Bëni që përparimi juaj të duket qartë
«Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.»—1 TIM. 4:15.
1, 2. Çfarë dimë për rininë e Timoteut dhe për ndryshimin që ndodhi kur ishte rreth 20 vjeç?
TIMOTEU i ri banonte në provincën romake të Galatisë, ku tani ndodhet Turqia. Në dhjetëvjeçarët që pasuan vdekjen e Jezuit, në atë zonë u formuan disa kongregacione të krishtere. Në njëfarë pike, Timoteu i ri, nëna e tij dhe gjyshja përqafuan krishterimin dhe u bënë pjesëtarë të një kongregacioni. (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Me siguri, Timoteu e shijonte jetën si një i ri i krishterë në atë ambient që e njihte mirë. Por, papritur, gjërat nisën të ndryshonin.
2 Gjithçka nisi kur apostulli Pavël e vizitoi zonën për herë të dytë. Në atë kohë, Timoteu mund të ketë qenë në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave. Mbase ndërsa vizitonte Listrën, Pavli vuri re se «vëllezërit» në kongregacionet vendëse «flitnin mirë për» Timoteun. (Vep. 16:2) Timoteu i ri duhet të ketë shfaqur një pjekuri që e tejkalonte moshën e tij. Më pas, nën drejtimin e frymës së shenjtë, Pavli dhe trupi i pleqve vendës vunë duart mbi Timoteun dhe e veçuan për një vepër të veçantë në kongregacion.—1 Tim. 4:14; 2 Tim. 1:6.
3. Ç’privilegj shërbimi të pazakontë mori Timoteu?
3 Timoteu mori një ftesë të pazakontë: të bëhej shok udhëtimi i apostullit Pavël. (Vep. 16:3) Kushedi sa i habitur e i gëzuar duhet të jetë ndier! Në vitet që do të vinin, ai do të udhëtonte me Pavlin e nganjëherë me të tjerë, duke përmbushur misione të ndryshme për apostujt dhe pleqtë. Në veprën udhëtuese, Pavli dhe Timoteu punuan shumë për t’i ndërtuar frymësisht vëllezërit. (Lexo Veprat 16:4, 5.) Kështu, shumë të krishterë e panë përparimin frymor të Timoteut. Pasi kishte punuar për afro dhjetë vjet me Timoteun, apostulli Pavël u shkroi filipianëve: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja. . . . Ju e dini si ai dha prova për veten, kur u skllavërua bashkë me mua, si një fëmijë me të atin, për të çuar përpara lajmin e mirë.»—Filip. 2:20-22.
4. (a) Ç’përgjegjësi tejet e madhe iu besua Timoteut? (b) Ç’pyetje lindin për fjalët e Pavlit që gjejmë te 1 Timoteut 4:15?
4 Rreth kohës kur u shkroi filipianëve, Pavli i besoi Timoteut një përgjegjësi tejet të madhe: të emëronte pleq dhe shërbëtorë ndihmës. (1 Tim. 3:1; 5:22) Është e qartë se Timoteu ishte bërë një mbikëqyrës i krishterë i besueshëm. E megjithatë, në të njëjtën letër, Pavli e nxiti të punonte që ‘përparimi i tij të dukej qartë për të gjithë’. (1 Tim. 4:15) A s’ishte bërë tashmë i qartë në një masë të jashtëzakonshme përparimi i Timoteut? Atëherë, ç’donte të thoshte Pavli me ato fjalë e si mund të nxjerrim dobi nga këshilla e tij?
Shfaqni qartë cilësitë frymore
5, 6. Si po kërcënohej pastërtia frymore e kongregacionit të Efesit e si mund ta mbronte Timoteu kongregacionin?
5 Le të shqyrtojmë kontekstin e 1 Timoteut 4:15. (Lexo 1 Timoteut 4:11-16.) Para se të shkruante ato fjalë, Pavli kishte udhëtuar për në Maqedoni, por Timoteut i kishte kërkuar të qëndronte në Efes. Përse? Disa në atë qytet po orvateshin ta përçanin kongregacionin, duke futur mësime të rreme. Timoteu duhej të mbronte pastërtinë frymore të kongregacionit. Si ta bënte këtë? Pjesërisht, duke lënë një shembull të mirë që të tjerët ta imitonin.
6 Pavli i shkroi Timoteut: «Bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.» Pastaj, shtoi: «Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» (1 Tim. 4:12, 15) Ky përparim s’kishte të bënte me ndonjë pozitë autoriteti, por me cilësitë frymore të Timoteut. Pikërisht ky lloj përparimi duhet të duket qartë te çdo i krishterë.
7. Çfarë pritet nga të gjithë në kongregacion?
7 Sot, ashtu si në kohën e Timoteut, në kongregacion ka pozita të ndryshme përgjegjësie. Disa shërbejnë si pleq ose shërbëtorë ndihmës. Të tjerë janë pionierë. Disa kanë caktime në veprën udhëtuese, në shërbimin në Bethel ose në fushën misionare. Pleqtë marrin pjesë në programe të ndryshme mësimi, siç janë asambletë e kongreset. Megjithatë, të gjithë të krishterët—burra, gra e të rinj—mund të punojnë që përparimi i tyre frymor të duket qartë. (Mat. 5:16) Madje, si në rastin e Timoteut, edhe nga të krishterët që kanë pozita të veçanta përgjegjësie pritet që cilësitë e tyre frymore të duken qartë për të gjithë.
