Kodiku i Vatikanit: Pse është kaq i çmuar?
VATIKANI ka një koleksion sendesh të çmuara. Afresket e tij, skulpturat dhe arkitektura janë vlerësuar për bukurinë dhe madhështinë e tyre. Mirëpo, për qindra vjet, njerëzit nuk mund të shihnin njërin nga thesaret e tij më të mëdha. Në Bibliotekën e Vatikanit ndodhet një dorëshkrim i çmuar, i cili hedh dritë mbi pjesë të Fjalës së Perëndisë që u shkruan mijëra vjet më parë. Njihet si Kodiku i Vatikanit.a
Kodiku Aleksandrin dhe ai Sinaitik, dy dorëshkrime të tjera biblike të hershme që vlerësohen shumë nga studiuesit, kanë histori intriguese se si janë zbuluar e shpëtuar nga shkatërrimi. Kurse origjina e Kodikut të Vatikanit është shumë e vagët.
Një thesar i fshehur
Nga erdhi Kodiku i Vatikanit? Referimi më i hershëm për të është regjistrimi i shekullit të 15-të në katalogun e Bibliotekës së Vatikanit. Studiuesit kanë hedhur idenë se mund të jetë prodhuar në Egjipt, Cezare ose edhe në Romë. Gjithsesi, pasi i vlerësoi këto teori, profesori Xh. Nevil Bërdzolli, nga Universiteti i Birmingemit, Angli, nxori si përfundim: «Me pak fjalë, s’mund të jemi të sigurt për datën e saktë a për vendin nga e ka origjinën Kodiku i Vatikanit; as historia e tij para shekullit të pesëmbëdhjetë nuk mund të hartohet, pavarësisht nga përpjekjet e studiuesve.» Gjithsesi, Kodiku i Vatikanit është quajtur një nga dorëshkrimet biblike më të rëndësishme. Përse?
Gjatë shekujve, disa kopjues bënë gabime gjatë kopjimit të tekstit të Biblës. Kështu, sfida e përkthyesve që kërkojnë një burim të saktë, është të gjejnë dorëshkrime të besueshme që përcjellin çka ishte në shkrimet origjinale. Pra, përfytyroni sa shumë dëshironin studiuesit të shqyrtonin Kodikun e Vatikanit, një dorëshkrim grek që datonte nga shekulli i katërt i e.s., më pak se 300 vjet pasi u përfundua Bibla! Kodiku përmban tekstin e plotë të Shkrimeve Hebraike dhe atyre të Krishtere Greke, përveç disa pjesëve që kanë humbur me kalimin e kohës.
Për një kohë të gjatë, autoritetet e Vatikanit ngurronin t’ua linin në dispozicion kodikun studiuesve të Biblës. Studiuesi i shquar i teksteve, sër Frederik Kenioni tha: «Në vitin 1843 [studiuesi biblik Konstantin fon] Tishendorfi, pasi kishte pritur për muaj të tërë, u lejua ta shihte për gjashtë orë. . . . Në vitin 1845, studiuesi i madh anglez Tregejllësi u lejua ta shihte, por s’duhej të kopjonte asnjë fjalë.» Tishendorfi bëri kërkesë që ta shihte përsëri kodikun, por, pasi kopjoi 20 faqe, leja iu anulua. Gjithsesi, siç raportoi Kenioni, «falë një kërkese tjetër, i dhanë leje ta studionte edhe gjashtë ditë, gjithsej katërmbëdhjetë ditë me nga tre orë secila; duke e shfrytëzuar në maksimum kohën, Tishendorfi arriti të botonte në vitin 1867 versionin më të përsosur që kishte dalë ndonjëherë për atë dorëshkrim». Më vonë, Vatikani vuri në dispozicion një kopje më të mirë të kodikut.
‘Ruajtur me besnikëri’
Ç’lloj teksti ka Kodiku i Vatikanit? The Oxford Illustrated History of the Bible thotë se teksti «tregon njëtrajtshmëri të germëzimit, saktësi të kopjimit dhe një cilësi të mirë të tekstit të riprodhuar me aq kujdes». E njëjta vepër referimi vazhdon: «Pra, mund të nxjerrim përfundimin se ky tekst është prodhim i një tradite të kopjimit nga studiuesit.»
