Vëllezër—Mbillni për frymën dhe do të keni synime!
«Ai që mbjell për frymën, do të korrë . . . jetë të përhershme.»—GAL. 6:8.
1, 2. Si po përmbushet Mateu 9:37, 38 dhe çfarë nevoje ka lindur si rezultat nëpër kongregacione?
JU JENI dëshmitarë të ngjarjeve që do të kujtohen për gjithë përjetësinë. Vepra që tha Jezu Krishti ka marrë një vrull të pandalshëm. «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak.—tha Jezui.—Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Perëndia Jehova po u përgjigjet lutjeve të tilla si kurrë më parë. Gjatë vitit të shërbimit 2009, në mbarë botën u formuan 2.031 kongregacione të reja të Dëshmitarëve të Jehovait dhe tani janë gjithsej 105.298 kongregacione. Mesatarisht, u pagëzuan 757 veta çdo ditë.
2 Një rritje e tillë, krijon nevojën që vëllezër të kualifikuar të marrin drejtimin në mësimdhënie dhe në veprën baritore në kongregacione. (Efes. 4:11) Gjatë dekadave, Jehovai ka siguruar burra të kualifikuar që të kujdesen për nevojat e deleve të tij dhe jemi të sigurt se do të vazhdojë ta bëjë këtë. Profecia e dokumentuar te Mikea 5:5 na garanton se gjatë ditëve të fundit, populli i Jehovait do të ketë «shtatë barinj» e «tetë dukë». Kjo është një mënyrë e figurshme për të thënë se do të kishte një numër të konsiderueshëm burrash të aftë që do të merrnin drejtimin mes popullit të tij.
3. Shpjegoni se ç’do të thotë ‘të mbjellësh për frymën’.
3 Nëse je një Dëshmitar i Jehovait i pagëzuar, ç’gjë mund të të nxitë dëshirën për të synuar përgjegjësi në kongregacion? Është thelbësore ‘të mbjellësh për frymën’. (Gal. 6:8) Kjo nënkupton të jetosh në atë mënyrë që e lejon frymën e shenjtë të Perëndisë të veprojë lirisht në jetën tënde. Ji i vendosur ‘të mos mbjellësh për mishin’. Mos lejo që gjëra të tilla si rehatia, ato që bën në kohën e lirë dhe zbavitja, të të pakësojnë dëshirën për të bërë sa më shumë në shërbim të Perëndisë. Të gjithë të krishterët duhet ‘të mbjellin për frymën’ dhe me kalimin e kohës burrat që veprojnë kështu, mund të kualifikohen për të pasur privilegje në kongregacion. Meqë sot ka shumë nevojë për shërbëtorë ndihmës dhe pleq, ky artikull u drejtohet në veçanti burrave të krishterë. Prandaj vëllezër, ju nxitim ta shqyrtoni me seriozitet këtë artikull.
Synoni punën e shkëlqyer
4, 5. (a) Cilat përgjegjësi në kongregacion nxiten të synojnë burrat e pagëzuar? (b) Në ç’mënyrë synon përgjegjësi një burrë i pagëzuar?
4 Një i krishterë nuk bëhet vetvetiu mbikëqyrës. Ai duhet ta synojë këtë «punë të shkëlqyer». (1 Tim. 3:1) Kjo përfshin t’u shërbejë bashkëbesimtarëve duke u kujdesur sinqerisht për nevojat e tyre. (Lexo Isainë 32:1, 2.) Një burrë që synon duke pasur motivet e duhura, nuk është ambicioz. Përkundrazi, ka një dëshirë të madhe altruiste për t’u bërë mirë të tjerëve.
5 Një person përpiqet të kualifikohet si shërbëtor ndihmës dhe të synojë detyrën e mbikëqyrësit, duke bërë çmos të ketë kualifikimet që paraqiten në Shkrime. (1 Tim. 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9) Nëse je një vëlla i kushtuar, pyet veten: «A marr pjesë plotësisht në veprën e predikimit dhe a i ndihmoj të tjerët të bëjnë po njësoj? A po i ndërtoj bashkadhuruesit duke u interesuar sinqerisht për mirëqenien e tyre? A kam reputacionin si një studiues i mirë i Fjalës së Perëndisë? A po e përmirësoj cilësinë e komenteve? A kujdesem me zell për caktimet që më janë besuar nga pleqtë?» (2 Tim. 4:5) Pyetje të tilla meritojnë të shqyrtohen seriozisht.