Bëhuni shembull në të folur
8. Si ndikon të folurit në adhurimin tonë?
8 Një nga fushat ku Timoteu duhej të linte shembullin, ishte të folurit. Si ta bëjmë të duket qartë përparimin tonë në këtë fushë? Fjalët që themi, tregojnë shumë për ne. Mirë e tha Jezui: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» (Mat. 12:34) Edhe Jakovi, vëllai i Jezuit nga nëna, e dalloi ndikimin që mund të ketë të folurit në adhurimin tonë. Ai shkroi: «Nëse dikush pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, por nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, adhurimi i tij është i kotë.»—Jak. 1:26.
9. Në cilat drejtime duhet të jetë shembullor të folurit tonë?
9 Të folurit tonë mund t’u tregojë të tjerëve në kongregacion sa kemi përparuar frymësisht. Prandaj, në vend që të flasin në mënyrë të pahijshme, negative, kritike ose lënduese, të krishterët e pjekur përpiqen të ndërtojnë, të ngushëllojnë, të japin zemër e të inkurajojnë. (Prov. 12:18; Efes. 4:29; 1 Tim. 6:3-5, 20) Gatishmëria për t’u shpjeguar të tjerëve bindjet tona e për të folur në mbrojtje të normave të larta të Perëndisë, mund të zbulojë përkushtimin që kemi ndaj Tij. (Rom. 1:15, 16) Me siguri, njerëzit me zemër të drejtë do ta vënë re si e përdorim dhuratën e të folurit e mund të ndjekin shembullin tonë.—Filip. 4:8, 9.
Shembullorë në sjellje e dëlirësi
10. Pse është jetësor për përparimin tonë frymor besimi pa hipokrizi?
10 Që një i krishterë të lërë shembullin e mirë, nuk mjafton vetëm të folurit ndërtues. Një njeri që thotë gjërat e duhura, por nuk bën gjërat e duhura, është hipokrit. Pavli e njihte mirë hipokrizinë e farisenjve dhe dëmin që solli sjellja e tyre. Më shumë se një herë, ai e këshilloi Timoteun të ruhej nga kjo shtirje dhe mungesë sinqeriteti. (1 Tim. 1:5; 4:1, 2) Por Timoteu nuk ishte hipokrit. Në letrën e dytë drejtuar atij, Pavli i shkroi: «Sjell ndër mend besimin tënd pa asnjë hipokrizi.» (2 Tim. 1:5) Gjithsesi, Timoteu duhej të punonte që sinqeriteti i tij si i krishterë të dukej qartë për të tjerët. Duhej të ishte shembull në sjellje.
11. Çfarë i shkroi Pavli Timoteut për pasurinë?
11 Në dy letrat drejtuar Timoteut, Pavli i dha këshilla për disa aspekte të sjelljes. Për shembull, ai nuk duhej të rendte pas pasurisë. Pavli shkroi: «Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Tim. 6:10) Dashuria për pasuri është shenjë dobësie frymore. Në anën tjetër, të krishterët që kënaqen me një jetë të thjeshtë, ‘duke pasur ç’të hanë, ç’të veshin e ku të futin kokën’, shfaqin përparim frymor.—1 Tim. 6:6-8; Filip. 4:11-13.
12. Si mund ta bëjmë të dukshëm përparimin në jetën tonë private?
12 Pavli i përmendi Timoteut sa e rëndësishme është që gratë e krishtere «të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë». (1 Tim. 2:9) Gratë që janë modeste e me mendje të shëndoshë në veshje e rregullim, si dhe në fusha të tjera të jetës private, janë shembuj të shkëlqyer. (1 Tim. 3:11) Parimi zbatohet edhe për burrat e krishterë. Pavli i këshilloi mbikëqyrësit të ishin ‘të përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, të rregullt’. (1 Tim. 3:2) Kur i shfaqim këto cilësi në aktivitetet e përditshme, përparimi ynë do të duket qartë për të gjithë.
13. Si mund të jemi shembull në dëlirësi, ashtu si Timoteu?
13 Timoteu duhej të ishte shembullor edhe në dëlirësi. Kur përdori këtë term, Pavli e kishte fjalën për një aspekt specifik të sjelljes, domethënë për moralin. Sidomos në lidhje me gratë, sjellja e Timoteut duhej të ishte e paqortueshme. Ai duhej t’i trajtonte «më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra, me plot dëlirësi». (1 Tim. 4:12; 5:2) Perëndia është në dijeni edhe të atyre veprimeve imorale që mund të duken të fshehta, e me kalimin e kohës me siguri do t’i marrin vesh edhe njerëzit. Por, edhe veprat e shkëlqyera të një të krishteri nuk mund të mbahen fshehur. (1 Tim. 5:24, 25) Të gjithë në kongregacion kanë mundësi të punojnë që përparimi i tyre në sjellje e në dëlirësi të duket qartë.
