Adhurimi familjar thelbësor për të mbijetuar
PËRFYTYRONI sa e frikshme do të jetë ‘lufta e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’! (Zbul. 16:14) Profeti Mikea shkroi me figura letrare të gjalla: «Malet kanë për t’u shkrirë . . . dhe ultësirat do të treten si dylli nga zjarri, si ujëra që derdhen në rrëpirë.» (Mik. 1:4) Cila do të jetë pasoja shkatërrimtare për ata që nuk i shërbejnë Jehovait? Fjala e Perëndisë thotë: «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin.»—Jer. 25:33.
Sipas këtyre paralajmërimeve, kryefamiljarët—shumë nga të cilët janë prindër të vetëm,—duhet të pyesin veten për fëmijët e tyre që janë aq të rritur sa të arsyetojnë: «A do të mbijetojnë në këtë ngjarje kulmore?» Bibla na siguron se do të mbijetojnë, po të jenë frymësisht të gjallë e të fortë për aq sa i përshtatet moshës së tyre.—Mat. 24:21.
Sa rëndësi ka të caktojmë një kohë për adhurimin familjar?
Si prind, sigurohu se po bën çmos t’i rritësh fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Asnjëherë s’është e tepërt të theksohet sa e rëndësishme është të studiosh Biblën me fëmijët. Duam që fëmijët tanë të jenë si të krishterët në Filipi, të cilët Pavli i lavdëroi për bindjen me gatishmëri ndaj Jehovait. Ai u shkroi: «O të dashur, ashtu sikurse jeni bindur gjithnjë—jo vetëm gjatë pranisë sime, por me më shumë gatishmëri tani gjatë mungesës sime—vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»—Filip. 2:12.
A u binden fëmijët tuaj ligjeve të Jehovait, kur ju nuk jeni me ta? Po kur janë në shkollë? Si t’i ndihmoni fëmijët që të ndihen të sigurt se ligjet e Jehovait janë të mençura dhe të udhëhiqen prej tyre edhe kur s’jeni ju të pranishëm?
Adhurimi familjar mund të luajë një rol të rëndësishëm për t’i ndërtuar besimin fëmijës në këtë aspekt. Prandaj, le të shqyrtojmë tri elemente kyç për ta bërë të suksesshme mbrëmjen e Adhurimit Familjar.
Jini të rregullt
Bibla tregon se bijtë engjëllorë të Perëndisë ftohen të paraqiten para tij në kohë të caktuara. (Jobi 1:6) Bëni njësoj me fëmijët tuaj. Caktoni një ditë dhe orë për mbrëmjen e Adhurimit Familjar dhe përmbajuni programit. Gjithashtu, caktoni edhe një kohë tjetër si alternativë, në rast se lindin rrethana të papritura.
Me kalimin e muajve, mos lejoni t’ju zhvillohet qëndrimi se s’ka gjë po ta bëni studimin familjar kur të gjeni kohë. Mos harroni se fëmijët tuaj janë studentët biblikë më të rëndësishëm që keni. E megjithatë, Satanai do të donte t’i bënte prenë e tij. (1 Pjet. 5:8) Në qoftë se mbrëmjen e çmuar të Adhurimit Familjar e përdorni për të parë televizor ose për të bërë ndonjë gjë tjetër të parëndësishme, Satanai do të ketë arritur një fitore.—Efes. 5:15, 16; 6:12; Filip. 1:10.
Bëjeni praktike
Mbrëmja e Adhurimit Familjar nuk duhet të jetë vetëm për mësim teorik. Përpiquni ta bëni praktike. Po si? Nganjëherë, zgjidhni argumente të përshtatshme për situata që fëmija do t’i hasë në ditët ose javët në vijim. Për shembull, përse të mos përfshini praktikimin e prezantimeve për në shërbim? Fëmijëve u pëlqen të bëjnë gjëra që i bëjnë mirë. Kur provoni prezantimet dhe mendoni për mënyra se si të kapërceni kundërshtimet, i ndihmoni të jenë më të sigurt ndërsa marrin pjesë në forma të ndryshme të veprës së predikimit të Mbretërisë.—2 Tim. 2:15.
Mund të praktikoni edhe situata që do t’i ndihmojnë fëmijët të përballojnë presionin e shokëve. Si bazë për bisedën familjare mund të përdoret kapitulli 15 i librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2. Tabela «Kur shokët të bëjnë presion» në faqet 132-133 jep sugjerime dhe i lë mundësi fëmijës të japë përgjigje për të cilat është i bindur dhe i kënaqur. Një fjali në fund të faqes 133 i nxit të rinjtë: «Praktikoji përgjigjet me njërin nga prindërit ose me një shok të pjekur.» Përse të mos e bëni hera-herës pjesë të mbrëmjes së Adhurimit Familjar praktikimin e këtyre përgjigjeve?
Adhurimi familjar u jep mundësi prindërve të theksojnë dobitë që vijnë kur kemi synime frymore. Në lidhje me këtë, libri Të rinjtë pyesin, vëllimi 2, ka informacione të shkëlqyera në kapitullin 38, me titull: «Çfarë do të bëj me jetën time?» Ndërsa trajtoni kapitullin, ndihmojeni fëmijën të kuptojë se përqendrimi i jetës te shërbimi i Jehovait është drejtimi më i mirë që mund të marrë. Ushqeni në zemrën e fëmijës dëshirën që të jetë pionier, të shërbejë në Bethel, të ndjekë Shkollën e Stërvitjes për Shërbim ose ndonjë formë tjetër të shërbimit të plotkohor.