6. Cili është një faktor kyç për t’u kualifikuar për përgjegjësitë në kongregacion?
6 Një mënyrë tjetër për t’u kualifikuar për përgjegjësitë në kongregacion është ‘të bëhesh i fuqishëm në njeriun që je përbrenda, me fuqi nëpërmjet frymës së [Perëndisë]’. (Efes. 3:16) Të bëhesh shërbëtor ndihmës ose plak në kongregacionin e krishterë nuk do të thotë të të zgjedhin për një detyrë. Kjo përgjegjësi arrihet vetëm me anë të rritjes frymore. Si mund të rritesh frymësisht? Një mënyrë është që ‘të vazhdosh të ecësh sipas frymës’ duke kultivuar frytin e saj. (Gal. 5:16, 22, 23) Ndërsa jep prova të cilësive frymore që nevojiten për të përmbushur përgjegjësi të mëtejshme dhe ndërsa zbaton këshillat për t’u përmirësuar, ‘përparimi yt do të duket qartë për të gjithë’.—1 Tim. 4:15.
Nevojitet një frymë vetëmohuese
7. Çfarë kërkohet për t’u shërbyer të tjerëve?
7 T’u shërbesh të tjerëve kërkon shumë punë dhe një frymë vetëmohuese. Meqë mbikëqyrësit e krishterë janë barinj frymorë, ata interesohen thellësisht për problemet e kopesë. Vër re se si ndikuan tek apostulli Pavël përgjegjësitë e veprës baritore. Ai u tha bashkëbesimtarëve në Korint: «Ju shkrova me shumë lot, nga shtrëngimi dhe ankthi i madh i zemrës, jo që të trishtoheni, por që ta dini se sa shumë ju dua.» (2 Kor. 2:4) Është e dukshme se Pavli e bënte me gjithë zemër veprën e tij.
8, 9. Jepni shembuj biblikë që tregojnë se si disa burra u kujdesën për nevojat e të tjerëve.
8 Fryma vetëmohuese ka qenë gjithmonë një veçori e burrave që janë munduar për të mirën e shërbëtorëve të Jehovait. Për shembull, vështirë ta imagjinojmë Noenë t’u thoshte familjarëve: «Kur të mbarojë arka, më thoni që të vij edhe unë.» Moisiu nuk u tha izraelitëve në Egjipt: «Do të shihemi në Detin e Kuq. Shkoni atje si të mundeni.» Josiu nuk tha kurrë: «Më njoftoni kur të shemben muret e Jerikosë.» Dhe Isaia nuk tregoi me gisht te dikush tjetër e të thoshte: «Ja ku është! Dërgo atë!»—Isa. 6:8.
9 Shembulli kryesor i një njeriu që lejoi të motivohej nga fryma e Perëndisë është Jezu Krishti. Me gatishmëri ai pranoi caktimin për të shërbyer si Shpenguesi i njerëzimit. (Gjoni 3:16) A nuk duhet që dashuria vetëmohuese e Jezuit të na nxitë të jemi edhe ne vetëmohues? Kur përshkroi ndjenjat e tij për kopenë, një vëlla që shërbente prej kohësh si plak u shpreh: «Fjalët që i tha Jezui Pjetrit—kulloti delet e mia të vogla—më prekin thellë. Gjatë viteve kam arritur të kuptoj se si pak fjalë me dashuri ose një gjest i thjeshtë dashamirësie mund ta çojnë peshë dikë. Më pëlqen shumë të jem bari i krishterë.»—Gjoni 21:16.
10. Çfarë mund t’i nxitë burrat e krishterë të imitojnë shembullin e Jezuit për t’u shërbyer të tjerëve?
10 Kur bëhet fjalë për kopenë e Perëndisë, burrat e kushtuar në kongregacion me siguri duan të pasqyrojnë qëndrimin e Jezuit i cili tha: «Unë do t’ju freskoj.» (Mat. 11:28) Besimi te Perëndia dhe dashuria për kongregacionin, i nxitin burrat e krishterë të synojnë këtë punë të shkëlqyer, pa menduar se çmimi është tepër i lartë apo se kërkohet tepër prej tyre. Por, ç’mund të themi nëse dikush nuk është aq i prirur për të synuar përgjegjësi? A mund ta kultivojë një vëlla dëshirën për t’i shërbyer kongregacionit?