Dashuria dhe besimi janë thelbësorë
14. Si e theksojnë Shkrimet se duhet të kemi dashuri mes nesh?
14 Një tipar kryesor i krishterimit të vërtetë është dashuria. Jezui u tha dishepujve: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Si e shfaqim këtë dashuri? Fjala e Perëndisë na bën thirrje ‘ta durojmë njëri-tjetrin me dashuri’, ‘të bëhemi mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht’ e të jemi mikpritës. (Efes. 4:2, 32; Hebr. 13:1, 2) Apostulli Pavël shkroi: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore.»—Rom. 12:10.
15. Pse dashuria është thelbësore për të gjithë, po sidomos për mbikëqyrësit e krishterë?
15 Sikur Timoteu të kishte qenë i ashpër ose i rreptë me të bashkëkrishterët, kjo do ta kishte bërë të pavlerë të mirën që kryente si mësues e mbikëqyrës. (Lexo 1 Korintasve 13:1-3.) Në anën tjetër, përzemërsia e sinqertë që shfaqte Timoteu për vëllezërit, si dhe mikpritja dhe veprat e shkëlqyera që kryente për ta, natyrisht që e nxirrnin më në pah përparimin e tij frymor. Prandaj, ishte e përshtatshme që në letrën drejtuar Timoteut, apostulli Pavël ta përmendte në mënyrë specifike dashurinë si një cilësi për të cilën ai duhej të ishte shembullor.
16. Pse Timoteu duhej të shfaqte besim të fortë?
16 Gjatë qëndrimit në Efes, besimi i Timoteut u vu në provë. Disa po përhapnin doktrina që s’ishin në përputhje me të vërtetën e krishterë. Të tjerë po përhapnin ‘përralla’ ose po bënin kërkime për ide që nuk e ndihmonin fare gjendjen frymore të kongregacionit. (Lexo 1 Timoteut 1:3, 4.) Pavli i përshkroi ata si njerëz ‘të krekosur, që nuk kuptojnë asgjë, por janë të sëmurë nga mendja në lidhje me diskutime e debate për fjalët’. (1 Tim. 6:3, 4) A mund të rrezikonte Timoteu qoftë edhe t’i shqyrtonte idetë e dëmshme që po depërtonin në kongregacion? Jo, sepse Pavli e nxiti ‘të bënte luftën e shkëlqyer të besimit’ dhe të largohej «nga fjalët boshe që dhunojnë atë që është e shenjtë, e nga kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’». (1 Tim. 6:12, 20, 21) S’ka asnjë dyshim se Timoteu ndoqi këshillën e mençur të Pavlit.—1 Kor. 10:12.
17. Si mund të na vihet në provë besimi sot?
17 Vlen të përmendet se Timoteut iu tha se ‘në të ardhmen do të kishte periudha kur disa do të binin nga besimi dhe do t’u kushtonin vëmendje shprehjeve të frymëzuara mashtruese e mësimeve të demonëve’. (1 Tim. 4:1) Të gjithë në kongregacion, duke përfshirë edhe ata që kanë përgjegjësi, duhet të jenë si Timoteu dhe të shfaqin besim të fortë e të palëkundur. Duke mbajtur një qëndrim të patundur e duke ndërmarrë veprime të vendosura kundër apostazisë, mund ta bëjmë të qartë përparimin tonë dhe të jemi shembuj në besim.
Përpiquni që përparimi juaj të duket qartë
18, 19. (a) Ç’mund të bëni që përparimi juaj të duket qartë për të gjithë? (b) Ç’do të shqyrtojmë më tej?
18 Qartë, përparimi frymor i një të krishteri të vërtetë nuk ka lidhje me paraqitjen e tij, me aftësitë natyrore ose me pozitën. E jo medoemos pasqyrohet në vitet e shërbimit që ka në kongregacion. Përkundrazi, e bëjmë të qartë përparimin e vërtetë frymor duke iu bindur Jehovait në mendime, të folur e sjellje. (Rom. 16:19) Duhet t’ia vëmë veshin urdhrit që të duam njëri-tjetrin e të zhvillojmë besim të fortë. Po, le të bluajmë në mendje fjalët që i tha Pavli Timoteut e të zhytemi në to, që përparimi ynë të duket qartë për të gjithë.
19 Një cilësi tjetër që pasqyrohet në përparimin tonë frymor e në pjekurinë e krishterë është gëzimi, pjesë e frytit të frymës së Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Në artikullin vijues do të shohim si mund të zhvillojmë e të ruajmë gëzimin, gjatë kohëve të vështira.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’mund të mësojnë të tjerët për ne nga mënyra se si flasim?
• Si e bëjmë të qartë përparimin në sjellje e dëlirësi?
• Pse të krishterët duhet të jenë shembuj në dashuri e besim?
[Figura në faqen 11]
I riu Timote shfaqi pjekuri përtej moshës së vet
[Figurat në faqen 13]
A e shohin qartë të tjerët përparimin tënd?