A duhet përdorur emri Jehova në Dhiatën e Re?
A KA rëndësi nëse emri i Perëndisë përdoret ose jo në Bibël? Me sa duket, për Perëndinë ka rëndësi. Emri i tij, i paraqitur nga katër shkronjat hebraike të njohura si Tetragrami, del gati 7.000 herë në tekstin origjinal hebraik, që sot njihet si Dhiata e Vjetër.a
Studiuesit e Biblës e pranojnë që emri i Perëndisë del në Dhiatën e Vjetër ose ndryshe Shkrimet Hebraike. Megjithatë, shumë mendojnë se në dorëshkrimet origjinale greke, ky emër nuk ka dalë në të ashtuquajturën Dhiatë të Re.
Po atëherë, çfarë ndodh kur një shkrimtar i Dhiatës së Re citon nga Dhiata e Vjetër pjesë në të cilat del Tetragrami? Në këto raste, pjesa më e madhe e përkthyesve përdorin fjalën «Zot» në vend të emrit të Perëndisë. Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re nuk ndjek këtë praktikë të përhapur, por e përdor emrin Jehova 237 herë në Shkrimet e Krishtere Greke apo në Dhiatën e Re.
Ç’probleme hasin përkthyesit e Biblës kur duhet të vendosin nëse do ta përdorin emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re? Ç’bazë ka që të përdoret emri i Perëndisë në këtë pjesë të Shkrimeve të Shenjta? Dhe si ndikon te ti përdorimi i emrit të Perëndisë në Bibël?
Çështje përkthimi
Dorëshkrimet e Dhiatës së Re që kemi sot, nuk janë ato origjinale. Dorëshkrimet origjinale që shkruan Mateu, Gjoni, Pavli e të tjerë, u përdorën aq shumë saqë, pa dyshim, u vjetëruan shpejt. Prandaj, u bënë kopje të tyre dhe. kur u vjetëruan edhe ato, u bënë kopje të tjera. Nga mijëra kopjet e Dhiatës së Re që ekzistojnë sot, shumica janë bërë të paktën dy shekuj pasi u shkruan tekstet origjinale. Me sa duket, në atë kohë, ata që kopjonin dorëshkrimet, ose e zëvendësonin Tetragramin me fjalën greke Kirios, që përkthehet «Zot», ose kopjonin dorëshkrime ku ishte bërë tashmë ky ndryshim.b
Duke pasur parasysh këtë, një përkthyes duhet të përcaktojë nëse ka prova të arsyeshme se Tetragrami është përdorur vërtet në dorëshkrimet origjinale greke. A ka prova të tilla? Shiko arsyetimet e mëposhtme:
Kur citoi ose lexoi nga Dhiata e Vjetër, Jezui përdori emrin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 6:13, 16; 8:3; Psalmi 110:1; Isaia 61:1, 2; Mateu 4:4, 7, 10; 22:44; Luka 4:16-21) Në ditët e Jezuit e të dishepujve të tij, ashtu si edhe sot, Tetragrami gjendej në kopjet e tekstit hebraik të asaj që shpesh quhet Dhiata e Vjetër. Mirëpo, për shekuj me radhë studiuesit mendonin se Tetragrami nuk ishte në dorëshkrimet e Septuagintës greke të Dhiatës së Vjetër, si edhe në dorëshkrimet e Dhiatës së Re. Pastaj, në mesin e shekullit të 20-të, studiuesve u ra në dorë diçka e jashtëzakonshme: ishin zbuluar disa fragmente të qëmoçme nga versioni i Septuagintës greke që ekzistonte në ditët e Jezuit. Në to gjendet emri i Perëndisë, i shkruar me shkronja hebraike.
Jezui e përdori emrin e Perëndisë dhe ua bëri të njohur të tjerëve. (Gjoni 17:6, 11, 12, 26) Jezui tha hapur: «Unë erdha në emër të Atit tim.» Gjithashtu, theksoi se i bënte veprat «në emër të Atit» të tij. Madje, vetë emri i Jezuit do të thotë «Jehovai është shpëtim».—Gjoni 5:43; 10:25.
Emri i Perëndisë shfaqet në Shkrimet Greke në formën e shkurtuar. Te Zbulesa 19:1, 3, 4, 6, emri hyjnor është pjesë e termit «Halelujah». Shprehimisht, ky term do të thotë: «Lëvdoni Jah!» Jah është shkurtim i emrit Jehova.