Dy studiues të rëndësishëm të cilëve u lanë mbresa virtytet e Kodikut të Vatikanit ishin B. F. Uestkoti dhe F.Xh.A. Horti. Versioni i tyre New Testament in the Original Greek, i botuar në vitin 1881 dhe i bazuar në dorëshkrimin e Vatikanit dhe atë Sinaitik, ende është teksti kryesor për disa përkthime moderne të Shkrimeve të Krishtere Greke, ndër të cilat The Emphasised Bible, e Xh. B. Rotherhamit dhe Përkthimi Bota e Re.
Mirëpo, disa kritikë mendonin se besimi i Uestkotit dhe Hortit te Kodiku i Vatikanit nuk ishte me vend. A ishte kodiku një kopje e saktë e tekstit origjinal? Botimi i papiruseve të Bodmerit mes viteve 1956 dhe 1961 i entuziazmoi studiuesit, sepse papiruset përfshinin pjesë të Lukës dhe Gjonit, nga fillimi i shekullit të tretë të e.s. A do ta mbështetnin ato tekstin që shfaqej më vonë te Kodiku i Vatikanit?
Në botimin Novum Testamentum, Filip B. Pejni dhe Pol Kanarti shkruan: «Ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme mes tekstit të kodikut të Vatikanit dhe tekstit që ka mbijetuar nga papiruset e Bodmerit. Nën dritën e kësaj ngjashmërie, është e arsyeshme të nxjerrim si përfundim se skribi që ka kopjuar kodikun e Vatikanit, ka kopjuar një dorëshkrim që lidhej ngushtë me papiruset e Bodmerit. Kështu, skribi duhet të ketë kopjuar ose nga një dorëshkrim shumë i vjetër, ose nga një që bazohej në një dorëshkrim shumë të vjetër.» Profesor Bërdzolli tha: «Dy dorëshkrimet janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. . . . [Kodiku] është një tekst i kopjuar me kujdes: puna është bërë sipas një tradite që kërkon ruajtjen me besnikëri të tekstit.»
I dobishëm për përkthyesit
Natyrisht, jo gjithnjë dorëshkrimi më i vjetër kualifikohet si më i afërti me tekstin origjinal. Por, krahasimi i Kodikut të Vatikanit me dorëshkrime të tjera, i ka ndihmuar jashtë mase studiuesit të përcaktojnë çfarë ishte në tekstin origjinal. Për shembull, pjesa që ka mbijetuar nga Dorëshkrimi Sinaitik, i prodhuar po ashtu në shekullin e katërt të e.s., nuk ka pjesën më të madhe të librave historikë nga Zanafilla deri te 1 Kronikave. Por, fakti që dalin në Kodikun e Vatikanit ndihmon pasi vërteton vendin që u takon me të drejtë ndër librat e Biblës.
Sipas The Oxford Illustrated History of the Bible, «pjesët ku përmendej personi i Krishtit dhe Triniteti i shenjtë» ngjallnin më tepër polemika ndër studiuesit. Si ka ndihmuar Kodiku i Vatikanit për t’i qartësuar ato pjesë?
Të shohim një shembull. Te Gjoni 3:13, Jezui tha: «Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.» Disa përkthyes kanë shtuar fjalët «që është në qiell». Këto fjalë të shtuara sugjerojnë se Jezui ishte në qiell e në tokë njëkohësisht, koncept që mbështet idenë e Trinitetit. Shprehja e shtuar del në disa dorëshkrime të shekullit të pestë e të dhjetë të e.s. Mirëpo, fakti që nuk është në dorëshkrimet më të hershme, të Vatikanit dhe atë Sinaitik, i ka nxitur shumë përkthyes të sotëm ta heqin atë shprehje. Kjo qartëson ngatërresën për identitetin e Krishtit dhe është në përputhje me pjesën tjetër të Shkrimeve. Jezui nuk ishte në dy vende njëkohësisht, por kishte ardhur nga qielli dhe së shpejti do të kthehej në qiell, ‘do të ngjitej’ tek Ati i tij.—Gjoni 20:17.
Gjithashtu, Kodiku i Vatikanit hedh dritë mbi vargje që kanë të bëjnë me qëllimin e Perëndisë për tokën. Shikoni një shembull. Sipas Diodatit të Ri, apostulli Pjetër profetizoi se «veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt». (2 Pjetrit 3:10) Kështu lexohet edhe në disa përkthime të tjera, duke e bazuar këtë përkthim në Kodikun Aleksandrin të shekullit të pestë dhe në dorëshkrime të mëvonshme. Prandaj, shumë lexues të sinqertë të Biblës kanë arritur në përfundimin se Perëndia do ta shkatërrojë tokën.
