Jini të bindur dhe të guximshëm si Krishti!
«Merrni zemër! Unë e munda botën.»—GJONI 16:33.
1. Deri në ç’pikë iu bind Jezui Perëndisë?
JEZU KRISHTI bënte gjithmonë vullnetin e Perëndisë. As që e çoi ndonjëherë nëpër mend të mos i bindej Atit të tij qiellor. (Gjoni 4:34; Hebr. 7:26) Por, rrethanat që kishte këtu në tokë nuk ia bënë të lehtë bindjen. Që në fillim të shërbimit të Jezuit, armiqtë e tij, përfshirë edhe vetë Satanai, u orvatën ta bindnin, ta detyronin ose ta mashtronin që ai të braktiste udhën e besnikërisë. (Mat. 4:1-11; Luka 20:20-25) Këta armiq i shkaktuan Jezuit shumë vuajtje nga ana mendore, emocionale dhe fizike. Në fund, arritën ta vritnin në shtyllë torture. (Mat. 26:37, 38; Luka 22:44; Gjoni 19:1, 17, 18) Gjatë gjithë këtyre, dhe pavarësisht nga vuajtjet e jashtëzakonshme, Jezui «u bind madje deri në vdekje».—Lexo Filipianëve 2:8.
2, 3. Ç’mund të mësojmë nga bindja e Jezuit pavarësisht nga vuajtjet që kaloi?
2 Nga jeta si njeri në tokë, Jezui mësoi edhe anë të tjera të bindjes. (Hebr. 5:8) Mund të dukej sikur Jezui s’kishte ç’të mësonte më për shërbimin ndaj Jehovait. Në fund të fundit, ai kishte pasur një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain për epoka të panumërta dhe kishte qenë ‘kryemjeshtri’ i Tij gjatë krijimit. (Prov. 8:30) Megjithatë, duke qëndruar besnik si njeri, pavarësisht nga vuajtjet, tregoi integritetin e tij të plotë. Jezui, Biri i Perëndisë, u rrit nga ana frymore. Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e tij?
3 Megjithëse ishte njeri i përsosur, Jezui nuk u përpoq të mbështetej te vetja për të qëndruar i bindur në mënyrë të përsosur. Ai iu lut Perëndisë për ndihmë që të qëndronte i bindur. (Lexo Hebrenjve 5:7.) Që të qëndrojmë të bindur, edhe ne duhet të jemi të përulur dhe të lutemi rregullisht për ndihmën e Perëndisë. Për këtë arsye, apostulli Pavël i këshilloi të krishterët: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu» i cili «e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje». (Filip. 2:5-8) Jeta e Jezuit vërtetoi se për njerëzit nuk është e pamundur të jenë të bindur, madje edhe në këtë botë të ligë. Dihet, Jezui ishte i përsosur, po ç’mund të themi për njerëzit e papërsosur si ne?
Të bindur pavarësisht nga papërsosmëria
4. Çfarë nënkupton fakti që jemi krijuar me vullnet të lirë?
4 Perëndia i krijoi Adamin dhe Evën me aftësinë për të arsyetuar dhe me vullnet të lirë. Si pasardhës të tyre, edhe ne jemi me vullnet të lirë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që mund të zgjedhim të bëjmë të mirën ose të keqen. Me fjalë të tjera, Perëndia na ka dhënë lirinë për të zgjedhur nëse do t’i bindemi atij ose jo. Bashkë me këtë liri të madhe zgjedhjeje vjen edhe përgjegjësia. Po, vendimet që marrim nënkuptojnë jetë a vdekje për ne. Ato ndikojnë edhe tek ata që na rrethojnë.
5. (a) Çfarë lufte kemi të gjithë? (b) Si mund ta fitojmë këtë luftë?