Shkrimet e hershme judaike tregojnë se të krishterët judenj e përdornin emrin e Perëndisë në shkrimet e tyre. Tosefta, një përmbledhje me shkrim e ligjeve gojore, e përfunduar rreth vitit 300 të e.s., thotë për shkrimet e krishtere që digjeshin ditën e sabatit: «Ata nuk i mbrojnë nga zjarri librat e ungjillëzuesve dhe të minimëve [që mendohej se ishin të krishterët judenj]. I lënë të digjen aty ku janë, . . . librat dhe referimet me Emrin Hyjnor që gjenden në to.» Po aty citohen fjalët e rabinit José Galileas, i cili jetoi në fillim të shekullit të dytë të e.s., që thoshte se ditët e tjera të javës, «dikush duhet të grisë pjesët me Emrin Hyjnor që janë në to [shkrimet e krishtere] e t’i ruajë, kurse pjesën tjetër ta djegë». Pra, ka prova të forta se judenjtë e shekullit të dytë të e.s., besonin që të krishterët e përdornin emrin e Jehovait në shkrimet e tyre.
Si e kanë zgjidhur këtë çështje përkthyesit?
A është Përkthimi Bota e Re e vetmja Bibël që e ka rivendosur emrin e Perëndisë kur ka përkthyer Shkrimet Greke? Jo. Bazuar në provat e mësipërme, shumë përkthyes të Biblës kanë menduar se emri i Perëndisë duhet rivendosur në përkthimin e Dhiatës së Re.
Për shembull, shumë versione të Dhiatës së Re në gjuhët afrikane, amerikane, aziatike dhe të ishujve të Paqësorit, e përdorin gjerësisht emrin e Perëndisë. (Shih tabelën në faqen 21.) Disa nga këto përkthime kanë dalë kohët e fundit, siç është Bibla në gjuhën rotumane (1999), ku emri Jihova përdoret 51 herë në 48 vargje të Dhiatës së Re, dhe versioni në gjuhën batak-tobe (1989) nga Indonezia, ku emri Jahova përdoret 110 herë në Dhiatën e Re. Emri i Perëndisë është përdorur edhe në përkthimet frënge, gjermane dhe spanjolle. Për shembull, Pablo Besoni e përktheu Dhiatën e Re në spanjisht në fillim të shekullit të 20-të. Në përkthimin e tij, emri Jehova përdoret te Juda 14 dhe ka rreth 100 shënime ku sugjerohet emri hyjnor si një përkthim i mundshëm.
Më poshtë janë disa shembuj të përkthimeve në anglisht që kanë përdorur emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re:
A Literal Translation of the New Testament . . . From the Text of the Vatican Manuscript, nga Herman Hajnfeteri (1863)
The Emphatic Diaglott, nga Benxhamin Uillsoni (1864)
The Epistles of Paul in Modern English, nga Xhorxh Barker Stivensi (1898)
St. Paul’s Epistle to the Romans, nga U. G. Radhërfordi (1900)
The Christian’s Bible—New Testament, nga Xhorxh N. Lëfevrë (1928)
The New Testament Letters, nga J.W.C. Uandi, peshkop i Londrës (1946)
Botimi i vitit 2004 i përkthimit të njohur New Living Translation, në parathënie, poshtë titullit «Përkthimi i emrave hyjnorë», komentonte: «Në përgjithësi, tetragramin (JHVH) e kemi përkthyer në mënyrë të njëtrajtshme si ‘ZOTI’, duke përdorur shkronjat e mëdha, siç ka dalë në përgjithësi në përkthimet angleze. Kjo do ta dallojë nga emri adonai, të cilin e përkthejmë ‘Zot’.» Më pas, komentonte për Dhiatën e Re: «Fjala greke kirios përkthehet gjithnjë ‘Zot’, përveç rasteve kur përkthehet ‘ZOT’ sa herë që në Besëlidhjen e Re citohet drejtpërdrejt nga Dhiata e Vjetër, dhe teksti atje e ka me shkronja të mëdha.» (Kursivi është yni.) Prandaj, përkthyesit e kësaj Bible e pranojnë se Tetragrami (JHVH) duhet përfshirë në këto citime të Dhiatës së Re.
