Të kërkojmë me ngulm bekimin e Jehovait
«[Perëndia] bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»—HEBR. 11:6.
1, 2. (a) Si e kërkojnë shumë njerëz bekimin e Perëndisë? (b) Pse duhet të na interesojë në veçanti të marrim bekimin e Jehovait?
SHUMË njerëz mendojnë se kur dikush ka pasuri, shtëpi dhe makina, e ka bekuar Perëndia. Në fe të ndryshme, kleri bekon njerëz, kafshë dhe objekte pa jetë. Njerëzit mund të shkojnë në disa vende «të shenjta» me shpresën që të marrin një bekim. Politikanët rregullisht kërkojnë bekimin e Perëndisë për kombin e tyre. A mendoni se këto kërkesa për bekim janë të përshtatshme? A kanë ndonjë dobi ato? Kush e merr vërtet bekimin e Perëndisë dhe pse?
2 Jehovai paratha se në ditët e fundit, ai do të kishte një popull të pastër e paqësor nga të gjitha kombet, i cili do të predikonte lajmin e mirë për Mbretërinë deri në skajet e tokës, pavarësisht nga urrejtja dhe kundërshtimi. (Isa. 2:2-4; Mat. 24:14; Zbul. 7:9, 14) Ne që kemi pranuar përgjegjësinë të jemi pjesë e këtij populli, duam dhe kemi nevojë për bekimin e Perëndisë, sepse pa të nuk mund të shpresojmë kurrë t’ia dalim mbanë. (Psal. 127:1) Por, si mund ta marrim bekimin e Perëndisë?
Bekimet ‘zënë’ të bindurit
3. Cili do të ishte rezultati nëse izraelitët do të bindeshin?
3 Lexo Proverbat 10:6, 7. Pak përpara se kombi i Izraelit të hynte në Tokën e Premtuar, Jehovai tha se ata do të begatoheshin dhe do të mbroheshin në mënyrë të jashtëzakonshme nëse do t’i bindeshin zërit të tij. (Ligj. 28:1, 2) Bekimet e Jehovait jo vetëm do të vinin mbi popullin e tij, por ‘do ta zinin’. Për të bindurit, bekimet do të ishin absolutisht të sigurta.
4. Çfarë përfshin bindja e vërtetë?
4 Me ç’qëndrim duhej të bindeshin izraelitët? Siç tha në Ligjin e tij, Perëndia nuk do të ndihej aspak i kënaqur në qoftë se populli i tij nuk do t’i shërbente «me gëzim e hare zemre». (Lexo Ligjin e përtërirë 28:45-47.) Jehovai nuk meriton vetëm bindje mekanike ndaj disa urdhrave të caktuar, siç mund të binden edhe kafshët ose demonët. (Mar. 1:27; Jak. 3:3) Bindja e sinqertë ndaj Perëndisë është një shprehje dashurie. Ajo karakterizohet nga gëzimi që buron prej besimit se urdhërimet e Jehovait nuk janë të rënda dhe se ai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».—Hebr. 11:6; 1 Gjon. 5:3.
5. Si do ta ndihmonte dikë besimi te premtimi i Jehovait që t’i bindej ligjit që përmendet te Ligji i përtërirë 15:7, 8?
5 Të shqyrtojmë se si mund të shfaqej një bindje e tillë me besim duke zbatuar ligjin që përmendet te Ligji i përtërirë 15:7, 8. (Lexoje.) Bindja me pahir ndaj këtij ligji mund t’u sillte njëfarë lehtësimi fillestar të varfërve, por a do të nxiste marrëdhënie të mira dhe një atmosferë të ngrohtë mes popullit të Perëndisë? Ç’është më e rëndësishmja, a do të pasqyronte besim tek aftësia e Jehovait për t’u plotësuar nevojat shërbëtorëve të tij dhe a do të tregonte çmueshmëri për mundësinë që u jepej për të imituar bujarinë e tij? Patjetër që jo! Perëndia e vërente gjendjen e zemrës së dikujt që ishte vërtet bujar dhe premtoi se do ta bekonte një njeri të tillë në çdo gjë që do të kryente e në çdo gjë që do t’i bënte dora. (Ligj. 15:10) Besimi në atë premtim do t’i shtynte shërbëtorët e Perëndisë të vepronin dhe do t’u sillte bekime të panumërta.—Prov. 28:20.
