A ndjek dashurinë, ‘udhën që i tejkalon të tjerat’?
«PERËNDIA është dashuri.» Këto fjalë të apostullit Gjon identifikojnë cilësinë mbizotëruese të Perëndisë. (1 Gjon. 4:8) Falë dashurisë së Perëndisë për njerëzimin, mund t’i afrohemi dhe të kemi një marrëdhënie personale me Të. Në ç’mënyrë tjetër ndikon te ne dashuria e Perëndisë? Është thënë se «karakteri ynë modelohet nga gjërat që duam». Kjo është e vërtetë. Por është e vërtetë edhe se ne modelohemi nga personat që duam dhe nga ata që na duan. Ngaqë jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kemi aftësinë të pasqyrojmë dashurinë e tij në jetën tonë. (Zan. 1:27) Prandaj, apostulli Gjon shkroi se ne e duam Perëndinë «sepse Perëndia na deshi i pari».—1 Gjon. 4:19.
Katër fjalë për të përshkruar dashurinë
Apostulli Pavël e quajti dashurinë ‘udha që i tejkalon të tjerat’. (1 Kor. 12:31) Pse e përshkroi dashurinë në këtë mënyrë? Për ç’lloj dashurie e kishte fjalën? Për ta zbuluar, le të shqyrtojmë më mirë fjalën «dashuri».
Grekët e lashtë kishin katër fjalë bazë, të përdorura në forma të ndryshme, për të përshkruar dashurinë: storgé, éros, philía dhe agápe. Nga këto, agápe është termi i përdorur për të përshkruar Perëndinë i cili «është dashuri».a Në lidhje me këtë dashuri, profesori Uilliam Barkli tha në librin e tij Fjalët e Besëlidhjes së Re (anglisht): «Agapē ka të bëjë me mendjen: nuk është thjesht një ndjenjë që lind në zemër papritur, por është një parim sipas të cilit jetojmë me vetëdije. Agapē ka të bëjë mbi të gjitha me vullnetin.» Në këtë kontekst, agápe është një dashuri që drejtohet nga parimet, por shpesh shoqërohet edhe nga ndjenja të forta. Meqë ka parime të drejta dhe të gabuara, është e qartë se të krishterët duhet të udhëhiqen nga parimet e drejta, të përcaktuara në Bibël nga vetë Perëndia Jehova. Kur krahasojmë përshkrimet biblike të dashurisë agápe me termat e tjerë të përdorur në Bibël për të përshkruar dashurinë, kuptojmë më mirë atë lloj dashurie që duhet të shfaqim.
Dashuria brenda familjes
Ç’kënaqësi është të jesh pjesë e një familjeje të ngrohtë ku pjesëtarët janë të lidhur ngushtë mes tyre! Storgé ishte fjala greke e përdorur shpesh në Bibël për t’iu referuar përzemërsisë së natyrshme që ekziston midis pjesëtarëve të së njëjtës familje. Të krishterët përpiqen t’u tregojnë dashuri pjesëtarëve të familjeve të tyre. Pavli profetizoi se në ditët e fundit, njerëzit në përgjithësi do të ishin «pa përzemërsi të natyrshme».b—2 Tim. 3:1, 3.
Mjerisht, në botën e sotme mungon dashuria e natyrshme që duhet të ekzistojë midis pjesëtarëve të familjes. Pse kaq shumë nëna shtatzëna kryejnë abort? Pse kaq shumë familje nuk interesohen për prindërit e moshuar? Pse numri i divorceve po shkon në stratosferë? Në të vërtetë, përgjigjja është: nuk ka përzemërsi të natyrshme.
Për më tepër, Bibla tregon se «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër». (Jer. 17:9) Dashuria për familjarët përfshin zemrën dhe ndjenjat tona. Por, është interesante se Pavli përdori fjalën agápe për të përshkruar dashurinë që burri duhet të tregojë për gruan. Pavli e krahasoi këtë dashuri me dashurinë që shfaq Krishti për kongregacionin. (Efes. 5:28, 29) Kjo dashuri bazohet në parime të përcaktuara nga Jehovai, Nismëtari i familjes.
Dashuria e vërtetë për pjesëtarët e familjes na nxit të interesohemi për prindërit tanë të moshuar ose të marrim përsipër përgjegjësinë për fëmijët tanë. Gjithashtu, i nxit prindërit t’u japin fëmijëve disiplinë të dashur kur është e nevojshme dhe nuk i lejon të veprojnë thjesht nga sentimentalizmi, pasi kjo shpesh çon në një qëndrim tepër tolerant ndaj fëmijëve.—Efes. 6:1-4.
Dashuria romantike dhe parimet biblike
Dashuria fizike midis dy të martuarve është vërtet një dhuratë nga Perëndia. (Prov. 5:15-17) Mirëpo, fjala éros, e cila i referohet dashurisë romantike, nuk përdoret nga shkrimtarët e frymëzuar të Biblës. Pse jo? Vite më parë, Kulla e Rojës thoshte: «Sot mbarë bota duket se po bën të njëjtin gabim si grekët e lashtë. Ata adhuronin si perëndi Erosin, përkuleshin para altarit të tij dhe i ofronin flijime. . . . Por, historia tregon se një adhurim i tillë i dashurisë seksuale vetëm sa çoi në degjenerim, shfrenim dhe rrënim. Ndoshta kjo është arsyeja pse shkrimtarët e Biblës nuk e përmendën fare këtë fjalë.» Që të mos përfshihemi në lidhje të bazuara vetëm në tërheqjen fizike, ndjenjat romantike duhen ekuilibruar ose mbajtur nën kontroll me anë të parimeve biblike. Prandaj, pyet veten: «A ekuilibrohen ndjenjat e mia romantike me dashurinë e vërtetë?»