Por, rreth një shekull para se të prodhohej Kodiku Aleksandrin, Kodiku i Vatikanit (dhe Dorëshkrimi Sinaitik që është bashkëkohës i tij) e përkthenin profecinë e Pjetrit «toka e veprat në të do të zbulohen». A është kjo në përputhje me pjesën tjetër të Biblës? Sigurisht që po! Toka e mirëfilltë «nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës». (Psalmi 104:5) Po atëherë, si ‘do të zbulohet’ toka? Shkrime të tjera tregojnë se fjala «tokë» mund të përdoret edhe në kuptim të figurshëm. «Toka» mund të flasë një gjuhë të vetme dhe të këndojë këngë. (Zanafilla 11:1; Psalmi 96:1, Simon Filipaj) Pra «toka» mund t’i referohet njerëzimit ose shoqërisë njerëzore. A nuk ngushëllohemi kur dimë se Perëndia nuk do ta shkatërrojë planetin tonë, por do të demaskojë krejt dhe do t’i japë fund ligësisë dhe atyre që e kryejnë?
«Mbetet përgjithmonë»
Mjerisht, për shekuj të tërë studiuesit s’kishin shumë mundësi ta analizonin Kodikun e Vatikanit, dhe shpesh lexuesve të Biblës ua jepnin gabim kuptimin e disa shkrimeve biblike. Por, që kur u botua, Kodiku i Vatikanit dhe përkthimet e sotme të besueshme të Biblës i kanë ndihmuar ata që kërkojnë të vërtetën, të kuptojnë çfarë mëson vërtet Bibla.
Shpesh, kopistët e hershëm përfshinin në dorëshkrimet e tyre këtë shënim: «Dora që e shkroi [këtë] kalbet në varr, por ajo që është shkruar u qëndron viteve.» Sot, i vlerësojmë shumë përpjekjet e palodhura të atyre kopistëve anonimë. Por, në fund, merita për ruajtjen e Biblës i shkon Autorit të saj, i cili kohë më parë e frymëzoi profetin e tij të shkruante: «Bari thahet, lulja vyshket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përgjithmonë.»—Isaia 40:8.
[Shënimi]
a Kodiku i Vatikanit quhet ndryshe edhe Dorëshkrimi i Vatikanit 1209 dhe është përcaktuar me germën «B» nga shumë studiues. Kodiku ishte forma më e hershme e librit të sotëm. Shih artikullin «Nga rrotullat te kodiku—Ja si u bë Bibla libër», në Kullën e Rojës, 1 qershor 2007.
[Kutia në faqen 20]
Datimi i dorëshkrimeve të lashta
Disa kopistë e shkruan datën kur përfunduan punën e tyre, por shumica e dorëshkrimeve greke nuk e kanë këtë informacion specifik. Atëherë, si e përcaktojnë studiuesit se kur u prodhua një dorëshkrim biblik? Ashtu si gjuha e ilustrimet ndryshojnë nga njëri brez në tjetrin, po kështu ndryshon edhe shkrimi i dorës. Për shembull, shkrimi uncial, që përbëhet nga shkronja të mëdha të pjerrëta dhe rreshta të rregullt, u përdor në shekullin e katërt dhe vazhdoi për qindra vjet. Studiuesit e kujdesshëm që krahasojnë dorëshkrimet unciale të padatuara me dokumente të ngjashme të datuara, mund të përcaktojnë më me saktësi se kur u prodhuan dorëshkrimet e hershme.
Natyrisht që kjo metodë ka kufizimet e saj. Profesori Brus Mecger nga Seminari Teologjik i Prinstonit, komentoi: «Meqë stili i shkrimit të një njeriu mbetet pak a shumë i njëjtë gjatë gjithë jetës së tij, s’është realiste të kërkojmë të fiksojmë një datë më të përafërt se një hark kohor pesëdhjetëvjeçar.» Bazuar në këtë analizë të kujdesshme, studiuesit në përgjithësi e pranojnë se Kodiku i Vatikanit u prodhua në shekullin e katërt të e.s.