6. Për çfarë na siguron Hebrenjve 11:6?
6 Përveçse të kemi besim te Jehovai si Shpërblyesi, te Hebrenjve 11:6 theksohet një cilësi tjetër që nevojitet për të marrë bekimin e tij. Vini re se Jehovai shpërblen ata «që e kërkojnë me ngulm». Fjala në gjuhën origjinale e përdorur këtu, nënkupton përpjekje të fuqishme dhe të përqendruara. Sa siguri na jep ky varg! Nëse bëjmë përpjekje ngulmuese, do ta marrim bekimin! Ky premtim vjen nga i vetmi Perëndi i vërtetë, «që nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Ai e ka treguar gjatë mijëra vjetëve se çdo gjë që premton është absolutisht e besueshme. Fjalët e tij nuk dështojnë kurrë; ato dalin gjithmonë të vërteta. (Isa. 55:11) Prandaj, jemi plotësisht të sigurt që, nëse tregojmë besim të vërtetë, ai do të jetë edhe Shpërblyesi ynë.
7. Si mund ta marrim bekimin e Perëndisë nëpërmjet «farës» së Abrahamit?
7 Jezu Krishti tregoi se ishte pjesa kryesore e «farës» së Abrahamit, nëpërmjet të cilit u premtua se do të vinte një bekim. Të krishterët e mirosur formojnë pjesën dytësore të «farës» së parathënë. Atyre u është dhënë caktimi që ‘të shpallin kudo virtytet e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (Gal. 3:7-9, 14, 16, 26-29; 1 Pjet. 2:9) Nuk mund të shpresojmë të kemi një marrëdhënie të mirë me Jehovain nëse shpërfillim ata që Jezui i ka emëruar të kujdesen për zotërimet e tij. Pa ndihmën e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, as do t’i kuptonim plotësisht gjërat që lexojmë në Fjalën e Perëndisë dhe as do të dinim si t’i zbatonim. (Mat. 24:45-47) Duke vënë në praktikë gjërat që mësojmë nga Shkrimet, mund të marrim bekimin e Perëndisë.
Të përqendrohemi te vullneti i Perëndisë
8, 9. Çfarë përpjekjesh bëri patriarku Jakob në përputhje me premtimin e Perëndisë?
8 Kur mendojmë se kërkohen përpjekje energjike për të marrë bekimin e Perëndisë, fare mirë mund të na vijë në mendje patriarku Jakob. Ai nuk e dinte se si do të përmbushej premtimi që i bëri Perëndia Abrahamit, por besonte se Jehovai do t’i shumonte tej mase pasardhësit e gjyshit të tij, të cilët do të bëheshin një komb i madh. Kështu, në vitin 1781 p.e.s., Jakobi mori udhën për në Haran që të gjente grua. Ai nuk ishte i interesuar që thjesht të gjente dikë që do të ishte bashkëshorte e këndshme, por kërkonte një grua me mendje frymore që të ishte adhuruese e Jehovait dhe të bëhej një nënë e mirë për fëmijët e tij.
9 Dimë që Jakobi takoi të afërmen e tij, Rakelën. Ai ra në dashuri me të dhe, që ta merrte për grua, pranoi të punonte për babanë e saj, Labanin, për shtatë vjet. Kjo nuk ishte vetëm një histori e paharrueshme dashurie. Me siguri Jakobi e dinte premtimin që Perëndia i Plotfuqishëm i kishte bërë gjyshit të tij, Abrahamit, dhe që ia kishte thënë përsëri atit të tij, Isakut. (Zan. 18:18; 22:17, 18; 26:3-5, 24, 25) Nga ana e tij, Isaku i tha të birit, Jakobit: «Perëndia i Plotfuqishëm do të të bekojë e do të të shumojë, dhe nga ti do të vijnë shumë popuj. Ai do të të japë bekimin e Abrahamit, ty dhe farës sate, që të shtiesh në dorë vendin ku banon si i huaj, që Perëndia ia ka dhënë Abrahamit.» (Zan. 28:3, 4) Pra, përpjekjet që bëri Jakobi për të gjetur gruan e duhur dhe për të pasur një familje, pasqyronin besimin e tij te fjalët që kishte thënë Jehovai.
10. Pse Jehovai e bekoi me kënaqësi Jakobin në përputhje me kërkesën e tij?
10 Jakobi nuk po kërkonte pasuri që t’i siguronte familjes një jetë të rehatshme. Ai e mbante mendjen te premtimi i Jehovait për pasardhësit e tij. Ishte i përqendruar te përmbushja e vullnetit të Jehovait. Jakobi ishte i vendosur të bënte gjithçka që kishte në dorë për të marrë bekimin e Perëndisë pavarësisht nga pengesat. Ai mbajti këtë qëndrim deri në pleqëri dhe Jehovai e bekoi për këtë.—Lexo Zanafillën 32:24-29.
11. Ç’përpjekje duhet të bëjmë në përputhje me vullnetin e Perëndisë të zbuluar në Fjalën e tij?
