Pse të mbash integritetin?
«Më gjyko, o Jehova, . . . sipas integritetit tim!»—PSAL. 7:8.
1, 2. Cilat janë disa situata të zakonshme që paraqitin sfida për integritetin e një të krishteri?
PËRFYTYRO tri situata: një të ri po e tallin disa shokë shkolle. Ata po e provokojnë që të humbë vetëkontrollin e ndoshta t’i shajë ose të zihet me ta. A do t’ua kthejë po njësoj apo do të frenohet e do të ikë? Një burrë i martuar ndodhet vetëm në shtëpi dhe po bën ca kërkime në Internet. Në ekranin e kompjuterit i shfaqet reklama e një faqeje Interneti me përmbajtje të fëlliqur. A do të tundohet ta hapë atë faqe apo do të bëjë çmos që ta shmangë? Një grua e krishterë po bisedon me disa motra, por biseda merr një drejtim negativ pasi nisin thashetheme të dëmshme për një motër në kongregacion. A do të përfshihet edhe ajo apo do të përpiqet të ndryshojë temë?
2 Edhe pse këto tri situata janë të ndryshme, kanë diçka të përbashkët: të gjitha kanë lidhje me betejën për të mbajtur integritetin si i krishterë. Kur bëhet fjalë për shqetësimet, nevojat dhe synimet e tua në jetë, sa rëndësi ka për ty të jesh një njeri me integritet? Çdo ditë njerëzit mendojnë për paraqitjen e jashtme, shëndetin, vështirësitë për të siguruar jetesën, të përpjetat dhe të tatëpjetat e miqësive e ndoshta edhe për marrëdhëniet romantike. Ndoshta u kushtojmë vëmendje të madhe këtyre gjërave. Megjithatë, çfarë i intereson veçanërisht Jehovait ndërsa heton zemrën tonë? (Psal. 139:23, 24) I intereson integriteti ynë.
3. Cilën zgjedhje të veçantë na lejon Jehovai të bëjmë dhe ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Jehovai, Dhënësi i ‘çdo dhurate të mirë dhe çdo gjëje të përsosur’, i ka dhënë secilit prej nesh një larmi dhuratash. (Jak. 1:17) Falë tij kemi dhurata të tilla, si një trup, një mendje, shëndet deri diku të mirë dhe aftësi të ndryshme. (1 Kor. 4:7) Sidoqoftë, Jehovai nuk na detyron të jemi njerëz me integritet. Ai na lë të zgjedhim vetë nëse do ta zhvillojmë apo jo këtë cilësi. (Ligj. 30:19) Prandaj kemi nevojë të shqyrtojmë se çfarë është integriteti. Gjithashtu do të shohim tri arsye pse kjo cilësi është kaq e rëndësishme.
Çfarë është integriteti?
4. Çfarë përfshin integriteti dhe ç’mund të mësojmë nga ligji i Jehovait për flijimet në kafshë?
4 Shumë njerëz duket se nuk kanë një ide të qartë se çfarë është integriteti. Për shembull, kur politikanët mburren për integritetin e tyre, shpesh duket se e kanë fjalën për ndershmërinë. Kjo cilësi është e rëndësishme, por është vetëm një pjesë e integritetit. Siç përdoret në Bibël, integriteti përfshin plotësinë morale, të qenët i patëmetë. Fjalët hebraike që lidhen me fjalën «integritet» vijnë nga rrënja e një fjale që ka kuptimin i shëndetshëm, i plotë ose i patëmetë. Një nga këto fjalë përdoret për flijimet që i paraqiteshin Jehovait. Ai që paraqiste një kafshë, kishte miratimin e tij vetëm nëse kafsha ishte e shëndetshme ose pa të meta. (Lexo Levitikun 22:19, 20.) Jehovai i dënoi me forcë ata që shpërfillnin drejtimin e tij duke paraqitur kafshë të çala, të sëmura ose të verbra.—Mal. 1:6-8.
5, 6. (a) Cilët shembuj tregojnë se shpesh vlerësojmë diçka që është e tërë ose e plotë? (b) A duhet të jemi të përsosur për të qenë me integritet? Shpjego.
