësjellje, falënderojeni për përgjigjen dhe mbajeni parasysh gjatë bisedës.
Për të vazhduar bisedën:
◼ Lexoni dhe diskutoni një ose disa shkrime, duke e përshtatur prezantimin sipas interesave dhe nevojave të personit.
◼ Atje ku tregohet interes, ofroni literaturë e, nëse është e mundur, demonstroni si bëhet një studim biblik. Merrni masa për t’u kthyer.