Por, kujdes: disa prindër, edhe pse me qëllime të mira, përqendrohen kaq shumë tek ajo që dëshirojnë të bëhet fëmija i tyre, sa nuk e lavdërojnë për atë që tashmë po bën. Natyrisht, është mirë t’i nxitni fëmijët të vënë synime të shkëlqyera si shërbimi në Bethel dhe vepra misionare. Por ndërkohë, bëni kujdes të mos i pezmatoni fëmijët me atë që prisni prej tyre, e kështu t’i lëshojë zemra. (Kolos. 3:21) Gjithnjë kujtoni se djali ose vajza juaj duhet ta dojë Jehovain me zemrën e vet, jo tënden. (Mat. 22:37) Prandaj, gjeni mënyra për ta lavdëruar fëmijën për atë që po bën mirë dhe rezistojini prirjes që të përqendroheni tek ajo që nuk po bën. Ndërtoni tek ata çmueshmërinë për gjithçka që ka bërë Jehovai. Pastaj, lëreni zemrën e fëmijës t’i përgjigjet mirësisë së Jehovait.
Bëjeni të këndshme
Elementi i tretë kyç për një mbrëmje të suksesshme të Adhurimit Familjar, është ta bëni të këndshme. Si ta arrini këtë? Ndoshta në ndonjë rast mund të dëgjoni një dramë në kasetë ose të shihni e të diskutoni një nga videot e prodhuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Ose mund të lexoni së bashku një pjesë të Biblës, duke i caktuar nga një personazh çdo pjesëtari të familjes.
Në Kullën e Rojës dhe Zgjohuni!, ka rubrika që mund të jenë një bazë e shkëlqyer për biseda familjare. Për shembull, në faqen 31 të çdo reviste Zgjohuni! mund të përdorni rubrikën me titull: «Si do të përgjigjeshe?» Në çdo dy numra, botimi për publikun i Kullës së Rojës përmban projektin e studimit «Për fëmijët tanë». Këto projekte alternohen me një seri për fëmijët më të vegjël, me titull: «Mësojini fëmijët.»
Me interes të veçantë për prindërit e adoleshentëve do të jenë artikujt e serisë «Të rinjtë pyesin», në revistën Zgjohuni!, si dhe libri Të rinjtë pyesin, vëllimi 2. Kur të përdorni këtë libër, mos e anashkaloni kutinë «Çfarë mendon?» që ndodhet në fund të çdo kapitulli. Kjo kuti nuk është vetëm një rishikim. Pyetjet që janë aty, mund të përdoren si skemë për biseda familjare.
Megjithatë, bëni kujdes që të mos e ktheni studimin familjar në një seancë hetimore. Për shembull, mos u përpiqni ta detyroni fëmijën të lexojë me zë atë që ka shkruar në fletët me titull «Ditari im» ose në ndonjë nga pjesët e tjera të librit që kërkojnë pjesëmarrjen e lexuesit. Te pjesa «Dy fjalë për prindërit», libri thotë në faqen 3: «Që t’i inkurajoni të rinjtë të shkruajnë atë që mendojnë, lejojini të kenë kopjen e tyre personale e të shprehen si duan, pa ndërhyrjen tuaj. Më vonë, mund të hapen me ju për ato që kanë shkruar.»
Nëse jeni të rregullt në adhurimin familjar, e bëni praktik e të këndshëm, Jehovai do t’jua bekojë shumë përpjekjet. Kjo kohë e veçantë që kaloni me familjen, do t’i ndihmojë njerëzit tuaj të afërt të jenë frymësisht të gjallë e të fortë.
[Kutia në faqen 31]
Përdorni imagjinatën
«Kur studionim me vajzat tona të vogla, unë dhe im shoq trajtonim materialin që duhej të përgatitnim për një mbledhje e pastaj u thoshim vajzave të bënin një vizatim që përmblidhte mësimin. Nganjëherë, luanim skena biblike ose praktikonim prezantimet për në shërbim. Ia përshtatnim studimin moshës së tyre, e bënim interesant, ndërtues e zbavitës.»—Xh.M., Shtetet e Bashkuara.
«Që djali i një studentes sime biblike të kuptonte ç’do të thoshte të përdorje rrotullat në kohët biblike, e shtypëm librin e Isaisë pasi i kishim hequr numrat e kapitujve dhe vargjeve. I bashkuam faqet dhe secilin skaj e ngjitëm te një tub. Pastaj, djali u përpoq të bënte atë që bëri Jezui në sinagogën e Nazaretit. Tregimi te Luka 4:16-21 thotë se Jezui ‘e hapi [rrotullën e Isaisë] dhe gjeti’ pjesën që kërkonte. (Isa. 61:1, 2) Mirëpo, kur djali provoi të bënte të njëjtën gjë, e pati të vështirë të gjente kapitullin 61 të Isaisë duke përdorur atë rrotull të gjatë pa numra kapitujsh e vargjesh. I habitur nga mjeshtëria e Jezuit për të përdorur rrotullat, djali thirri: ‘Jezui ishte fantastik fare!’»—Y.T., Japoni.
[Figura në faqen 30]
Duke praktikuar situata të ndryshme, i ndihmoni fëmijët të përballojnë presionin e shokëve
[Figura në faqen 31]
Përpiquni ta bëni të këndshme mbrëmjen e Adhurimit Familjar