Kultivoni dëshirën për të shërbyer
11. Si mund ta kultivojë dikush dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve?
11 Nëse ndjenjat e paaftësisë të kanë penguar të synosh përgjegjësi, është e përshtatshme të lutesh për frymën e shenjtë. (Luka 11:13) Fryma e Jehovait do të të ndihmojë të kapërcesh çdo shqetësim që mund të kesh në këtë drejtim. Dëshira për të shërbyer vjen nga Perëndia, sepse është fryma e Jehovait që e nxit një vëlla të synojë përgjegjësi dhe më pas i jep forcën për të bërë shërbim të shenjtë. (Filip. 2:13; 4:13) Prandaj, është me vend t’i kërkosh Jehovait të të ndihmojë për të zhvilluar dëshirën që të pranosh përgjegjësi në kongregacion.—Lexo Psalmin 25:4, 5.
12. Si mund të fitojë dikush mençuri të mjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë që i janë besuar?
12 Ngaqë nevojat e kopesë i duken të ndërlikuara e që kërkojnë punë, një i krishterë mund të vendosë të mos synojë përgjegjësi. Ose ai mund të mendojë se nuk ka mençurinë e mjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë. Nëse është kështu, ndoshta mund të fitojë mençuri duke qenë një studiues më i zellshëm i Fjalës së Perëndisë dhe i botimeve të bazuara në të. Ai mund të pyesë veten: «A po lë kohë për të studiuar Fjalën e Perëndisë dhe a po lutem për mençuri?» Dishepulli Jakov shkroi: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar, e do t’i jepet.» (Jak. 1:5) A beson te ky pohim i frymëzuar? Në përgjigje të lutjes së Solomonit, Perëndia i dha atij «një zemër të mençur e me kuptueshmëri» falë së cilës, mund të dallonte të mirën nga e keqja kur gjykonte popullin. (1 Mbret. 3:7-14) Vërtet, rasti i Solomonit ishte i veçantë. Gjithsesi, mund të jemi të sigurt se Perëndia do t’u japë mençuri burrave që u janë besuar përgjegjësi në kongregacion, që të kujdesen siç duhet për delet.—Prov. 2:6.
13, 14. (a) Shpjegoni se si u ndikua Pavli nga «dashuria që ka Krishti». (b) Si duhet të ndikojë te ne «dashuria që ka Krishti»?
13 Një ndihmë tjetër që të kultivojmë dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve, është të mendojmë thellë për gjithçka që kanë bërë për ne Jehovai dhe Biri i tij. Për shembull, shqyrto se çfarë thuhet te 2 Korintasve 5:14, 15. (Lexoje.) Në ç’kuptim «dashuria që ka Krishti, na detyron»? Dashuria që tregoi Krishti duke dhënë jetën për ne sipas vullnetit të Perëndisë është aq e jashtëzakonshme, saqë sa më shumë e kuptojmë, aq më thellë prekemi në zemër. Dashuria e Krishtit e udhëhiqte Pavlin. Ajo nuk e lejoi të vepronte me egoizëm dhe e ndihmoi që synimet kryesore t’i përqendronte rreth shërbimit ndaj Perëndisë dhe njerëzve brenda e jashtë kongregacionit.
14 Meditimi për dashurinë që ka Krishti për njerëzit na nxit të jemi mirënjohës. Si rrjedhim, kuptojmë se nuk do të ishte fare e përshtatshme që të vazhdonim ‘të mbillnim për mishin’ duke ndjekur synime egoiste dhe duke jetuar kryesisht për të kënaqur dëshirat tona. Përkundrazi, i rregullojmë gjërat në jetë në mënyrë të atillë që të vëmë në vend të parë veprën që na ka caktuar Perëndia. Nga dashuria nxitemi ‘t’u shërbejmë si skllevër’ vëllezërve. (Lexo Galatasve 5:13.) Nëse e konsiderojmë veten si skllevër që punojnë përulësisht për shërbëtorët e tjerë të kushtuar të Jehovait, do t’i trajtojmë ata me dinjitet dhe respekt. Sigurisht, nuk do të imitojmë frymën kritike dhe gjykuese që nxit Satanai.—Zbul. 12:10.
Përpjekje si familje
15, 16. Ç’rol luajnë familjarët që një burrë të kualifikohet për caktimin si shërbëtor ndihmës ose plak?
15 Në qoftë se një vëlla është i martuar dhe ka fëmijë, situata në familjen e tij merret parasysh kur përcaktohet nëse kualifikohet të jetë shërbëtor ndihmës ose plak. Po, gjendja frymore dhe reputacioni i familjes ndikojnë drejtpërdrejt tek emërimi i tij. Kjo thekson rëndësinë që ka familja për të mbështetur burrin dhe babanë, ndërsa ai përpiqet t’u shërbejë interesave të kongregacionit si shërbëtor ndihmës ose plak.—Lexo 1 Timoteut 3:4, 5, 12.