5 Për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, bindja nuk na vjen natyrshëm. Nuk është gjithmonë e lehtë t’u bindemi ligjeve të Perëndisë. Edhe Pavli luftonte me këtë prirje. Ai shkroi: «Në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» (Rom. 7:23) Sigurisht, e kemi më të lehtë të bindemi kur nuk na duhet të sakrifikojmë, kur nuk është e dhimbshme ose kur nuk na prish punë. Por si reagojmë kur ka përplasje midis dëshirës sonë për të qenë të bindur dhe ‘dëshirave të mishit e dëshirave të syve’? Këto dëshira negative vijnë nga papërsosmëria jonë, si edhe nga ndikimi i ‘frymës së botës’ që na rrethon, e ato janë shumë të forta. (1 Gjon. 2:16; 1 Kor. 2:12) Për t’u bërë ballë, duhet ‘të përgatitim zemrën’ para se të hasim një vështirësi ose tundim dhe të jemi të vendosur se do t’i bindemi Jehovait çfarëdo që të ndodhë. (Psal. 78:8) Kemi shumë shembuj biblikë të atyre që ia dolën mbarë sepse e kishin përgatitur vërtet zemrën.—Ezd. 7:10; Dan. 1:8.
6, 7. Ilustroni se si studimi personal mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura.
6 Një mënyrë për të përgatitur zemrën është duke studiuar me zell Shkrimet dhe botimet e bazuara në Bibël. Imagjino veten në situatën e mëposhtme. E zëmë se është mbrëmja që bën studimin personal. Sapo je lutur që fryma e Jehovait të të ndihmojë të zbatosh atë që mëson nga Fjala e tij. Ndërkohë, ke në plan që një natë më pas të shohësh një film të caktuar në televizor. Ke dëgjuar fjalë të mira për të nga kritikët, por di edhe se ka ca skena imorale dhe të dhunshme.
7 Mediton për këshillën e Pavlit tek Efesianëve 5:3 ku thuhet: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve.» Kujton edhe këshillën e Pavlit te Filipianëve 4:8. (Lexoje.) Ndërsa mediton mbi këtë këshillë nga Perëndia pyet veten: «Nëse me vetëdije vë në rrezik zemrën dhe mendjen duke parë programe të tilla, a po ndjek shembullin e Jezuit që i bindej Perëndisë në çdo gjë?» Çfarë do të bësh? A do ta shohësh prapëseprapë atë film?
8. Pse duhet të mbajmë norma të larta morale dhe frymore?
8 Do të bënim gabim po të ulnim normat tona morale dhe frymore, ndoshta duke menduar se jemi aq të fortë sa t’u rezistojmë pasojave të shoqërisë së keqe, qoftë edhe kur ajo shoqëri është në formën e zbavitjes së dhunshme ose imorale. Përkundrazi, ne duhet të mbrojmë veten dhe fëmijët nga ndikimet degraduese të frymës së Satanait. Ashtu si njerëzit bëjnë çmos që të mos i kapë ndonjë sëmundje ngjitëse, duhet të jemi vigjilentë për t’u mbrojtur nga ‘intrigat e Satanait’.—Efes. 6:11.
9. Pse duhet të jemi të vendosur çdo ditë që t’i bindemi Jehovait?
9 Pothuajse çdo ditë, në ndonjë mënyrë, na duhet të vendosim nëse do t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës së Jehovait apo jo. Duhet t’i bindemi Perëndisë dhe të jetojmë sipas parimeve të tij të drejta nëse duam të shpëtojmë. Duke ndjekur shembullin e bindjes së Krishtit, i cili u bind madje «deri në vdekje», tregojmë se kemi besim të vërtetë. Jehovai do të na shpërblejë për udhën tonë të besnikërisë. Jezui premtoi: «Ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.» (Mat. 24:13) Natyrisht, kjo kërkon të zhvillojmë guximin e duhur, si guximi që shfaqi Jezui.—Psal. 31:24.
Jezui—Shembulli më i madh i guximit
10. (a) Ç’lloj presionesh mund të hasim? (b) Çfarë duhet të bëjmë?
10 Ngaqë jemi të rrethuar nga qëndrimet dhe sjelljet tipike të kësaj bote, na duhet guxim që të mos ndotemi prej tyre. Të krishterët përballen me presione morale, shoqërore, financiare dhe fetare që mund t’i bëjnë të devijojnë nga udhët e drejta të Jehovait. Shumë kanë kundërshtime nga familja. Në disa vende, institucionet arsimore mbështetin gjithnjë e më fort teorinë e evolucionit dhe shumë njerëz po bëhen ateistë. Kur jemi përballë këtyre presioneve, nuk mund t’i shpërfillim pa bërë asgjë. Duhet të veprojmë që t’u rezistojmë dhe kështu të mbrohemi. Shembulli i Jezuit na tregon se si mund t’ia dalim mbanë.
