Ide për adhurimin familjar dhe studimin personal
NË FILLIM të vitit 2009, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën bënë një ndryshim në programin e mbledhjeve të tyre. Dy nga mbledhjet që mbanin gjatë javës u bashkuan, dhe të gjithë u inkurajuan ta përdornin mbrëmjen që mbetej e lirë për adhurimin familjar ose studimin personal. A keni nxjerrë dobi nga ky ndryshim? A po përfitoni plotësisht prej tij?
Disa nuk janë të sigurt se ç’material të zgjedhin për të trajtuar gjatë adhurimit familjar. Trupi Udhëheqës nuk ka si qëllim të vendosë një model për të gjitha familjet. Meqë rrethanat janë të ndryshme, është më mirë që secili kryefamiljar ose individ, të përcaktojë vetë se si të përfitojnë sa më shumë nga ky rast.
Atë mbrëmje disa përgatiten për mbledhjet, por është mirë që adhurimi familjar të mos mbetet vetëm me aq. Të tjerë lexojnë ose diskutojnë materiale biblike e madje i paraqitin në formë drame, sidomos kur kanë fëmijë dhe duan që të përfitojnë. Mund të mos jetë gjithnjë e nevojshme dhe as e dëshirueshme të përdorim metodën me pyetje-përgjigje, siç bëjmë zakonisht në mbledhje. Shpesh një atmosferë e qetë ndikon më shumë për të bërë biseda stimuluese dhe për të shkëmbyer mendime. Kjo lloj atmosfere nxit krijimtarinë duke e bërë çdo rast të gëzueshëm e të paharrueshëm për të gjithë.
Një baba me tre fëmijë shkruan: «Adhurimin familjar e bazojmë kryesisht te leximi i Biblës. Secili prej nesh i lexon që më parë kapitujt, fëmijët zgjedhin pika për të bërë kërkime dhe pastaj na tregojnë çfarë kanë gjetur. Majkëlli [shtatë vjeç] zakonisht vizaton diçka ose shkruan një paragraf. Davidi dhe Ketlina [13 dhe 15 vjeç] mund të shkruajnë rreth një tregimi biblik nga këndvështrimi i një vëzhguesi. Për shembull, kur po lexonim pjesën ku Jozefi interpretoi ëndrrat e bukëpjekësit dhe të kupëmbajtësit të faraonit, Ketlina bëri një hartim duke e shkruar ngjarjen sikur të ishte një e burgosur që po shihte skenën.»—Zan., kap. 40
Natyrisht, rrethanat ndryshojnë. Ajo që mund të jetë e efektshme për një individ a për një familje, mund të mos jetë për një tjetër. Kutia shoqëruese jep disa ide që mund të përdoren në adhurimin familjar ose studimin personal. Ka shumë të ngjarë të keni edhe mjaft ide të tjera në mendje.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
Për familjet me adoleshentë:
• Lexoni dhe diskutoni librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.
• Imagjinoni sikur jetoni në kohët biblike. (Shih Kullën e Rojës 15 maj 1996, faqja 14, paragrafët 17-18.)
• Flisni për synime afatshkurtra e afatgjata.
• Herë pas here shihni e diskutoni rreth një videoje të bazuar në Bibël.
• Shqyrtoni rubrikën «Për të rinjtë» te Kulla e Rojës.
Për çiftet pa fëmijë:
• Shqyrtoni kapitujt 1, 3, 11-16 të librit Sekreti i lumturisë familjare.
• Tregojini njëri-tjetrit ç’keni gjetur nga kërkimet që keni bërë për pika interesante nga leximi i Biblës.
• Përgatituni për Studimin e Biblës në Kongregacion ose për Studimin e Kullës së Rojës.
• Diskutoni si mund të zgjeroni shërbimin si çift.
Për vëllezërit e motrat beqare ose për familjet e ndara nga ana fetare:
• Studioni botimet e reja që kanë dalë në kongrese.
• Lexoni Librin vjetor të tanishëm e të viteve të kaluara.
• Bëni kërkime rreth pyetjeve që ngrenë më shpesh në territorin tuaj.
• Përgatitni prezantime për shërbimin.
Për familjet me fëmijë të vegjël:
• Realizoni drama biblike.
• Luani lojëra që vënë në punë kujtesën, si ato që gjenden në faqet 30 dhe 31 të Zgjohuni!
• Me raste, bëni diçka imagjinare (Shih «Ia vlejnë përpjekjet!» te Kulla e Rojës 15 shkurt 2011, faqja 11.)
• Shqyrtoni rubrikën «Mësojini fëmijët» te Kulla e Rojës.