Si t’ia dalim me më pak të ardhura?
OBEDI është baba i dy fëmijëve. Për dhjetë vjet punoi në një hotel me pesë yje në një qytet të madh afrikan dhe i plotësonte pa problem nevojat e familjes. Herë pas here bënte pushime për së mbari me familjen në rezervate gjuetie në vendin e tij. E gjithë kjo mori fund kur humbi punën për shkak të klientelës së paktë në hotel.
Gjatë një karriere mbi 22-vjeçare, Stefanin e vunë në një post drejtues në një bankë të madhe. Mes shumë shpërblimeve që i dha puna, ishin një shtëpi e madhe, një makinë, shërbëtorë në shtëpi dhe shkolla prestigjoze për fëmijët. Kur banka filloi të ristrukturohej, ai ngeli pa punë. Stefani thotë: «Unë dhe familja ishim të rrënuar. Më mbërtheu dëshpërimi, zemërimi dhe ankthi.»
Pa dyshim që këto nuk janë të vetmet raste. Kriza e vazhdueshme ekonomike në mbarë globin ka bërë që të humbasin punën miliona veta të cilët kishin të ardhura të qëndrueshme. Shumë prej atyre që kanë arritur të gjejnë një punë, u është dashur të pranojnë rrogë të ulët ndërkohë që ndeshen me çmime stratosferike. Sado i zhvilluar të jetë, asnjë komb në tokë nuk është i paprekshëm nga rrënimi që sjell rënia ekonomike.
Duhet mençuri
Kur gjendemi përballë rënies ose humbjes së të ardhurave, është e lehtë të na pushtojnë mendime negative. Qartë, askush nuk e shmang dot plotësisht njëfarë ankthi. Megjithatë një burrë i mençur tha dikur: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» (Proverbat 24:10) Në vend që të na zërë paniku nga përkeqësimi i ekonomisë, duhet t’i drejtohemi Fjalës së Perëndisë për ‘mençuri’.—Proverbat 2:7.
Edhe pse Bibla s’është udhëzues financiar, këshillat praktike që jep për këto çështje kanë ndihmuar miliona veta në mbarë botën. Le të shqyrtojmë disa parime bazë nga Bibla.
Llogarit koston. Shiko ç’tha Jezui te Luka 14:28: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» Zbatimi i këtij parimi nënkupton të bëjmë një buxhet dhe t’i përmbahemi. Por, siç e pranon Obedi, kjo mund të jetë sfidë. Ai thotë: «Para se të humbja punën, blinim gjithmonë shumë gjëra që nuk na duheshin vërtet. Kurrë s’mbanim buxhet, sepse kishim para për çdo gjë që na donte qejfi.» Planifikimi do të na ndihmojë që t’i shpenzojmë të ardhurat e pakta për nevojat bazë të familjes.
Përshtate jetën. Patjetër që është e vështirë të pranosh një standard më të ulët jetese, por kjo është e nevojshme. Stefani thotë: «Që të kursenim para si familje, na u desh të shpërnguleshim te shtëpia jonë, më e vogël e me një pjesë të brendshme të papërfunduar. Fëmijëve iu desh të transferoheshin në shkolla më të lira që prapëseprapë jepnin arsimim të mirë.»
Komunikimi i hapur si familje është jetësor, nëse duam t’ia dalim mbanë kur përshtatemi me një mënyrë të re jetese. Austini, i cili punoi për një institucion finance për nëntë vjet para se të humbiste punën, thotë: «Bashkë me gruan u ulëm dhe shkruam gjërat që na duheshin vërtet. Na u desh të hiqnim nga lista ushqime të kushtueshme, pushime të shtrenjta dhe blerje të panevojshme të rrobave të reja. Jam i lumtur që familja bashkëpunoi për të gjitha këto përshtatje.» Sigurisht, fëmijët e vegjël mund të mos e kuptojnë plotësisht pse duhen bërë këto ndryshime, por ju prindër mund t’i ndihmoni që të kuptojnë.
Prano me gatishmëri lloje të tjera pune. Nëse je mësuar me punë zyre, mund të të duket e frikshme puna fizike. Austini thotë: «E kisha të vështirë mendërisht të pranoja punë krahu, pasi isha mësuar në pozita drejtuese në një firmë të madhe. Kjo nuk të habit, duke pasur parasysh atë që thotë Bibla te Proverbat 29:25: «Të dridhesh para njerëzve përbën një lak.» Po ta vrasësh mendjen se ç’mendojnë të tjerët, zor se do ta fitosh bukën e gojës. Ç’mund të të ndihmojë t’i mposhtësh mendimet negative?
Një çelës është përulësia. Pasi humbi punën në hotel, Obedit i ofroi punë një ish-koleg që ka një ofiçinë. Kjo punë përfshinte të përshkoje më këmbë distanca të gjata në rrugët tërë pluhur, që të merrje bojëra e pjesë këmbimi për automjete. Obedi thotë: «Ishte sikur më kishin rënë gjithë të zezat në kokë. Përulësia më ndihmoi të përshtatesha me një punë ku fitoj më pak se çereku i rrogës së mëparshme, por mjafton për nevojat e familjes sime.» A mund të nxjerrësh dobi nga kjo pikëpamje?
Kënaqu me aq sa ke. Një fjalor e përkufizon një njeri të kënaqur si ‘ai që mjaftohet, që nuk kërkon më shumë’. Ky përshkrim mund t’i duket jorealist dikujt që ka probleme të rënda financiare. Sidoqoftë, shiko ç’thotë apostulli Pavël, një misionar që e dinte ç’do të thoshte të ishe në nevojë: «Kam mësuar që në çfarëdo rrethane, të kënaqem me aq sa kam. Në të vërtetë, di të rroj kur jam ngushtë dhe di të rroj në bollëk.»—Filipianëve 4:11, 12.
Mbase gjendja jonë është më e mirë. Por, në këto kohë që po ndryshojnë, mund të ishte edhe shumë më e keqe. Do të nxjerrim vërtet dobi nëse marrim për zemër këshillën e frymëzuar të Pavlit: «Sigurisht, përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.» Pa nxitur dembelizmin, Pavli po tregonte si t’i mbajmë nevojat fizike në vendin e duhur.—1 Timoteut 6:6, 8.
Burimi i lumturisë së vërtetë
Lumturia e vërtetë s’vjen kur grumbullojmë çdo gjë që mund të duam ose kur jetojmë rehat-rehat e me bollëk. Vetë Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» Po, ndiejmë lumturi e kënaqësi kur e përdorim atë që kemi për të ndihmuar të tjerët dhe që të jemi burim inkurajimi për ta.—Veprat 20:35.
Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, i di shumë mirë të gjitha nevojat tona. Me anë të Fjalës së tij, Biblës, ai na ka siguruar këshilla praktike që kanë ndihmuar shumë veta të përmirësojnë jetën dhe të çlirohen nga ankthi i panevojshëm. Natyrisht, rezultati nuk do të jetë një përmirësim i papritur ose i jashtëzakonshëm i gjendjes ekonomike të dikujt. Por Jezui i siguroi ata që ‘vazhdojnë të kërkojnë në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë [e Perëndisë]’ se të gjitha nevojat e përditshme do t’u plotësohen.—Mateu 6:33.