5 Kur diçka është e plotë, pa të meta, normalisht vlerësohet dhe madje kërkohet. Imagjino, për shembull, një koleksionist librash që gjen një libër të çmuar pas një kërkimi të gjatë, por zbulon se i mungojnë disa faqe shumë të rëndësishme. I zhgënjyer, ai mund ta rivendosë në raft. Ose përfytyro një grua që po shëtit në breg të detit dhe po mbledh disa guaska të nxjerra nga dallgët. E magjepsur nga larmia dhe bukuria e këtyre krijesave, herë-herë ajo përkulet të shohë më nga afër ndonjërën prej tyre. Cilat do të marrë? Ato që janë të plota, të padëmtuara. Po kështu, Perëndia po kërkon njerëz që kanë këtë karakteristikë të tërësisë ose të plotësisë.—2 Kron. 16:9.
6 Por, ndoshta pyet veten nëse duhet të jemi të përsosur për të qenë me integritet. Për shkak të mëkatit dhe papërsosmërisë, mund të kemi prirjen të mendojmë se jemi paksa si një libër jo i plotë ose si një guaskë e dëmtuar. A ndihesh kështu ndonjëherë? Ji i sigurt se Jehovai nuk pret që të jemi të përsosur në kuptimin absolut. Ai kurrë nuk pret nga ne më shumë se ç’mund të bëjmë.a (Psal. 103:14; Jak. 3:2) Megjithatë, ai pret që të mbajmë integritetin. Atëherë, a ka ndonjë ndryshim midis përsosmërisë dhe integritetit? Po. Të bëjmë një shembull: një djalë dashuron një vajzë dhe do të martohet me të. Sigurisht është e pamend të presë që ajo të jetë e përsosur. Por, është e mençur të presë që ajo ta dojë me gjithë zemër, domethënë të ndiejë dashuri romantike vetëm për të. Në mënyrë të ngjashme, Jehovai është ‘një Perëndi që kërkon t’i përkushtohemi vetëm atij’. (Dal. 20:5) Ai nuk pret të jemi të përsosur, por që ta duam me gjithë zemër, duke adhuruar vetëm atë.
7, 8. (a) Çfarë shembulli la Jezui në lidhje me integritetin? (b) Ç’është në thelb integriteti sipas Biblës?
7 Mund të na vijë në mendje përgjigjja e Jezuit kur e pyetën se cili ishte ligji më i rëndësishëm. (Lexo Markun 12:28-30.) Për Jezuin këto nuk ishin vetëm fjalë, por edhe jetoi sipas tyre. Ai la shembullin më të madh duke e dashur Jehovain me gjithë mendjen, zemrën, shpirtin dhe forcën e tij. Tregoi se integriteti nuk shprehet vetëm me fjalë, por me veprime të mira që burojnë nga motive të pastra. Për të mbajtur integritetin, kërkohet që të ndjekim gjurmët e Jezuit.—1 Pjet. 2:21.
8 Ky, pra, është në thelb integriteti sipas Biblës: përkushtim me gjithë zemër ndaj një Personi qiellor, Perëndisë Jehova, si dhe ndaj qëllimit dhe vullnetit të tij të shprehur. Të mbajmë integritetin do të thotë që në jetën e përditshme të përpiqemi mbi të gjitha t’i pëlqejmë Perëndisë Jehova. Të konsiderojmë si më të rëndësishme gjërat që për Të janë më të rëndësishme. Le të shqyrtojmë tri arsye pse është e rëndësishme kjo.
1. Integriteti ynë dhe çështja e sovranitetit të Jehovait
9. Si lidhet integriteti i secilit prej nesh me çështjen e sovranitetit universal?
9 Sovraniteti i Jehovait nuk varet nga integriteti ynë. Sovraniteti i tij është i drejtë, i përjetshëm dhe universal. Do të jetë gjithnjë kështu, pavarësisht se çfarë thotë ose bën ndonjë krijesë. Megjithatë, sovraniteti i Perëndisë është përgojuar keqas në qiej dhe në tokë. Prandaj sundimi i tij duhet të shfajësohet—të tregohet qartë se është i ligjshëm, i drejtë dhe i dashur—para gjithë krijesave me aftësi për të arsyetuar. Si Dëshmitarë të Jehovait na pëlqen të flasim për sovranitetin universal të Perëndisë me këdo që dëshiron të dëgjojë. Por, si mund të marrim qëndrimin e duhur në lidhje me këtë çështje? Si tregojmë se zgjedhim Jehovain si Sovranin tonë? Duke mbajtur integritetin.
10. Ç’akuzë ka bërë Satanai në lidhje me integritetin e njerëzve dhe si do të doje t’i përgjigjeshe?