11. Si mund të marrim më shumë guxim nga meditimi për shembullin e Jezuit?
11 Jezui u tha dishepujve: «Në botë keni shtrëngim, por merrni zemër! Unë e munda botën.» (Gjoni 16:33) Ai nuk iu dorëzua kurrë ndikimit të botës. Nuk e lejoi kurrë botën ta pengonte në përmbushjen e caktimit të tij të predikimit ose që t’i ulte normat e tij për adhurimin e vërtetë dhe për sjelljen e duhur; as ne nuk duhet ta lejojmë. Në lutje, Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Nga studimi dhe meditimi për guximin e Krishtit mund të marrim guximin e duhur për të qëndruar të ndarë nga bota.
Mësoni nga guximi i Jezuit
12-14. Jepni shembuj të guximit që tregoi Jezui.
12 Jezui tregoi guxim të pashoq gjatë gjithë shërbimit të tij. Duke ushtruar autoritetin e tij si Biri i Perëndisë, ai pa frikë «hyri në tempull, flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin atje, përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shitnin pëllumba». (Mat. 21:12) Kur ushtarët erdhën për ta arrestuar natën e tij të fundit në tokë, Jezui me guxim doli para dishepujve për t’i mbrojtur dhe tha: «Nëse më kërkoni mua, lërini të ikin këta.» (Gjoni 18:8) Pak më vonë, ai i tha Pjetrit ta largonte shpatën, duke treguar kështu se besimi i Jezuit nuk bazohej tek armët njerëzore, por te Jehovai.—Gjoni 18:11.
13 Jezui pa frikë demaskoi mësuesit e rremë e pa dashuri të asaj kohe dhe mësimet e tyre të gabuara. «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë, sepse ua mbyllni njerëzve mbretërinë e qiejve!—u tha atyre.—Shpërfillni çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë. . . . Ju pastroni nga jashtë kupën dhe pjatën, por përbrenda ato janë plot me plaçkitje dhe teprime.» (Mat. 23:13, 23, 25) Dishepujt e Jezuit do të kishin nevojë për një guxim të tillë sepse udhëheqësit e rremë fetarë do t’i përndiqnin edhe ata, e madje disa prej tyre do t’i vritnin.—Mat. 23:34; 24:9.
14 Jezui mbajti qëndrim të guximshëm edhe kundër demonëve. Njëherë, ai u përball me një burrë të pushtuar nga demonët, i cili ishte aq i fuqishëm sa askush nuk mund ta lidhte me zinxhir. Pa u frikësuar, Jezui i përzuri demonët e shumtë që e mbanin nën kontroll atë burrë. (Mar. 5:1-13) Sot, Perëndia nuk u ka dhënë të krishterëve fuqi për të kryer mrekulli të tilla. Megjithatë, në predikim dhe mësimdhënie, edhe ne duhet të luftojmë frymësisht kundër Satanait, atij që u «ka verbuar mendjen jobesimtarëve». (2 Kor. 4:4) Ashtu si në rastin e Jezuit, armët tona «nuk janë sipas mishit, por të fuqishme nga Perëndia, që të përmbysim gjëra të fortifikuara mirë»—koncepte fetare të rrënjosura thellë, por të gabuara. (2 Kor. 10:4) Nga shembulli i Jezuit mësojmë shumë se si t’i përdorim këto armë frymore.
15. Ku bazohej guximi i Jezuit?
15 Guximi i Jezuit nuk ishte shfaqje trimërie, por një guxim i bazuar në besim. Kështu duhet të jetë edhe me ne. (Mar. 4:40) Si mund të fitojmë besim të vërtetë? Edhe në këtë aspekt na ndihmon shembulli i Jezuit. Ai tregoi se kishte njohuri të plotë për Shkrimet dhe besim të plotë tek ato. Si armë, Jezui nuk përdorte shpatë të mirëfilltë, por shpatën e frymës, Fjalën e Perëndisë. Herë pas here, ai i mbështeste mësimet e tij me anë të Shkrimeve. Shpesh, përdorte shprehjen «është shkruar», domethënë në fjalën e Perëndisë.a