16 Jehovai kënaqet kur pjesëtarët e familjeve të krishtere bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. (Efes. 3:14, 15) Nga një kryefamiljar kërkohet ekuilibër që të përmbushë përgjegjësitë e kongregacionit dhe të drejtojë «shkëlqyeshëm» shtëpinë e vet. Prandaj, është jetësore që një plak ose shërbëtor ndihmës të studiojë Biblën me gruan dhe fëmijët, në mënyrë që të gjithë të nxjerrin dobi nga Adhurimi Familjar çdo javë. Ai duhet të marrë pjesë në shërbim me ta rregullisht. Për të njëjtën arsye është e rëndësishme që familjarët të bashkëpunojnë me kreun e shtëpisë teksa bën këto përpjekje.
A do të shërbesh përsëri?
17, 18. (a) Nëse një vëlla nuk shërben më si i emëruar, ç’mund të jetë e nevojshme të bëjë? (b) Ç’qëndrim duhet të zhvillojë një vëlla që ka shërbyer në të kaluarën si plak ose shërbëtor ndihmës?
17 Ndoshta dikur ishe plak ose shërbëtor ndihmës, por tani nuk po shërben në këtë caktim. Ti e do Jehovain dhe mund të jesh i sigurt se ai ende interesohet për ty. (1 Pjet. 5:6, 7) A të është thënë se ke nevojë të bësh disa ndryshime? Ji i gatshëm ta pranosh gabimin që ke bërë dhe puno për t’u përmirësuar me ndihmën e Perëndisë. Ki kujdes të mos mbash mëri. Ji i mençur dhe shfaq një frymë pozitive. Një plak që kishte shërbyer prej vitesh, por që humbi këtë përgjegjësi, thotë: «Isha i vendosur që të vazhdoja të ndiqja mbledhjet, të dilja në shërbim dhe të lexoja Biblën, siç bëja kur shërbeja si plak, dhe këtë synim munda ta arrija. Mësova durimin, pasi mendoja që do të isha sërish në këtë përgjegjësi për një ose dy vjet, por m’u deshën rreth shtatë vjet para se të shërbeja përsëri si plak. Gjatë asaj kohe më ndihmoi shumë inkurajimi për të mos u lodhur, por për të vazhduar të synoja këtë përgjegjësi.»
18 Nëse je një vëlla që ndodhet në të njëjtën situatë që sapo përshkruam, mos u shkurajo! Mendo se si Jehovai po bekon shërbimin dhe familjen tënde. Ndërtoje familjen frymësisht, vizito të sëmurët dhe inkurajoji të dobëtit. Mbi të gjitha, çmoje privilegjin që ke për të lëvduar Perëndinë dhe për të shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë si Dëshmitar i Jehovait.a—Psal. 145:1, 2; Isa. 43:10-12.
Rishqyrtoni rrethanat
19, 20. (a) Çfarë nxiten të bëjnë të gjithë vëllezërit e pagëzuar? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
19 Sot nevoja për mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës është më e madhe se kurrë. Prandaj, i nxitim të gjithë vëllezërit e pagëzuar që të rishqyrtojnë rrethanat dhe të pyesin veten: «Nëse nuk jam shërbëtor ndihmës ose plak, mos duhet të analizoj arsyet pse nuk po shërbej në një përgjegjësi të tillë?» Le t’ju ndihmojë fryma e Perëndisë që të keni qëndrimin e duhur për këtë çështje jetësore.
20 Të gjithë pjesëtarët e kongregacionit do të nxjerrin dobi nga përpjekjet vetëmohuese që bën secili në shërbim të Perëndisë. Kur përfshihemi në vepra mirëdashëse dhe altruiste, korrim gëzimin që vjen ndërsa u shërbejmë të tjerëve dhe mbjellim për frymën. Por, siç do ta tregojë artikulli vijues, nuk duhet ta hidhërojmë frymën e shenjtë të Perëndisë. Si mund ta shmangim këtë?
[Shënimi]
Si do të përgjigjeshit?
• Për çfarë na garanton profecia e dokumentuar te Mikea 5:5?
• Shpjegoni se çfarë përfshin fryma vetëmohuese.
• Si mund ta kultivojmë dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve?
• Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi familjar që një burrë të kualifikohet për të shërbyer si shërbëtor ndihmës ose plak?
[Figurat në faqen 25]
Çfarë mund të bësh për të synuar përgjegjësi në kongregacion?