10 Shqyrto se si përfshihet integriteti yt. Në thelb, Satanai ka pohuar se asnjë njeri nuk do të mbështetë sovranitetin e Perëndisë, se askush nuk do t’i shërbejë Jehovait nga dashuria altruiste. Përpara një morie krijesash frymore, Djalli i tha Jehovait: «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij.» (Jobi 2:4) Vër re se Satanai nuk e tha këtë shpifje vetëm për Jobin e drejtë, por për njerëzimin në përgjithësi. Ja pse Bibla e quan Satanain «paditësi i vëllezërve tanë». (Zbul. 12:10) Ai e sfidon Jehovain duke thënë se të krishterët, ku përfshihesh edhe ti, nuk do të mbeten besnikë. Satanai thotë se ti do ta tradhtosh Jehovain për të shpëtuar lëkurën. Si të bëjnë të ndihesh këto akuza? A nuk do të ishe i gatshëm të tregoje në çdo rast se Satanai është gënjeshtar? Duke mbajtur integritetin, mund të bësh pikërisht këtë.
11, 12. (a) Cilët shembuj tregojnë se si vendimet tona për çështjet e përditshme lidhen me integritetin e secilit prej nesh? (b) Pse është një privilegj të mbajmë integritetin?
11 Pra, çështja e integritetit tënd bën që sjellja dhe zgjedhjet e tua të përditshme të jenë mjaft të rëndësishme. Shqyrto përsëri tri situatat që përmendëm më sipër. Si mund ta mbanin integritetin? I riu që e tallin shokët e shkollës, tundohet jashtë mase t’a shfryjë zemërimin, por ai kujton këtë këshillë: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘“Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj”,—thotë Jehovai.’» (Rom. 12:19) Ai largohet. Burrit të martuar që po përdor Internetin, mund t’i shfaqen materiale erotike, por ai kujton parimin që pasqyrohet në fjalët e Jobit: «Kam bërë një besëlidhje me sytë e mi. E si mund t’i ndalja sytë te një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Po ashtu, edhe ky burrë nuk pranon t’i ndalë sytë në pamje të pamoralshme duke i shmangur sikur të ishin helm. Gruaja që po bisedon me disa motra dhe fillon të dëgjojë thashetheme të dëmshme, frenohet sepse kujton parimin: «Secili nga ne të kënaqë të afërmin me atë që është e mirë për ta ndërtuar.» (Rom. 15:2) Thashethemet që mund të përhapë, nuk ndërtojnë. Ato nuk do të linin përshtypje të mira për motrën e saj të krishterë, dhe as do t’i pëlqenin Atit të saj qiellor. Prandaj e frenon gjuhën dhe ndryshon temë.
12 Në secilin rast, me zgjedhjen që bën, faktikisht i krishteri po thotë: «Jehovai është Sundimtari im. Do të përpiqem të bëj atë që i pëlqen atij.» A i sheh zgjedhjet dhe vendimet e tua nën këtë dritë? Nëse po, mund të jetosh vërtet sipas fjalëve inkurajuese të Proverbave 27:11: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» Ç’privilegj kemi që t’i gëzojmë zemrën Perëndisë! A nuk ia vlen të bëjmë çmos për të mbajtur integritetin?
2. Jehovai na gjykon në bazë të integritetit tonë
13. Si tregojnë fjalët e Jobit dhe të Davidit se integriteti është baza mbi të cilën na gjykon Jehovai?
13 E kuptojmë se integriteti na ndihmon të mbështetim sovranitetin e Jehovait. Pra, është baza mbi të cilën Perëndia mund të na gjykojë. Jobi e kuptoi mirë këtë të vërtetë. (Lexo Jobin 31:6.) Ai e dinte se Perëndia e peshon gjithë njerëzimin në «një peshore të saktë», duke përdorur normën e Tij të përsosur të drejtësisë për të matur integritetin tonë. Edhe Davidi tha: «Jehovai do të japë vendimin për popujt. Më gjyko, o Jehova, sipas drejtësisë sime dhe sipas integritetit tim! . . . Perëndia i drejtë heton zemrën dhe veshkat.» (Psal. 7:8, 9) E dimë se Perëndia mund të shohë thellë brenda nesh, pra, «zemrën dhe veshkat» e figurshme. Por të mos harrojmë se çfarë kërkon ndërsa na heton. Siç e tha Davidi, Jehovai na gjykon sipas integritetit tonë.