11 Ashtu si Jakobi, nuk i dimë të gjitha hollësitë e përmbushjes së qëllimit të Jehovait. Por, duke studiuar Fjalën e Perëndisë, krijojmë një tablo të përgjithshme se çfarë mund të presim në lidhje me ‘ditën e Jehovait’. (2 Pjet. 3:10, 17) Për shembull, nuk e dimë saktësisht se kur do të vijë ajo ditë, por e dimë se është afër. Kemi besim te Fjala e Perëndisë kur thotë se, duke dhënë një dëshmi të plotë në kohën e shkurtër që mbetet, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë.—1 Tim. 4:16.
12. Për çfarë jemi të sigurt?
12 E kuptojmë se fundi mund të vijë në çdo kohë, pasi Jehovai nuk ka pse të presë derisa çdo njeriu në tokë t’i jepet personalisht dëshmi. (Mat. 10:23) Megjithatë, Jehovai na jep udhëzime të vlefshme se si ta kryejmë me efektshmëri veprën tonë të predikimit. Me besim marrim pjesë në këtë vepër duke i shfrytëzuar sa më mirë aftësitë tona dhe duke përdorur çdo gjë që kemi në dispozicion. A do ta pranojnë shumë njerëz në territorin tonë mesazhin që predikojmë? Faktikisht, nuk mund ta dimë që më përpara. (Lexo Eklisiastiun 11:5, 6.) Puna jonë është të predikojmë, duke besuar se Jehovai do të na japë bekimin e tij. (1 Kor. 3:6, 7) Jemi të sigurt se ai i sheh përpjekjet tona të fuqishme dhe nëpërmjet frymës së shenjtë do të na japë çfarëdo drejtimi specifik që na nevojitet.—Psal. 32:8.
Të kërkojmë frymën e shenjtë
13, 14. Si është treguar se fryma e shenjtë e Perëndisë është në gjendje t’i kualifikojë shërbëtorët e tij?
13 Po sikur të ndihemi të paaftë për të përmbushur një caktim ose për të marrë pjesë në veprën e predikimit? Duhet t’i kërkojmë Jehovait të na japë frymën e shenjtë që të përmirësojmë çfarëdo aftësie që kemi në shërbim të tij. (Lexo Lukën 11:13.) Fryma e Perëndisë mund t’i kualifikojë njerëzit për një punë ose privilegj shërbimi, pavarësisht nga rrethanat ose përvoja e tyre e mëparshme. Për shembull, menjëherë pas daljes nga Egjipti, falë frymës së Perëndisë ata që ishin veçse barinj dhe skllevër arritën t’i mundnin armiqtë, pavarësisht se nuk kishin përvojë në luftë. (Dal. 17:8-13) Pak më pas, e njëjta frymë e pajisi Bezalelin dhe Oholiabin me aftësitë për të zbatuar planet e mrekullueshme arkitekturale të tabernakullit, që frymëzoi Perëndia.—Dal. 31:2-6; 35:30-35.
14 Kjo frymë e fuqishme i pajisi shërbëtorët e Perëndisë të kohëve të sotme me aftësitë që të kujdeseshin për nevojat e organizatës kur u bë e nevojshme t’i shtypnin vetë botimet. Në një letër, vëlla Robert Martini, mbikëqyrësi i fabrikës në atë kohë, shpjegoi se çfarë ishte arritur në vitin 1927. «Në kohën e duhur, Zotëria hapi derën dhe makina e madhe rotative e shtypit ra në duart tona, ra në duart e atyre që nuk dinin asgjë se si ishte ndërtuar dhe si funksiononte. Por Zotëria di si t’ua shkathtësojë mendjen atyre që duan t’i japin më të mirën atij. . . . Vetëm në pak javë mundëm ta bënim atë makinë shtypi të uturinte dhe ende uturin e po bën punën që as prodhuesit e saj nuk e dinin se mund ta bënte.» Jehovai ka vazhduar t’i bekojë përpjekje të tilla ngulmuese edhe sot e kësaj dite.
15. Si mund t’i inkurajojë shkrimi i Romakëve 8:11 ata që po hasin një tundim?
15 Fryma e Jehovait vepron në mënyra të ndryshme. Kjo frymë është në dispozicion të të gjithë shërbëtorëve të Perëndisë dhe i ndihmon të kapërcejnë pengesa të jashtëzakonshme. Çfarë mund të bëjmë nëse ndihemi sikur nuk ia dalim dot mbanë përballë një tundimi? Mund të marrim forcë nga fjalët e Pavlit që gjenden te Romakëve 7:21, 25 dhe 8:11. Po, «fryma e atij që e ngriti Jezuin nga të vdekurit» mund të veprojë në dobinë tonë duke na fuqizuar të fitojmë luftën kundër dëshirave të mishit. Ky fragment u shkrua për të krishterët e mirosur nga fryma, megjithatë parimi zbatohet për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë. Të gjithë do të fitojmë jetë duke treguar besim te Krishti, duke u përpjekur fort që t’i bëjmë të vdesin dëshirat e papërshtatshme dhe duke jetuar në përputhje me drejtimin e frymës.