Gjatë ‘lules së rinisë’ kur impulset seksuale shpesh janë shumë të forta, të rinjtë që u përmbahen parimeve biblike do të qëndrojnë të pastër moralisht. (1 Kor. 7:36; Kolos. 3:5) Ne e shohim martesën si një dhuratë të shenjtë nga Jehovai. Jezui tha për të martuarit: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:6) Në vend që të qëndrojmë bashkë vetëm për aq kohë sa të ketë tërheqje të ndërsjellë, përkushtohemi në martesë. Kur lindin probleme martesore, nuk kërkojmë zgjidhjen më të lehtë, por përpiqemi me ngulm të shfaqim cilësi hyjnore për ta bërë të lumtur jetën familjare. Përpjekje të tilla do të sjellin lumturi të qëndrueshme.—Efes. 5:33; Hebr. 13:4.
Dashuria midis miqve
Jeta do të ishte e mërzitshme pa miq. Një proverb biblik thotë: «Ka një mik me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla.» (Prov. 18:24) Jehovai do që të kemi miq të vërtetë. Miqësia e ngushtë midis Davidit dhe Jonatanit është shumë e njohur. (1 Sam. 18:1) Po ashtu, Bibla thotë se Jezui «e kishte për zemër» apostullin Gjon. (Gjoni 20:2) Fjala greke për «përzemërsi» ose «miqësi» është philía. S’ka asgjë të gabuar të kesh një mik të ngushtë në kongregacion. Por, te 2 Pjetrit 1:7, nxitemi t’i shtojmë dashurinë (agápe) «përzemërsisë [sonë] vëllazërore» (philadelphía, një fjalë që përbëhet nga phílos, fjala greke për «mik», dhe adelphós, fjala greke për «vëlla»). Për të pasur miqësi të qëndrueshme, duhet të zbatojmë këtë këshillë. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A ekuilibrohen ndjenjat e mia të miqësisë me parimet biblike?»
Fjala e Perëndisë na ndihmon të mos jemi të njëanshëm në marrëdhëniet me miqtë tanë. Nuk zbatojmë standarde të dyfishta: një standard të butë për miqtë tanë dhe një standard tjetër më strikt për ata që nuk janë miqtë tanë. Për më tepër, nuk bëjmë lajka që të zëmë miq. Ç’është më e rëndësishmja, zbatimi i parimeve biblike na jep aftësinë dalluese që nevojitet për të zgjedhur miqtë e duhur dhe për të shmangur ‘shoqëritë e këqija që prishin zakonet e dobishme’.—1 Kor. 15:33.
Një lidhje dashurie unike
Lidhja që i bashkon të krishterët është vërtet unike. Apostulli Pavël shkroi: «Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi. . . . Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore.» (Rom. 12:9, 10) Po, të krishterët kanë ‘dashuri (agápe) pa hipokrizi’. Kjo dashuri nuk është thjesht një ndjenjë që na buron në zemër. Përkundrazi, është e rrënjosur thellë në parimet biblike. Megjithatë, Pavli flet edhe për ‘dashurinë vëllazërore’ (philadelphía) dhe për ‘përzemërsinë e butë’ (philóstorgos, një fjalë e përbërë nga phílos dhe storgé). Sipas një studiuesi, «dashuri vëllazërore» do të thotë «dashuri e përzemërt, shfaqje dashamirësie, dhembshuri, dhënie ndihme». E ndërthurur me agápe, ajo ndihmon për të krijuar shoqëri të ngushta midis adhuruesve të Jehovait. (1 Sel. 4:9, 10) Shprehja tjetër e përkthyer ‘përzemërsi e butë’, del vetëm një herë në Bibël dhe bën fjalë për një marrëdhënie të ngushtë e të ngrohtë, si në një familje.c
Lidhja që i bashkon të krishterët e vërtetë, është një ndërthurje e dashurisë për familjarët dhe e përzemërsisë për miqtë e vërtetë, me të gjitha marrëdhëniet që drejtohen nga dashuria e bazuar në parimet biblike. Kongregacioni i krishterë nuk është një vend për t’u njohur me të tjerë ose një organizatë shekullare, por një familje e lidhur ngushtë e bashkuar në adhurimin e Perëndisë Jehova. Ne i quajmë bashkëbesimtarët tanë vëllezër e motra dhe i konsiderojmë vërtet të tillë. Ata janë pjesë e familjes sonë frymore, i duam si miq dhe gjithmonë sillemi me ta sipas parimeve biblike. Le të vazhdojmë të bëjmë pjesën tonë për të forcuar lidhjen e dashurisë që bashkon dhe identifikon kongregacionin e vërtetë të krishterë.—Gjoni 13:35.
[Shënimet]
a Agápe përdoret edhe në kontekste negative.—Gjoni 3:19; 12:43; 2 Tim. 4:10; 1 Gjon. 2:15-17.
b Shprehja «pa përzemërsi të natyrshme» është një përkthim i një forme të fjalës storgé me parashtesën mohuese a, që ka kuptimin «pa».—Shih edhe Romakëve 1:31.
c Në Përkthimin Bota e Re, edhe fjalë të tjera greke janë përkthyer ‘përzemërsi e butë’. Prandaj, në këtë version, shprehja ‘përzemërsi e butë’ nuk del vetëm te Romakëve 12:10, por edhe te Filipianëve 1:8 dhe 1 Selanikasve 2:8.
[Diçitura në faqen 12]
Si bën pjesën tënde për të forcuar lidhjen e dashurisë që na bashkon?