14. Pse nuk duhet të mendojmë kurrë se natyra jonë e papërsosur dhe mëkatare na e bën të pamundur të mbajmë integritetin?
14 Përfytyro Perëndinë Jehova teksa heton zemrat e miliarda njerëzve sot. (1 Kron. 28:9) A gjen shpesh dikë që po mban integritetin e krishterë? Vërtet, rrallë gjen! Megjithatë, nuk duhet të mendojmë se papërsosmëria na e bën të pamundur të mbajmë integritetin. Përkundrazi, ashtu si Davidi e Jobi, kemi plot arsye të vlefshme për të besuar se, pavarësisht nga papërsosmëria jonë, Jehovai do të shohë se po e mbajmë integritetin. Mos harro, përsosmëria nuk garanton se do të mbajmë integritetin. Kanë ekzistuar vetëm tre njerëz të përsosur dhe dy prej tyre, Adami e Eva, nuk e mbajtën integritetin. E megjithatë, miliona njerëz të papërsosur ia kanë dalë mbanë. Edhe ti mund t’ia dalësh.
3. Jetësor për shpresën tonë
15. Si tregoi Davidi se integriteti është jetësor për shpresën tonë për të ardhmen?
15 Meqë integriteti është baza mbi të cilën na gjykon Jehovai, ai është jetësor për shpresën tonë për të ardhmen. Davidi e dinte se kjo është e vërtetë. (Lexo Psalmin 41:12.) Ai e çmonte shumë shpresën për të pasur miratimin e Perëndisë përgjithmonë. Ashtu si të krishterët e vërtetë sot, Davidi shpresonte të jetonte përgjithmonë dhe t’i afrohej gjithnjë e më shumë Perëndisë Jehova ndërsa i shërbente. Ai e kuptonte se duhej të mbante integritetin që të shihte përmbushjen e asaj shprese. Po kështu, edhe ne, ndërsa mbajmë integritetin Jehovai na mbështet, na mëson, na udhëheq dhe na bekon.
16, 17. (a) Pse duhet të jesh gjithnjë i vendosur të mbash integritetin? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues?
16 Shpresa është jetësore për lumturinë tonë të tanishme. Ajo mund të na japë gëzimin që na nevojitet për të përballuar kohët e vështira. Shpresa mund të mbrojë edhe mendimet tona. Kujto që Bibla e krahason shpresën me një përkrenare. (1 Sel. 5:8) Ashtu si përkrenarja i mbron kokën ushtarit në betejë, shpresa na mbron mendjen nga mendimet negative dhe pesimiste që nxit Satanai në këtë botë të vjetër që po vdes. Jeta s’ka kuptim pa shpresë. Kemi nevojë të shqyrtojmë me ndershmëri veten, duke analizuar me kujdes integritetin tonë dhe shpresën që lidhet me të. Mos harro se duke mbajtur integritetin po mbështet sovranitetin e Jehovait dhe po mbron shpresën tënde të çmuar për të ardhmen. Urojmë ta mbash përgjithmonë integritetin!
17 Meqë integriteti është kaq i rëndësishëm, kemi nevojë të shqyrtojmë disa pyetje të tjera. Si mund të arrijmë të jemi njerëz me integritet? Si mund të kujdesemi për integritetin tonë? Dhe çfarë mund të bëjë dikush nëse nuk e ka mbajtur integritetin për njëfarë kohe? Në artikullin vijues do të shqyrtohen këto pyetje.
[Shënimi]
a Duhet të kemi parasysh edhe se Jezui tha: «Jini të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor.» (Mat. 5:48) Nga sa duket ai e kuptonte se edhe njerëzit e papërsosur mund të jenë të plotë ose të përsosur në kuptimin relativ. Ne mund ta përmbushim urdhrin për t’i dashur të tjerët pa u kursyer e kështu t’i pëlqejmë Perëndisë. Gjithsesi, Jehovai është i përsosur në kuptimin absolut. Kur bëhet fjalë për Të, termi «integritet» përfshin edhe përsosmërinë.—Psal. 18:30.
Si do të përgjigjeshe?
• Çfarë është integriteti?
• Si lidhet integriteti me çështjen e sovranitetit universal?
• Në ç’mënyrë integriteti përbën një bazë për shpresën tonë?
[Figurat në faqen 5]
Në jetën e përditshme hasim shumë sfida për integritetin