16. Si mund të fitojmë besim më të madh?
16 Për të ndërtuar besimin që mund të përballojë ato lloj sprovash që vijnë në mënyrë të pashmangshme kur dikush bëhet dishepull, ne duhet të lexojmë e të studiojmë Biblën çdo ditë dhe të ndjekim mbledhjet e krishtere, duke ngulitur në mendje të vërtetat që janë themeli i besimit. (Rom. 10:17) Gjithashtu, duhet të meditojmë, domethënë të mendojmë thellë për atë që mësojmë, duke lejuar që të na arrijë deri në zemër. Vetëm besimi i gjallë mund të na shtyjë për të vepruar me guxim. (Jak. 2:17) Dhe duhet të lutemi për frymën e shenjtë, sepse besimi është pjesë e frytit të frymës.—Gal. 5:22.
17, 18. Si tregoi guxim në shkollë një motër?
17 Një motër e re me emrin Kiti provoi se si jep guxim besimi i vërtetë. Që kur ishte e vogël, ajo e dinte se nuk duhej ‘t’i vinte turp për lajmin e mirë’ në shkollë dhe donte vërtet t’u jepte dëshmi të plotë shokëve të klasës. (Rom. 1:16) Çdo vit, ajo vendoste t’u fliste të tjerëve për lajmin e mirë, por ngurronte sepse nuk kishte guxim. Nga fundi i viteve të adoleshencës, shkoi në një shkollë tjetër. Ajo tha: «Këtë herë do të kompensoj mundësitë që kam humbur deri tani.» Kiti u lut për guxim si ai i Krishtit, për maturi dhe për rastin e duhur.
18 Ditën e parë të shkollës, studentët duhej të prezantoheshin një për një. Disa përmendën prejardhjen e tyre fetare, por thanë edhe që nuk e praktikonin fenë. Kiti e kuptoi se ky ishte rasti për të cilin ishte lutur. Kur erdhi radha e saj, ajo me vendosmëri tha: «Unë jam Dëshmitare e Jehovait dhe ajo që më udhëheq në adhurimin dhe sjelljen time, është Bibla.» Ndërsa fliste, disa nga nxënësit rrudhën buzët. Por të tjerët e dëgjuan dhe më vonë i bënë pyetje. Mësuesi e lavdëroi Kitin si shembull i mirë në mbrojtjen e bindjeve të saj. Ajo është shumë e kënaqur që ka mësuar nga shembulli i guximit të Jezuit.
Të tregojmë besim dhe guxim si Krishti
19. (a) Çfarë do të thotë të kesh besim të vërtetë? (b) Si mund ta gëzojmë Jehovain?
19 Edhe apostujt e kuptuan se veprimet e tyre të guximshme duhej të bazoheshin në besim. Ata iu përgjëruan Jezuit: «Na jep më shumë besim.» (Lexo Lukën 17:5, 6.) Të kesh besim të vërtetë nuk do të thotë vetëm të besosh se Perëndia ekziston. Por do të thotë edhe të zhvillosh një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, ashtu si marrëdhënia e një fëmije me atin e tij të mirë e të dashur. Nën frymëzim, Solomoni shkroi: «Biri im, nëse zemra jote bëhet e mençur, edhe zemra ime do të gëzojë. Veshkat e mia do të ngazëllojnë, kur buzët e tua të flasin drejt.» (Prov. 23:15, 16) Në të njëjtën mënyrë, qëndrimi ynë i guximshëm në mbrojtje të parimeve të drejta e gëzon Jehovain, dhe kjo në vetvete na shton guximin. Prandaj, le ta imitojmë gjithmonë shembullin e Jezuit, duke mbrojtur me guxim atë që është e drejtë!
[Shënimi]
a Për shembull, shihni Mateun 4:4, 7, 10; 11:10; 21:13; 26:31; Markun 9:13; 14:27; Lukën 24:46; Gjonin 6:45; 8:17.
A mund të shpjegoni?
• Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të bindur pavarësisht nga papërsosmëria?
• Ku bazohet besimi i vërtetë dhe si mund të na ndihmojë të jemi të guximshëm?
• Çfarë do të vijë si rezultat nëse bindemi dhe tregojmë guxim si ai i Krishtit?
[Figura në faqen 13]
A po ‘përgatitni zemrën’ që t’u bëni ballë tundimeve?
[Figura në faqen 15]
Ashtu si Jezui, mund të tregojmë një guxim që bazohet në besim