16. Çfarë duhet të bëjmë për të marrë frymën e shenjtë të Perëndisë?
16 A mund të presim që Perëndia të na japë forcën e tij vepruese pa asnjë përpjekje nga ana jonë? Jo. Përveçse të lutemi për të, duhet të përpiqemi fort që të ushqehemi me Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (Prov. 2:1-6) Veç kësaj, fryma e Perëndisë prehet mbi kongregacionin e krishterë. Duke ndjekur rregullisht mbledhjet, shfaqim dëshirën tonë ‘për të dëgjuar çfarë u thotë fryma kongregacioneve’. (Zbul. 3:6) Për më tepër, duhet të pranojmë me përulësi gjërat që mësojmë. Proverbat 1:23 na këshillon: «Kthehuni kur t’ju qortoj unë. Atëherë do të bëj që fryma ime të gurgullojë për ju.» Po, Perëndia u jep frymë të shenjtë «atyre që i binden si sundimtar».—Vep. 5:32.
17. Me çfarë mund t’i krahasojmë rezultatet e bekimit të Perëndisë ndaj përpjekjeve tona?
17 Edhe pse kërkohen përpjekje të zellshme për të marrë bekimin e Perëndisë, të mos harrojmë se arsyeja pse Jehovai ka derdhur një bollëk të mirash mbi popullin e tij, nuk është vetëm për shkak të punës së palodhur që ka bërë. Rezultatet e bekimit të tij ndaj përpjekjeve tona, mund të krahasohen me mënyrën si nxjerr dobi trupi ynë nga ushqimi i shëndetshëm. Perëndia e krijoi trupin e njeriut në atë mënyrë që ta shijojë ushqimin dhe të marrë prej tij lëndë ushqyese jetësore. Gjithashtu ai na e siguron ushqimin. Nuk e dimë tamam se si trupi i merr lëndët ushqyese e po ashtu shumica prej nesh nuk mund të shpjegojë se si trupi prodhon energji nga ushqimi që hamë. Thjesht e dimë se ky proces ndodh dhe ne bashkëpunojmë duke ngrënë. Nëse zgjedhim të hamë ushqim me vlera ushqyese, rezultatet do të jenë edhe më të mira. Në mënyrë të ngjashme, Jehovai cakton kërkesat për jetën e përhershme dhe na jep ndihmën që na nevojitet për t’i përmbushur ato. Është e qartë se ai bën pjesën më të madhe të punës dhe meriton lavdi. Prapëseprapë, që të marrim bekimin e Perëndisë, duhet të bashkëpunojmë me të, duke vepruar në përputhje me vullnetin e tij.—Hag. 2:18, 19.
18. Për çfarë jeni të vendosur dhe pse?
18 Prandaj, ta përmbushim me gjithë zemër çdo caktim që kemi. T’i drejtohemi gjithmonë Jehovait për të pasur sukses. (Mar. 11:23, 24) Ndërsa veprojmë kështu, të jemi të sigurt se «kush kërkon, gjen». (Mat. 7:8) Të mirosurit nga fryma do të bekohen me «kurorën e jetës» në qiej. (Jak. 1:12) ‘Delet e tjera’ të Krishtit, të cilët po përpiqen të marrin një bekim nëpërmjet farës së Abrahamit, do të gjejnë kënaqësi kur ta dëgjojnë Atë t’u thotë: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.» (Gjoni 10:16; Mat. 25:34) Po, «ata që [Perëndia] bekon do të trashëgojnë tokën . . . dhe do të banojnë përgjithmonë në të».—Psal. 37:22, 29.
A mund të shpjegoni?
• Çfarë përfshin bindja e vërtetë?
• Çfarë kërkohet për të marrë bekimin e Perëndisë?
• Si mund ta marrim frymën e shenjtë të Perëndisë dhe si mund të veprojë ajo në dobinë tonë?
[Figurat në faqen 9]
Jakobi u kacafyt me një engjëll që të merrte bekimin e Jehovait.
A bën edhe ti përpjekje të tilla ngulmuese?
[Figura në faqen 10]
Fryma e Perëndisë e pajisi Bezalelin dhe Oholiabin me aftësi të jashtëzakonshme