Është interesante se, poshtë titullit «Tetragrami në Dhiatën e Re», The Anchor Bible Dictionary komenton: «Ka prova se Tetragrami, Emri Hyjnor Jahveh, ka dalë në disa ose në të gjitha citimet nga Dhiata e Vjetër në Dhiatën e Re, kur kjo u shkrua fillimisht.» Gjithashtu, studiuesi Xhorxh Hauard thotë: «Meqë Tetragrami shkruhej ende në kopjet e Biblës greke [Septuagintës] që përbënin Shkrimet e kishës së hershme, është e arsyeshme të besojmë se shkrimtarët e Dhiatës së Re, kur cituan nga Shkrimi, e mbajtën Tetragramin në tekstin biblik.»
Dy arsye bindëse
Pra, është e qartë se Përkthimi Bota e Re nuk ishte Bibla e parë që përdori emrin e Perëndisë në Dhiatën e Re. Ashtu si një gjykatës që e thërrasin të vendosë në një çështje gjyqësore ku nuk ka dëshmitarë okularë të gjallë, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re i peshoi me kujdes të gjitha provat që lidheshin me këtë çështje. Duke u mbështetur në fakte, ata vendosën ta përfshinin emrin e Jehovait në përkthimin e Shkrimeve të Krishtere Greke. Shiko dy arsye bindëse përse vepruan kështu.
(1) Përkthyesit mendonin se, meqë Shkrimet e Krishtere Greke ishin një shtesë e frymëzuar e Shkrimeve të shenjta Hebraike, zhdukja e papritur e emrit të Jehovait nga teksti, dukej e pavend.
Pse është një përfundim i arsyeshëm ky? Aty nga mesi i shekullit të parë të e.s., dishepulli Jakov u tha pleqve në Jerusalem: «Simioni na tregoi nga fillimi në fund se si Perëndia e drejtoi për herë të parë vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.» (Veprat 15:14) A të duket logjike që Jakovi të bënte këtë pohim nëse askush në shekullin e parë nuk e njihte ose nuk e përdorte emrin e Perëndisë?
(2) Kur u zbuluan kopje të Septuagintës në të cilat përdorej emri i Perëndisë dhe jo Kirios (Zot), përkthyesve iu bë e qartë se në kohën e Jezuit, kopjet e Shkrimeve më të hershme në greqisht, e natyrisht edhe ato në hebraisht, e kishin emrin e Perëndisë.
Me sa duket, tradita e heqjes së emrit hyjnor nga dorëshkrimet greke, e cila e çnderon Perëndinë, u zhvillua më vonë. Si mendon, a do ta kishin përkrahur këtë traditë Jezui dhe apostujt?—Mateu 15:6-9.
Thirr «emrin e Jehovait»
Në fakt, vetë Shkrimet luajnë rolin e një «dëshmitari okular» vendimtar që vërteton se të krishterët e hershëm e përdornin emrin e Jehovait në shkrimet e tyre, sidomos kur citonin fragmente të Dhiatës së Vjetër që kishin këtë emër. Kështu që, pa dyshim Përkthimi Bota e Re ka një bazë të fortë për rivendosjen e emrit hyjnor, Jehova, në Shkrimet e Krishtere Greke.
Si ndikojnë te ti këto informacione? Duke cituar nga Shkrimet Hebraike, apostulli Pavël u kujtoi të krishterëve në Romë: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» Pastaj pyeti: «Mirëpo si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë treguar besim? Si do të tregojnë besim tek ai, për të cilin nuk kanë dëgjuar?» (Romakëve 10:13, 14; Joeli 2:32) Përkthimet e Biblës që e përdorin emrin e Perëndisë kur është e përshtatshme, të ndihmojnë t’i afrohesh atij. (Jakovi 4:8) Vërtet, ç’nder i madh është të mund ta njohim e ta thërrasim emrin e Perëndisë, Jehova!
a Tetragrami përbëhet nga katër shkronjat JHVH, siç shkruhet emri i Perëndisë në hebraisht. Në përgjithësi, në shqip përkthehet Jehova ose Jahveh.
b Për më tepër informacione rreth këtyre ndryshimeve, shih broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, faqet 23-27, anglisht.